Fotografitë e lëshuara nga Dogana e Shqipërisë tregojnë cigaret Cleopatra në linjën e prodhimit në Albania Tabak (Foto: Dogana e Shqipërisë)

Cigaret ‘Made in Egypt’ të prodhuara në Shqipëri vërshojnë Afrikën e Veriut

Një fabrikë në Shqipëri po prodhon në vit miliona cigare që dyshohen si ‘të falsifikuara’, përkundër një hetimi penal të nisur inteligjenca doganore britanike.

Është shumë e vështirë që të nxirren në shesh sekretet në qytetin e varfër të Librazhdit, sidomos kur janë në pyetje vendet e punës.

Por aktivitetet kundërthënëse të një fabrike të cigareve në periferi të qytetit me 50 të punësuar duket të kenë kaluar pavërejtshëm që nga koha kur ajo filloi në mënyrë të heshtur të prodhojë miliona cigare në pako që bartin profilin e sundueses së fundit Ptolemeike të Egjiptit, Cleopatra.

Cleopatra është brendi më i njohur i cigareve në Egjipt dhe një nga më të shiturit në botë.

Dokumentet e gjykatës në Shqipëri, raportet e rrjedhura të doganave britanike, kontratat dhe intervistat me menaxhmentin e fabrikës zbulojnë se që nga viti 2014 [Eques Albania Tabak contract ½] rreth 22 milionë pako të cigareve janë prodhuar për çdo vit në fabrikën Tabak në Shqipëri në Librazhd, afër qytetit qendror të Elbasanit, para se të dërgohen në Libi.

Sipas pronarit të brendit Cleopatra – Eastern Company me seli në Giza – cigaret që vijnë në Libi janë shpesh të kontrabanduara përgjatë kufirit të braktisur në Egjipt, ku një pako me 20 cigare arrin gati një dollar në tregun legal.

Autoritetet doganore britanike kanë qenë duke gjurmuar prodhimin në Librazhd dhe duke e shënuar atë si të falsifikuar. Paralajmërimet e tyre nxitën një hetim penal në Shqipërinë vitin 2015 i cili ndali prodhimin për një vit. Rasti më pas u vendos në pritje pasi që prokurorët prisnin informacione nga juridiksionet e huaja.

E lehtësuar nga telashet e menjëhershme ligjore, fabrika nënshkroi një marrëveshje në vitin 2017 me firmën që ka selinë në British Virgin Islands, Eques Holding Group për të prodhuar deri në 175 milionë pako në vit, sipas një kontratë të siguruar nga reporterët.

Prokurorët shqiptarë tani kanë thënë se e kanë rihapur rastin në vitin 2017.

Të palëkundur, personat që po udhëheqin operacionin po kërkojnë të zgjerohen.

Ata përfshijnë figura nga Ballkani, Lindja e Mesme dhe Qipro, disa nga të cilët kanë qenë të lidhur me raste të mëhershme të kontrabandimeve, dhe disa të tjerë përfshirja e të cilëve në këtë operacion ka qenë e fshehur përmes strukturave offshore të cilat i kanë gjetur gazetarët e Rrjetit Ballkanik për Gazetari Hulumtuese, BIRN, dhe Gazetarëve Arabë për Gazetari Hulumtuese, ARIJ.

Në mesin e atyre që përfitojnë nga biznesi që po lulëzon me Cleopatra gjithashtu është edhe gruaja e një figure të fuqishme politike në Shqipëri nga Partia Socialiste në pushtet, edhe pse ajo insiston që nuk ishte në dijeni për dyshimet rreth operacionit.

Krimi i organizuar dhe sundimi i ligjit janë çështje madhore me të cilën po përballet Shqipëria përderisa ajo po tenton të bëjë progres në rrugën e vet drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian, pasi i është bashkuar NATO-s në vitin 2009.

