Britania e Madhe humb shansin për ta ndalur marrëveshjen e dyshimtë të Bosnjës për plumbat

Britania e Madhe ngriti dyshimet se pothuaj 30 milionë plumba të prodhuara në Bosnjë, të shitur në Arabi Saudite, mund të përfundojnë në duart e gabuara, por nuk ia doli ta paralajmëronte Sarajevën para se të nisej ngarkesa, zbuloi Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Hulumtuese (BIRN).

Ujdia mori vëmendjen e Britanisë së Madhe pasi dy agjentë britanikë kishin kërkuar dhe u ishin refuzuar licencat për të ndërmjetësuar marrëveshjen Bosnjë-Arabi.

Ndonëse identiteti i agjentit i cili e organizoi këtë eksport me sukses nuk dihet, një hulumtim i BIRN-it zbulon se ngarkesa që u nis nga Bosnja në dy pjesë në nëntor të 2015-ës dhe janar të 2016-ës me miratimin e Sarajevës, i përkon marrëveshjes të cilën Britania e Madhe refuzoi licencat ndërmjetësuese në aspektin e kohës, sasisë, origjinës, vendmbërritjes dhe llojit të municionit.

Kundërshtimi i Britanisë së Madhe erdhi në mars të 2016-ës pas gati 14 muajsh shqyrtimi, kur ishte shumë vonë për ta ndaluar dërgesën. Zbatime të këtilla zakonisht bëhen brenda 20 ditëve të punës.

Refuzimi citonte ‘’rrezikun e papranueshëm’’ e devijimit të plumbave, duke shtuar se qeveria e Saudite, e përcaktuar si ‘pala përfituese’, në fakt nuk ishte ‘’marrësi i paramenduar’’, sipas të dhënave të gjetura nga BIRN nën një kërkesë për Liri të Informacionit të dorëzuar në Departamentin për Tregti Ndërkombëtare.

Ekspertët në tregtinë ndërkombëtare të armëve thonë që me gjasë Britania e Madhe dyshoi që plumbat do të përfundonin në duart e ndërmjetësve sauditë në Siri dhe Jemen; madje edhe më shqetësuese janë çështjet ngritura nga disa sinjalizues, përfshirë këtu Amnesty International lidhur me natyrën ‘’rrjedhëse’’ të kanaleve transportuese të armëve mes SHBA-së dhe Arabisë Saudite, në Siri, që do të thotë se disa pajisje ushtarake kanë gjetur rrugën për tek ekstremistët, përfshirë ISIS.

BIRN ka raportuar tej mase mbi tregtinë miliardëshe të armëve që është zhvilluar mes vendeve të Ballkanit dhe Arabisë Saudite, që i devijon sistematikisht armët drejt milicëve aleatë në Siri dhe Jemen.

Pavarësisht këtyre shqetësimeve dhe thirrjeve nga Parlamenti Europian për të vendosur embargo të armëve në mbretërinë e Gjirit, licencat për Arabinë Saudite rrallë refuzohen, duke e bërë vendimin e Britanisë së Madhe edhe më domethënës.

Asnjë detyrim për të ndarë shqetësimin

Në maj të vitit 2015 dolën fotografitë e asaj që duket të jenë mortaja të kalibreve të ndryshme të municionit të eksportuara në Arabinë Saudite, por si fabrika ashtu edhe qeveria e Bosnjës dhe Hercegovinës refuzuan të komentojnë nëse ajo ishte burimi i ngarkesës.

Armët dhe municionet e Ballkanit janë përdorur në një sërë sulmesh Islamike nëpër Europë vitet e fundit dhe qeveritë Perëndimore nisen nga vendet si Bosnja, për të shkatërruar trafikun e armëve, por prapëseprapë Britania e Madhe nuk bëri asnjë përpjekje të dukshme për ta paralajmëruar Sarajevën mbi shqetësimet e saj veçanërisht me këtë dërgesë.

Një zyrtar i lartë i Bosnjës, në kushtet e anonimitetit, i tha BIRN-it se Sarajeva nuk kishte marrë asnjë komunikim nga Mbretëria e Bashkuar për këtë çështje.

Departamenti i Mbretërisë së Bashkuar për Tregtinë Ndërkombëtare tha se duke marrë parasysh që Bosnja nuk është anëtare e Bashkimit Evropian, nuk ka ndonjë ‘’mekanizëm të paracaktuar’’ përmes të cilit Britania e Madhe të mund t’i informonte autoritetet boshnjake.

Departamenti nuk pranoi të shpjegonte përse i ka marrë aq shumë kohë refuzimi i licencave të ndërmjetësimit për ngarkesën.

