CAO Auditon Privatizimin e Distribucionit te KEK

Ombduspersoni / Zyra e Këshilltarit të Ankesave (CAO), që i raporton Presidentit të Grupit të Bankës Botërore, do të nisë një auditim për të verifikuar nëse Qeveria e Kosovës është këshilluar mirë në projektin e privatizimit të distribucionit të KEK-ut.

Auditimi në fjalë nuk do ta përfshijë Qeverinë e Kosovës,  por do jetë i fokusuar në organizmat e Bankës Botërore të cilat i kanë ofruar Qeverisë së Kosovës këshilla për projektin .

CAO do të auditojë nëse IFC-ja (International Finance Corporation), që ka një projekt këshillimi për qeverinë e Kosovës në lidhje me privatizimin e KEK-ut, i ka ofruar ekzekutivit këshillat e duhura dhe konform standardeve të Bankës Botërore.

Auditimi në fjalë është autorizuar pas një ankese të shoqërisë civile dhe sindikatës së punëtorëve të KEK-ut të drejtuar në CAO duke ngritur shqetësime për humbje të vendeve të punës, të kualitetit të ambientit, të mungesës së transparencës, të mundësisë së rritjes së çmimeve etj.

Zyrtarët e këtij organizmi, i cili merret me ankesat e palëve të cilat preken nga ana e projekteve të Bankës Botërore, kanë qëndruar para disa muajsh në Kosovë  ndërsa  së fundi këta zyrtarë kanë nxjerrë një vlerësim në lidhje me të.

Sipas raportit të vlerësimit, zyrtarët e CAO-s në fund të qëndrimit të tyre në Kosovë nuk e kanë pasur të qartë nëse IFC-ja është siguruar që me rastin e këshilldhënies për Qeverinë e Kosovës ka zbatuar  standardet më të larta të këtij organizmi.

Duke e pasur parasysh këtë, zyrtarët e CAO-s kanë rekomanduar një auditim të përgjithshëm të projektit të Bankës Botërore për dhënien e këshillave për Qeverinë e Kosovës.

Privatizmi i Distribucionit të KEK-ut, si njëri ndër privatizimet më kapitale të vendit, tashmë është në fazën e tij të fundit pasi që më 21 maj Qeveria e Kosovës ka paraparë që të organizojë ceremoninë e pranimit të ofertave nga kompanitë e parakualifikuara.

Ky proces është kritikuar në vazhdimësi nga shoqëria civile dhe nga ana e sindikatës së punëtorëve, SPEK.  Pasi që nuk kishin gjetur përkrahje për ankesat e tyre në Kosovë, SPEK-u dhe shoqëria civile kishin vendosur që të ankoheshin në New York në organizmat e Bankës Botërore të cilët e këshillonin qeverinë e Kosovës për këtë privatizim.

Ankesa në  Ombudspersonin e Bankës Botërore fillimisht kishte qenë anonime, mirëpo pas publikimit të vlerësimit të CAO-s, SPEK ka vendosur të dalë publikisht dhe të tregojë se ata kanë qenë ankuesit në Bankën Botërore.

Izet Mustafa, përfaqësues i SPEK-ut, tregon për momentin kur ata kanë vendosur që të ankohen në  CAO për pakënaqësitë e tyre

“Ankesën në CAO  e ka bërë SPEK dhe disa OJQ, pasi që kemi parë që Qeveria e Kosovës  e ka marrë përsipër që në mënyrë të njëanshme ta çojë procesin  përpara edhe përkundër brengave të punëtorëve dhe komunitetit.  Andaj  ne është dashur të gjejmë alternativa të tjera që këtë proces ta kthejmë në binarë të vetë”, thotë Mustafa.

Ai tutje tregon se e kanë kuptuar se Banka Botërore ka procedura dhe standarde të cilat duhet t’i zbatojnë në çdo vend të botës,  ku ata punojnë dhe në momentin kur SPEK dhe OJQ-të e kanë parë që këto standarde nuk po zbatohen në Kosovë kanë vendosur të ankohen në mënyrë konfidenciale drejt e në organet e Bankës Botërore. Sipas Mustafës, arsyeja pse ankesa ka qenë  konfidenciale është fakti se SPEK ka dashur t’iu ikë presioneve.

