Hillary Clinton - Foto: Facebook

Clinton, e Preferuara e Amerikanëve nga Ballkani

Në fund të tetorit, tre javë përpara zgjedhjeve presidenciale amerikane, Madeleine Albright, ish-sekretaria amerikane e shtetit, një mikeshë e afërt e familjes Clinton dhe këshilltare për politikën e jashtme për kandidaten demokrate Hillary Clinton, vizitoi komunitetin islam vendas “Ezan” në Ajoua.

Një postim në uebsajtin e qendrës, ku më së shumti mblidhen myslimanë nga Bosnja, tha se Albright kishte “theksuar privilegjin e shtetësisë amerikane dhe detyrën për të marrë pjesë në zgjedhje, veçanërisht në zgjedhjet presidenciale të këtij viti”.

Postimi shkruante gjithashtu se Albright e kishte përdorur vizitën për t’i kujtuar boshnjakëve ngjarjet e vitit 1995 kur bashkëshorti i Hillary, presidenti Bill Clinton, ndërhyri ushtarakisht për t’i dhënë fund luftës së tmerrshme të Bosnjes.

Vizita e Albright duket se është një kujtesë e qartë për 150,000 boshnjakët që jetojnë në SHBA për të kthyer nderin dhe për të votuar për znj. Clinton.

Në garën e ngushtë midis Clinton dhe kandidatit republikan Donald Trump, që është bërë gjithnjë e më e ngushtë ndërsa dita e votimit afrohet, çdo votë ka rëndësi.

Përpjekja e Albright për të marrë “votën boshnjake” nuk është çudi. Që kur Bill Clinton përfshiu SHBA-në në luftën në Bosnjë, myslimanët e Bosnjës kanë qenë ndër mbështetësit më të vendosur të Clintonëve.

Megjithatë, historia e ndërhyrjes së Bill Clinton ka krijuar edhe disa armiq të hidhur të Clintonëve – dhe vota të mundshme për Trump.

Serbët e Bosnjës në SHBA, si dhe serbët nga Serbia dhe Kosova, nuk kanë kujtime të mira bombardimi i pozicioneve serbe në Kosovë dhe Serbi në vitin 1999 nga NATO.

Për shkak të këtyre ndërhyrjeve ushtarake, shumë serbë janë ndër kritikët më të fortë të Clintonëve dhe mbështetës të vendosur të Trump.

Shumica e shqiptarëve pro Clinton, por jo të gjithë

Boshnjakët nuk janë i vetmi komunitet i madh ballkanas në SHBA.

Sipas censusit të vitit 2010, SHBA-ja është shtëpi e rreth 200,000 shqiptarëve etnikë.

Megjithatë, shoqatat shqiptare thonë se shifra e vërtetë mund të jetë deri në gjysmë milioni, nëse llogariten dhjetëra mijëra shqiptarët që ikën nga Shqipëria, Kosova dhe pjesë të tjera të Ballkanit nga vitet 1940 e mbrapa.

Si vendi me numrin më të madh të shoqatave dhe klubeve që nderojnë kulturën dhe traditat shqiptare, Bostoni konsiderohet anija pika e nxehtë e emigrantëve shqiptarë në SHBA. Por komunitete të mëdha mund të gjenden edhe në Çikago dhe Detroit.

Avni Mustafaj, ish-drejtor i Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan, i tha BIRN se ashtu si boshnjakët, shumica e shqiptarëve në SHBA mbështesin fuqishëm Clinton.

“Shqiptarët i kanë mbështetur gjithnjë Clintonët dhe kanë arsye të mirë për ta bërë këtë,” tha Mustafaj.

Simpatia e tyre lidhet me veprimin e Bill Clinton për të mbrojtur shqiptarët e Kosovës nga represioni i ashpër i Serbisë nën sundimin e Sllobodan Millosheviç në vitin 1999, kur shqiptarët në Kosovë kërkonin pavarësi.

Shumë shqiptarë besojnë se Hillary e ka çuar përpara trashëgiminë e mbështetjes së Kosovës gjatë mandatit të saj si Sekretare e Shtetit në administratën e Barack Obamës.

I vetëdijshëm për këtë mbështetje, Bill Clinton, i shoqëruar nga kongresmeni i Nju Jorkut Eliot Engel, një mbështetës i çështjeve shqiptare dhe Mark Gjonaj, një politikan shqiptaro-amerikan në Asamblenë e Shtetit të Nju Jorkut, shkuan në Nju Jork në prill për të bërë fushatë te shqiptarët për zgjedhjen e “Hillary për Presidente”.

Në tetor 2015, Clintonët mbajtën dy evente për mbledhje fondesh në nju Jork dhe Konektikat të organizuara nga filantropët dhe biznesmenët shqiptarë.