Menaxheri i fabrikës, Servet Dauti, tha se fabrika operoi tërësisht në harmoni me ligjin shqiptar dhe se çka ndodhi me cigaret pasi ato u larguan nga Shqipëria nuk është brengë e tij.

“Nga momenti kur prodhimi del nga Shqipëria, ne nuk kemi përgjegjësi ose obligim të dimë se çka ndodh me të”, tha ai.

Eques Holding Group refuzoi të komentojë për këtë storje.

Made in Librazhd

Ushtria e Egjiptit raporton rregullisht për konfiskime të cigareve të falsifikuara Cleopatra. Në këtë fotografi, 4,200 pako me cigare ishin kapur në dhjetor 2016 në kufirin e braktisur me Libinë. (Foto: Ushtria e Egjiptit)

Të prodhuara më shumë se një mijë kilometra larg nga vendi i faraonëve, pakot e dyshuara si të falsifikuara megjithatë mbajnë profilin e pandryshueshëm të Mbretëreshës Cleopatra, dashnores së Julius Cezarit, dhe bartin mbishkrimin në gjuhën arabe ‘Made in Egypt by Eastern Company S.A.E.’ Pakot janë të mbështjella me paralajmërime shëndetësore të Egjiptit.

Eastern Company S.A.E. krijoi brendin Cleopatra për Presidentin Gamal Abdel Nasser në vitet 1960 si një version egjiptian i brendit të kontrabanduar amerikan Kent të cilin ai pëlqente ta konsumonte. Ky brend është prodhuar që nga atëherë, kryesisht për konsum vendor.

Taksat në rritje të cigareve që nga vitet 2010 e këtej krijuan një treg të lulëzuar të zi për produktin; mungesa e ligjit në Libinë fqinje që nga rrëzimi i diktatorit Muammar Gadaffi në vitin 2011 e ka kthyer vendin në një parajsë të kontrabandës.

Këto cigaret “e falsifikuara” nga Shqipëria, siç janë të përshkruara nga doganat britanike në një letër të majit të vitit 2015 drejtuar doganave të Egjiptit dhe të cilën e ka siguruar BIRN/ARIJ, janë të prodhuara për Eques Holding Group, një kompani nga British Virgin Islands në pronësi të një biznesmeni irakian 38 vjeçar të quajtur Faris Al-Rifai.

Eques Holding Group ka një licencë për përdorim të brendit Cleopatra në Bashkimin Europian dhe Shqipëri, të fituar nga një tjetër firmë nga British Virgin Island, Worldwide Spirit Supply.

Eastern Company ka qenë e pasuksesshme në rrëzimin e këtyre markave tregtare pasi që firma egjiptiane nuk ka qenë në gjendje të dëshmojë se kishte përdorur brendin së fundmi në këto shtete.

Por markat tregtare vlejnë në baza strikte gjeografike, dhe Worldwide nuk e mbulon Libinë ose Egjiptin, aty ku Eastern Company e ka të regjistruar brendin e tyre.

Përkundër kësaj, një hulumtim i BIRN/ARIJ ka zbuluar se Cleopatra e prodhuar në Shqipëri ishte eksportuar përmes portit shqiptar të Durrësit në Libi dhe te një firmë e quajtur Al Zain International Company. Thirrjet drejtuar kompanisë nuk mbetën pa përgjigje.

Dhe një raport i brendshëm nga Eastern Company, i siguruar nga BIRN/ARIJ, përshkruan se si cigaret Cleopatra arrinin në Libi nga shtetet si Vietnami e Mali i Zi kontrabandoheshin në Egjipt ku mund të shiteshin krahas Cleopatra-s autentike, e cila kushton më pak se 1 dollar.

Edhe pse nuk ka dëshmi të drejtpërdrejtë që Cleopatra-t e prodhuara në Shqipëri kanë gjetur rrugën drejt Egjiptit, zyrtarët kanë raportuar konfiskime të rregullta të brendit në shtetin e Afrikës së Veriut gjatë viteve të fundit. Të hyrat për Eastern Company dhe qeverinë e Egjiptit gjithashtu janë goditur rëndë nga falsifikimet e kontrabanduara.

