Burimi KoSSev

Çka nëse Vuçiq shpërngulet në Kosovë?

“Më sulmojnë ata që tashmë kanë letërnjoftime shqiptare, letërnjoftime të Kosovës. “Dikush tjetër do të përdorte një shprehje tjetër për të thënë këtë, “tha presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq. “Unë nuk kam. Unë kam vetëm nënshtetësi të Serbisë. Unë kam vetëm letërnjoftim dhe pasaportë serbe “, shtoi ai.

Sa për t’ua kujtuar, presidenti i Serbisë është zyrtari më i lartë i këtij vendi që merr shpërblim financiar për punën e tij nga buxheti i Republikës së Serbisë. Prandaj, do ta shfrytëzoj këtë mundësi për ta ftuar atë që të heqë dorë nga të ardhurat nga buxheti i përmendur, të ndryshojë vendbanimin dhe të fillojë të jetojë në Kosovë.

Në atë rast, gjithsesi do të kishte gjasa për të gjetur punë në një nga institucionet e mbetura serbe (arsimi, shëndetësia dhe ndërmarrjet publike janë gjurmët e fundit të shtetit të Serbisë në Kosovë pas Marrëveshjes së Brukselit). Mirëpo, rekomandimi im lidhet me heqjen dorë krejtësisht nga buxheti i Republikës së Serbisë.

Ndryshimin e vendbanimit me siguri nuk mund ta bënte në territorin e Kosovës, sepse nuk ka departamente të regjistrimit civil sipas ligjeve të Serbisë. Ai do të duhej të shkonte në departamentin më të afërt që gjendet në Rashkë. Me pak mund, vullnet të mirë të zyrtarëve dhe fat, duke qenë se kemi të bëjmë me një person të njohur për publikun, presidenti do të merr shumë lehtë vendbanimin në territorin e Kosovës – brenda sistemit serb.

Le të themi, hipotetikisht, se ai vazhdon ta mbajë funksionin e presidentit të Serbisë, por me vendbanim në territorin e Kosovës dhe në rrethanat në të cilat  jetojnë serbët mesatar nga Kosova (pra, nuk do të ketë pasaportë diplomatike). Meqë në punën e tij kërkohet udhëtim i shpeshtë, është logjike që menjëherë pas ndryshimit të vendbanimit, ai do të nxitonte të marrë pasaportë.

Ai do të shkojë në Lermont në Beograd për të marrë këtë dokument. Do të shohë se për personat nga Kosova, zyra nuk gjendet në të njëjtin vend si për qytetarët e tjerë të Serbisë. Ai do të sillet nëpër korridore dhe do të vijë tek një derë ku thuhet “Për personat nga Kosova dhe Metohia”. Presidenti kureshtar do t’i pyes zyrtarët se ku qëndron dallimi i kësaj zyre. Ata do t’i shpjegojnë me mirësi faktin se qytetarët e Kosovës dhe Metohisë nuk janë qytetarë të njëjtë me qytetarët e Serbisë dhe se në pasaportat e tyre shkruan Zyra Koordinuese.

Me siguri aty do të ketë edhe njerëz të tjerë nga KM, kështu që diskutimi midis presidentit dhe zyrtarëve nuk do të zgjasë shumë. Por, mirë, ai e kuptoi emrin e trupit që lëshon pasaporta për zonën gjeografike në të cilën është transferuar. Tani për tani, ky është informacion i mjaftueshëm. Së shpejti ka një fluturim në Berlin nga aeroporti Nikola Tesla.

Në skenën tjetër, presidenti është në diskutim me një zyrtar të aeroportit, i cili vazhdimisht përsërit se në pasaportën e tij shkruan Zyra Koordinuese. Presidenti me zemërim përgjigjet se e di se çfarë thotë pasaporta e tij dhe se nuk sheh ndonjë problem në të. Zyrtari i thotë: “Më vjen keq por pasaporta në të cilën është shkruar kjo nuk i nënshtrohet regjimit të vizave që Serbia ka, do të humbni fluturimin derisa të merrni një vizë”.

  1. Vuçiq me zemërim largohet nga aeroporti dhe në një bisedë telefonike e anulon takimin me znj. Angela Merkel. Mirëpo, si person i drejtë që është, buzëqesh me krenari që zyrtarët po i respektojnë rregullat, madje edhe kur bëhet fjalë për presidentin. Ai së shpejti e kupton se ka takime me zyrtarë të Bashkimit Europian gjatë gjithë javës dhe se do t’i duhet t’i përvishet punës për të kryer procedurat e vizës. Ai i lëviz supet e tij dhe ngadalë shkon në hapësirën ku është shpërngulur.

Problemet fillestare me pasaportën nuk e dekurajojnë atë që të vazhdojë të kënaqet me bekimet e vendit të shenjtë serb. Ai vendosi të shohë njëkohësisht se si po funksionon në terren marrëveshja e Brukselit, nga e cila janë nxjerr shumë fitore mbi politikanët europianë dhe shqiptarë.

