‘Cleopatra’ e kopjuar: Cigarja ‘Made in Egypt’, përmes Malit të Zi

Për katër vjet, zyrtarët doganorë në Kajro, Londër dhe Bruksel ngritën alarme për prodhimin e miliarda cigareve që mbajnë emrin e brendit më të njohur të Egjiptit në një fabrikë në pronësi shtetërore në Mal të Zi, të kontrabanduara në tërë Afrikën e Veriut nga Libia ku nuk sundonte ligji. Mali i Zi, përkundër negociatave për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian, i injoroi ato.

Brendi më i madh i cigareve në Egjipt, Cleopatra, nisi të prodhohej në vitin 1961 kur sunduesi egjiptian Gamal Abdel Naser kërkoi të ketë një version vendor të brendit të kontrabanduar amerikan Kent të cilin ai dëshironte ta konsumonte.

E krijuar nga kompania me përvojë njëshekullore Eastern Company S.A.E., Cleopatra është tani një nga cigaret më të konsumuara në Afrikën e Veriut dhe një nga më të shiturat në glob.

Prandaj është ndoshta ironike, marrë parasysh rrënjët e saj, që brendi të shitet më lirë nga një fabrikë me pronësi shtetërore përtej Mesdheut në Mal të Zi, një republikë ish-jugosllave që po negocion anëtarësimin në Bashkimin Europian.

Por kjo është saktësisht ajo që autoritetet në Egjipt, Britani dhe Bashkimin Europian e shtruan si çështje për katër vjet, sipas një korrespondence konfidenciale të siguruar nga gazetarët e Rrjetit Ballkanik për Gazetari Hulumtuese (BIRN) dhe Reporterët Arabë për Gazetari Hulumtuese (ARIJ).

Dhe Mali i Zi i injoroi këto.

Paralajmërimet, siç mundën të zbulojnë BIRN/ARIJ, erdhën edhe te strukturat më të larta të qeverisë së Malit të Zi, duke ngritur çështje rreth pretendimeve të shtetit se kanë marrë masa për ta ndryshuar gjendjen e viteve 1990 kur kontrabanda me cigare ishte efektivisht një mjet i sponsoruar nga qeveria për mbijetesë financiare në kohën e luftërave dhe sanksioneve ndaj Jugosllavisë që po kolapsonte përgjakshëm.

Kjo gjithashtu flet për shkallën e gatishmërisë së Malit të Zi, një shtet në Adriatik me 620,000 banorë, për anëtarësim në BE pas gati tri dekadave të sundimit të një partie dhe efektivisht, një njeriu- Presidentit Milo Gjukanoviq.

Sipas gjetjeve të hulumtimit të BIRN/ARIJ, zyrat anti-mashtrim të Kajros, Londrës dhe BE-së, OLAF, e konsideruan fluksin e cigareve që vinin nga Kombinati i Duhanit në Podgoricë, DKP, si “të falsifikuara”, duke dyshuar që ato ishin drejtuar për kontrabanduesit libianë të cilët i shpërndanin ato në mënyrë ilegale në tërë Afrikën e Veriut.

Një punëtor qëndron jashtë fabrikës së cigareve DKP në Podgoricë, me një pako të cigareve Cleopatra me paralajmërimet shëndetësore egjiptiane (ARIJ).

Egjipti ka kërkuar vazhdimisht nëpërmjet kanaleve diplomatike që Mali i Zi ta mbyllë këtë operacion.

Prodhimi u ndal përfundimisht në vitin 2016, por vetëm pasi ajo ishte privatizuar dhe mori tjetër pronar. Por firma offshore që e kontraktoi fabrikën e cigareve nuk u dorëzua, sipas hulumtimit të BIRN/ARIJ; ajo ka eksploruar mundësinë e vendosjes së prodhimit në Kosovë dhe ka investuar 1 milion euro për një operacion të ri në Mal të Zi.

Ky hulumtim zbulon rolin e pazakontë të shumicës së karaktereve greke prapa operacionit të “falsifikimit”, përfshirë edhe një person të gjobitur për rolin e tij të dyshuar në skemën e kontrabandimit me cigare dhe i cili e kishte pritur Gjukanoviqin në restorantin e tij në Athinë në më shumë se një rast.

