Ilustrimi: Kallxo.com

Çka Mund të Mësojë Vetëvendosje nga PDK dhe LDK?

Në historikun e shkurtër të partive politike në Kosovë, partitë e madhe janë ndarë për shkak të ndërrimit të lidershipit apo mosmarrëveshjeve të kryesisë. Por, çka duhet të ketë parasysh Vetëvendosja prej Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK)?

Partitë e mëdha në Kosovë kanë humbur pjesërisht madhësinë e tyre për shkak të ndarjeve. Ndarja e tyre nuk ishte për pikëpamjet e kundërta ideologjike, por për shkak të mospajtimeve se kush do të marr drejtimin e partisë, apo se kishte fërkim i bërrylave për më shumë fuqi brenda partisë.

Adem Beha, autori i librit “Mes Stabilitetit dhe Demokratizimit: Zgjedhjet, Partitë, Politike dhe Demokracia Brendapartiake“, thotë se në Vetëvendosje nuk sheh ndonjë çarje ideologjike, por një luftë për pozicione udhëheqëse. Kjo nuk do të ishte hera e parë që një parti kosovare ndahet për arsye të tilla. Në LDK ndërrimin e pushtetit nga i ndjeri Rugova, tek Fatmir Sejdiu solli ndarjen e partisë, por LDK arriti të mbetet e konsoliduar kur pushteti u ndërrua nga Fatmir Sejdiu tek Isa Mustafa.

Njëjtë, në PDK mospajtimet mes Thaçit dhe Limajt, sollën ndarjen e partisë, por PDK mësoi nga gabimet e arriti të mbetët e konsoliduar kur lidershipi i kaloi Veselit nga Thaçi. Ndërsa, në Vetëvendosje kalimi i pushtetit nga Kurti tek Ymeri ishte bërë me koncensus, por tash është hera e parë që aktivisht synohet ndryshimi i lidershipit nga njerëz prominent të partisë.

Pas vdekjes së presidentit të LDK-së, në vitin 2006, pati një mospajtim drastik në atë se kush do ta drejtojë LDK-në në të ardhmen. Mospajtimet kulmuan në ‘Kuvendin e Karrikave’, ku anëtarë të LDK-së u rrahën mes vete (me karrika), që pasojë partia u nda në LDK dhe LDD. Në zgjedhjet e ardhshme të vitit 2008, PDK për herë të parë arriti ta mund LDK-në në zgjedhjet nacionale. Që atëherë PDK ende qeveris me Kosovën dhe që atëherë LDK nuk po mund të rikthehet si partia më e madhe në nivel nacional.

Partia e LDD-së e Nexhat Dacit, që u nda nga LDK-ja, provoi fatin e saj në zgjedhjet lokale dhe nacionale. LDD në koalicion me PSHDK-në arriti të fitojë 10% të votave në zgjedhjet nacionale të vitit 2007 dhe hyri në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Por, në zgjedhjet nacionale të vitit 2010, LDD nuk arriti t’i fitoi as 3% të votave, duke mbetur jashtë Kuvendit. LDD-ja asnjëherë nuk arriti të etablohet si parti e fuqishme, por solli dobësimin e LDK-në në masë të madhe. Pjesa më e madhe e themeluesëve të LDD-së ju bashkuan partive tjera, apo u kthyen në LDK.

Në anën tjetër ndarja e PDK-së u bë në vitin 2014, dy ndër figurat më prominente të PDK-së Famir Limaj, njeriu i dytë më i votuar në PDK-së në atë kohë dhe Jakup Krasniqi, kryetari i Kuvendit dhe njeriu i tretë më i votuar në PDK, u larguan duke formuar partinë NISMA për Kosovën.

Dallimi me ndarjen e LDK-së ishte se PDK arriti deri diku të kompenzojë humbjen e votave nga dalja e NISMA-s me një koalicion me mbi dhjetë parti të vogla në zgjedhjet që pasuan. Por, PDK u dobësua në negociata për koalicione qeverisëse. Në këto negociata për koalicione, PDK e sakrifikoi dy herë postin e kryeministrit për të mbetur në qeverisje.

Qysh nga dalja e NISMA-s, PDK më nuk mban kryeministrinë edhe pse ka qenë vazhdimisht në qeverisje, sic ishte edhe LDK-ja pas vitit 2007. Kjo nuk do të thotë që PDK humbi kryeministrinë për shkak të NISMA-s, por ndarja e PDK-së e ka bërë atë më të cënueshme dhe më të dobët në krijimin e qeverisë në mandatet e saj vijuese. Sërish, pas disa vjet ndarjeje, PDK-ja dhe NISMA janë pjesë e koalicionit qeverisës.

Përkundër LDD-së, NISMA mëzi arriti të etablohet si parti e vogël që qeveris në nivelin lokal dhe nacional, fal koalicionit parazgjedhor me AAK-në. Ajo si e vetme vështirë që do ta kalonte prap pragun për të hyrë në parlament, por mençur bëri koalicion me AAK-në gjatë kohës që ishte në opozitë dhe garoi së bashku me të si pjesë e koalicioni PAN, në të cilin bënte pjesë edhe Partia Demokratike e Kosovës prej së cilës u ndanë. Përmes bashkëpunimit me AAK-në, NISMA i siguroi vetvetes mbijetesën politike, sepse në garë e vetme do të rrezikonte të binte nën 5%. Në nivelin lokal NISMA me vendimet e saj për të mbështetur kandidat të caktuar në balotazhe shpesh faktorizohet si forcë politike dhe bëhet pjesë e qeverisjeve lokale.

