Çitaku Para Komisionit për Integrime Zbulon të Rejat për MSA-në

Vlora Çitaku, ministresha e Integrimeve Europiane, kur doli të hënën para komisionit parlamentar me të njëjtin emër, deklaroi se negociatat Kosovë-BE për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit pritet të nisin nga gjysma e dytë e tetorit.

Synimi kosovaro-europian është që të njëjtat të përfundojnë në pranverë.

Çitaku shtoi se ekipi negociator i Kosovës pritet të takohet me homologët europianë për MSA-në, katër herë gjatë periudhës vjeshtë 2013- pranverë e vitit të ardhshëm.

Takimet janë paraparë në tetor, nëntor, shkurt, prill, ose maj, ndërsa mes tyre do të ketë edhe takime tjera plotësuese të nivelit të grupeve teknike e punuese.

Kosova pritet të marrë një dokument prej 500 deri 800 faqësh për MSA-në, e cila do ta ketë statusin ligjor të marrëveshjes ndërkombëtare.

Ekipi që do të negociojë marrëveshjen me BE-në është themeluar më 27 shkurt nga Qeveria e Kosovës.

Atë e kryeson ministresha e Integrimeve, ndërsa përbëhet nga ministri i jashtëm, ministri i tregtisë dhe industrisë, ministri i bujqësisë, pylltarisë dhe zhvillimit rural, ministri i financave, ministri i zhvillimit ekonomik dhe ministri i drejtësisë.

Përveç ministrave, pjesë e grupit negociator do të jenë edhe përfaqësues nga Presidenca, Komisioni parlamentar i integrimeve, bizneset dhe shoqëria civile.

Për ta përballuar më lehtë MSA-në, negociatat do të organizohen në tri grupe punuese: grupi punues për çështje tregtare, grupi punues për afrim të legjislacionit me BE-në dhe grupi punues për politikat e bashkëpunimit.

Negociatat për çështje tregtare nga pala kosovare do t’i drejtojë zëvendësministri  i Tregtise dhe Industrisë z Bernard Nikaj, ndërkohë që negociator për përafërim të legjislacionit dhe politika të bashkëpunimit është emëruar zëvendësministri i Integrimeve Europiane Gëzim Kasapolli.

“Me fillimin e marrëveshjes, vendi ynë do të zotohet se do të bëjë reforma më të thella sa i përket procesit të integrimit, kurse Bashkimi Europian do të ofrojë mundësi reale për anëtarësim, tha ministresha Çitaku.

Ismet Beqiri, anëtar i Komisionit për integrime europiane, e pyeti Vlora Çitakun, nëse kandidimi i personave  me procese të hapura gjyqësore në zgjedhjet lokale të 3 nëntorit, do të ndikojë negativisht në negociatat për MSA-në.

“Legjislacioni aktual nuk ua ndalon këtyre personave të cilët janë nën hetime të kandidohen për kryetarë të komunave. Ne jemi ithtarë të asaj, se personi deri sa të mos dënohet nga gjykata, ka të drejtë të besojë në pafajësinë e tij”, iu përgjigj Çitaku.

Gazeta Jeta në Kosovë raportoi në qershor se dhjetë kryetarë komunash janë të akuzuar, ose dënuar nga gjykatat e vendit. http://gazetajnk.com/?cid=1,3,5757 . Tetë nga të përmendurit e gazetës janë pjesë e garës së tre nëntorit, ndërsa përfaqësojnë të dy partite më të mëdha PDK-në dhe LDK-në.

Deputetja e pavarur Alma Lama, e pyeti ministren çfarë ndikimi mund të kenë në rrugën europiane të vendit, manipulimet e mundshme në zgjedhjet e 3 nëntorit. Çitaku u përgjigj se një gjë e tillë, do ta dëmtonte imazhin e vendit.

Negociatat për MSA-në do të zhvillohen sipas kapitujve negociues dhe fillimisht, do të bisedohet për çështjet tregtare, pastaj për ato të përafrimit të legjislacionit dhe në fund do të negociohen politikat e bashkëpunimit.

Anëtarja e komisionit Vjosa Osmani kërkoi të dijë se sa do të shpenzojë Kosova në reformimin e doganave, për të plotësuar kriteret europiane.

Çitaku tha se Kosova për modernizim dhe reformim doganash do të japë njëzet millionë euro, ndërsa do të marrë na BE-ja 100 milionë.

Kontrollimi i efekshëm i kufijve është një gjë shumë e rëndësishme për vendet që pretendojnë të jenë pjesë e BE-së.

Kosova përcaktoi vijën e saj kufitare me Maqedoninë në vitin 2009, ndërsa demarkacioni me Malin e Zi kushtëzohet nga shteti fqinj me njohjen e pakicës malazeze si kategori kushtetuese nga Kosova.

Kosova me Serbinë, edhe pse ka nënshkruar marrëveshjen për lëvizjen e lire në dhjetor të vitit 2011 dhe atë për menaxhim të imntegruar të kufijve një vit më vonë, ende nuk është marrë vesh për demarkacionin me këtë shtet.

Me Shqipërinë Kosova nuk ka ndonjë kontest kufitar.