Lista e prodhimeve që është parë nga gazetarët tregon se përveç Cleopatra-s, fabrika ka prodhuar gjithashtu sasi më të vogla të Mars 20 të Tunizisë, Rym të Algjerisë dhe Riyadi të Libisë.

“Të gjithë e dimë sa strikte janë rregullat e BE-së për kontrabandën”, tha për BIRN/ARIJ, Sami Ben Jannet, drejtor menaxhues i fabrikës RNTA në Tunizi e cila e prodhon brendin Mars 20. “Kjo është arsyeja pse ne u shokuam kur gjetëm se fabrika i përkiste qeverisë”.

Nga porti Bar drejt Libisë ku nuk sundonte ligji

Fabrika DKP mohoi të ketë bërë diçka të paligjshme. Ajo tha se ka qenë e kontraktuar nga një kompani offshore e quajtur Liberty FZE e cila tha se i tregoi fabrikës një markë të regjistruar për të prodhuar cigare.

Sipas kontratës së siguruar nga BIRN/ARIJ, DKP pritej të prodhonte 400 milionë pako cigaresh, ose rreth 8 miliardë copë cigaresh, ndërmjet viteve 2010 dhe 2016, por numri i cigareve që kanë dalë nga kjo fabrikë nuk është bërë i ditur.

Një zyrtar i DKP i cili foli në kushte anonimiteti, tha se brendet e Afrikës së Veriut të përmendura në listën e prodhimeve ishin bërë që të gjitha në emër të Liberty FZE, një fakt i konfirmuar më vonë nga DKP si pjesë e një hulumtimi brenda tregtisë me cigare që përfundoi në nëntor.

Në dokumentet e gjykatës në Greqi rreth dy ngarkesave të konfiskuara me Cleopatra, Liberty NZE kishte insistuar se eksportet e saj me Cleopatra ishin tërësisht legale.

Por kjo është kontestuar nga pronari i brendit në Egjipt, Eastern Company S.A.E.- si dhe nga autoritetet britanike dhe të BE-së, sipas emaileve të paraqitura në gjykatat greke dhe të tjerave të siguruara nga BIRN/ARIJ.

Eastern Company S.A.E. tha për BIRN/ARIJ: “Kompania jonë nuk ka lëshuar ndonjë licencë, autorizim apo deklaratë për Emirates Liberty FZE Company”.

Kompania egjiptiane, sipas një raporti të parë nga BIRN/ARIJ, vlerësonte se proporcioni i cigareve të kontrabanduara në tregun egjiptian ishte ngritur nga më pak se 1 përqind në vitin 2010 në 20 përqind në vitin 2012, dhe se, si rezultat shteti i Egjiptit kishte humbur rreth 100 milionë euro nga taksat e pambledhura.

Egjipti, sipas një korrespondence të parë nga BIRN/ARIJ, i dërgoi shqetësimet e veta te ambasadori i atëhershëm malazez në Kajro, Gojko Celebiq, si dhe drejtpërdrejt te Ministria e jashtme e Malit të Zi dhe te një këshilltar i politikës së jashtme të Presidentit të atëhershëm të shtetit, Filip Vujanoviq, një aleat i Gjukanoviqit. Egjipti u ankua “shumë shpesh”, sipas një note të dërguar nga ministria e jashtme e Egjiptit për Eastern Company në janar të vitit 2016.

Duke theksuar një takim mes ambasadorit të Egjiptit në Pragë dhe Celebiqit, nota citon Celebiqin të ketë thënë se ai kishte pranuar letrat e protestës nga Egjipti që nga viti 2012 por e kishte pasur të pamundur të sigurojë një “shpjegim zyrtar” nga eprorët e tij se pse prodhimi nuk ishte ndalur.

Celebiq ishte cituar duke përmendur “kompleksitetin dhe ndjeshmërinë e çështjes”, përfshirë edhe faktin se DKP ishte në proces të privatizimit dhe se “ishte një mundësi që disa zyrtarë në Mal të Zi kishin aksione në kompaninë e duhanit në Mal të Zi”.

Celebiq tha se do të kërkonte nga ministri i jashtëm i Malit të Zi për ta ngritur çështjen përsëri me ministrin e Bujqësisë, i cili ishte përgjegjësi kryesor për fabrikën.