Cigaret e prodhuara në Shqipëri gjithashtu synohen të prodhohen nga ‘Eastern Company S.A.E.’.

Një faqe nga hetimi i prokurorisë tregon pakot e cigareve Cleopatra të prodhuara në Albania Tabak. (BIRN)

Kjo e drejtë ishte dhënë nga një kompani me emër të njëjtë por me seli në British Virgin Islands me adresë të njëjtë sikur Eques Holding Group. Nuk ka një lidhje të dukshme me Eastern Company-n origjinale që e ka selinë në Giza, shtëpi e piramidave Giza në jugperëndim të Kajros, edhe pse firma nuk është përgjigjur në kërkesat për koment.

Letra që konfirmon të drejtat e prodhimit ishte lëshuar për çështje muajsh para se prokurorët shqiptarë të hapin një hetim ndaj operacioneve të fabrikës, të nxitur nga doganat britanike, HRMC.

Hetimi penal rreth “shkeljes së të drejtës së pronësisë industriale”, “pastrimi i të ardhurave nga veprat penale ose aktiviteti kriminal” dhe “prodhim ilegal i artikujve/mallrave industriale apo ushqimore” u hap në fillim të vitit 2015.

Sipas raporteve të lajmeve nga ajo kohë, nëntë milionë cigare të falsifikuara ishin kapur në një bastisje në fabrikë por artikujt nuk e përmendnin brendin – Cleopatra – përkundër asaj që ato dukeshin mjaft mirë nga fotografitë e lëshuara.

Pas bastisjes, rasti ishte pezulluar përderisa prokurorët prisnin përgjigje nga juridiksione të ndryshme të huaja, përfshirë edhe British Virgin Islands dhe Egjipti.

Kjo ia bëri të mundur Albania Tabak-ut që ta rifillojë prodhimin, përkundër kontakteve ndërmjet doganës së Shqipërisë dhe ambasadorit të Egjiptit në Tiranë, sipas një raporti të Eastern Company, dhe shqetësimeve të doganës britanike dhe monitorimit të saj të vazhdueshëm, sipas letrave zyrtare të siguruara nga BIRN/ARIJ. Britania është një nga tregjet më të mëdha në Europë për cigaret e falsifikuara dhe të kontrabanduara.

Një korrespondencë me doganat e Egjiptit në maj të vitit 2015, jo fort gjatë pas bastisjes, HMRC e përshkroi se si një punonjës në Sofje por me përgjegjësi në Shqipëri, “ka qenë i suksesshëm së fundmi në mbylljen e një fabrike të prodhimit të cigareve që prodhonte brendin e falsifikuar të Cleopatra-s”. [Copy of Meeting HMRC]

“Qëllimi i HMRC është që ta çrrënjosë prodhimin e falsifikuar të brendit të Cleopatra-s me ndihmën e Eastern Company, bartësin e licencës legjitime të brendit”, thuhej në letër. [Copy of HMRC Eastern meeting promised to shut doën Cleopatra production]

Deri tani, as Albania Tabak, Eques Holding Group, Worldwide Spirit apo ndonjë punonjës i këtyre firmave nuk janë akuzuar për ndonjë krim.

Prodhimi rifillon dhe zgjerohet

Dauti, menaxher i fabrikës, tha se fabrika ishte mbyllur për gati një vit përderisa po vazhdonte hetimi, pas të cilit ata u lejuan që ta rihapnin.

Më pas, në dhjetor të vitit 2016, HMRC informoi kolegët e tyre egjiptianë se tetë dërgesa me cigare Cleopatra ishin dërguar në Libi [Copy of Albania Tabak 2.jpg] për Eques Holding Group.

