Hapësirat e Universitetit të Prishtinës | Foto: KALLXO.com

Buxheti i UP-së rrezikohet nga paditë, rektorati nuk i dërgon rastet në gjykatën e Apelit

Vendimi i ish Rektorit Ramadan Zejnullahu për ndalesën e pagave të dyfishta për profesorë po vazhdon t’i kushtojë në buxhet Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”. UP është duke humbur paditë e profesorëve në gjykatë ndërsa avokati i rektorit Zejnullahu thotë se UP nuk bëri sa duhet për ta mbrojtur vendimin pasi nuk e apeloi çështjen në Gjykatën e Apelit. Në mandatin e tij, Rektori Zejnullahu kishte vendosur t’i ndërpresë pagat për profesorët që merrnin paga të tjera në institucionet publike. Vendimi i tij ishte përshëndetur nga të gjithë por pas padive, gjykata po vlerëson se profesorëve duhet t’u paguhen pagat.

Një hulumtim i BIRN tregon se Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”, rrezikohet në vazhdimësi nga pretendimet e palëve të cilat i dërgojnë rastet e tyre në gjykata. Nga këto raste Universiteti është dashur të paguajë shuma të mëdha.

Vetëm këtë vit nga paditë që kishin parashtruar palët dhe të cilët i kanë fituar, UP-së i është dashur të paguajë më shumë se 200 mijë euro. Ende ka raste që janë në procedura gjyqësore dhe ka të tjera të cilat janë të panjohura për rektoratin e UP-së.

Viteve të fundit, sipas Zyrës Ligjore të rektoratit të Universitetit të Prishtinës, pretendimet e palëve ndaj UP-së janë të tri natyrave. E para lidhet me një vendim të ish-rektorit Ramadan Zejnullahu për pagat e dyfishta të profesorëve e cila është kryer dhe gjykata ia ka njohur të drejtën palëve gjë që i ka kushtuar Universitetit qindra- mijëra euro. Tjetra ka të bëjë me pagat jubilare dhe e treta me rastet kur personat që konkurrojnë që të zgjedhen personel akademik dhe nuk zgjedhën pretendimet i dërgojnë në gjykatë me arsyen që gjatë procesit të rekrutimit u është bërë e padrejtë.

Epilogu i këtyre padive nuk dihet, (disa prej tyre janë fituar dhe pagesat janë ekzekutuar) prandaj është e vështirë të jepet një përgjigje se çfarë shume do t’i duhet të paguajë UP-së, nëse këto raste fitohen nga palët paditëse. Megjithatë UP-ja për më shumë se tri vite është rekomanduar nga Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA), që të ketë kujdes sepse nga rastet e shumta në gjykata mund të rrezikohet seriozisht buxheti i këtij institucioni.

Te borxhet gjendja ka filluar të ndryshojë. Disa prej borxheve që kanë qenë dhe që janë grumbulluar prej disa viteve janë shlyer këtë vit. Universiteti këtë vit i ka shlyer edhe disa borxhe të mëdha të cilat i ishin grumbulluar ndër vite. Një borxh të madh UP-ja e ka ndaj Administratës Tatimore të Kosovës (ATK) në vlerë prej 15 milionë eurove i cili është i viteve 2002-2006.

Vendimi i ish rektorit ngarkon buxhetin

Ramadan Zejnullahu, ish-rektor i UP-së

Detyrimet e Universitetit të Prishtinës u shtuan pas disa vendimeve të ish rektorit Ramadan Zejnullahut. Ai kishte ndërmarrë disa vendime që në fillim u cilësuan si të një rëndësie shumë të madhe. Vendimet kishin të bënin me të gjithë ata profesorë që përveç UP-së kishin edhe një marrëdhënie tjetër të rregullt pune në institucionet e tjera publike.

“Personeli akademik i cili përcaktohet për marrëdhënie të rregullt pune me pagë primare në një institucion tjetër jashtë UP-së, nga Universiteti i Prishtinës do të kompensohet vetëm për orët e mbajtura gjatë periudhës semestrale, në cilësi të bashkëpunëtorit të jashtëm, por jo më shumë se fondi i orëve të honorarit i përcaktuar sipas Rregullores në fuqi për të ardhurat personale të personelit akademik të UP-së”, thuhej në njërin prej vendimeve të ish rektorit.