Asnjëherë asgjë nuk doli nga kjo.

‘Cleopatra e falsifikuar’

Ben Jannet tha se RTNA nuk kishte lëshuar licencë për prodhimin e cigareve Mars 20 në Mal të Zi, dhe, megjithëse ishte në dijeni se cigaret e falsifikuara kishin dalë në treg, Jannet ishte befasuar kur mësoi nga gazetarët për operacionin që po bëhej në një fabrikë shtetërore të një shteti kandidat për anëtarësim në BE.

Ai gjithashtu nënvizoi lidhjen mes kontrabandës me cigare dhe financimit të terrorizmit.

“Terrorizmit i duhen para dhe një nga burimet më të mëdha është biznesi i kontrabandës”, tha ai.

Kruciale për operacionin ishte vakumi i pushtetit në Libi, shtet që është bërë parajsë e kontrabandës që nga viti 2011 kur lufta i dha fund sundimit 41 vjeçar të Muammar Gaddafit por e la vendin të ndarë ndërmjet administratave rivale, fiseve dhe milicias.

Përderisa armët, emigrantët dhe refugjatët kanë rrjedhur nëpër portet e saj, cigaret e prodhuara në Mal të Zi shkuan përmes një udhe tjetër, duke arritur me varka te firmat libiane në Bengazi, Tobruk dhe Misrata. Eastern Company dhe RNTA besojnë se më pas ato janë kontrabanduar nëpër kufijtë e rrezikshëm të shkretëtirës në Egjipt, Tunizi dhe përtej.

Në vitin 2012 dhe 2015, rojet bregdetare greke kapën dy ngarkesa të anijeve në rrugën e tyre nga porti malazez Bar drejt Libisë.

Kjo video e postuar në Youtube në qershor të vitit 2017, me sa duket tregon një kamion të dëmtuar keq i cili po tentonte të kontrabandonte cigare Cleopatra’ në kufirin e Egjiptit (Youtube)

Marinarët në anije- Noah dhe Genc 3- ishin akuzuar në Greqi për kontrabandë dhe ngarkesa e vitit 2015 ishte shkatërruar nën rregullat e BE-së për markat e fabrikës pasi dogana greke pranoi argumentin e Eastern Company që cigaret ishin të falsifikuara. Por në të dy rastet të akuzuarit ishin shfajësuar pasi nuk kishte qenë e mundur të dëshmohej se cigaret ishin të destinuara për tregun e zi në Greqi, siç pretendonte akuza.

Dogana franceze i dërgoi email kolegëve të tyre egjiptianë duke i përshkruar cigaret e falsifikuara në anijen e Genc 3 si “Cleopatra të falsifikuara”.

Dhe në një email dërguar rojeve bregdetare greke, një zyrtar i OLAF shkruante: “Mund të konfirmoj se cigaret Cleopatra janë ndoshta të destinuara për tregun kontrabandë në Afrikën e Veriut, sidomos në Egjipt”.

BIRN/ARIJ nuk ka gjetur dëshmi se Liberty FZE, DKP ose importuesit nga Libia- përfshirë El Liboo nga Tobruk, Al Manaraa nga Bengazi- kanë qenë të akuzuar për ndonjë krim.

Një anije e tretë, Skylark, ishte identifikuar në një letër të tetorit të vitit 2015 nga HRMC dërguar doganave të Egjiptit se po bartte mallra “që besohej se janë të prodhim i falsifikuar i prodhuar pa autorizim apo leje nga bartësi legal i markës”.

“Cigaret duhet të konsiderohen si rrezik i lartë për diversion në tregun e paligjshëm në Egjipt dhe Europë”, shkruante aty.

OLAF tha për BIRN se Genc 3 ishte një nga tetë anijet e paemërtuara të përmendura në një raport të vitit 2008 se po bartte cigare nga Mali i Zi të cilat besohej se ishin të destinuara për kontrabandë.

BIRN/ARIJ kanë mësuar se në vitin 2017, OLAF nisi një hetim lidhur me lëvizjen e cigareve “të lira të bardha” nëpër Mal të Zi. Hetimi është duke vazhduar dhe nuk janë dhënë detaje tjera. BIRN/ARIJ kanë marrë vesh se OLAF, si pjesë e një hetimi të veçantë, gjithashtu ka shikuar edhe aktivitetet e firmave të dyshimta offshore në zonën e lirë ekonomike të portit të Bar.