Në mars të vitit 2017, ajo edhe një herë raportoi në Egjipt se 11.5 milionë cigare Cleopatra do të eksportoheshin në Libi, nëpërmes Maltës.

Kontrata e fundit, e nënshkruar në mars të vitit 2017 dhe e siguruar nga gazetarët, thotë se Albania Tabak do të prodhojë deri në 3,500 tonë cigare në vit për dy vjet dhe që, me afërisht një gram për cigare, nënkupton se do të prodhoheshin 3.5 miliardë cigare çdo 12 muaj, ose 175 milionë pako cigare. Dokumenti i vendos një vlerë prej 15 milionë euro porosisë.

Fabrika e cigareve Albania tabak në Shqipëri, afër qytetit të Elbasanit, është një nga punëdhënësit më të mëdhenj në qytet (BIRN)

Në një intervistë për BIRN/ARIJ, Dauti mohoi të ketë bërë ndonjë gjë gabim.

“Ne punojmë dhe procedojmë në harmoni të plotë me ligjin shqiptar”, tha ai.

“Markat tregtare regjistrohen në Europë dhe Shqipëri, prandaj ligjërisht asgjë nuk na pengon që ta prodhojmë atë. Por edhe nëse nuk janë të regjistruara në Shqipëri, nuk ka asgjë që na ndalon ta prodhojmë atë sipas ligjit të Shqipërisë pasi që ne funksionojmë si kompani prodhuese dhe të gjitha hyrjet e daljet monitorohen”.

Eques Holding Group u pajtua t’i paguajë Albania Tabak-ut shumën prej 0.014 për pako, ose 300 mijë euro në vit.

“Sipas kontratës, ne vetëm duhet t’i paketojmë ato dhe t’i dërgojmë në Durrës”, tha Dauti.

Dauti tha se makineria në fabrikën e Librazhdit ishte e vjetër dhe në gjendje për të prodhuar vetëm 1.8 milion pako në muaj, ose 21,6 milionë për vit.

Ai dhe pronari zyrtar i Eques Holding Group, Al-Rifai, kanë themeluar një kompani të re, Eques Trading Company Shpk, në afërsi të Elbasanit ku kanë aplikuar për ta hapur një fabrikë të re.

“Ne kemi kapacitet për tre kontejnerë në muaj”, tha Dauti për fabrikën aktuale. “Nuk mund të bëjmë më shumë se kaq edhe pse kontraktuesi kërkon sasi më të madhe. Ne nuk mund të bëjmë më shumë sepse nuk kemi pajisje në dispozicion”. [Interview Servet Dauti]

I intervistuar për herë të dytë, Dauti hodhi poshtë planin për të hapur fabrikë të re, duke thënë se do ta rishikojnë idenë pas gjashtë muajsh.

Lidhjet në kontrabandë

Fabrika Albania Tabak ka qenë në pronësi të familjes së Ilir Jasharit që nga dhjetori i vitit 2010, kur është blerë nga babai Iliri për 3 milionë euro para se të kalonte në pronësi të gruas dhe djalit të tij.

Ilir Jashari qe dënuar për trafikim të drogës në Itali në qershor të vitit 2010 dhe i është dhënë një dënim fillestar prej më shumë se 15 vjet, dënim i cili më vonë iu zvogëlua, ndërsa ai filloi ta vuajë atë vetëm pas arrestimit në vitin 2014. Në vitin 2016 ai u transferua në një burg të Shqipërisë dhe në vitin 2017 u lirua nga burgu, sipas një burimi të afërt me procesin.

I kontaktuar përmes telefonit, ai refuzoi të komentojë.

Pronësia e Worldwide Spirit, ndërkohë, është mbështjellë me sekret në British Virgin Islands, dhe asnjë shenjë nuk është dhënë në informacionin e ofruar për BIRN/ARIJ nga parajsa e tatimeve.

