Dnevno, një portal lajmesh i ekstremit të djathtë në Kroaci, ka reputacionin që ushqen pasionet nacionaliste në një rajon të përçarë. Foto: Marina Andrijasevic

Çasti i të vërtetës: Realiteti kafshon markën famëkeqe të lajmeve

Milanka Opacic, një ligjvënëse e krahut të majtë nga minoriteti serb i Kroacisë, nuk është e panjohur me kërcënimet. Ish-ministre e politikave sociale dhe rinisë, ajo ka marrë hisen e saj nga sulmet e ultranacionalistëve kroatë. Por më e keqja ishte ajo që mori ndërkohë që gjendej rrotull Zagrebit dy vjet më parë.

Për herë të parë ajo u ndje e frikësuar.

“Pas 28 vjetësh në politikë, unë kam marrë lloje të ndryshme kërcënimesh, por kurrë më parë njerëzit nuk më kanë sulmuar në rrugë,” tha Opacic, një anëtare e vjetër e Partisë Social-Demokrate dhe ish nënkryetare e parlamentit.

Vetëm pasi ajo bëri njoftim në polici dhe një mik kërkoi emrin e saj në Google ajo zbuloi shkakun e sulmit. Njerëz nga publiku ishin nxitur nga një fotomontazh me Opacic të publikuar në një faqe interneti lajmesh të quajtur Dnevno.

Dnevno, një publikim i të djathtës ekstreme me degë në Kroaci, Serbi dhe Bosnjë e Hercegovinë, ka një reputacion si nxitëse e teorive më të çmendura të komplotit dhe nxitje të urrejtjes. Kritikët e akuzojnë atë se sulmon emigrantët, liberalët, feministët dhe anëtarët e bashkësisë gej e lezbike.

Nën sloganin “Ne shkruajmë anën tjetër”, Dnevno është gjithashtu e specializuar në nxitjen e tensioneve ultranacionaliste në një rajon të vrarë nga konflikti etnik. Nuk ka rëndësi se kjo do të thotë se ajo vendos audiencat e saj kundër njëra-tjetrës, veçanërisht kroatët kundër serbëve dhe anasjellas, në varësi të faqes së internetit. Fotoja e Opacic e publikuar më 15 shkurt 2017 në faqen kroate, Dnevno.hr, dukej e dizajnuar për të shkaktuar zemërim.

Ajo tregonte ligjvënësen të veshur me një bluzë të kuqe ku ishte shkruar fjala “Serbfest” dhe katër germa cirilike ‘C’ (shqiptohet “S”). Germat janë akronim i një slogani të njohur “Vetëm Bashkimi Shpëton Serbët” – përdorur nga diktatori serb Slobodan Milosheviç gjatë luftërave Ballkanike të viteve 1990.

Shumë kroatë i shohin të katër ‘S’ si një referencë provokative për lëvizjen ultranacionaliste serbe të Luftës së Dytë Botërore, Çetnikët. Opacic thotë se ajo kurrë nuk e ka veshur një bluzë të tillë me këtë emblemë.

Një hetim policor doli në përfundimin se fotoja ishte e montuar.

Dnevno e hoqi nga publikimi, por jo para se ajo të shkaktonte një zemërim anti-serb mes gangsterëve kroatë të ekstremit të djathtë. Opacic u sulmua fizikisht dy herë në rrugë. Pas kësaj ajo u vendos nën mbrojtje policore për tre muaj.

“Portale të tilla nuk ekzistojnë për të informuar njerëzit por për të shpërndarë urrejtje dhe misinformim,” tha Opacic për Rrjetin Ballkanik për Gazetari Investigative.

Opacic tha se ajo po mendonte të hidhte në gjyq Dnevno por një muaj më pas, kompania publikuese, Portal Dnevno, aplikoi për procedurë falimenti.

Në kohën kur falimentoi, kompania kishte 47 procese gjyqësore në pritje, sipas një raporti (në Kroatisht) të administratorit të falimentit nga Gjykata Tregtare e Zagrebit.

Më shumë se një vit pas falimentit, Dnevno vijon të jetë në punë – por nën një menaxhment të ri.

Marija Dekanic, një specialiste marketingu dhe sipërmarrëse, interesat e të cilës përfshijnë aksione në çorape dhe syze dielli, thotë se ajo personalisht bleu të drejtat e markës në vjeshtën e vitit 2017 për një shumë konfidenciale pasi nuhati një mundësi biznesi.

Duke u betuar se do ta tërheqë Dnevno-n larg nga e djathta, ajo thotë se synimi i saj është ta transformojë atë në një organ gazetaresk të përgjegjshëm ndërsa do të fitojë para përmes shitjes së reklamave.