Megjithatë me këtë vendim profesorëve u ruheshin pozitat. Profesorët e atakuar me këto vendime e kishin dërguar rastin e tyre në Inspektoratin e Punës i cili i kishte rekomanduar rektorit që t’i kthejë mbrapsht këto vendime dhe profesorëve t’u paguheshin pagat retroaktivisht. Rektori nuk e kishte respektuar këtë rekomandim të inspektoratit, prandaj palët e kishin dërguar rastin e tyre në gjykatë.

Në vitin 2016 Gjykata Themelore e Prishtinës i ka vlerësuar  si të kundërligjshme vendimet e ish-rektorit, Ramadan Zejnullahu, për të mos i paguar me rrogë të dyfishtë 69 profesorët dhe asistentët e Universitetit “Hasan Prishtina”.

Kjo për faktin se ky organ ishte i bindur se ish-rektori ka vepruar gabimisht e njëanshëm kur ua ka ndaluar pagat 69 profesorëve, të cilët kanë qenë të angazhuar edhe në institucione të tjera publike, përveç universitetit.

Me vendim të Gjykatës Themelore në Prishtinë, Universiteti i Prishtinës është detyruar të shfuqizojë vendimet e ish rektorit Zejnullahu.

BIRN e posedon vendimin e rektoratit në të cilin thuhet se zbatohen aktvendimet e Gjykatës Themelore në Prishtinë për shfuqizimin e vendimeve të ish rektorit për pagat e personelit akademik.

Në vendimin e marrë nga rektori Marjan Dema, thuhet se, personelit akademik të UP-së të atakuar me vendimet e apostrofuara i lejohet kryerja e punës në përputhje me kontratën individuale të punës të cilën e kanë pasur me UP-në para nxjerrjes së vendimeve të ish-rektorit, tanimë të shfuqizuara me Aktvendim të Gjykatës Themelore në Prishtinë.

“Personeli akademik që i takon kategorisë së personelit të këtij vendimi, rikthehen në mënyrë retroaktive prej 1 prillit 2016 për pagesë në listën e pagave sipas statusit, përkatësisht vendimit individual për pagesë primare apo sekondare që kanë pasur në UP ”, thuhet në vendimin e rektorit Dema.

Universiteti i Prishtinës nuk e ka parë të udhës ta ankimojë këtë rast në shkallën e dytë. Kjo sipas zyrtarëve të UP-së është bërë për arsye se menaxhmenti aktual e ka parë rrezikun e dëmtimit më të madh të buxhetit nëse ishte vazhduar tutje. Përveç padive profesorët kishin shkuar edhe me propozimin për përmbarim po ashtu përmes Gjykatës Themelore.

“Palët si kreditor secili veç e veç kanë shkuar me propozimin për përmbarim, po ashtu përmes Gjykatës Themelore, ku kjo e fundit edhe me përmbarim ka kërkuar që të shfuqizohen vendimet e ish rektorit”, thotë zyrtari ligjor në UP Safet Thaçi.

Andaj, sipas tij, rektori aktual Marjan Dema për të parë që mos të dëmtohet buxheti i UP-së edhe më shumë nëse palët kishin kërkuar edhe shpenzimet e procedurave, kamatën dhe shpenzimet e përmbaruesve dhe duke respektuar aktgjykimin në fjalë ka nxjerrë vendimin nr. 954  të datës 11.5.2016 për zbatim të aktvendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Ish rektori Ramadan Zejnullahu, nuk e ka komentuar këtë vendim të menaxhmentit aktual por avokati i UP-së në kohën sa Zejnullahu ishte rektor Kushtrim Palushi është i mendimit se universiteti është dashur deri në fund t’i mbrojë vendimet e ish rektorit Zejnullahu, pasi sipas tij ato nuk kanë qenë veç vendime të tij por të universitetit.

Padi për paga jubilare

Marjan Dema, rektor i UP-së – Foto: KALLXO.com

Pretendimet e palëve tani për tani sipas zyrtarit ligjor në Universitetin e Prishtinës, Safet Thaçit janë të tri natyrave.

E para është kjo që lidhet me vendimet e ish rektorit e cila është kryer tani. Një tjetër ka të bëjë me pagat jubilare  e caktuar në Marrëveshjen për Kontratën Kolektive e cila në vitin 2014 u nënshkrua nga Qeveria e Kosovës, Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës, Oda Ekonomike e Kosovës, të cilës (marrëveshjes) këtë vit i ka skaduar afati, ku parashihej edhe paga jubilare, apo shpërblimi jubilar.

