Çelësi i Suksesit të Platformës Kallxo Është Besimi ...

Një ish-koleg yni e kishte vendosur kohë më parë një postim për blogun e tij duke parashtruar një pyetje të thjeshtë por të rëndësishme:

A mund të jepni një vlerësim nëse faqet e internetit që e përcjellin korrupsionin, në të vërtetë mund të bëjnë dallim?

Kaluan më shumë se dy vjet që kur UNDP-ja në Kosovë* dhe “Internews Kosova” lansuan platformën KALLXO.com.

Kjo platformë online funksionon ashtu që nxit qytetarët që të raportojnë rastet e korrupsionit në Kosovë përmes një platforme të bazuar në Ushahidi.

Që nga lansimi i saj në prill 2012, kjo faqe ka shënuar rezultate të rëndësishme.

Deri më sot, platforma trigjuhëshe (shqip, serbisht dhe anglisht) ka pranuar më se 3500 raportime të qytetarëve, rreth 70.000 shikues të faqes në muaj, më shumë se 44.000 “pëlqime” në Facebook dhe mbi 300 artikuj dhe raporte televizive të prodhuara në bazë të raportimeve të qytetarëve.

Siç kishte theksuar Tiago Peixoto në Blogun “Demokracy Spot”, problemet komplekse përfitojnë nga shumëllojshmëria e aftësive.

Platforma Kallxo që implementohet nga një konsorcium i përfaqësuesve të shoqërisë civile dhe medieve, vërtet ka përfituar nga aftësitë e shumëllojshme të partnerëve të saj.

Përmes solucioneve të teknologjisë së lartë, gazetarisë hulumtuese, realizimit të anketave të perceptimit, si dhe botimit të artikujve në bazë të rasteve të raportuara, platforma është pajisur me elementet e domosdoshme për trajtimin e një çështjeje kaq komplekse dhe shumëdimensionale siç është korrupsioni.

E veçanta e kësaj platforme qëndron në transformimin e të dhënave në njohuri për të nxitur veprime dhe angazhim qytetar.

Përvoja tregon se qytetarët që janë më të vetëdijshëm për të drejtat e tyre, janë më me gjasë që të kërkojnë llogari nga zyrtarët e tyre publikë dhe të kërkojnë qasje dhe transparencë të informacionit publik.

Për më tepër, Kallxo mundëson pasqyrimin grafik të korrupsionit në ofrimin e shërbimeve publike. Pastaj, këto informata shpërndahen për të nxitur reformën e administratës publike dhe për të ngritur vetëdijesimin e qytetarëve për problemet kyçe.

Prandaj, besimi dhe infrastruktura sociale janë para TI-së: Çelësi i suksesit të Kallxo është besimi i qytetarëve që konsiderojnë se kjo platformë është mjet i besueshëm përmes së cilit mund ta raportojnë korrupsionin në mënyrë të sigurt.

Kallxo lufton korrupsionin për ta mbushur boshllëkun që kanë lënë metodat tradicionale më pak të suksesshme. Një anketë publike e kohëve të fundit tregon se kjo platformë është burimi i katërt më i besuar për raportimin e korrupsionit në Kosovë: 

Që nga krijimi, KALLXO.com kishte për qëllim që të bëhet mjet për mobilizimin dhe lehtësimin e ndërhyrjes së zyrtarëve publikë. Ndonëse me një shkallë ngurrimi në fillim, kemi arritur ta marrim mbështetjen e autoriteteve përkatëse.

Kallxo tani ka një mekanizëm koordinues të përbërë nga përfaqësues të nivelit teknik nga: Këshilli Prokurorial, Këshilli Gjyqësor, Agjencia Kundër Korrupsionit, Policia, Doganat, Oda e Avokatëve, Zyra e Prokurorit Disiplinor, Zyra e Auditorit të Përgjithshëm, Njësia Hetuese Financiare, Agjencia për Sekuestrimin dhe Konfiskimin e Pasurive të Sekuestruara dhe EULEX-i.

Ekipi i Kallxo mban takime të rregullta mujore me këta zyrtarë për t’u paraqitur risitë mbi rastet e pranuara dhe për të kërkuar informata kthyese nga institucionet për progresin me rastet e raportuara.

Nëse jeni në Kosovë, përhapeni fjalën! Angazhohuni dhe na ndihmoni që ta luftojmë korrupsionin.

Shqipe Z. Neziri është menaxhere e Projektit Kundër Korrupsion të UNDP-së, ndërsa Faik Ispahiu drejtor i “Internews Kosova”.