“Një problem i madh është se ne nuk jemi duke u marrë seriozisht,” tha ajo për BIRN në një intervistë, një vit e gjysmë pas incidentit me Opacic. “Ne jemi duke u trajtuar si fake news… Ne po punojmë shumë për të ndryshuar këtë. Ky është objektivi ynë final: të jemi të rëndësishëm, të shkruajmë të vërtetën dhe të sigurohemi që po shkruajmë të vërtetën.”

Një foto e manipuluar e publikuar nga Dnevno më 20176 ku deputetja nga Partia Social Demokrate Milanka Opacic mban veshur një bluzë me emblema nacionaliste serbe. Foto kortezi e Këshillit Kombëtar Serb.

Ndërsa një nga ofruesit e lajmeve më famëkeq në Kroaci përpiqet të hedhë pas krahëve imazhin e një djali të keq, jo të gjithë janë të bindur në angazhimin e Dekanic “për të shkruar të vërtetën”.

Ndërsa disa analistë mediaje e shohin kapitullimin e “Dnevno-s së vjetër” si një ngjarje e mikpritur dhe tregues se lajmet false nuk shesin, të tjerët e shohin Dnevno-n e re si një simbol të redaksive të drejtuara nga ekspertë marketingu pa ndërgjegje.

Rreziku, thonë ata, është që çfarëdolloj gjëje që sjell klikime do të fitojë gjithmonë në fund – dhe në Ballkan, si kudo tjetër, ajo që sjell klikime është zakonisht zemërimi, intoleranca dhe sensacionalizmi.

Të njëjtat lajme, çirrje të ndryshme.

Dnevno, e cila do të thotë “e përditshme”, u themelua më 2010 nga Michael Ljubas, një sipërmarrës kontrovers kroat me një gamë të gjerë kompanish – më së shumti në ndërtim dhe prona të patundshme – dhe me reputacionin si njeri që kërcënon gazetarët.

Më 2008, ai i rrëmbeu aparatin fotografik një fotoreporteri dhe e kërcënoi se do t’ia thyente në kokë ndërsa gjendej jashtë Gjykatës Bashkiake në Zagreb, në të cilën përballej me akuza për abuzim me pushtetin të lidhura me biznesin e tij të ndërtimit. Ai më pas kërkoi ndjesë në gjykatë për incidentin.

Sasa Paparella, një gazetar që ka raportuar për marrëveshjet e biznesit të Ljubas për revistën financiare Business.hr, tha se sipërmarrësi e pati marrë në telefon më 2009 dhe e pati kërcënuar se do t’ia nxinte jetën nëse vijonte të publikonte informacion “fals” mbi të, raportoi media (në kroatisht).

Ljubas, i cili doli sërish në lajme më 2015 pasi u plagos në mënyrë misterioze në këmbë jashtë një pike karburanti në Zagreb, nuk iu përgjigj telefonatave dhe mesazheve për intervistë.

Shumë gazetarë që kanë punuar për Ljubas i thanë BIRN se ai nisi Dnevno-n si një mjet për reklama falas për bizneset e tij të tjera. Ljubas është drejtor dhe anëtar themelues i më shumë se 20 kompanive kroate, sipas të thënave të Poslovna.hr, një shërbim informimi për kompanitë.

Pavarësisht se cila ishte arsyeja për hyrjen e tij në media, tre portalet e lajmeve të DnevnoDnevno.hr në Kroaci (nisur më 2010), Dnevno.ba në Bosnjë (2012) dhe Dnevno.rs në Serbi (2013) — shkaktuan menjëherë zemërime.

Kritikët u shprehën të tronditur nga cinizmi i pamasë i këtij modeli biznesi, i cili luante me armiqësinë e ndërsjellët të lexuesve në vende fqinje, të cilat flasin të njëjtën gjuhë por janë të ndarë nga armiqësitë e konflikteve të reja dhe të vjetra.

Në disa raste Dnevno në mënyrë të njëkohshme ofroi trajtime të ndryshme për të njëjtën çështje në faqe të ndryshme interneti, shoqëruar nga foto identike por me sharje dhe revizionizëm historik të dizajnuar për audiencat respektive.

Lajmet në Dnevno.hr shpesh shoqëroheshin me diatriba anti-serbe dhe lavde për Shtetin e Pavarur Kroat, një shtet kukull nazist gjatë Luftës së Dytë Botërore, që drejtohej nga një lëvizje vendëse fashiste e quajtur Ustashët. Lexuesit në Dnevno.rs merrnin retorikë antikroate dhe lavde për lëvizjen serbe të luftës, Çetnikët.