‘Më katolik se Papa’

Cigaret e prodhuara në DKP do të kishin qenë të padallueshme nga origjinali i prodhuar në Eastern Company në Kajro. Etiketa mban fjalët “Made in Egypt”, si dhe paralajmërimet shëndetësore egjiptiane dhe një pretendim se prodhohej nga Eastern Company.

Fotografitë brenda fabrikës DKP tregojnë se cigaret Rym bartnin etiketa që pretendonin se ishin prodhuar nga firma algjeriane e asocuar me brendin SNTA.

Gazetarët e BIRN/ARIJ nuk mundën, megjithatë, të marrin koment nga firmat prodhuese STNA ose Riyadi në Libi.

Në korrespondencën konfidenciale të vitit 2015, që është parë nga BIRN/ARIJ, HRMC përshkruante një fabrikë të paemërtuar në Mal të Zi që prodhonte “100 milionë cigare të falsifikuara Cleopatra çdo muaj”. Më vonë ajo specifikoi DKP-në si burim i cigareve “që besohej se ishin të falsifikuara”.

Slavolub Vukashinoviq, ish-drejtor ekzekutiv i DKP, mohoi se fabrika ka bërë diçka gabim, duke thënë se Liberty FZE i kishte prezantuar një markë tregtare për brendin nga “një shtet tjetër”.

“NUK e di nga cili shtet”, tha ai për BIRN/ARIJ në një intervistë. “Ata kishin një regjistrim të atij brendi, i sollën letrat dhe bazuar në ato letra në prodhuam brendin”.

Liberty FZE më vonë e regjistroi markën tregtare për Cleopatra, Rym dhe Mars në Mal të Zi në vitin 2015, tri vjet pasi filloi prodhimi.

Por profesori i Stanford Law, Mark Lemley, një ekspert i pronës intelektuale, tha se bën pak dallim nëse cigaret ishin për t’u shitur në Afrikë të Veriut, ku Eastern Company, për shembull, ka regjistruar markën tregtare në Libi dhe Egjipt.

“Meqë të drejtat e markës tregtare janë territoriale, rregulla normale është që personi i parë që regjistrohet dhe e përdor markën në një shtet të veçantë merr të drejtat për atë shtet”, tha ai. “Kështu që përderisa markat Cleopatra mund të bashkëjetojnë në shtete të ndryshme, një regjistrim në Mal të Zi nuk do t’i jepte regjistruesit të drejtat për të shitur diku tjetër përveç në Mal të Zi”.

“Nëse Eastern ka të drejtat në Libi, importi i cigareve nga Mali i Zi do të përbënte shkelje”.

Shkeljet e markës tregtare zakonisht rregullohen në pikën e importit, tha Lemley, por marrë parasysh konfliktin në Libi, shteti nuk kishte gjasë që t’i kushtonte vëmendje të drejtave të pronës intelektuale. Nëse qeveria malazeze, megjithatë, “prodhonte cigaret dhe e dinte se cigaret po eksportoheshin për përdorim ilegal jashtë, ata mund të jenë përgjegjës për shkelje të të drejtës së markës tregtare”.

Ish-kreu u burimeve njerëzore në DKP, Nebojsha Stankoviq, tha se fabrikës asnjëherë nuk i ishte kërkuar që ta ndalë prodhimin, dhe në nëntor një raport nga prokuroria speciale e Malit të Zi, të cilës i ishte kërkuar të hetonte prodhimin e cigareve në DKP nga lëvizja opozitare Alternativa, erdhi në përfundim se nuk kishte dëshmi për parregullsi pasi që çdo eksport ishte dokumentuar në mënyrë të duhur.

“Fatkeqësisht dikush pret nga ne të jemi me katolikë se Papa dhe se duhet të jemi syçelë për diçka”, Stankoviq tha për BIRN/ARIJ, duke nënkuptuar nëse Liberty FZE me të vërtetë kishte licencë apo jo.

Nëse do t’u kërkohej, “ju garantoj se prodhimi në Podgoricë do të suspendohej menjëherë”, tha ai. “Por katër vjet kaluan dhe asnjë nuk reagoi”.