Një zëdhënës i Departamentit tha: ‘’Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar e merr shumë seriozisht përgjegjësinë mbi kontrollin e eksportit dhe operon një nga sistemet kontrolluese më të fuqishme në botë. Ne ekzaminojmë në mënyrë të rreptë çdo zbatim rast për rast, kundrejt Consolidated EU dhe National Arms Export Licencing Criteria, me rrezikun rreth abuzimit me të drejtat e njeriut si një pjesë kyçe e këtij procesi’’.

Autoritetet e Mbretërisë së Bashkuar refuzuan të thonë se kush mendonin se ishte marrësi i vërtetë i këtyre municioneve.

BIRN nuk mundi ta përcaktonte nëse ndërmjetësit që aplikuan për licencat e Britanisë së Madhe ishin, në ndonjë mënyrë, të përfshirë në eksportin e Bosnjës.

Ministria për Tregti të Jashtme dhe Marrëdhënie Ekonomike e Bosnjës tha se nuk ka të dhëna të një ndërmjetësi në dokumentet e dorëzuara për licencë eksporti- të dorëzuara nga një eksportues i paemërtuar- dhe si Londra ashtu dhe Sarajeva refuzuan të përmendin ata që janë përfshirë. Marrëveshjet e armëve janë të njihen si të padepërtueshme, aktorët e vërtetë shpesh të fshehur nga një zinxhir ndërmjetësish dhe këshilltarësh nganjëherë në konkurrencë me njëri-tjetrin.

Të dhënat e siguruara nga BIRN zbulojnë se aplikimet e refuzuara nga Mbretëria e Bashkuar dhe të miratuara nga Bosnja, përputheshin gati në secilën mënyrë tjetër. Ato ishin dorëzuar afërsisht në të njëjtën kohë në fund të 2014-ës dhe e specifikonin saktësisht të njëjtën sasi dhe kalibër të municionit – përfshirë këtu 13.492.927 plumba AK 47 (Kallashnikov) dhe 3.063.276 raunde të municionit për snajper – të ndara në tri licenca të veçanta.

E pavetëdijshme mbi shqetësimet e Britanisë së Madhe dhe e ngathët ndaj provave të tjera të devijimit të armëve nga Arabia Saudite në Siri dhe Jemen, Bosnja miratoi licencat herët në 2015 dhe mallrat u transferuan në Arabinë Saudite në nëntor të 2015-ës dhe janar të 2016-ës.

Riadi porositi plumba për kallashnikovë

Igman është prodhuesi kryesor i plumbave, përfshirë kalibra të ndryshëm të municioneve të eksportuara në Arabinë Saudite, por si fabrika ashtu edhe qeveria e Bosnjës dhe Hercegovinës refuzuan të komentojnë nëse ajo ishte burimi i ngarkesës. Foto: Ministria Federale e Energjisë, Minierave dhe Industrisë

Roi Isbister, ekspert mbi ligjet e tregtisë së armëve me OJQ-në me bazë në Londër Saferworld tha se Londra thjesht po kërkon të krijojë bindjen që nuk ia arriti t’i ndajë dyshimet e saj me Sarajevën.

I pyetur përse Mbretëria e Bashkuar mund ta ketë refuzuar licencën, Isbister tha për BIRN se ‘’shpjegimi më i kapshëm është se Mbretëria e Bashkuar mund t’i frikësohet tërheqjes së vëmendjes së aktorëve jo-shtetërorë që Arabia Saudite dhe SHBA – i mbështet në konfliktet aktuale në Lindjen e Mesme”.

Disa nga plumbat e porositur nga autoritetet saudite nuk u përdorën gjerësisht nga forcat e saj, por tej mase nga fushëbetejat në Siri dhe Jemen. Ato përfshinë 15 milionë plumba për armë AK47 (Kallashnikov).

10 milionë plumba të tjerë 5.56x45mm në porosi janë sipas standardit të NATO-s dhe mund të përdoren nga forcat saudite, por janë gjithashtu në përputhje me pushkët bullgare AR-M9 me të cilat u furnizuan ushtarët e Jemenit nga aleati i Arabisë Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe në 2015, sipas ekspertit të armëve Xheremi Bini nga Jane’s Defence Weekly, me bazë në Londër.

Në mes të 2015-ës, një video e shfaqi atë që dukej si lëshim nga ajri i municioneve nga koalicioni ushtarak udhëhequr nga Arabia Saudite në Jemen, përfshirë predha të mortajave, qartazi të shënuara si prodhim i një fabrike shtetërore të Serbisë në 2012.