Mbulimi për përkujtimin e përvitshëm të Operacionit Stuhia në Kroaci, një operacion ushtarak në të cilin forcat serbe rikapën territorin që kontrollohej nga rebelët serbë, ofroi shumë hapësirë për gjimnastikë të tillë gazetareske.

“Stuhia hodhi tutje ëndrrat për Serbinë e Madhe nga Knini dhe Krajina,” deklaroi titulli kryesor (në kroacisht) në Dnevno.hr më 2015, duke iu referuar një shteti të vetëshpallur të drejtuar nga serbët në Kroaci gjatë konfliktit të viteve 1991-1995 dhe një qyteze.

“Njëzet vjet pas Stuhisë në Krahinë: Një kolonë [refugjatësh] dy dekada e gjatë,” raportoi Dnevno.rs në të njëjtën ditë, duke rikujtuar varganët e gjatë të civilëve serbë që u larguan nga Kroacia gjatë dhe pas operacionit.

Raportet e Dnevno në përvjetorin e operacionit ushtarak Stuhia të Kroacisë më 1995 të tjerra në mënyra të ndryshme. Dnevno.hr (majtas) e quan atë “një ditë të lavdishme” dhe “fundi i ëndrrave me Serbi të Madhe” ndërsa Dnevno.rs (djathtas) përqendrohet te “një kolonë [refugjatësh serbë] që zgjatet për dy dekada”. Foto: Balkan Insight / screenshot

Lexuesit e Dnevno.ba, faqja më e butë politikisht nga të tre Dnevno-t, pati një dietë më të balancuar ku reflektohej antagonizmi mes bashkësive myslimane, ortodokse dhe katolike të Bosnjës.

Portali boshnjak shpesh i rikujton lexuesve agresionin serb të kohës së luftës ndërsa ka tendencën të jetë kritike ndaj zërave më nacionaliste që përfaqësojnë minoritetin kroat të Bosnjës, megjithëse nuk akuzoi Kroacinë për aneksimin e disa pjesëve të Bosnjës gjatë konfliktit të viteve 1990.

“Duket paradoksale që pavarësisht shkrimeve të tyre, besnikëria ideologjike e tyre [gazetarëve] nuk duket se është tërësisht konservative apo me vlera të krahut të djathtë që ata promovojnë,” thotë Hajrudin Hromadzic, një profesor i asociuar i studimeve kulturore në Universitetin e Rijekës.

“Vetë fakti që janë tre faqe interneti… të cilat prej vitesh kanë publikuar tre lloje “të vërtetash” mbi të njëjtat tema, një të ‘vërtetë’ për secilin vend, dhe ajo që kanë bërë përmes shkrimeve luftënxitëse e gjuhës së mbushur me urrejtjes që synon të krijojë armiqësi mes dy kombeve të ndryshme, duket se e ilustron këtë qartë.”

Ndërkohë, gazetarët e Dnevno, përfshirë populloren Zrinka K, tërhoqën lexues me tituj të tillë si “Tronditëse: shkencëtarët italianë pretendojnë se kanë zbuluar shkaqet e homoseksualitetit. Nëse fëmija juaj është gej, kjo ka ndodhur për shkak të vaksinës” ose “30 milionë njerëz janë vaksinuar me një virus të gjallë kanceri“.

Zrinka K, e cila vijon të punojë për Dnevno.hr, ka ekspozuar gjithashtu teoritë e komplotit botëror të kimikateve, duke aluduar se gazrat që shihen në ajër pas kalimit të avionëve janë bioagjentë të shpërndara nga forca të errëta. Në një artikull më 2015, ajo vuri në pikëpyetje nëse toka është me të vërtetë e rrumbullakët. Dy vite më vonë, ajo shkroi: “Toka është e hollë dhe e pushtuar nga Nazistët dhe Vikingët.”

Dnevno.hr u rrit vazhdimisht. Më 2015 ajo renditej numri 22 në faqet më të vizituara nga Kroaci, sipas shërbimit të monitorimit të internetit Alexa.com. (Në vitin 2018 ajo ka rënë në vend të 38.)

Gazetarët që kanë punuar për Dnevno në Zagreb gjatë viteve të para, tërhequr nga premtimi i pagesave të rregullta në kulmin e krizës financiare që po godiste Europën në atë kohë, flasim për atmosferë të çlirët në redaksi.