Por, në fakt, përveç lutjeve diplomatike të Egjiptit, presioni po vinte edhe nga HRMC dhe OLAF.

Emailet e rrjedhura te BIRN/ARIJ tregojnë se që të dyja këto ishin duke monitoruar me kujdes lëvizjet e Cleopatra-ve të falsifikuara, me Britaninë si një nga tregjet më të mëdha në Europë për cigare të falsifikuara dhe të kontrabanduara.

Në një letër drejtuar doganave të Egjiptit në maj të vitit 2015, HRMC tha se ishte e vendosur “që ta çrrënjoste prodhimin e falsifikuar të cigareve të brendit Cleopatra me ndihmën e Eastern Company, bartësin legjitim të licencës së brendit.

Lidhja greke

Në letër, Liberty FZE ka selinë në emiratin e vogël të Rasa Al Khaimah. Deri sot është ditur pak për atë se kush e drejtoi atë, por në vitin 2016 Komisioni Parlamentar i Malit të Zi ofroi një të dhënë kur në mënyrë të përsëritur iu referua firmës si “greke”.

Nëpërmes dokumenteve zyrtare, intervista me punëtorë të fabrikës dhe aleatë në biznes dhe analizave të detajuara të profileve të mediave sociale, gazetarët e BIRN/ARIJ kanë konfirmuar lidhjen greke dhe identitetin e atyre që janë prapa operacionit.

Përderisa regjistri i bizneseve në Rasa al Khaimah nuk ofroi informacion për pronësinë e kompanisë, përmes kërkesës për Liri të Informacionit, BIRN/ARIJ mori dokumente të arkivuara në regjistrin e bizneseve të Malit të Zi për hapjen e një dege të Libety FZE.

Ato e tregojnë si pronar të firmës personin me emrin Konstantinos Fyrogenis, një grek nga Athina i cili deri vonë, sipas profilit në Facebook, jeton në qytetin rumun Brasov.

Bazuar në shënimet e kompanisë, Fyrogenis është pronar i një pjese të vogël të aksioneve në Exposal Ltd, një fabrikë cigaresh në zonën e lirë tregtare qipriotë dhe e cila ligjshëm prodhon brendin Raquel, një prodhim i zakonshëm në tregun e zi të Europës. Marlboro aktualisht është duke e luftuar atë në BE për imitim të dizajnit të sajtë veçantë.

Përkundër se formalisht është regjistruar në Rasa al Khamiah, Liberty FZE shfaqet në një listë online me adresë në Rumani: Rruga Valea Parcului 42B, 077135 Ilfov.

Një tjetër kompani cigaresh e lidhur me Fyrogenis ishte listuar në të njëjtën adresë- Italia Tobacco Production SRL.

Sipas shënimeve të kompanisë rumune, Fyrogenis ishte drejtor i firmës ndërmjet majit dhe dhjetorit të vitit 2009. Italia Tobacco Production ishte e lidhur me një rast ryshfeti në vitin 2011 që përfshinte një zyrtar tatimor rumun dhe një avokat, edhe pse firma nuk ishte gjetur se ka kryer ndonjë vepër dhe Fyrogenis nuk ishte akuzuar të ketë kryer ndonjë krim.

Në vitet 1980, Fyrogenis studioi në qytetin Timisoara në Rumaninë perëndimore. Njëjtë bëri edhe një grek tjetër i quajtur Ioannis Zinas.

“Po, Ioannis. Ai është President”

Ioannis Zinas, një figurë kyçe në prodhimin e cigareve Cleopatra në Podgoricë, postoi një fotografi të tij me ish-kryeministrin malazez, Milo Gjukanoviq dhe biznesmenin Dragan Peroviq në profilin e tij në Facebook në shtator të vitit 2015.

Fyrogenis dhe Zinas kanë interesa të përbashkëta në biznes në kafe/restoran dhe sektorë të marketingut në Greqi përmes dy kompanive- C&C dhe Cinnamon Communications.

Por biznesi kryesor i Zinas duket të jetë duhani, bazuar në historinë e tij, postimet në mediat sociale dhe intervistat. Burime të shumta thonë se Zinas është ‘president’ jozyrtar i Liberty FZE.