Beqir Sina, një gazetar me bazë në Nju Jork, i tha BIRN se ndërsa shumë shqiptarë në SHBA ende kanë një “pëlqim sentimental” për Hillary Clinton, shqiptarët janë gjithashtu të ndarë në preferencat e tyre, pasi po peshojnë çështjet e rëndësishme për komunitetet e tyre lokale.

“Shqiptarët janë të ndarë mes republikanëve dhe demokratëve. Duke e njohur komunitetin për 25 vjet, do të ishte naive të besonim se do të votonin të gjithë për një kandidat apo për një tjetër,” paralajmëroi ai.

“Votuesit shqiptarë gjenden në të dyja kampet – të organizuar në qytetet e tyre – për dyshen Trump-Pence dhe për Clinton-Kaine,” tha ai.

Shumica e bullgarëve e shohin Trump si përçarës

Bullgaria është një tjetër vend ballkanas me një diasporë të madhe dhe të ndryshme në SHBA, përkatësitë politike e të së cilës ndryshojnë sipas moshës, arsimimit dhe statusit social.

Sipas vlerësimeve të Byrosë së Censusit në SHBA për vitin 2014, rreth 95.000 njerëz me origjinë bullgare jetojnë në SHBA. Vlerësimet jozyrtare nga burime të ndryshme e çojnë këtë shifër deri në 300.000.

Diaspora është e përhapur në të gjithë vendin, por është e përqendruar kryesisht në Illinois. Çikago është pagëzuar si “qyteti më bullgar në Amerikë”.

Komuniteti bullgar atje ka shkolla të vetat, gazeta dhe një kanal televiziv – Televizioni Ndërkombëtar Bullgar, ose BIT që filloi gjithashtu transmetimin në Bullgari në vitin 2015.

Edhe pse nuk janë kryer sondazhe mbi mënyrën se si do të votojnë amerikano-bullgarët, Vanya Kramer, një gazetare thotë se ndjenja e përgjithshme anon drejt Clinton.

“Megjithatë, gjatë raundit të parë ka pasur një lëvizje të madhe për të mbështetur Bernie Sanders, kryesisht te bullgarët e rinj që nuk e mbajnë mend komunizmin dhe që jetojnë në brigjet lindore dhe perëndimore, aty ku ndodhet përgjithësisht popullsia më progresive”, ajo tha për BIRN.

“Duke folur për disa nga këta njerëz tani, unë nuk jam e bindur se ata do të votojnë për Hillary. Mendoj se do të votojnë për Partinë e Gjelbër ose nuk do të votojnë fare,” shtoi ajo.

Kramer tha se pak bullgarë e mbështetin Trump, pasi i shohin politikat e tij si shumë përçarëse.

“Edhe njerëzit vërtet konservatorë nuk e shohin Donald Trump si kandidatin e tyre, pasi platforma e tij është shumë larg vlerave thelbësore republikane. Ata mbështetën Ted Cruz ose Jeb Bush dhe tani po hasin rezistencë në kalimin në anën e Trump,” shpjegoi ajo.

Shumë bullgarë pa dokumente jetojnë në SHBA, të cilët i kanë shkelur vizat e tyre turistike ose të punës, gjithashtu simpatizojnë Clinton, kryesisht për shkak të fjalimeve anti-emigrantë të Trump – edhe pse nuk mund të votojnë.

Kramer pranon se disa bullgarë më të vjetër dhe më të pasur e admirojnë Trump pasi ka ndërtuar një perandori të suksesshme biznesi dhe mendojnë se ai do ta drejtojë vendin ashtu si bizneset e tij. Ata janë të bindur se në qoftë se ai fiton, do të heqë dorë nga idetë e tij sensacionale dhe të vijës së ashpër.

Malazezët e shohin Clinton si mundësinë “më pak të keqe”

Një nga shtetet më të vogla europiane, me vetëm 600,000 shtetas, Mali i Zi nuk ka një diasporë të konsiderueshme në SHBA. Censusi i Amerikës për vitin 2010 numëroi vetëm disa mijë njerëz me origjinë malazeze, edhe pse vlerësimet jozyrtare thonë se shifra shkon në 150.000.

Malazezët janë edhe më të ndarë mes Trump dhe Clinton sesa komuniteti bullgar apo boshnjak. Malazezët me origjinë serbe, ose ata që e identifikojnë veten si serbë përkrahin Trump, ndërsa ata me prejardhje boshnjake dhe shqiptare mbështesin Hillary.

