Dosja e ekspertëve ndërkombëtar: Kopjimi njëra nga arsyet për mosakreditimin e Universitetit të Mitrovicës

Dy eksperte ndërkombëtare që vizituan dhe analizuan punën në Universitetin publik të Mitrovicës “Isa Boletini”, konstatuan se ky institucion nuk duhet të akreditohet për shkak të parregullsive në sistemin udhëheqës dhe menaxherial të këtij universiteti.

Nëse ky raport do të miratohet dhe votohet nga bordi i Këshillit Shtetëror të Cilësisë(KSHC), ky universitet nuk do të mund të regjistrojë studentë të rinj në vitin e ardhshëm akademik 2019/2020.

Vlerësimi institucional nga ana e ekspertëve, është i rregulluar me Ligjin për Arsimin e Lartë në Kosovë dhe me Udhëzimin Administrativ për Akreditimin e Institucioneve të Arsimit të Lartë.

Ekspertet Anca Prisacariu dhe Oana Sarbu, kanë vlerësuar në detaje Universitetin e Mitrovicës, në të cilin gjetën parregullsi të shumta, duke filluar nga misioni i këtij universiteti, i cili sipas tyre, është i kopjuar për 53 për qind nga një universitet tjetër publik në Kosovë.

Pavarësisht se institucioni ka qenë i vetëdijshëm se procesi i vlerësimit do të bëhet vetëm në gjuhën angleze, ekspertet kanë deklaruar se shumë pak dokumente u janë ofruar në këtë gjuhë.

Ata kanë gjetur se kopjim ka pasur edhe në Raportin e Vetë- Vlerësimit.

“UMIB duket të ketë qenë shumë i preokopuar për të prezantuar praktikat institucionale në mënyrë pozitive, sa që ka kopjuar disa pjesë të Raportit të Vetëvlerësimit të një institucioni të lartë kosovar dhe ka harruar ta ndryshojë emrin nga dokumenti origjinal”, është shkruar në raport.

Andaj sipas tyre, UMIB ka mungesë të kapacitetit vetëkritik, si në dokumente, ngjashëm edhe në takimet e mbajtura gjatë vizitës. Dhe kjo jo vetëm që e ka bërë të vështirë për ekipin e ekspertëve që të bënte dallimin mes informacionit objektiv, fakteve të cilat nuk mbështeteshin nga dëshmitë dhe gjykimeve të paqëndrueshme, por gjithashtu, i ka shtyrë këto eksperte, që të dyshojnë nëse universiteti është i vetëdijshëm për sfidat e tanishme dhe ato të ardhshme, dhe nëse kanë aftësinë për identifikimin e rreziqeve që të adresohen pastaj në mënyrë të duhur.

“Ekipi i ekspertëve beson se këto mund të tejkalohen lehtë, nëse do të kishte një plan strategjik gjithëpërfshirës, një menaxhment të informuar dhe të aftë, një udhëheqësi të organizuar mirë, një administratë dhe sigurim të cilësisë dhe nëse komuniteti akademik do të mblidhej rreth filozofisë institucionale për t’i motivuar ata drejtë arritjes së misionit institucional”, është theksuar në përmbledhjen e këtij raporti.

Tutje është shtuar se “duke parë mungesën e kapaciteteve udhëheqëse dhe institucionale, Ekipi i Eksperteve është shumë i shqetësuar për qëndrueshmërinë afatgjate e cila duhet ta drejtojë institucionin përpara.”

Andaj si përfundim, “Ekipi i Eksperteve konsideron se Universiteti i Mitrovicës “Isa Boletini”, përkon pjesërisht me standardet e përfshira në manualin e akreditimit të AKA-së, prandaj rekomandohet që të mos akreditohet ky institucion”.

Pavarësisht raportit të Eksperteve të Jashtme, Këshilli Drejtues i këtij universiteti, nuk e ka ndëshkuar rektorin Alush Musaj apo pjesën tjetër të menaxhmentit, përkundrazi, ata e kanë rizgjedhur në pozitën e rektorit edhe për një mandat.

Baza ligjore që ia mundëson ekspertëve ndërkombëtarë vlerësimin e universiteteve dhe kolegjeve

Në Nenin 15 ‘Akreditimi dhe vlerësimi i cilësisë’, pikën 3 thuhet se “Riakreditimi i bartësve kryhet nga AKA-ja në intervale kohe prej jo më shumë se 5 vjetësh. Riakreditimi nuk bëhet pa një shqyrtim të raportit të vetëvlerësimit të bartësit, nga ana e ekspertëve, përveç në rrethana të veçanta. Ky rishikim nga ana e ekspertëve do të përfshijë një inspektim të drejtpërdrejtë të ofrimit të shërbimeve. Riakreditimin e një institucioni apo të një ose më shumë programeve të tij mund ta kërkojnë bordi i AKA-së ose Ministria brenda një periudhe më të shkurtër se pesë vjet.”