“Sapo u bë e qartë se asnjë standard profesional nuk do të respektohej, unë ika,” tha Miroslav Edvin Habek, i cili u bashkua me Dnevno më 2010 para se të kalonte gjashtë muaj më vonë te Novosti, një gazetë e përjavshme kroate që publikohet nga Këshilli Kombëtar Serb dhe që përfaqëson minoritetin serb të Kroacisë.

Më 2014, Vojislav Mazzocco pranoi një punë në publikimin motër 7Dnevno një gazetë e përjavshme e ekstremit të djathtë, gjithashtu pjesë e perandorisë mediatike të Ljubas.

“Kjo ndodhi në një pikë në karrierën time kur unë po mendoja të ikja nga gazetaria,” tha ai. “Vendet e punës ishin të pakta dhe kriza kishte arritur kulmin. E pashë si një vetëvrasje profesionale, por nuk ma ndjente më.”

Pavarësisht kësaj, Mazzocco mbijetoi vetëm një javë dhe u largua për të filluar punë më vonë në televizionin N1, anëtar i rrjetit CNN, para se të lëvizte te Index.hr, media kryesore e pavarur online e Kroacisë.

“Ika para se të filloja punë për shkak se u bë menjëherë e qartë se nuk do të kishte liri editoriale, nuk do të kishte para dhe as gazetari.”

7Dnevno, një tablloid në print mbetet nën kontrollin e pronarit të mëparshëm të Dnevno online, Michael Ljubas. Foto: Marina Andrijasevic

Shpifje dhe kërcënime me vdekje

Aktivistët e të drejtave thonë se Dnevno nën drejtimin e Ljubas kishte një rekord të tmerrshëm në sulmimin e refugjatëve dhe migrantëve.

Analiza e lajmeve në media (në kroatisht) mes tetorit 2015 dhe shtatorit 2016 nga organizata e të drejtave GONG me bazë në Zagreb vuri në dukje shembuj nga artikujt e Dnevno të cilat dehumanizonin azilkërkuesit ose përdornin gjuhë racore.

Një nga shkrimet e Dnevno shkruante se arsyet e ardhjes së refugjatëve në Bashkimin Europian “përfshijnë, por nuk janë të kufizuara te, përdhunimi i njerëzve të bardhë, shkatërrimi i sistemit shoqëror dhe vendosja e sharias”.

Ndërsa Dnevno u bë më popullore, paditë filluan të shfaqen.

Më 2014, Dnevno.hr publikoi një “ekspozim” ku akuzoheshin zyrtarë të lartë të RIZ Transmitters, një prodhues pajisjesh radiosh, se kishin bashkëpunuar me një kryesindikalist për të vjedhur miliona dhe për të gënjyer punëtorët mbi planin e pronësisë së aksioneve nga punëmarrësit.

Padia rezultoi e suksesshme dhe dëmshpërblimi u caktua në 30 mijë euro më 2017. Një gjykatës shkroi në vendim se Dnevno kishte publikuar një seri aludimesh të pavërteta dhe “as nuk ishte përpjekur të provonte të kundërtën në gjykatë”, sipas dosjes gjyqësore të parë nga BIRN.

Marina Glokevic, kryetarja e sindikatës së Industrisë Metalurgjike RIZ dhe një nga njerëzit e akuzuar pa të drejtë në artikull, i tha BIRN se shpifja kishte pasur ndikim “të thellë” në reputacionin dhe jetën e saj private.

Më 2014, një grup feminist me bazë në Zagreb i njohur si BaBe (Ji Aktive, Ji e Emancipuar) nisi një padi civile për dëme pas publikimit të një artikulli në Dnevno.hr ku shkruhej se autoritetet fiskale po hetonin koordinatoren e saj, Zdravka Sadzakov, dhe këshilltaren ligjore Ljubica Matijevic Vrsaljko për mashtrim financiar.

Autoritetet fiskale konfirmuan para gjykatës se nuk ekzistonte një hetim i tillë dhe BaBe e fitoi gjyqin, sipas dokumenteve gjyqësore të para nga BIRN. Të pakënaqur me masën e dëmshpërblimit – 1,350 euro – BaBe apeloi, por Portal Dnevno falimentoi para se çështja të gjykohej.

Snjezana Vuckovic, një nga reporteret që nga ditët më të hershme që i mbijetoi tranzicionit nën pronaren e re Dekanic, mbrojti përqasjen agresive të redaksisë së vjetër, pavarësisht vendimeve të gjykatave që dënonin lajmet e pavërteta.

“Nuk ka pasur padi për lajme të pavërteta,” tha ajo. “Për gjëra të tilla zakonisht nuk ka padi. Është interesante se njerëzit kanë tendencën të ngrenë padi për lajme që raportojnë të vërteta për ta. Kjo është arsyeja pse ata gjithmonë humbasin në gjyq.”