“Kur i duhet të nënshkruajë diçka, ai gjithmonë shmanget, nuk dëshiron të nënshkruajë diçka”, tha një ish-zyrtar i lartë i DKP për BIRN/ARIJ duke folur për Zinas. Duke folur nën kushte anonimiteti, ish-zyrtari tha se Zinas ishte “me të vërtetë” në krye të Liberty FZE.

Stankoviq, menaxher i burimeve njerëzore në DKP, tha për BIRN/ARIJ: “Po Ioannis. Ai është President i Liberty”.

Ish- drejtori ekzekutiv i fabrikës, Vukashinoviq, e përshkroi Zinas-in si “ndërmjetës në tërë historinë” ndërmjet Liberty FZE dhe DKP. “Nuk e di kush qëndron prapa (Liberty)”, tha ai në një intervistë.

Në mënyrë intriguese, në dhjetor 2017, një përkujtim kishte dalë në gazetën malazeze Pobjeda për ta shënuar vdekjen e biznesmenit të quajtur Jovan Jovetiq. Ai ishte nënshkruar, me një gabim të mundshëm drejtshkrimor, “Zinas Loanis Liberty FZE UAE’.

Një ish-menaxher eksporti në një nga firmat kryesore greke të duhanit, ndërmarrja private SEKAP, Zinas ishte dënuar në vitin 2015 për kontrabandë me cigare, por u lirua nga një gjykatë tjetër greke që po gjykonte akuzat e njëjta. Në maj 2016, një gjykatë apeli përmbysi dënimin origjinal mbi bazën se ligjet greke nuk lejojnë që një person të akuzohet me vepër të njëjtë në dy vende.

Në mënyrë të pavarur nga rasti penal, në shkurt 2016, SEKAP, Zinas dhe tre persona tjerë u gjobitën me 28.1 milionë euro për humbje të të ardhurave tatimore, sipas dokumenteve të paraqitura nga dogana greke në parlament. Gjoba aktualisht është në apel.

Zonas tha se u largua nga SEKAP në vitin 2010. Në nëntor 2010, Liberty FZE nënshkroi kontratën e saj të parë me DKP-në e Malit të Zi.

Profilet në mediat sociale tregojnë se Zinas dhe familja e tij ishin vizitorë të shpeshtë në Mal të Zi, duke shijuar një stil të lartë jete me miq të fuqishëm.

Një fotografi, e postuar në profilin e Zinas në Facebook në shtator 2015 e tregon atë duke shijuar pije në hotelin Budva me Gjukanoviqin, atëherë kryeministër i Malit të Zi, dhe me pronarin e hotelit, Dragan Peroviq.

Zinas, Fyrogenis dhe Peroviq dështuan të përgjigjen në kërkesat për të komentuar. Gjukanoviq gjithnjë i ka mohuar përfshirjet në kontrabandën me cigare në vitet 1990 dhe asnjëherë nuk është akuzuar për ndonjë krim.

Në një deklaratë për BIRN/ARIJ, një zëdhënëse e Gjukanoviqit tha se presidenti e njihte Zinas-in dhe kanë darkuar në një restoran në Athinë, por mohoi ndonjë dijeni për aktivitetet e tij të biznesit ose dyshimet që shfaqen në artikull.

“Presidenti Gjukanoviq, në kapacitetin e tij si kryeministër, asnjëherë nuk ka pasur ndonjë kontakt për këtë çështje gjatë kohës për të cilën po pyesni”, tha zëdhënësja.

“…ai asnjëherë nuk mori ndonjë paralajmërim për ndonjë aktivitet ilegal në Maltë Zi. Nëse do të kishte, ai do të kërkonte nga autoritetet që të hetoheshin”, tha ajo.

Sa i përket Zinas, zëdhënësja tha se Gjykanoviq “e njihte të zotëriun e lartëpërmendur”.

“Presidenti ishte nganjëherë mysafir në restorantin e tij në Athinë kur ai ishte pronar. Presidenti nuk është në dijeni se çka bënte ai në Mal të Zi, as nëse ajo ishte legale apo jo. Kjo është përtej fushës së punës së kryeministrit”.