Por aplikacionet e markës tregtare të paraqitura në Zyrën e Pronësisë Intelektuale të BE-së zbuluan se firma është në pronësi të një kompanie të quajtur “Middle East Tobacco Co”, “Metco”, me seli në Qipro (Metco është pronare e Worldwide Spirits) me një qarkullim prej rreth 28 milionë dollarë në vitin 2014, duke iu referuar llogarive të kompanisë.

Sipas dokumenteve nga rasti i vitit 2008 në Gjykatën e Lartë në Londër ndërmjet prodhuesit britanik të cigareve Gallagher dhe firmës qipriote të quajtur Tlias, përgjatë 18 muajve nga maji i vitit 2002, 20 mijë raste të cigareve Gallagher ishin dërguar në Belgjikë, Mal të Zi, Holandë, Singapor, Slloveni dhe Tenerife nga distributori kryesor i Tlias te METCO pa ndonjë restriksion në destinacionin e tyre final, në shkelje të kontratës së Tlias.

Cigaret më pas të shitura nga METCO përfunduan duke u kontrabanduar në Britani të Madhe dhe kjo rezultoi me pesë persona të dënuar. Gjykatësi tha: “Duhet ta pranoj se METCO nuk kishte të bënte asgjë me kriminalitet”.

Një punëtor i METCO, i cili refuzoi ta identifikojë veten, tha se ata “nuk ishin të interesuar për të marrë pyetje apo për t’u përgjigjur në pyetjet e BIRN/ARIJ rreth markës tregtare të Cleopatra-s.

Sipas një kontrate të nënshkruar ndërmjet Eques Holding Group dhe Worldwide Spirit Supply, firmës nga British Virgin Islands, bartëse e “markës tregtare”, Eques u pajtua t’i paguajë Worldwide një dollar për çdo 10 mijë cigare të prodhuara. Kjo nxjerr afërisht 44 mijë dollarë në vit [Doc (Worldwide Eques agreement August 2013)].

Një tjetër kompani që nxirrte para nga bumi i cigareve në Librazhd është agjencia doganore Ujori, e cila është në pronësi të Xhuliana Sejdinit, gruaja e kryebashkiakut të Elbasanit, Qazim Sejdini, një aleat i kryeministrit të Shqipërisë, socialistit Edi Rama [Albania Tabak investigation English.docx].

Sipas raportit të prokurorit shqiptar, të siguruar nga BIRN/ARIJ, menaxheri i fabrikës Dauti u kishte thënë prokurorëve se “e tërë procedura e import-eksportit (ishte bërë) përmes agjencisë doganore Ujori”.

Dauti tha për BIRN/ARIJ se Ujori-t i ishte dhënë detyra sepse “ajo është kompania e vetme që bën gjithçka në Elbasan kështu që ne nënshkruam një kontratë me të”.

Nuk dihet se sa ka fituar Ujori nga dërgesat e cigareve të dyshuara si të falsifikuara.

Sejdini tha për BIRN se ajo nuk ishte në dijeni për hetimin ndaj Albania Tabak, duke shpjeguar se firma e saj ishte e përfshirë vetëm në rregullimin e letrave.

“Ne nuk hapim ndonjë kampion dhe nuk e dimë çka ka brenda tyre dhe nuk ka arsye pse ta dimë këtë”, tha ajo.

Kryebashkiaku i Librazhdit, Kastriot Gura, tha se dinte pak rreth aktiviteteve të fabrikës në këtë qytet, përtej frymëmarrjes shumë të nevojshme për ekonominë e sëmurë lokale.

“E di se ata prodhojnë cigare dhe se ato kanë sjellë vende pune në qytet”, tha ai. “ata rregullisht paguajnë obligimet komunale dhe për ne kjo është ajo që na intereson”.

Jo nuk e di sepse nuk jam interesuar të di. Për ne, është e rëndësishme dhe ajo çka realisht na intereson është se ata paguajnë taksat e qytetit dhe kanë krijuar vende pune.