Vuckovic vijoi: “A nuk është synimi i gazetarisë që, përveç raportimit të thatë, të ngrejë pyetje, të ndajë gjetje të reja dhe të provokojë? Se si ne shkruam kishte pak të bënte me politikën editoriale. Më shumë ajo ishte një reflektim i dëshirës së gazetarëve për të ngritur pyetje, edhe në rastet kur kjo shoqërohej me padi.”

Duke pranuar se ajo vetë “kishte humbur disa gjyqe por kishte fituar më shumë”, Vuckovic tha se Ljubas i kishte paguar të gjitha dënimet. “Kjo ishte më e pakta që mund të bënte për gazetarë të tillë.”

Në mars 2017, Dnevno publikoi një artikull gjakndezës në të cilin shprehte zemëratë ndaj një festivali të filmit serb që u zhvillua në kryeqytetin kroat. Kërcënimet me vdekje kundër organizatorëve të festivalit pasuan artikullin dhe aktiviteti u vendos nën mbrojtje policore.

Kur Portal Dnevno aplikoi për procedurë falimenti po atë muaj, ajo po përballej me jo më pak se 47 procese ligjore, sipas raportit të administratorit të falimentit. Në një rast tjetër ajo ishte paditëse kundër një parku kombëtar.

Këto përfshinin padi civile për dëme nga gazetarë të njohur, njerëz të famshëm, politikanë, kompani nën pronësi publike, media private, organizata, një ish-shef policie si dhe një prokuror rajoni në Bosnjë. Mes politikanëve që ngritën padi ndaj Dnevno, një numër i rëndësishëm i përkisnin partisë së qendrës së djathtë HDZ.

Në Kroaci, procedurat gjyqësore civile kundër kompanive ndërpriten në rast të falimentit, duke i dhënë palëve paditëse pak mundësi për kompensim.

Portal Dnevno kishte zero asete dhe llogari bankare bosh kur ajo falimentoi, por të dhënat nga Poslovna.hr ofroi një panoramë të gjendjes financiare të kompanisë që nga viti 2013.

Ato tregojnë rritje të vazhdueshme të të ardhurave nga reklamat, të cilat shënuan kulmin në 717 mijë euro më 2016. Fitimi neto ishte gati 80 mijë euro në të njëjtin vit, fitimi i parë pas tre vitesh humbjesh.

Dnevno i vjetër nuk do të kishte falimentuar nëse nuk do të kishte problemin e padive,” tha Dekanic.

Ulur në një sallë konference në një ndërtesë të ngjyrosur me të kuqe metalike në lagjen Kustosija në Zagreb, një zonë industriale në stacionin fundor të linjës së tramit numër 11, Dekanic rikujtoi se si ajo arriti marrëveshjen për të blerë Dnevno nga Ljubas në vjeshtën e vitit 2017 pasi pa një mundësi për kompaninë e saj të marketingut, Logobox.

“Ne po mendonim se sakaq kishim 10 për qind të hapësirës reklamuese aty – pse të mos kishim 100 për qind të pronësisë?” tha ajo.

Ajo nuk e lejoi BIRN të bënte fotografi të redaksisë apo të asaj vetë.

Dekanic ka qenë anëtare e Partisë Popullore Kroate të qendrës. Para se të merrte drejtimin e Dnevno.hr, Dnevno.rs dhe Dnevno.ba – krahas titujve të tjerë në portofolin e Ljubas ku përfshihen Zagreb.info, Povijest.hr dhe Geopolitika.news — ajo dha dorëheqjen nga partia.

“Mendoj se pronarët e medias nuk duhet të jenë njëkohësisht anëtarë partie,” tha ajo.

7Dnevno nuk ishte pjesë e titujve të pronës së saj. Ljubas e kishte transferuar të drejtën e të përjavshmes së shtypur te një nga kompanitë e tij të tjera, Eurocinik, para se të shpallej falimenti i Portal Dnevno kështu që ajo nuk ishte në shitje.

Pavarësisht optimizmit fillestar, Dekanic u zhgënjye shpejt nga shkalla e toksicitetit që përmbante marka Dnevno.

“Nëse e dija çfarë më priste, do të kisha menduar ndryshe, nuk jam e sigurt nëse do të vijoja me planin,” tha ajo, duke përshkruar blerjen si një vendim biznesi pa qëllime politike. “Ishte dhe vijon të jetë shumë e vështirë.”

Ajo renditi pengesat me të cilat është përballur si kryeredaktore e përkohshme që kur bleu Dnevno.