Në Udhëzimin Administrativ për Akreditimin e Institucioneve të Arsimit të Lartë, Neni 10 i cili flet për ‘Procedurat e akreditimit/riakreditimit’, pika 1.5.1. thotë se “AKA organizon procesin e vlerësimit të jashtëm me një ekip të pavarur të vlerësuesve ndërkombëtarë. Ky ekip harton një raport të jashtëm të vlerësimit, i cili ofron një vlerësim të cilësisë së institucionit aplikues apo programeve të tij të studimit bazuar në standardet dhe udhëzuesit për akreditim. Ky raport i cili i dorëzohet AKA-së, ofron rekomandime për përmirësimin e cilësisë për IAL-në nën vlerësim si dhe përfshin rekomandimin final për riakreditim apo mosakreditim.

Tutje udhëzimi thotë se KSHC pastaj duhet të vlerësojë raportin e vlerësimit të jashtëm dhe ta votojë atë.

Gjetjet e ekipit të eksperteve

Sipas raportit, ekspertet kanë gjetur pabarazi të madhe në baza gjinore, në pozitat udhëheqëse dhe administrative.

“Sipas Ligjit për Arsimin e Lartë në Kosovë, Këshilli Drejtues duhet të ketë 5 deri në 9 anëtarë; numri i anëtarëve që emërohen nga MASHT-i duhet të specifikohet në Statut, por ky numër nuk duhet të tejkalojë gjysmën e të gjithë anëtarëve. Sidoqoftë, sipas Statutit të UMIB, Këshilli Drejtues ka 9 anëtarë, të gjithë të emëruar nga MASHT”, thuhet në raportin e vlerësimit.

Studentët nuk kanë përfaqësues në trupat vendimmarrës, si dhe zgjedhjet e tyre duhet të organizohen në mënyrë të pavarur prej universitetit, në mënyrë që studentët të mund të votojnë lirshëm për prijësin e tyre, është thënë në raport.

“Disa nga pozitat e rëndësishme siç janë ruajtja e cilësisë, stafi nuk ka një përvojë të përshtatshme akademike për të kryer këto detyra.”, thuhet në raport.

Rekomandimet e ekipit të ekspertëve thonë se planifikimi vjetor duhet të integrohet në procesin e buxhetit vjetor dhe atij afatgjatë, duhet monitoruar implementimi i planit strategjik, si dhe të sigurohet një përfaqësim i barabartë i burrave dhe grave në të gjitha nivelet e këtij institucioni, duke u bazuar në Ligjin e Kosovës për Barazi Gjinore.

“Të rriten aftësitë për gjuhë angleze të stafit administrativ, si dhe të sigurohen që kualifikimet e stafit të përshtaten me përshkrimin e punës”. Meqë rast edhe u rekomandua që të dërgohen në trajnime për pozitat që ata tashmë janë duke i ushtruar.

Kodi i Etikës sipas eksperteve, ishte i pamundur të gjendet në faqen zyrtare të Universitetit të Mitrovicës dhe pas sigurimit të tij nga stafi, ekspertet thonë se ai duhet të jetë më specifik dhe transparent, në mënyrë që të gjithë anëtarët e stafit akademik të dinë saktësisht se çfarë sanksionesh jepen për raste të caktuara.

“Kur kërkuam rregulloren për sjelle jo akademike, plagjiaturë apo mashtrim, në të cilën përfshihen dënimet, shumë anëtarë të komunitetit akademikë me të cilët është takuar paneli, nuk ishin në dijeni për ekzistimin e Kodit të Etikës, i cili rregullon këtë pjesë”, thuhet në raport.

Ekspertet deklaruan se në faqen zyrtare të universitetit, nuk arritën të gjejnë rregulloret e brendshme, raportet e vetëvlerësimit, vendimet e trupave udhëheqëse në gjuhën shqipe apo në angleze, andaj edhe rekomanduan që këto dokumente të publikohen qartë, saktë, në mënyrë objektive, të detajuara dhe të qasshme, sa i përket stafit akademik, hulumtimeve dhe aktiviteteve akademike.

Sistemi i sigurimit të cilësisë, nuk i mbulon të gjitha aktivitetet e institucionit, si dhe rezultatet nuk bëhen publike, andaj edhe nuk shfrytëzohen për analiza, për përmirësim në të ardhmen, prandaj edhe u rekomandua që të ketë implementim më efikas të Rregullores për sigurimin e cilësisë dhe vlerësimin në Universitetin e Mitrovicës.

