Ilustrimi: Trembelat për KALLXO.com

Burrështetasve tanë: Mjaft me drama!

‘Histerike’ dhe ‘tepër emocionale’ janë dy stereotipet seksiste që më së shpeshti lidhen me gratë. Mësohemi se lufta e grave për barazi është e pamundshme sepse e urrejmë njëra-tjetrën, jemi xheloze ndaj njëra-tjetrës, madje edhe argumentet dobiprurëse mes nesh shpeshherë reduktohen në shpoti si  ‘grindje macesh’. Në anën tjetër, fjalët ‘burra’ dhe ‘dramë’ rrallëherë përdoren brenda fjalisë së njëjtë, dhe cilësitë si fortësia, distanca emocionale, qetësia dhe maturia, tradicionalisht u vishen llojit mashkullor.

Por, sa është e vërtetë kjo? S’ke nevojë të jesh psikolog që të shohësh se burrave në sferën publike të Kosovës u mungon miëresjellja bazike dhe inteligjenca emocionale e nevojshme për komunikim mes njerëzve të ndershëm.

Me guerila, luftëtarë, ‘legjenda të gjalla’, këngëtarë e aktorë të kthyer në deputetë, pjesa dërmuese e përfaqësuesve meshkuj janë përgjegjës për degradimin e diskursit publik dhe mund të akuzohen për punë tepër të dobët prej që është themeluar kuvendi.

Teksa njerëzve të thjeshtë vazhdon t’u mungojnë stabiliteti financiar, arsimimi i duhur, përkujdesja shëndetësore, burrat që udhëheqin këtë vend s’na japin asgjë më shumë veç rrenave, dramës dhe talljes. Ata vazhdimisht e akuzojnë njëri-tjetrin për krime e korrupsion, sulmohen në Kuvend, dhe madje e quajnë njëri-tjetrin ‘lavire’ në televizion me shtrirje shtetërore (kjo, fyerja më e madhe për një burrë).

Meqenëse t’iu kundërvihesh këtyre burrave dhe të sjellësh ndryshim të vërtetë në sferën publike dhe private është e vështirë dhe mund të merr vite, me ndihmën e mediave sociale duket se është më lehtë vetëm të rehatohesh dhe të gjesh argëtim te llomotitjet dhe baltën që ia hedhin njëri tjetrit. Pra, për mua, drama mashkullore është formë argëtimi në vetvete, dhe do t’i rikujtoj disa shembuj për ta mbështetur argumentim tim se burrat janë mbretëreshat e vërteta të dramës.

Shfaqja e muskujve në Kuvend është mjaft e zakonshme. Së voni, zëvendëskryetari i Kuvendit Xhavit Haliti dhe deputeti i LDK-së Arben Gashi shkëmbyen fyerje gjatë një seance të Kuvendit e cila rezultoi në sulme fizike mes tyre të nesërmen: Haliti e shtyu dhunshëm Gashin gjatë një votimi në Kuvend. E kemi parë një ndodhi të ngjashme në televizor kur ish-deputeti i Vetëvendosjes Frashër Krasniqi e sulmoi ish-gazetarin dhe deputetin e Nismës Milaim Zeka gjatë një debati të rëndë mes tyre.

Këto sulme fizike mes ‘burrështetasve’ tanë nuk na befasojnë më; ato thjesht janë argëtuese. Mediat janë të stërmbushura me to, dhe ndërveprimi mes njerëzve në mediat sociale dëshmon se kemi ndërtuar imunitet ndaj gjuhës së ndyrë dhe sulmeve fizike.

Para disa muajsh, Kryeministri ynë Ramush Haradinaj i doli në mbrojtje publike përdorimit të armëve të zjarrit gjatë festimeve, edhe pse ka pasur raste të shumta të vdekjeve si rezultat i të shtënave gjatë festave në Natën e Vitit të Ri dhe në dasma. Ky qëndrim tronditës vjen si rezultat i një videoje në internet ku Zëvendës Kryeministri dhe Ministri i Diasporës Dardan Gashi shihet duke gjuajtur me armë prej një dritareje gjatë një festimi në odë.

Edhe pse një vepër e tillë është ilegale, Haradinaj pretendoi se përdorimi i armëve gjatë festave nuk është punë e madhe dhe madje se e ka bërë edhe vetë disa herë. Ai po ashtu sugjeroi që gjuajtja me armë gjatë festimeve duhet të legalizohet sepse është traditë e vjetër e rajonit të Dukagjinit.