“Ankesa është bërë më 11 gusht  2011-të. Ata fillimisht kanë vlerësuar nëse ankesa jonë është valide, pas kësaj ka ardhur procedura e vlerësimit dhe pas këtij raporti ne kemi marrë përgjigjen që pas përmbushjes së këtij vlerësimi të ankesë sonë Banka Botërore do të fillojë në Auditim të këshillave të IFC-së dhënë Qeverisë së Kosovës”, thotë Mustafa. Sipas tij, në fund të procesit të Auditimit SPEK pret një konstatim nga ana e Bankës Botërore se në procesin  përgatitor të privatizimit të distribucionit ka shkelje të procedurave.

Zyrtarët e Qeverisë së Kosovës nga ana tjetër  janë të informuar për ankesën,  mirëpo sipas tyre çështjet e ngritura janë të pabazuara pasi që Qeveria e Kosovë i ka përmbushur ato.

“Pas parashtrimit të këtyre ankesave e kemi parë se ato nuk janë relevante sepse lidhen me çështjen e punëtorëve e cila  tashmë është zgjidhur pasi që Qeveria garanton se nuk do ketë largime masive nga puna”, thotë Valon Syla nga Komisioni për Privatimzimin e KEK-ut.

Valon Syla

Sipas tij edhe ankesa tjetër sa i përket subvencionimit të humbjeve në rrjet është e pabazuar  pasi që qeveria ka garantuar se nuk do të bëjë subvencionimin e këtyre humbjeve. Ndërsa ankesa e tretë e cila ka të bëjë me  dyshimet se në rastin e privatizimit do ketë ngritje të tarifave të energjisë, sipas Sylës,  nuk është kompetencë as e Qeverisë as e Bankës Botërore.

“Mbi këtë bazë ne mendojmë se ankesat janë jorelevante  dhe se auditimi herëdokur do t’i trajtojë këto çështje në favor të Qeverisë së Kosovës”, thotë Syla.

Por pse është dashur që sindikatat dhe OJQ-të e vendit t’i adresojnë kërkesat e tyre në New York për një privatizim i cili ndodhë në Kosovë.  Sipas kryetarit të SPEK-ut, Izet Mustafa, kërkesat e sindikatës nuk janë marrë parasysh . “Çdo herë kërkesat tona janë arsyetuar me deklarata në opinion se sindikatat ngrisin çështje të paqëndrueshme”, thotë Mustafa.

Ai thotë se qëndrimet e sindikatës kështu minimizoheshin. “Për këtë arsye ne nuk kemi qenë të bindur se institucionet e vendit janë të gatshme t’i adresojnë shqetësimet tona dhe për këtë arsye ne jemi ankuar në New York”, thotë Mustafa .

Izet Mustafa

Mirëpo,  sipas Valon Sylës nga Komisioni për Privatizim, Qeveria e Kosovës u ka dhënë mundësinë të gjitha palëve që t i paraqesin shqetësimet e tyre.

“Ne kemi qenë të gatshëm të japim informacione dhe trupi për ankim i cili ka qenë brenda Qeverisë së Kosovë i ka  pranuar ankesat, mirëpo nuk besoj se ka pasur ankesa direkte në kuptimin e këtij lloji”, thotë Syla.

Se  a kanë të drejtë sindikata apo qeveri a në këtë rast, kjo mbetet të shihet nga rezultatet e auditimit të ombudspersonit.

Mirëpo, sipas autoriteteve, nisja e këtij auditimi për këtë projekt, në prag të hapjes së ofertave, nuk paraqet ndonjë pengesë për procesin e privatizimit .

Sipas Valon Sylës, privatizimi do të vazhdojë. “Ne besojmë se privatizimi është duke u kryer sipas standardeve si për mjedisin ashtu edhe për çështjet sociale”. Sipas tij, qeveria beson se  deri sot nuk ka bërë asnjë shkelje të standardeve dhe ankesat ndaj projektit janë jorelevante dhe se prandaj, ka shtuar ai, procesi i privatizimit nuk rrezikohet.

Nga ana tjetër zyrtarët e SPEKT-ut thonë se privatizimi duhet ë ndalet dhe të kthehet në pikën zero .

“Unë jam i bindur se procesi nuk duhet vazhdojë por duhet  të kthehet në pikën zero. Duhet  të merret miratimi i të gjitha palëve të interesit e më pas të vazhdohet  me privatizimin”, thotë Izet Mustafa.