Një gazetar malazez që jeton në Nju Jork, Samir Kajoseviç, beson se ndërsa disa malazezë do të mbështesin Trump për shkak të afërsisë së tij të perceptuar me Rusinë, anëtarët e diasporës gjithashtu ndihen të kërcënuar nga retorika anti-emigrant e Trump, që është arsyeja pse kandidati republikan gëzon më pak simpati nga sa mund të pritet.

“Megjithatëse diaspora malazeze në SHBA përbëhet nga kombësi të ndryshme, shumica nuk e simpatizojnë Trump. Emigrantët janë kryesisht anëtarë të klasës punëtore që shohin te ai biznesmenin që përfaqëson elitën e pasur, që sa vjen e pasurohet,” tha Kajoseviç për BIRN.

“Por nuk është gjithçka bardh e zi,” përfundoi ai. “Mbështetja për Hillary Clinton nuk vjen prej personalitetit të saj politik, por si votë për kandidatin “më pak të keq”.

Serbët e zemëruar pro Trump

Nëse shumica e shtetasve ballkanas anojnë nga Clinton, serbët janë përjashtimi i madh.

Pjesa më e madhe e diasporës serbe në SHBA, që vlerësohet të jetë nga 200,000-500,000, do të votojë për Trump, tha për BIRN Milivoje Sofranin, nga Shoqata Serbe e Nju Jorkut.

Shoqata e tij “është në kontakt me të gjitha pjesët e diasporës serbe në SHBA – klubet kulturore, kishat, organizatat politike dhe mund të themi se më shumë se 90 për qind e serbëve do të votojnë për Trump,” tha ai.

Sofrainin tha se kjo nuk është për shkak se diaspora është ideologjikisht e krahut të djathtë, apo se u pëlqen Trump, por për shkak se ata nuk mund të harrojnë bombardimin e Serbisë në vitin 1999.

Ata nuk e kanë falur Bill Clinton që urdhëroi ndërhyrjen ushtarake të NATO-s në Kosovë, që çoi në bombardimin e Serbisë dhe tërheqjen e serbëve nga Kosova.

Kosova, sërish me mbështetjen e SHBA, shpalli pavarësinë e plotë nga Serbia në vitin 2008. Për më tepër, Hilary Clinton e ka quajtur Kosovën në disa raste një pjesë të trashëgimisë së burrit të saj, që ajo do ta mbrojë.

“Unë rrallë kam takuar serbë të cilët janë të gatshëm të votojnë për Clinton. Edhe ata që janë demokratë nuk do të votojnë për të,” siguroi Sofranin.

Maqedonasit shumë të zënë për t’u interesuar

Të shqetësuar kryesisht me krizat politike të pafundme të Maqedonisë, dhe pa ndonjë lidhje të drejtpërdrejtë personale me ngjarjet në Bosnjë, Kosovë apo Serbi, maqedonasit në SHBA duken më pak të përfshirë emocionalisht në zgjedhjet presidenciale se sa emigrantët e tjerë nga Serbia, Bosnja apo Kosova.

Megjithatë, ekspertët e ndryshëm lokalë thotë se një pjesë e konsiderueshme e diasporës – 100.000 ose 150.000 që kryesisht jetojnë në shtetet e Nju Jorkut, Miçiganit, Nju Xhersit, Floridës, Ohaios dhe Virxhinias është mobilizuar pro Trump.

Grupet e maqedonasve janë angazhuar në Facebook për të mbështetur Trump dhe media maqedonase që merret me çështjet e diasporës në mënyrë të qartë ka anuar nga Trump.

Një faqe në Facebook e quajtur “Amerikanët e Maqedonisë për Trump” ka mbledhur 7.000 pëlqime, ku numri më i lartë i mbështetësve në faqe të ngjashme vijnë nga Serbia fqinje.

Jovo Burne, kontribues i portalit online të lajmeve Makedonska Nacija [Shteti Maqedonas], që fokusohet në çështjet e diasporës, në një koment të postuar së fundmi tha se maqedonasit i mbajnë mend për keq Bill dhe Hillary Clinton, kur kujtojnë rolin e SHBA në bombardimin e Serbisë dhe Kosovës; si dhe nga kriza pasuese e refugjatëve, që rezultoi nga rreth 400,000 shqiptarë të Kosovës të cilët u zhvendosën në territorin e Maqedonisë.

“Është e padiskutueshme që në të kaluarën, maqedonasit kanë pasur përvoja shumë më pozitive me republikanët dhe kjo jep shpresë se nën administratën e re republikane, shumë çështje si mosmarrëveshja me Greqinë [mbi emrin e Maqedonisë] dhe anëtarësimi në NATO [i mbetur në vend prej të njëjtës mosmarrëveshje] do të marrin një dimension të ri dhe më pozitiv për ne,” argumentoi Burne.