Gjatë një forumi për karrierën në Bullgari. Foto: Career in Bulgaria/Tuk-Tam

Bullgarët e Arsimuar Jashtë Kthehen në Atdhe me Ide të Reja

Ndryshe nga shumë bullgarë që janë të vendosur të ndjekin ëndrrën amerikane, Hristo Boyadjiev e kuptoi shpejt se SHBA, ku ai studioi për biznes në vitin 2004, nuk ishte vendi i duhur për të.

Me disa rezerva Boyadjiev u kthye në Bullgari në 2008 për të filluar disa projekte të suksesshme, të dyja në biznes dhe në sektorin joqeveritar.

“Ndonëse jam shumë mirënjohës për arsimin që kam marrë, nuk mu desh kohë për të kuptuar se mënyra se si funksionon shoqëria atje [në SHBA] nuk ishte për mua. Ndaj u ktheva – ishte një vendim i vetëdijshëm nga ana ime dhe nuk u ndjeva keq për këtë,” tha ai për BIRN.

Boyadjiev është një nga mijëra bullgarët e rinj që kanë zgjedhur të studiojnë jashtë vendit, por pas diplomimit, janë rikthyer për një karrierë në atdhe. Bashkë me gjashtë persona të tjerë, ai krijoi organizatën joqeveritare Tuk-Tam (Këtu dhe Atje) në vitin 2008 për të ndihmuar të kthyerit e tjerë të gjejnë një punë dhe të krijojnë shoqëri në Bullgari. Vendimi i tyre ishte i duhur pasi aktualisht organizata vlerëson se numri i bullgarëve të arsimuar në perëndim, të cilët po zgjedhin të jetojnë dhe punojnë në vendin e tyre, po rritet.

Hristo Boyaadjiev. Foto: Career in Bulgaria/Tuk-Tam

“Jemi njerëz që besojnë se përvoja që kemi marrë jashtë mund të përdoret për të sjellë një ndryshim këtu. Por duhet të punojmë për ta bërë këtë realitet,” tha ai

Autoritetet bullgare nuk japin të dhëna konkrete për numrin e emigrantëve bullgarë. Megjithatë, në korrik, kryetari i Agjencisë Shtetërore për Bullgarët jashtë vendit, Petar Haralampiev, vlerësoi se ata ishin rreth tre milionë.

Sipas një raporti monitorues të Zyrës Bullgare të Auditimit, të publikuar në maj, numri i studentëve bullgarë jashtë vendit është rreth 30,000.

Zyra e Auditimit e cilësoi mekanizmin shtetëror për monitorimin e migracionit si joefektiv dhe theksoi se asnjë institucion nuk numëron njerëzit që kthehen në atdhe pas marrjes së arsimit të lartë në universitetet e huaja.

Në muajin korrik zëvendësministrja e punës Sultanka Petrova u ankua se vetëm 20-30 bullgarë të kualifikuar kthehen në atdhe çdo vit dhe premtoi se ministria do të kërkojnë mënyra të reja për të motivuar më shumë emigrantë të arsimuar të kërkojnë punësim në Bullgari.

Megjithatë, ekipi i Tuk-Tam është i bindur se ka ndihmuar mijëra të diplomuar të huaj për të gjetur punën e duhur në atdhe gjatë dekadës së kaluar. Më 5 shtator, organizata feston 10-vjetorin e forumit të saj të karrierës “Karriera në Bullgari – Përse jo?”, e cila lidh bullgarët me arsim të huaj me kompani dhe organizata që ofrojnë mundësi të ndryshme punësimi.

Gjatë nëntë viteve të fundit, në total 9.753 punëkërkues kanë marrë pjesë, 57 për qind e të cilëve janë të kthyer në Bullgari, thanë organizatorët.

18 për qind prej të cilëve kanë shprehur siguri se do të kthehen, ndërsa 24 për qind kanë vërejtur se janë në mëdyshje nëse për të qëndruar apo për t’u kthyer.

Sipas Boyadjiev, një arsye pse bullgarët e rinj të kualifikuar që jetojnë jashtë vendit ndjehen të pasigurtë për kthimin në Bullgari është qasja e kufizuar në informacionin objektiv për situatën në vend.

“Për fat të keq, kur je jashtë shtetit informohesh për Bullgarinë kryesisht nga media, e cila punon në parim tregu dhe shet lajme bombastike… është si një megafon për lajme të këqija”, tha ai.

“Njerëzit e shohin vetëm politikë të keqe, vrasje, gjyqësorin jofunksional – pra vetëm probleme. Por muajt e fundit kanë dëshmuar se probleme të tilla ekzistojnë kudo edhe në Mbretërinë e Bashkuar  dhe SHBA,” theksoi ai.

Zlatelina Bezheva. Foto: Tuk-Tam

Zlatelina Bezheva kohët e fundit la pas një punë si një analist investimesh në Boston për të filluar një biznes familjar që produktesh të shëndetshme ushqimore në Bullgari. Ajo e ndërmori sfidën për të dalë nga “zona e saj e rehatisë”.

“Ajo që më bëri të kthehesha është e njëjtë me atë që më bëri të largohem në Amerikë – të arratisja nga jeta e parashikueshme. Mendova se Bullgaria është mjaft interesante,” tha ajo për BIRN.

Sipërmarrësja e re tha se për herë të parë që kur filloi studimet në SHBA, përjetoi “një ndjesi qetësie dhe përkatësie”.

“Ka shumë hapësirë ​​për zhvillim në Bullgari, për të krijuar zgjidhje. Dua të bëhem pjesë e kësaj,” shtoi ajo.

Sipas shifrave të Tuk-Tam, shumica e bullgarëve të arsimuar jashtë që kanë marrë pjesë në forumet e karrierës së saj kërkojnë punësim në menaxhim (43 për qind), marketing dhe PR (36 për qind) dhe këshillim (35 për qind).

Por në vitet e fundit, organizata ka vërejtur një interes në rritje për vendet e punës në arsim dhe sektorin joqeveritar në Bullgari.

Mësim për Bullgarinë, një OJQ që trajnon dhe mbështet bullgarët e talentuar për t’u bërë mësues në shkollat ​​bullgare, tha se çdo vit, rreth 10 për qind e aplikimeve për t’u bashkuar me programin vijnë nga bullgarët që jetojnë jashtë.

“Kur jetojnë jashtë vendit, shumë njerëz shohin se çfarë lloj arsimit marrin nxënësit atje dhe kuptojnë se kjo është e mundur edhe këtu, me përpjekje dhe përkrahje nga shkolla”, tha për BIRN, Elena Yordanova, oficere për rekrutim në OJQ.

Ajo shpjegoi se përveç qëllimit të mirë, njerëzit gjithashtu motivohen të bashkëpunojnë me organizatën, sepse pjesëmarrja në një program të tillë vlerësohet shumë nga OJQ-të, universitetet dhe korporatat në vend dhe jashtë tij.