Ai shkoi në zyrën e kompanisë “MTS shpk”, e cila është përgjegjëse për telekomunikacionin në veri të Kosovës dhe në komunitetet ku popullsia serbe është shumicë. Kjo është një nga sukseset e mëdha që, së bashku me ekipin e tij negociues, arritën gjatë negociatave në Bruksel. Me qëllim që të jetoj jetën e bashkatdhetarëve të tij, ai hedh kartën e tij të telefonit në koshin e mbeturinave dhe vendos të nënshkruajë kontratë me këtë kompani.

“Do t’më duhet letërnjoftimi i juaj ju lutem”, tha një zyrtar në anën tjetër të sportelit. Presidenti jep letërnjoftimin, zyrtari e merr dhe përgjigjet: “Më vjen keq, por për regjistrimin e një numri tonë, ju duhet të keni letërnjoftim të Kosovës”.

“Çka,” bërtet presidenti. “Doni të thoni se më duhet letërnjoftimi shqiptar, kosovar?” Presidenti shkon drejt derës, por zyrtari e ndalon atë me fjalët: “Mirë, më jep letërnjoftimin e Serbisë, por duhet të na e sillni atë të Kosovës brenda 60 ditëve. Shkoni pastaj në komunë për të marrë një ekstraktin për letërnjoftim, është një procedurë e thjeshtë. Nëse ndërlikohet diçka ky afat është më se i mjaftueshëm për të nxjerr dokumentet e Kosovës. Vetëm shpresoj të mos jeni në kategorinë e atyre që nuk mund t’i marrin, atëherë unë nuk di se si t’ju ndihmoj “. Megjithëse me vështirësi, ai arriti të merr shërbime të telefonisë mobile pa e marrë letërnjoftimin e Kosovës së vetëshpallur.

Paratë që i kishte filluan t’i mbarojnë dhe tashmë është koha për të kërkuar punë nga e cila mund të jetojë, sepse ai ka hequr dorë nga të ardhurat e tij nga buxheti i Republikës së Serbisë. Është me fat që është punëtor i paepur, dhe as nuk fle, kështu që ai mund të arrijë të kryej funksionin e presidentit, pavarësisht nga puna që gjen. Provoi të punësohet në një gjykatë që u integrua pas marrëveshjes së Brukselit – aty ia kërkuan letërnjoftimin e Kosovës. Provoi të gjente punë në polici, ish mbrojtjen civile dhe sërish ia kërkuan letërnjoftimin e Kosovës. Deshi të fillonte biznesin e tij; dhe sërish nuk mundi të afarojë ligjërisht pa letërnjoftim të Kosovës. Hapi shumë dyer, por menjëherë i mbylli pas fjalisë së famshme “Letërnjoftimi i Kosovës”.

I dëshpëruar për situatën në të cilën gjendej, u ul për t’u çlodhur dhe për të parë lajmet. E ndez TV-në dhe në ekranin e vogël e sheh një koleg nga Lista Serbe – partisë politike të themeluar pas Marrëveshjes së Brukselit dhe që është në pushtet në komunat me shumicë serbe në Kosovë.

“Të gjithë ata njerëz që i shkruajnë këto letra të hapura kanë letërnjoftime të Kosovës dhe letërnjoftime të Serbisë, dhe nuk do të habitesha nëse kanë letërnjoftime edhe të vendeve që sponsorizuan atë pavarësi të Kosovës”, tha Presidenti i Listës Serbe dhe Kryetari i Mitrovicës Veriore Goran Rakiq në intervistë për transmetuesin publik të Serbisë.

Presidentit i lind një ide gjeniale që të kërkoj punë në komunën ku zotëria nga ekrani i vogël është kryetar i komunës. Pavarësisht faktit se është në marrëdhënie të mira me kryetarin e bashkisë, ai nuk deshi ta keqpërdor pozitën e tij, por vendosi vetë të troket në derën e komunës për të pyetur eventualisht për ndonjë vend të lirë pune.

Të nesërmen shkoi në komunën e Mitrovicës së Veriut, një tjetër fitore kjo nga Brukseli. Duket se atij i kishte buzëqeshur fati – në tabelën e njoftimeve ishte shpallur një konkurs për vende të lira pune. Në listën e dokumenteve të nevojshme shkruante “Letërnjoftimi i Kosovës”. E shikoi portofolin e tij dhe e kuptoi se së shpejti do të mbetej pa asnjë dinar në xhep.

Pas disa orë ecje, vështrimit të qytetit, duke shijuar pamjen e qytetit nga kisha e Shën Dimitrisë, e cila shtrihet përgjatë gjithë Mitrovicës në veri dhe jug, ai vendosi të shkojë në një kafene aty pranë për të pirë diçka dhe për t’u freskuar.

Aty në TV dëgjon se Kosovës iu dha liberalizimi i vizave. Tund kokën dhe shikon orarin e mujor të takimeve. E kupton se përsëri ka një numër të madh udhëtimesh nëpër Europë. E thirr një taksi që ta çojë në jug të Kosovës, sepse nuk mund të udhëtojë nëpër atë pjesë të zonës gjeografike me targa KM. Pret në rend për të pyetur se çfarë dokumentesh i duhen për të marr pasaportë. Mbi derë lexon mbishkrimin – “Republika e Kosovës”. Përpinë grumbullin që iu formua në fyt, ulë kokën dhe shtanget në vend.

“Tjetri”, dëgjohet zëri i zyrtarëve nga zyra.