Në nenin 52 të kësaj marrëveshjeje thuhet  se i punësuari, ka të drejtë në shpërblimin jubilar dhe atë: për 10 vjet të përvojës në punë pandërprerë, te punëdhënësi i fundit, në vlerë të një page mujore të tij; për 20 vjet të përvojës në punë pandërprerë, te punëdhënësi i fundit, në vlerë të dy pagave mujore të tij; për 30 vjet të përvojës në punë pandërprerë, te punëdhënësi i fundit, në vlerë të tri pagave mujore të tij.

Zakonisht kjo kontratë në këtë pikë nuk është zbatuar në Kosovë, prandaj në këtë aspekt janë ushtruar padi nga punëtorë të ndryshëm. Kjo i ka ndodhur edhe UP-së.

“Nga kjo periudhë 2015 kur marrëveshja ka hyrë në fuqi e deri këtë vit kush ka dalë në pension  po i fiton këto paga me gjykatë sepse, gjykatës nuk i intereson pse Qeveria nuk ka paraparë mjete ajo thirret në nënshkrimin e partnerëve socialë të cilët e kanë nënshkruar këtë marrëvëshje për të gjitha institucionet”, thotë Thaçi.

Pala e tretë që kanë pretendime ndaj Universitetit sipas Thaçit kanë të bëjnë me zgjedhjen apo rizgjedhjen e stafit akademik. Ai thotë se ka persona që pretendojnë që gjatë procesit të rekrutimit të stafit të ri akademik apo rizgjedhjes së tyre u është bërë e pa drejtë pasi ata i kanë plotësuar të gjithë kriteret por është zgjedhur dikush tjetër.

“Këta e padisin UP-në me pretendimin se u është bërë e padrejtë”, thotë Thaçi.

Ky zyrtar i UP-së, thotë se nuk e di se sa padi ka ndaj universitetit, pasi që një gjë të tillë e marrin vesh vetëm kur u vjen ftesa nga gjykata se dikush i ka paditur ata.

Me të gjitha këto pretendime deri para pak javësh është përballur vetëm zyrtari ligjor Safet Thaçi. UP-ja nuk ka zyrë ligjore. Deri në tetor të këtij viti e ka pasur vetëm një zyrtar ligjor dhe prej këtij muaji aty është punësuar edhe një tjetër zyrtar dhe me këtë mendohet të zbutet pak gjendja.

Obligime të mëdha ndër vite

Fakulteti Filozofik i Universitetit të Prishtinës | Foto: Atdhe Mulla

Universiteti i Prishtinës në disa raste nuk ka rritur t’i kryej obligimet që i ka pasur ndaj palëve. Kjo ka ardhur për disa arsye. Në disa raste nuk ishin nënshkruar kontratat me kohë në mes rektoratit dhe stafit të angazhuar, për orët mbi normë, honorarët etj. Këto obligime për këto kategori ishin përmendur edhe në raportin e Auditorit Gjeneral të vitit 2017 ku thuhej se ato e arrinin shumën e 600 mijë eurove. Në UP thonë se këto obligime janë kryer.

Si obligime në pasqyrat financiare të UP-së deri vonë ka figuruar edhe një borxh që UP-ja e ka pasur ndaj Agjencisë Kosovare të Akreditimit (AKA). Ndonëse figuronte si borxh që prej vitit 2013, sivjet  ky borxh është paguar dhe vlera e tij ka qenë 173 mijë euro.

“Obligimet janë të larta pasi UP gjatë vitit 2017 ka pranuar disa vendime gjyqësore në lidhje me profesorët me dy marrëdhënie pune”, thuhet në një përgjigje të Zyrës së Financave të UP-së.

Mjetet për këto obligime që rrjedhin nga vendimet e gjykatës, UP-së i është dashur t’i paguajë dhe ato e kanë arritur shumën e më shumë se 250 mijë eurove. BIRN ka siguruar listën e të gjithë profesorëve që UP-ja sivjet është dashur t’i paguajë bazuar në vendime të gjykatës. Në mesin e profesorëve që janë paguar është dekanja e Fakultetit të Mjekësisë, Suzana Kërliu, profesorët e Fakultetit të Mjekësisë Gani Bajraktari, Mybera Ferizi, Arsim Morina etj.

UP në Pasqyrat Vjetore Financiare- PVF të vitit 2017 ka pasur obligimet në kategoritë ekonomike si ne vijim:

Paga dhe mëditje vlera 1,370,360.00 euro dhe atë për shtesat e stafit akademik që burojnë nga rregullorja për të ardhura personale dhe mbi norma dhe honorarët për stafin e angazhuar për muajit tetor, nëntor dhe dhjetor të vitit 2017 po ashtu kanë qenë të paraqitura edhe obligimet ndaj stafit me dy marrëdhënie pune të cilët i kanë fituar kontestet në gjykatë.