“Ne u bllokuam si media nga kompanitë e marketingut dhe institucionet,” tha ajo. “Ne nuk ishim të pranishëm në asnjë listë emailesh të zyrave të marrëdhënieve me publikun. Njerëzit kishin frikë të punonin me ne.”

Që kur u ble, shumë nga historitë gjakndezëse nga arkiva e Dnevno janë zhdukur nga kjo faqe. Kërkimi në faqe të ekuivalentëve në kroatisht të fjalëve kyçe të tilla si “Ustashë” dhe “Çetnikë” tashmë japin vetëm disa rezultate dhe jo më një listë të gjatë me tituj që gjendej më parë aty.

Dekanic tha se ndërsa tre faqet e Dnevno në Kroaci, Serbi dhe Bosnjë janë të pavarura nga pikëpamja editoriale, “ato duhet të respektojnë disa rregulla të caktuara”.

Ajo këmbënguli gjithashtu se Ljubas nuk kishte të bënte me publikimet në internet të Dnevno – megjithëse Dnevno vijon të ripublikojë lajme nga 7Dnevno, të cilën vijon ta kontrollojë Ljubas përmes kompanisë Eurocinik.

Dnevno.hr dhe Logobox operojnë nga e njëjta pronë në Zagreb me atë të 7Dnevno. Dekanic tha se kjo ishte “thjeshtë rastësi” sepse dy kompani të tjera të saj kishin zyra me qira në të njëjtën ndërtesë me të përjavshmen e Ljubas.

Sipas Dekanic, drejtimi i ri editorial po sjell dalëngadalë fryte. “Ne po bënim para por jo fitime,” tha ajo, duke shtuar se trafiku në internet ishte rritur me 106 për qind që nga koha e blerjes.

Të dhënat nga shërbimi i monitorimit të internetit Gemius tregojnë se Dnevno.hr kishte rreth 620 mijë vizita reale mesatarisht çdo muaj mes janarit dhe tetorit 2018.

Në një vrojtim të kohëve të fundit mbi konsumimin e lajmeve dixhitale të organizuar nga Instituti Reuters për Studimet e Gazetarisë në Universitetin e Oksfordit, kërkuesit zbuluan se Dnevno arrinte 21 për qind të të vrojtuarve në Kroaci pavarësisht se kishte nivelin më të ulët të besimit nga të gjitha markat e studiuara.

Konkurrenti kryesor i Dnevno, portali i krahut të djathtë Direktno arrite 14 për qind të audiencës.

“Këto faqe interneti ilustrojnë rritjen në vitet e fundit të zërave radikalë shoqërorë dhe politikë të organizuar nga OJF-të dhe të lidhura me pjesët më konservatore të partisë HDZ dhe të Kishës Katolike,” shkruhet në raport.

“Nuk ka media të krahasueshme në krahun e majtë të spektrit dhe media me anim majtas në internet në përgjithësi ka shumë më pak ndjekës, sipas këtij studimi.”

Besimi te lajmet në tërësi ishte në masën 39 për qind në Kroaci, sipas vrojtimit.

Një udhëtar lexon një kopje të 7Dnevno në një stacion trami në Zagreb. Foto: Marina Andrijasevic

‘Filloni të mësoheni me kulturën e përdhunimit’

Në fillim të vitit 2017, Komisioni Europian krijoi një grup ekspertësh për të këshilluar se si duhet të luftohen lajmet false në internet. Në një raport, grupi këshilloi mospërdorimin e asnjë lloj forme censure dhe rekomandoi që qeveritë të promovojnë alfabetizmin mediatik dhe të zhvillojnë mjete për të ndihmuar përdoruesit të luftojnë dizinformimin.

Raporti përkufizoi dizinformimin si “të gjitha formave e informacionit të falsifikuar, të pasaktë apo çorientues i dizenjuar, prezantuar dhe promovuar qëllimisht për të shkaktuar dëm publik për përfitim.” Ky përkufizim përjashtoi përmbajtjet e paligjshme të tilla si gjuha e urrejtjes dhe nxitja për dhunë që sakaq mbulohen nga ligjet ekzistuese.

Në të njëjtën kohë, zyra qendrore e qeverisë së Kroacisë për zhvillimin e shoqërisë së informacionit tha se institucionet e shtetit po punonin për një legjislacion të ri për rregullimin e gjuhës së urrejtjes, nxitjes së dhunës dhe lajmeve false online.

Avokatët e lirisë së fjalës janë të shqetësuar se çfarëdolloj ligji i tillë mund të jetë një hap drejtë censurës për shkak të ekzistencës aktuale të ligjeve kundër gjuhës së urrejtjes. Asgjë nuk ka ndodhur që nga ajo kohë në lidhje me planet e qeverisë.