Gura tha se nuk i intereson ndonjë dyshim për keqbërje. “Kjo është përgjegjësi e pjesëve tjera të shtetit”.

Më 12 dhjetor, pak para publikimit të këtij artikulli, Prokurorja Armanda Xhaferri, zbuloi në një deklaratë me shkrim për BIRN se zyra e saj në Elbasan kishte rihapur rastin në vitin 2017 pasi kishte pranuar dokumente të reja nga British Virgin Islands, por se rasti ende po priste për informata nga Egjipti.

“Nën këto rrethana, hetimi ynë nuk ka përfunduar ende”, tha Xhaferri.

Duke u përgjigjur në pyetjet pse dogana ka lejuar një firmë nën hetime të eksportojë mallra që pretendojnë të jenë “Made in Egypt” drejt Libisë, dogana e Shqipërisë tha në një deklaratë se Eques Holding Group po operonte me një markë tregtare shqiptare për Cleopatra, edhe pse ata e pranuan se Eastern Company e kishte regjistruar ‘Cleopatra Lux’ si brend të vetin.

Dogana shtoi: “Rasti po vazhdon të hetohet nga Prokuroria e Qarkut të Elbasanit ndërsa Drejtoria e Përgjithshme e Doganës po pret rezultatet e hetimit”.

Cleopatra në Vietnam

Para se cigaret Cleopatra të fillojnë të dalin nga linja prodhuese në Librazhd të Shqipërisë në vitin 2014, Eques Holding Group dhe Worldwide Spirits ishin të zënë duke bërë përpjekje që të bëjnë biznes në kurriz të brendit të popullarizuar të cigareve në Vietnam.

Worldwide Spirits pranuan se marka e tyre tregtare europiane po përdorej për prodhim të Cleopatra-s në shtetin e Azisë Juglindore në një letër drejtuar zyrës së BE-së për pronësi intelektuale në shtator të vitit 2013. Marka tregtare ishte dhënë vetëm tre muaj më parë. [Request for letter to prove Cleo copyright in EU plus Vietnam to prove oënership.pdf]

Kërkesa e Eques për ta pasur markën tregtare të Cleopatra-s në Vietnam në vitin 2012 duket se është përmbysur në vitin 2015. Eques gjithashtu provoi, dhe dështoi, që ta anulojë regjistrimin e Eastern Company në shtator të vitit 2013. [No 7710.pdf]

Autoritetet e Vietnamit morën vendim në janar të vitit 2014 se të marka e firmës egjiptase ishte përdorur gjatë pesë viteve të kaluara dhe kjo ishte ende në fuqi. [No.1975.docx].

Është e paqartë nëse përpjekjet e Eques rezultuan me prodhimin e cigareve ose kush po i prodhonte cigaret Cleopatra me markën tregtare të Worldwide Spirits të lëshuar nga BE, por cigaret Cleopatra po bëheshin në Vietnam prej vitit 2012 deri së paku në vitin 2015, sipas Eastern Company, të cilat dyshohet në një raport se ato po bëheshin për tregun egjiptian.

Në një letër nga Ministria e Industrisë dhe Tregtisë së Vietnamit drejtuar ambasadës së Egjiptit në Hanoi, të shtatorit të vitit 2014, raportohet se ministria ishte “aktualisht duke kontrolluar prodhimin e cigareve nga kompanitë lokale”.

“Nëse është zbuluar ndonjë kompani që prodhon cigaret e markës ‘Cleopatra’, do të kërkohet që ta ndalë prodhimin në mënyrë që të sigurohen të drejtat e pronës intelektuale në prodhimet industrial të ndërmarrjes së Egjiptit”, thuhet në letër.

Ministria nuk është përgjigjur në kërkesat për koment nëse prodhimi është ndalur.

Raportimi shtesë nga Ivan Angelovski