-Obligimet në mallra dhe shërbime kanë qenë me 31.12.2018 në vlerë prej  427,078.01 euro ku UP i ka paguar të gjitha në pjesën e pare të vitit 2018 duke përfshirë edhe obligimet ndaj Agjencionit të Akreditimit për vitin 2013 ne këtë kategori.

“UP gjatë vitit 2018 ka bërë likuidimin e obligimeve të paraqitura në kategorinë e pagave dhe mëditjeve në total për raportet e njësive akademike të cilat kane qenë të pranuara në financa”, thuhet në përgjigjen e UP-së, Zyra për Financa.

Auditori i shqetësuar për buxhetin e UP-së

Nga një mbledhje e Senatit të UP-së

Zyra Kombëtare e Auditimit në raportet e saj për Universitetin e Prishtinës e vlerëson si mjaft shqetësues faktin se në pasqyrat financiare të këtij institucioni detyrimet kontingjente kanë qenë të mëdha ndër vite.

BIRN i ka parë raportet për vitet 2015-2017 dhe shqetësimi i Auditorit ka qenë se niveli i lartë i detyrimeve kontingjente mund të përkeqësojë gjendjen financiare të Universitetit.

Në raportin e vitit 2015 thuhet se detyrimet kontingjente të UP-së ishin 2,991,002 euro.

“Pjesa më e madhe e tyre ishte për paga dhe mëditje të shkaktuara nga vendimi i rektorit për pezullimin e marrëdhënies së punës me disa profesorë. Të suspenduarit të pakënaqur ishin ankuar ndaj universitetit në gjykatë. Gjykata kompetente e shkallës së parë kishte vendosur në favor të suspenduarve si palë ankuese”, thuhet në këtë raport.

Në raportin e Auditorit të vitit 2016 thuhet se  detyrimet kontingjente të Universitetit, kanë të bëjnë kryesisht me paga dhe mëditje, dhe vlera e tyre e shpalosur në PFV ishte 2,421,280 euro, pak më e vogël se e vitit 2015.

“Këto detyrime janë përcjellë nga vitet e mëparshme për shkak se nuk kanë përfunduar ende kontestet gjyqësore”, thuhet në raport.

Detyrimet kontingjente dhe borxhet përmenden edhe në raportin e vitit 2017.

“Detyrimet Kontingjente në vlerë prej 511,000 euro nuk ishte e saktë, për shkak se jo të gjitha detyrimet kontingjente ishin prezantuar nga pretendimet e palëve ndaj UP-së”, thotë auditori në raportin për vitin 2017.

Rekomandimi i Auditorit në të tri vitet e fundit ka qenë që rektori i UP-së duhet të iniciojë një vlerësim të ndikimit financiar që mund të kenë pretendimet dhe paditë, ndaj buxhetit të Universitetit, dhe të analizojë mundësitë për përmirësimin e gjendjes aktuale në lidhje me detyrimet kontingjente. Ky rekomandim sipas raportit të vitit 2017 nuk është zbatuar.

Zyrtarët financiarë thonë se këtë vit janë shlyer disa prej detyrimeve që i ka pasur Universiteti dhe shpresojnë që me këtë ritëm të vazhdohet edhe viteve të ardhshme ani pse në asnjë rast nuk e dinë se cilat palë mund të paraqesin pretendimet e tyre në gjykata për rastet e tyre.

Universiteti i Prishtinës sipas zyrtarëve të saj ka qenë në pamundësi të zbatimit të rekomandimeve të ZKA-së për shkak të ndërrimit të shpeshtë të menaxhmentit.

“Brenda katër viteve katër herë janë ndërruar menaxhmentet  askush pa arritur ta përfundojë as gjysmën e mandatit, prandaj kanë ardhur gjithë ato probleme financiare. P.sh. ka ardhur një rektor dhe ka kërkuar diçka jashtë planifikimit financiar nga menaxhmenti i kaluar dhe kjo ka rezultuar me vërejtje në raportin e auditimit”, thotë Sekretari i UP-së Esat Kelmendi.

 

Ky projekt mbështetet nga Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur – KFOS. Përmbajtja është përgjegjësi e BIRN dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i KFOS-it.