Mundësi të freskëta

Një pako e cigareve Cleopatra e prodhuar në Mal të Zi dhe e konfiskuar nga dogana greke në vitin 2012 ashtu siç ishte ngarkuar për t’u dërguar në Libi. Mbishkrimi në arabisht thotë se cigaret ishin ‘Made in Egypt’ dhe emri ‘Eastern Company SAE’, firma me seli në Kajro e asociuar me brendin (nga rojet bregdetare greke).

Prodhimi i Cleopatra-s dhe brendeve tjera në DKP u ndal në vitin 2016 kur fabrika u shit nga shteti te BMJ Industries, një firmë me seli në Emiratet e Bashkuara Arabe.

Margjinat e fitimit për tregtinë ilegale të duhanit mund të arrijnë 900 përqind, u tha së voni në një ngjarje të mbështetur nga BE, duke e bërë kontrabandimin e Cleopatra-s si biznes fitimprurës. Por përfitimet për shtetin malazez nga prodhimi i “falsifikimeve” ishin më pak të dukshme.

Sipas raporteve të bëra publike të një komisioni parlamentar që e hetoi privatizimin e sajnë vitin 2016, DKP ishte duke operuar zyrtarisht me humbje prej 70 mijë euro në muaj, që nënkupton se shteti në mënyrë efektive po e subvenciononte prodhimin e Liberty FZE.

Deputeti opozitar Aleksandar Damjanoviq, siç tregon raporti, i tha komisionit se ka qenë i informuar nga DKP se prodhimi i 3 mijë tonë të cigareve, sipas kontratës me Liberty FZE, do të gjeneronte përfitim prej 1.8 milion euro, që nënkupton se punëtorët do të mundtë paguheshin me rregull. Pavarësisht faktit se DKP tejkaloi caqet, tha ai, fabrika me letra ishte në humbje dhe nuk arriti t’u paguajë rrogat punëtorëve.

Privatizimi i DKP dogji operacionin fitimprurës të Liberty FZE për Podgoricën, por kjo nuk shënoi fundin e operacionit Cleopatra.

Në mars të vitit 2016, kompania aplikoi për regjistrim të markës Cleopatra në Kosovë.

Zinas dhe dy ish-punëtorë të DKP-së ishin fotografuar në një kafene në qytetin lindor të Kosovës, Gjilan, në fotografitë e postuara profilin e Facebook-ut të njërit nga punëtorët në prill 2016. Rreth të njëjtës kohë, punëtorët postuan fotografi të tyre në një fabrikë cigaresh në këtë qytet.

Gazmend Abrashi, këshilltar politik i kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinaj dhe President i Exclusive Group, e cila është pronare e fabrikës në Gjilan, tha për BIRN se nuk doli asgjë nga kjo vizitë meqë ai shpresonte t’i zhvillonte brendet e veta.

“Ne dëgjuam që Liberty FZE po tentonte ta regjistronte brendin Cleopatra në Kosovë por nuk e di nëse ka kjo ka përparuar”, tha ai për BIRN. “Më kujtohet që i kemi takuar këta njerëz dy apo tri vjet më parë por nuk më kujtohen emrat”.

Më pas, në qershor 2017, Liberty FZE hapi një degë në zonën e lirë të Bar-it në Mal të Zi. Slavolub Vukashinoviq, ish-drejtori ekzekutiv i DKP, u emërua drejtor.

Vukashinoviq tha për BIRN/ARIJ se Liberty FZE kishte investuar “rreth një milion euro” në makinerinë e prodhimit të cigareve dhe renovimin e deposë në zonën e lirë të portit, por se plani ishte ende në pritje sepse Liberty FZE nuk e kishte siguruar ende lejen.

“Plani është në pritje”, tha ai, por depoja “është ende me qira”.

TV ylli grek me lidhje kosovare

Orthoula Papadakou bëri emrin e vet në parket të basketbollit para se ta çajë udhën nëpër shou televizivë grekë dhe të shfaqej në ballinën e revistës Playboy. Ajo gjithashtu është kushërirë e Ioannis Zinas, personit që gazetarët e BIRN/ARIJ e identifikuan si bos i Liberty FZE.

Hulumtimi i BIRN/ARIJ nuk ka zbuluar dëshmi se Papadakou ka ndonjë rol të drejtpërdrejtë në prodhimin e cigareve Cleopatra në fabrikën DKP në Mal të Zi. Por ajo është e lidhur ngushtë me aktorët e përfshirë në tregtinë me cigare. Në media sociale, Papadakou e përshkruan Zinas-in si “bos” të saj.