Në një shembull tjetër, kur dhjetëra deputetë të Vetëvendosjes e lanë partinë, ata thanë se shkuarja e tyre dhe aderimi në Partinë Socialdemokrate, PSD, ishte vetëm çështje parimesh. Tani, ‘Vetëvendosje e vërtetë’ dhe PSD-ja vazhdimisht shkëmbejnë fyerje, komente sarkastike dhe tallen me njëri-tjetrin.

Pavarësisht se shumë njerëz mund të jenë kundër obsesionit të aktivistëve të Vetëvendosjes me udhëheqësin e tyre Albin Kurtin apo metodat e tyre të protestimit, njeriut s’i lënë përshtypje as ‘socialdemokratët’ e vetëshpallur, e as popullizmi i tyre i shfaqur deri më tani. Trëndafilat e kuq në media sociale  vetëm se i përkeqësojnë gjërat.

Me kohë do të merren vesh pikëpamjet e vërteta të të dyja grupeve, dhe sidomos çfarë do të bëjnë për t’i arritur qëllimet e tyre politike. Tani, një gjë është e qartë: ‘burrat parimorë’ në të dy anët po kërkojnë vëmendje duke e zhvendosur fokusin prej çështjeve të vërteta sociale dhe politike tek përqeshja që ia bëjnë njëri tjetrit. Drama që filloi në dhjetor të vitit 2017 po vazhdon edhe sot.

Relievi politik i Kosovës është me të vërtetë i shumëllojshëm. Dikush mund të befasohet se sa gjithëpërfshirës mund të jenë partitë politike. Pavarësisht dijes, shkathtësive apo prapavijës, partitë tona politike mirëpresin këdo që ka potencial t’u bie vota apo para; prej biznesmenëve famëkeq sikur Ramiz Kelmendi (së pari me AAK-në, PDK-në e tash me LDK-në) deri te këngëtarët si Labinot Tahiri në AKR, si dhe aktori 79 vjeçar Adem Mikullovcin në Vetëvendosje.

Si mund të shkruaj për burrat dhe dramën pa përmendur Gëzim Kelmendin, ish-deputet dhe lider i partisë Fjala. Sensi i tij i ekzagjeruar i nderit dhe pretendimet për moral janë thjesht argëtuese. Ai i ka quajtur pjesëtarët e komunitetit LGBT të sëmurë mendërisht, ka sugjeruar se gratë duhet të punojnë vetëm pesë orë në ditë për ta rritur natalitetin e vendit, dhe beson se përfshirja e edukimit seksual në shkolla është e rrezikshme sepse “i cënon vlerat tona morale që i kemi kultivuar me shekuj”.

Në thelb, burrat në këtë vend e ushqejnë veten me agresion, reagime të tepruara e ekzagjerim. Edhe pse flasim dhe qeshim për gjërat që këta burra i bëjnë dhe i thonë, është e domosdoshme të tregohet se ky lloj argëtimi nuk është vërtet përmbushës. Këta burra, bashkë me veprimet dhe qëndrimet e tyre, nuk janë fare qesharakë. Janë turpi i shtetit tonë, shembull tmerrshëm për djemtë dhe burrat e rinj, dhe pengesë e vazhdueshme e përfshirjes së grave në jetën publike.

Një grua e urtë ka thënë: “E urrej këndvështrimin mashkullor. Jam mërzitur nga heroizmi, virtyti dhe nderi i tij. Mendoj se gjëja më e mirë që këta burra mund ta bëjnë është mos të flasin më për vetveten”. Dhe kjo është pikërisht çfarë i duhet këtij shteti, burra që përvetësojnë vlera që zakonisht shihen si femërore. T’u kërkohet burrave të kenë cilësi sikur mirësia, hiri, dhe më së rëndësishmi, të jenë të qetë, mund të bëjë kryej punë në pastrimin e baltës së grumbulluar në jetën publike të Kosovës prej fundit të luftës në vitit 1999.

 

Pikëpamjet e shprehura në rubrikën e opinioneve u përkasin vetëm autorëve dhe jo domosdoshmërisht i pasqyrojnë pikëpamjet e KALLXO.com.