“Nuk ka asnjë instrument formal për sigurimin e cilësisë, përveç vlerësimit të kurseve që bëhet nga studentët. Kualiteti i mësimdhënies dhe efektit të programeve, nuk vlerësohet përmes pyetësorëve për të diplomuarit apo të punësuarit”, thuhet në raport.

Sipas stafit të intervistuar nga ekspertet, nuk ekziston një plan zhvillimor për hulumtime në UMIB, pasi që tani është duke u zhvilluar.

“Kur u pyetën për prioritetet në hulumtime, menaxhmenti i institucionit konsideroi që historikisht, thelbi është në zonën e shkencave teknike – në miniera, metalurgji dhe gjeologji – të cilat janë unike në rajon.”

Sa i përket hulumtimeve, ekspertet kanë gjetur se ka dëshmi të mjaftueshme se stafi është duke u mbështetur financiarisht (pjesërisht apo në mënyrë të plotë), për të qenë hulumtues aktiv duke marrë pjesë në konferenca apo duke publikuar punime shkencore.

Andaj edhe ka rekomanduar zhvillimin e një plani zhvillimor për punime shkencore, të cilat konsistojnë me natyrën dhe misionin e institucionit, si dhe të caktohet numri specifik i mesatares së publikimeve, e që duhet të jetë të paktën një punim shkencor të publikuar në tri vitet e fundit.

Ekspertet rekomandojnë gjithashtu edhe inkurajimin e stafit akademik në përmirësimin e aftësive në gjuhën angleze, në mënyrë që të rritet numri i publikimeve dhe mundësive për bashkëpunim ndërkombëtar.

Numri i përgjithshëm i studentëve të regjistruar në gjashtë fakultete e UMIB-it, gjatë vitit akademik 2018/2019 është 2 mijë e 823, ku 2 mijë e 635 janë pjesë e programeve Bachelor dhe 188 në programet Master.

Është rekomanduar që të rritet numri i informacioneve publike në faqen zyrtare, në mënyrë që studentët të jenë të informuar rreth fakulteteve të tyre.

“Institucioni nuk ka bashkëpunime institucionale apo strategji për ndërkombëtarizim. Kjo detyrë i është caktuar prorektorit për bashkëpunim ndërkombëtar dhe zhvillim të cilësisë. Pavarësisht insistimit të përsëritu, paneli nuk arriti të takohej me këtë person dhe arsyet e mungesës së tij ishin të paqarta dhe kundërthënëse.”

Andaj u rekomandua rritja e partneriteteve globale, meqenëse gjatë vitit akademik 2018/2019 nuk është nënshkruar asnjë marrëveshje bashkëpunimi. U rekomandua edhe rritja e numrit të bursave për studentë, si dhe krijimi i një baze të dhënash, e cila tregon donacionet dhe projektet ndërkombëtare.

Përgjigja e Universitetit të Mitrovicës

Universiteti i Mitrovicës, kishte reaguar ndaj raportit të këtyre eksperteve, duke e kundërshtuar atë dhe duke e cilësuar si tendencioz.

Sipas tyre, konstatimet e dy ekspertëve nga Rumania, njëra prej të cilave është studente, janë shumë tendencioze, subjektive dhe aspak në përputhje me gjendjen faktike dhe juridike në universitet.

“Angazhimi i Ana Prisacariu, dhe një studenti nga Rumania në ekipin e ekspertëve, dëshmon më së miri dozën e subjektivitetit që e kanë treguar këta “dy ekspertë” në raportin e tyre, i cili përmban shumë konstatime të paqena, shtrembërime të fakteve me të vetmin qëllim që institucionin ta dëmtojnë sa më shumë.”, thuhet në njoftim.

Gjithashtu ky universitet, pretendon se qëllimi i ekspertëve është dëmtimi i imazhit dhe subjektivitetit të UMIB-it.

Madje ata e kanë krahasuar kampusin e këtij universiteti me ato publike në Rumani duke theksuar se Universiteti i Mitrovicës, ka një hapësirë moderne.

Tutje kanë shtuar se i kanë të akredituara shumicën e programeve studimore.

“Këtë edhe më shumë e forcon fakti se ekspertja, Ana Prisacariu, në vitin 2014 kur UMIB ka qenë në objekte të përkohshme (që nuk kanë qenë aspak në nivelin e dëshiruar) ka dhënë vlerësim pozitiv institucional. Ndërsa, përkundër faktit se UMIB-i ka kampusin më të mirë në regjion, jep vlerësim negativ institucional. Kjo nuk do shumë koment!”, thuhet më tej.

Andaj sipas tyre, ekspertet rumune janë të instrumentalizuara për qëllime të caktuara.

Si dhe kanë kërkuar nga institucionet relevante që t’i parandalojnë “këto lojëra me prapavijë, gjegjësisht politike nga qarqe të caktuara”.