‘’Flamur i madh i kuq’’

Departamenti i Mbretërisë së Bashkuar për Tregti Ndërkombëtare tha se ky ishte rasti i parë që kishte të bënte me përfshirjen e Arabisë Saudite, që Londra kishte refuzuar, pasi kishte miratuar më përpara licencat e ndërmjetësimit për eksportin e një municioni të ngjashëm nga Bosnja në Arabi Saudite me vlerë 10 milionë euro në 2013 dhe 2014.

Isbister tha se refuzimi, bazuar në dyshimet mbi certifikatën e Arabisë Saudite si palë përfituese, mund të shërbejë si një ‘’flamur i madh i kuq për eksportues të tjerë të mundshëm’’, duke përfshirë anëtarë të BE-së dhe vendet e Ballkanit që duan t’i bashkohen bllokut, që kanë bërë para mbi etjen e papritur të Arabisë Saudite për armë të lehta.

Kjo mundet po ashtu t’i ndërlikojë lidhjet tregtare fitimprurëse me mbretërinë e Gjirit, thotë ai.

Vitin e kaluar, Mbretëria e Bashkuar e tejkaloi një sfidë në gjyq nga Fushata Kundër Tregtisë së Armëve rreth vendimit të saj për të miratuar shitjet e armëve britanike në Riad, pavarësisht akuzave për krime lufte në Jemen. Aktvendimi është nën apel.

“Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar kuptoi që zotimet e sauditëve në lidhje me çfarë do të ndodhte me këtë municion janë të pavlera”, tha Isbister.

“Dhe prapëseprapë, në rastin në vazhdim në gjykatë për shitjen e armëve të Britanisë në Arabinë Saudite, qeveria e ka bërë të qartë se ka më shumë besim në pretendimet e sauditëve në sjelljen e mirë të tyre në luftën e Jemenit, sesa në dengun e të dhënave të ofruara nga organizata ndërkombëtare të paanshme, e të respektuara të të drejtave të njeriut dhe OKB-së në të kundërt”.

Të pyetur nëse refuzimi i licencave nga Mbretëria e Bashkuar do të thoshte që certifikatave të Arabisë Saudite si palë përfituese nuk mund t’iu zihej më besë, qeveria u përgjigj: ‘’Jo, Arabia Saudite është një partner tregtar i çmuar për Mbretërinë e Bashkuar. Një certifikatë e palës përfituese është vetëm një element në vlerësimin e një eksporti apo zbatimin e një licence ndërmjetësimi: dispozita e një dokumenti të tillë nuk është garanci për dhënien e një licence’’.

Sarajeva vazhdon të eksportojë municion në Riad. Në 2016, miratoi licenca 52 milionë eurosh për eksport armësh me Arabinë Saudite, sipas një raporti vjetor qeveritar mbi licencat e dhëna.

Ministria Boshnjake e Tregtisë së Jashtme tha për BIRN se nuk ishte e vetmja që i shiste armë Riadit. ‘’Një numër domethënës i shteteve të BE-së miratojnë eksportin e mallrave nga Lista e Përbashkët e Armëve dhe Pajisjeve Ushtarake në Arabi Saudite’’.

I kontaktuar përmes telefonit, ambasadori saudit në Sarajevë, Hani bin Abdullah bin Mohammed Mominah, i kërkoi BIRN-it t’ia dërgonte pyetjet përmes postës elektronike tek ambasada. BIRN nuk mori asnjë përgjigje nga pyetjet e dërguara që nga koha e publikimit.

Kutia: Municion serb ‘’u lëshua nga ajri’’ në Jemen

Në maj të 2015-ës, një sërë ueb-faqesh të lajmeve në Jemen publikuan pamje në video dhe foto të materialeve të pretenduara të lëshuara nga ajri nga një koalicion ushtarak i udhëhequr nga sauditët te ndërmjetësit e tyre në Jemen.

Fotot dhe videot, të cilat i janë ofruar BIRN-it nga Reporterët Arabë për Gazetari Hulumtuese, shfaqin kuti municionesh të lidhura me parashutë. Shenjat në këto kuti zbulojnë se përmbajnë predha mortajash 60mm të prodhuara në fabrikën shtetërore të Serbisë, Krusik, në 2012-ën.

Krusik tha që ia kishte shitur pikërisht atë sasi ‘Zastavës’, një tjetër fabrikë shtetërore serbe të armëve. ‘Zastava’ dhe Ministria e Tregtisë në Serbi nuk iu përgjigjën kërkesave për komente.