Tamara Opacic (nuk ka lidhje me ligjvënësen Milanka Opacic), redaktore e edicionit dixhital të Novosti, të përjavshmes së publikuar nga Këshilli Kombëtar Serb, tha se Dnevno ka hequr dorë nga zërat më ekstremistë që nga blerja e kompanisë nga Dekanic.

“Në përgjithësi ata kanë zbutur tonet në tekstet që më parë ishin nxitëse të urrejtjes,” tha ajo.

Por ajo shtoi se Dnevno.hr vijon të jetë e mbushur me anësi anti-serbe dhe mbështet lëvizjet shoqërore jotolerante të tilla si fushatat e grupeve konservatore që synojnë të kufizojnë të drejtat e votës së ligjvënësve nga minoritetet etnike në parlamentin e Kroacisë.

“Ndërsa ata nuk publikojnë më përmbajtje shoviniste, apo nuk nisin lajme nxitëse të urrejtjes, ata mbështesin iniciativat ekzistuese [radikale] të krahut të djathtë,” tha ajo.

Helena Popovic, një ndihmësprofesore e gazetarisë dhe komunikimit në Universitetin e Zagrebit tha se transformimi i Dnevno ishte më së shumti një çështje stili.

“Është më pak vulgare,” tha ajo. “Gjithsesi, në terma të ideologjisë, nuk ka ndonjë ndryshim domethënës. Religjioni dhe atdheu janë sërish qendrore në axhendën e tyre. Ata vijojnë të bëjnë agjitacion të egër kundër serbëve, migrantëve, feministëve. Shkurt, Dvenvo.hr vijon të ketë një pozicion ideologjik të qëndrueshëm dhe të dallueshëm.”

Një test fillestar për vijën e re redaksionale të Dnevno erdhi në gusht 2017 pasi një punonjëse e bashkisë së Zagrebit u sulmua seksualisht një mëgjes në lagjen Zagreb i Ri në jug të lumit Sava, aludohet nga një 27 vjeçar azilkërkues afgan.

“Filloni mësohuni me kulturën e përdhunimit, është pjesë e integrimit paqësor”, ishte titulli i Dnevno mbi këtë ngjarje. Shkrimi vijonte me përshkrimin e Gjermanisë dhe Suedisë si vende të goditura nga dhuna seksuale e shkaktuar nga turmat e migrantëve dhe refugjatëve.

“Të gjithë ata që mendonin se integrimi i dhunshëm i kulturave të papajtueshme mund të krijojë një vend super multikulturor në paqe dhe mirëqenie, si dhe ata që angazhohen në gazetari manipulative dhe propagandistike mbi tolerancën dhe integrimin, janë të gabuar,” shtonte artikulli.

Pyetur më vonë mbi këtë artikull, Dekanic i tha BIRN: “Unë nuk kam koment mbi artikullin. Unë nuk mbështes dhunën seksuale dhe asnjë formë tjetër abuzimi apo agresioni.”

Qendra për Studime të Paqes, CPS, një organizatë me bazë në Zagreb që promovon ndryshimet pa dhunë dhe punon në çështjet e migrantëve, tha Dnevno e ka portretizuar atë vazhdimisht si një ent “armik” nën kontrollin e interesave të huaja, përfshirë atë të filantropit amerikan George Soros, edhe pas ndryshimit të pronësisë.

Në një letër të nëntorit 2017 për Dnevno të parë nga BIRN, CPS kërkoi tërheqje të shkrimeve dhe publikimin e ndjesës për atë që e quajti “një seri falsitetesh” që “nxisin dhunë dhe urrejtje kundër organizatës sonë”.

“Nuk pati tërheqje,” tha zëdhënësja e CPS Lovorka Sosic. “Gjithsesi, ne kemi vërejtur se diçka ka ndryshuar. Ata [Dnevno] na kanë përmendur ne vetëm 19 herë gjatë këtij viti [2018], më së shumti në artikuj të marrë nga Agjencia Kroate e Lajmeve, HINA. Madje gazetarët e tyre një herë na morën në telefon për një koment.”

Dekanic tha se nuk kishte dijeni për ndonjë letër të dërguar nga CPS.

“Çfarë kundërshtish?” tha ajo. “Natyrisht ne do t’i përgjigjeshim çdo kundërshtie, por nëse do të kishte të tilla. Ne nuk kemi marrë gjë.”

Ndërkohë, Dnenvo nën drejtimin e Dekanic ka treguar më pak tendencë për të vendosur audiencat e veta kundër njëra-tjetrës.

