Komuna e Kaçanikut

Certifikata e të vdekurve i lë pa ndihma familjet e të vrarëve në Siri e Irak

Mungesa e një dëshmie të vdekjes i ka pamundësuar gruas së një kosovari të vrarë në Irak marrjen e ndihmave sociale nga Qeveria e Kosovës.

Familja e cila jeton sot në Kaçanik ka kërkuar disa herë ndihmë nga Qendra për Punë Sociale e kësaj komune por procedurat ligjore nuk kanë lejuar dorën e shtetit t’i ofrojë ndihmë kësaj familje.

Kaçaniku është njëra ndër komuna nga e cila shumë qytetarë të Kosovë iu bashkangjitën luftës në Siri dhe Irak. Deri më tani 11 persona nga kjo komunë janë dënuar ndësa të dhënat tregojnë se 22 persona nga kjo komunë u janë bashkangjitur grupeve terroriste në Lindjen e Mesme.

Trajtimi i familjeve dhe rasteve potenciale të radikalizmit në këtë komunë lë për të dëshiruar. Një hulumtim i kryer nga BIRN tregon se komuna me shumë probleme të radikalizmit ka vetëm tetë punonjës në Qendrën për Punë Sociale.

Në mungesë të tërë informacioneve dhe kujdesit, komuarët thonë se zgjidhja ka qenë te vetëdijesimi.

“Zyrtarisht kemi 22 persona të rinj që kanë shku në Siri, por qe 4 vite nuk kemi asnjë rast jo vetëm të shkuarjes por edhe as që kanë tentuar të shkojnë në Siri e Irak. Ka qenë një vetëdijesim i qytetarëve duke parë që kanë ra pre e grupeve që kanë dalë, që po shkohet për t’i ndihmuar popullit sirian për të rrëzuar një regjim tiranik”, thotë kryetari i komunës Besim Ilazi .

Kaçaniku është një komunë me rreth 34 mijë banorë ndërsa posedon një buxhet jo të madh për punët që duhet kryer ndërsa trajtimi i të rikthyerve nga lufta në Siri e Irak është u besuar organizatave joqeveritare.

“Sa i përket vijave buxhetore, do të konsultohemi me nivelin qendror, nuk e di sa kemi drejtë me nda një vijë të ndarë buxhetore për një kategori të tillë, por shpresoj se do të arrijmë të punojmë në këtë drejtim. Meqenëse kapacitetet buxhetore si komunë e vogël janë të limituara por gjithmonë kemi gjetë hapësirë në organizatat e treta që kanë vepru në Kaçanik, gjithmonë kemi qenë pjesë participuese”, thotë Ilazi.

Besim Ilazi, kryetar i komunës së Kaçanikut/ Foto: Atdhe Mulla

Problemet veçanërisht janë evidentuar në Qendrën për Punë Sociale ku drejtoresha Diana Bajrami – Reka pranon se qendra nuk ka kapacitete të mjaftueshme.

“Ndoshta QPS në Kaçanik nuk ka kapacitete të mjaftueshme pasi që punëtor nuk ka të mjaftueshëm pasi që janë vetëm tetë punëtor, ndoshta në të ardhmen numri do të rritet”, tha ajo për JNK.

Përveç mungesës së kapaciteteve për trajtim, Drejtoresha e QPS-së në Kaçanik tregon se numri i rasteve të lajmëruara në qendrën që ajo drejton janë të vogla.

Por edhe pse me gjithë mungesat, drejtoresha thotë se do të mundohen që me çdo gjë që kanë në dorë të arrijnë që të rikthyerit të trajtohen në mënyrën më të duhur.

“Nuk kemi pasur rast si QPS, që është lajmëru direkt në QPS për ndihmë por nëse ndodh kjo me kapacitetet tona sa të kemi mundësi do të punojmë me ata”, thotë tutje ajo.

Drejtoresha Reka përmend probleme veçanërisht në punësimin e të kthyerve.

“Kapacitete nuk ka për derisa nuk ka pasur trajnime, por në të ardhmen, Ministria për Punë edhe Mirëqenie Sociale do të ketë trajnime për këta punëtorë dhe besoj që do të ketë shërbim të mirë ndaj të kthyerve”, tregon Bajrami- Reka.

Qendra për Punë Sociale në çdo komunë u mundëson familjarëve të të rikthyerve apo pjesëtarëve që kanë qenë në Siri e Irak të aplikojnë për ndihmë sociale.

Kaçaniku

Por për ndihmë sociale duhet dokumentacion i cili ështirë sigurohet.

Drejtoresha përmend një rast ku një bashkëshorte nuk ka arritur të fitojë ndihmën sociale, pasi që nuk ka arritur të sigurojë certifikatën e vdekjes së bashkëshortit të saj në Siri apo Irak.

“Ne kemi pasur një rast ku ka qenë njëra nga bashkëshortet që bashkëshorti i ka vdekur në Siri dhe për shkak të dokumenteve ose për shkak të certifikatës së vdekjes së bashkëshortit të saj, ne nuk kemi arritur që t’i sigurojmë ndihmë sociale”, tregon drejtoresha Bajrami- Reka.

Kryetari i Kaçanikut tregon edhe për takimet që i ka pasur me familjarët e të kthyerve nga Siria e Iraku.

“Në fakt kemi edhe raste ku kemi familjarë që i njohim që kemi pasur miqësi me ta, kemi biseduar, ka edhe organizata që kanë qenë këtu dhe kanë kontaktuar me ta. Ndoshta si një dukuri e re, te familjet ka qenë shqetësuese por besoj që me kohë do të tejkalohet, asnjë familje nuk duhet të ndihet e veçuar por duhet të ndihen të barabartë me kaçanikasit e tjerë”, tha Kryetari Ilazi për JNK.

Ajo çka e shprehu si fakt shqetësues kryetari Ilazi, ishte etiketimi i Komunës së Kaçanikut nga ana e mediave.

“Padrejtësisht Kaçaniku është identifikuar me termin vatra e terrorizmit. Po e them për shkak se nuk mund të identifikohen 34 mijë banorë me një njeri, për shkak se kudo në botë mund të ketë individë që kanë krejt ide ekstreme nga vendi ku jetojnë. Etiketimi i Kaçanikut si vendi i xhihadizmit ka qenë i padrejtë. Kaçaniku nuk mund të quhet ashtu siç e kanë etiketuar mediat”, u shpreh Ilazi për Gazetën JNK.