Në mars të vitit 2009, në një ditë të vetme, pronari zyrtar i Liberty FZE, Konstantinos Fyrogenis, hapi dy kompani në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë – Lacerta Enterprises dhe Arimar Limited.

Katër vjet më vonë, në qershor 2013, brenda pak ditëve nga njëra- tjetra, dy kompani të quajtura New Lacerta Enterprises dhe New Arimar Limited u themeluan në Kosovë, kësaj here me “Orthel John Papadakos” si pronar. Të gjitha katër kompanitë kanë adresë të njëjtë dhe listojnë aktivitete identike biznesore.

Dokumentet konfidenciale të regjistrimit të cilat i ka parë BIRN/ARIJ tregojnë se “Orthel John Papadakos” është emër në versionin anglisht në pasaportën kanadeze të Orthoula Papadakou.

Shpresa Novakazi është emëruar si agjente e regjistrimit për dy firmat e Papadakout dhe mban të njëjtën pozitë në LibertyFze Shpk, degën në Kosovë të Liberty FZE.

Të pesë firmat kanë regjistruar tregtinë e duhanit si element kryesor të aktiviteteve të tyre biznesore.

New Lacerta Enterprises e Papadakout ishte një nga furnizuesit kryesorë me mallra ose shërbime për DKP kur Liberty FZE ishte kontraktuesi i saj më i madh. Sipas llogarive të DKP, fabrika i pagoi New Lacerta Enterprises diçka më pak se 125 mijë euro në vitin 2014 për mallra ose shërbime të paidentifikuara, duke e bërë fabrikën të paguarën e tretë më të madhe. Liberty FZE ishte më e madhja.

Në vitin 2017, një faturë nga Arimar Limited, kompania e hapur në Prishtinë në vitin 2009 nga Fyrogenis, u paraqit në një gjykatë greke në lidhje me konfiskimin e cigareve Cleopatra dhe Genc 3.

Fatura, e lëshuar nga Arimar në shkurt 2015, ishte për shitjen e 11 kontejnerëve të anijeve te Liberty NZE dhe të cilat ishin përdorur nga Genc 3, e përgjuar nga autoritetet greke dhe u gjet duke bartur dhjetëra milionë cigare Cleopatra.

Është e paqartë pse Fyrogenis i shiti kontejnerët ndërmjet dy kompanive të cilat ai, së paku në letër, i kishte në pronësi, sidomos pasi dokumentet e dërgesave tregojnë që këta kontejnerë ishin përdorur shpesh nga Liberty FZE dy vjet parasë të lëshohej fatura.

Sipas informacioneve të marra nga Administrata Tatimore e Kosovës, Arimar Limited nuk kishte deklaruar të hyra që nga fillimi i saj në vitin 2009 gjë që nuk përkon me faturën më numër “0123/2015” për 29,600 mijë euro e cila i ishte paraqitur gjykatës greke.

Në anën tjetër, dokumentet e taksave të siguruara nga BIRN/ARIJ tregojnë se New Arimar, në pronësi të Papadakou dhe që operonte nga e njëjta adresë sikur Arimar, kishte regjistruar qarkullim prej 2,326,870 euro që nga nisja e punës në vitin 2013 dhe marsi 2018, duke paguar më pak se 5 mijë euro taksë të korporatës.

Vukashinoviq, drejtor i degës malazeze të Liberty, tha për BIRN se ai e njihte dhe e kishte takuar zonjën Papadakou dhe se ajo e kishte vizituar “nganjëherë” Malin e Zi. “Ajo nuk kishte qenë e përfshirë në biznes- jo me aq sa di unë”.

E kontaktuar përmes telefonit, Papadakou refuzoi të komentojë.

 

Të martën e ardhshme, Rrjeti Ballkanik për Gazetari Hulumtuese dhe Reporterët Arabë për Gazetari Hulumtuese do të zbulojnë se si Shqipëria është gjithashtu vend për fabrikën që prodhon cigare Cleopatra të falsifikuara.

Raportimi shtesë nga Dushica Tomoviq, Jelena Qosiq, Lindita Çela dhe Milena Peroviq Koraq.