Cilët kryeprokurorë e kanë të regjistruar pronën në emër të përbashkët me bashkëshorten?

Vetëm dy Kryeprokurorë të Prokurorive të Kosovës kanë deklaruar se posedojnë pronë në emër të përbashkët me bashkëshorte.

Hulumtimi i fundit i BIRN-it ka vënë në pah numrin e vogël të zyrtarëve të lartë të vendit tonë të cilët janë duke e respektuar udhëzimin administrativ për regjistrimin e pronës në emër të përbashkët të dy bashkëshorteve.

Gjetjet e këtij hulumtimi tregojnë se vetëm dy Kryeprokurorë të Prokurorive të Kosovës posedojnë pronë të regjistruar në emër të përbashkët me bashkëshortet e tyre.

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Prishtinës, Imer Beka ka deklaruar se të gjithë pasurinë që e posedon e ka të regjistruar në emër të përbashkët me bashkëshorten e tij por në deklarimin e pasurisë në Agjencinë Kundër Korrupsion, kryeprokurori Beka si pasuri të paluajtshme e ka të deklaruar vetëm një shtëpi të cilën ka thënë se e ka të regjistruar vetëm në emër të tij.

Edhe kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Prizrenit, Admir Shala ka thënë se së fundmi ka blerë një pronë të cilën e ka regjistruar në emër të përbashkët me bashkëshorten por në Agjencinë Kundër Korrupsion rezulton se kryeprokurori Shala në emër të tij posedon një banesë të cilën e ka blerë nga kursimet dhe kredia që ka marrë në bankë të regjistruar vetëm në emër të tij ndërsa një shtëpi që ka deklaruar se e ka të trashëguar ka thënë se e ka të regjistruar në emër të përbashkët.

Lidhur me deklarimet rreth regjistrimit të pasurisë, BIRN-i gjatë ditëve në vazhdim do të interesohet që këto deklarata të vërtetohen në institucionet relevante.

Përpos këtyre dy kryeprokuroreve, të gjithë kryeprokurorët tjerë të Prokurorive të vendit tonë kanë deklaruar se nuk posedojnë asnjë pronë të regjistruar në emër të përbashkët me bashkëshortet e tyre.

Madje as kryeprokurori i Prokurorisë së Shteti, Aleksandër Lumezi nuk posedon pronë të paluajtshme të regjistruar në emër të përbashkët me gruan e tij.

Lumezi për KALLXO.com ka thënë se të gjithë pasurinë e paluajtshme e ka të regjistruar vetëm në emër të tij, ndërsa është shprehur se nga pasuria e luajtshme një veturë është e regjistruar në emër të gruas së tij.

Në kuadër të projektit për avancimin e të drejtave pronësore, BIRN-i ka kontaktuar afro 2 mijë zyrtar të lartë në vendin tonë për të parë nëse këta zyrtar janë duke e respektuar Udhëzimin Administrativ të Qeverisë së Kosovës për regjistrimin e pronës së paluajtshme të përbashkët në emër të dy bashkëshortëve.

Por gjetjet e hulumtimit të BIRN-it kanë pasqyruar se vetëm 5% e këtyre zyrtareve të lartë janë duke e respektuar këtë udhëzimin administrativ për regjistrimin e pronës në emër të dy bashkëshortëve.

Nga viti 2016 Qeveria e Kosovës e ka miratuar një udhëzimi administrativ për regjistrimin e pronës së paluajtshme të përbashkët në emër të dy bashkëshortëve me qëllim të inkurajimit të çifteve të reja që nga fillimi i krijimit të pronës ta gëzojnë të drejtën e regjistrimit të asaj prone në emër të dy bashkëshortëve, e drejtë që është e garantuar edhe me Kushtetutën e Kosovës dhe me ligjet në fuqi.

Përfitimet që dalin nga ky Udhëzimi Administrativ NR.08/2018 për regjistrimin e pronës në emër të përbashkët të dy bashkëshorteve, është lirimi nga tarifa për shërbimin e regjistrimit, lirimi nga tatimi mbi pronën për periudhën 1 vjeçare si dhe lirimi nga tarifa për shpenzimet e noterit.

Në bazë të këtij udhëzimi, autoritetet publike janë të obliguara që të zbatojnë masa të veçanta të përkohshme me qëllim të rritjes së numrit të grave të regjistruara si pronare të përbashkëta si dhe me qëllim të përshpejtimit të realizimit të barazisë faktike midis burrave dhe grave në të drejtën pronësore.

Ligji për Familjen i Kosovës si pasuri të veçantë të bashkëshortëve parasheh pasurinë e cila i ka takuar bashkëshortit në çastin e lidhjes së martesës e cila do të mbetet pasuri e veçantë e tij.
Pasuria e veçantë është gjithashtu edhe pasuria e fituar gjatë kohëzgjatjes së martesës përmes trashëgimit, dhurimit apo ndonjë forme tjetër ligjore të fitimit të pasurisë.

Në bazë të këtij ligji si pasuri e përbashkët e bashkëshortëve konsiderohet pasuria e fituar me punë gjatë vazhdimit të martesës, si edhe të hyrat që rrjedhin nga pasuria e tillë.
Bashkëshortët janë pronarë të përbashkët në pjesë të barabarta të pasurisë së përbashkët.

Aktualisht në vendin tonë sipas raporteve nga organizata të ndryshme jo qeveritare del se numri i grave të cilat trashëgojnë pronë është vetëm 4 për qind, një shifër kjo jashtëzakonisht shqetësuese për kohën në të cilën jetojmë. Shifra po aq alarmuese tregojnë edhe hulumtimet rreth grave të cilat posedojnë prona të paluajtshme të regjistruara në emër të tyre, pasi që sipas raporteve të fundit rezulton se vetëm 17 për qind e grave posedojnë ndonjë pronë të pa luajtshme të regjistruar në emër të tyre.