Një test për diçka të tillë erdhi në korrik kur këngëtari ultranacionalist Marko Perkovic Thompson u bashkua me festën e skuadrës së futbollit të KRoacisë për udhëtimin dramatik të saj në finalen e Kupës së Botës.

Thompson, koncertet e të cilit janë ndaluar në Austri dhe Sloveni dhe këngët e të cilit mbartin nostalgji për regjimin e Ustashëve të Kroacisë së Luftës së Dytë Botërore – kampe përqendrimi dhe të gjitha – shoqëroi lojtarët gjatë një parade për kthimin në atdhe në Zagreb dhe këndoi në koncertin e zhvilluar në sheshin kryesor të qytetit.

“Llumi fashist më prishi ditën,” ishte titulli i portalit serb Dnevno.rs, duke cituar ligjvënësin kroat të qendrës Kreso Beljak.

Të Dnevno.hr, Marcel Holjevac, një nga kolumnistët më gojëhapur të Dnevnos që nga koha e Ljubas, shkroi shkurtimisht pas festimeve: “Kur këngëtarët bëhen të rrezikshëm për një regjim, është regjimi problemi, jo këngëtari.”

Më shumë se një vit nga blerja e kompanisë nga Dekanic, analistët thonë se Dnevno ka dorëzuar pretendimin e saj për famë si ofruesi më famëkeq i lajmeve në Kroaci, te konkurrentë të tjerë të tillë si Direktno.hr dhe Maxportal.hr.

“Ne do të vijojmë të jemi një portal i krahut të djathtë, por i qendrës së djathtë,” tha Dekanic. “Unë e shoh këtë thjesht si biznes. Redaksia e sheh gjithashtu në të njëjtën mënyrë.”

Popovic nga Universiteti i Zagrebit tha se është jo e mençur të thuash se politika editoriale e Dnevno udhëhiqet thjeshtë nga nevojat e biznesit.

“Kur dikush pretendon se media e lajmeve është ‘profesionale’ dhe rrjedhimisht e shkëputur nga ideologjia, në fakt kjo është qartazi një mënyrë për të maskuar një pozicion ideologjik,” tha ajo. “Kjo për shkak se çdo media mban një pozicion ideologjik pavarësisht se niveli i shfaqjes eksplicite të këtij pozicioni mund të varet nga politika editoriale.”

Analistë të tjerë thonë se të bësh para në një treg kryesor ku luajnë shumë lojtarë është e vështirë.

“Ndërsa ngjan e lehtë të nisësh një media të re, të arrish lexuesit apo të bëhesh një hapësirë me ndikim në opinion te i cili njerëzit varen për informacion të saktë dhe korrekt, kjo është shumë më e vështirë,” thotë Milan Frenstacki Zivkovic, një ish këshilltar mediaje ne ministrinë e Kulturës së Kroacisë.

Nëse Dnevno do të gjejë një segment të vogël të vetin pa falimentuar sërish, kjo është cdështja që shqetëson stafin e saj në Zagreb. Disa thonë se janë duke kërkuar për punë.

Ndërkohë, Dnevno.hr vijon të luajë me ndjenjat antimigratore megjithëse redaktorët e saj kanë shtyrë titujt më të fandaksur te seksioni fetar i portalit.

“NJË GRUA MIGRANTE PARALAJMËRON: Unë u bëra radikale islamike vetëm pasi jetova në Suedi. ‘Ata më mësuan mua të urrej!'” ishte një titull në seksionin e religjionit në fund të tetorit.

Një artikull tjetër përshkruante “vizionin” e një pushtimi islamik në Europë për të cilin shkrimtari thoshte se i përkiste Papës Gjon Pali i Dytë.

“Kam parë hordhi që vijnë në perëndim nga lindja, nga Maroku, Libia dhe Egjipti,” shkruante artikulli duke cituar në mënyrë të gënjeshtërt papën. “Ata do të godasin Europën, Europa do të bëhet një bodrum, një relike e vjetër, një gjysmëhije, një rrjetë merimange.”

Artikulli shoqërohej me një krijim artistik të një këpurdhe atomike që shfaroste një qytet.

Andrea Milat është një gazetar kroat dhe kryeredaktor i portalit rajonal të lajmeve Bilten.org. Redaktimi është nga Timothy Large. Ky artikull u realizua si pjesë e Bursës Ballkanike për Gazetari Ekselente, mbështetur nga Fondacioni Erste dhe fondacionet për Shoqëri të Hapur, në bashkëpunim me Rrjetin Ballkanik për Gazetari Investigative.