LDK dhe PDK janë dobësuar pas ndarjes së tyre. Fraksioni i LDD-së është venitur e rishkrirë në LDK, ndërsa NISMA po mbijeton për shkak të koalicionit me AAK-në dhe po bashkëqeverisë me PDK-në.

Dallimi me Vetëvendosjen është se ndarjet e LDK-së dhe PDK-së kanë ndodhur përderisa ishin duke qeverisur, e në zgjedhjet pasuese ata patën humbje të elektoratit. Ndërsa, Vetëvendosjes kriza po i vjen kur kjo si parti është afër qeverisjes së parë me vendin. Kështu Vetëvendosje rrezikon seriozisht mandatin e tyre të parë, ende pa e fituar atë.

Pa i ditur prapavijat e mosmarrëveshjeve brenda Vetëvendosjes, por duke gjykuar vetëm nga intervistat televizive të Visar Ymerit dhe Dardan Molliqajt, ka qenë tejet e vështirë të nxjerrët një përfundim se ka ndarje ideologjike. Ndarjet ideologjike shpesh janë të shëndosha për profilizimin e partisë. Në Turqi pasi Partia e Virtytit (Fazilet Partisi) u nda në një parti reformiste AKP-së dhe në një parti më shumë Islame e më tradicionale, SP (Saadet Partisi). AKP arriti të fitoi zgjedhjet në kandidatin e saj të parë si parti reformiste në vitin 2002 dhe vazhdon të jetë në qeverisje.

Në Vetëvendosje është vështirë të thuhet se ata që po japin dorëheqje janë një krah reformist. Nuk ka ndonjë krah që synon të jep alternativë ndaj pikave të kontestueshme të partisë. Nuk ka krah që premton p.sh: braktisjen e retorikës nacionaliste të bashkimit kombëtar, që kalon Asosacionin e Komunave Serbe, apo Demarkacionin, nuk ka ndonjë krah reformist që mbështet një politikë më ndryshe me partneret ndërkombëtar. Pika këto kontroverse të VV-së që vazhdojnë të kritikohen nga jashtë.

Çka i bën bashkë të dorëhequrit në Vetëvendosje është kritika e tyre ndaj etiketimeve që u janë bërë nëpër rrjetet sociale kur ata shprehin një mendim ndryshe. Ka pasur kritika për krijimin e kultit të liderit dhe propozojnë ndryshim të metodave dhe mënyrave të veprimit brenda dhe jashtë partisë. Edhe pse në këtë të fundit është mjaft e paqartë se çfarë metoda po zëvendësohen.

Janë disa faktorë që e bëjnë të dobët e të pasuksesshëm kontestimin e Albin Kurtit që i bëhet përbrenda Vetëvendosjes. E para, nuk është kontestim ideor, por një kontestim për pozitë udhëheqëse. Faktori i dytë është se kontestimi vjen pas zgjedhjeve të suksesshme nacionale, në të cilat Albin Kurti, i moderuar e me kravatë, ishte më i votuari në Kosovë dhe vazhdon të gëzoj popullaritetin më të madh në elektorat, sidomos në bazën e Vetëvendosjes. Fakti që Kurtit, ende pa qeverisur ndonjë herë, kushtëzohet të mos kandidojë për kryetarë, i jep nismës karakter kërcenues e përmbysës e jo të garës demokratike për lidership.

Të gjitha këta faktorë përcjellën me shqetësim dhe me zhgënjim nga votuesit e Vetëvendosjes, e disa edhe me fyerje ndaj të dorëhequrëve. Në zgjedhjet e ardhshme do të ishte tejet e vështirë që votuesit e Vetëvendosjes të votonin për një person që vjen në krye të partisë në një formë jodemokratike.

Fraksioni që po i bën dorëheqjet brenda Vetëvendosjes deklaroi se gjatë muajit Janar 2018 do të flasin për të ardhmen e tyre që mund të shpie në ndarje të partisë. Madje ish-kryetari i VV-së, Visar Ymerit, pas takimit të përbashkët me kryesin, deklaroi se ende nuk ka parë reflektim mbi situatën e krijuar. Por, ana tjetër, Libur Aliu tha se është më optimistë se disa ditë më herët.

Shumë nga emrat që kanë dhënë dorëheqje janë ndër deputetet më të votuar në Vetëvendosje, si: Visar Imeri, Aida Dërguti, Dardan Molliqaj, Dardan Sejdiu, Faton Topalli, etj.  Nëse Vetëvendosje nuk arrin të mësojë nga ndarja e LDK-së dhe PDK-së, e nuk arrin të krijojë ndonjë kompromis, atëherë VV seriozisht rrezikon mandatin e saj të ardhshëm si partia e parë. Njësoj si LDK dhe PDK që e rrezikuan  mandatin pas ndarjes, vetëm se Vetëvendosje do ta humbiste mandatin qeverisës që se pati kurrë.