Foto: Arkiv

Bota e ndarë për Jerusalemin e ndarë

Deklarata e Presidentit të Shteteve të Bashkuara Donald Trump në dhjetor, që do ta zhvendoste ambasadën amerikane nga Tel Aviv në Jerusalem, nuk kaloi pa vërejtje nga Kombet e Bashkuara. Vetë zhvendosja nënkuptonte shkelje të konsensusit ndërkombëtar prej dekadash të tëra.

SHBA e zhvendosi zyrtarisht ambasadën e saj në Izrael nga Tel Aviv-i në Jerusalem të hënën, në datën që përkonte me themelimin e Izraelit si shtet më 14 maj 1948, duke shënjuar kështu 70-vjetorin e krijimit të këtij shteti.

Çudi që përkundrejt këtij rasti, hapja e ambasadave simbolizon diplomacinë dhe paqen.

Të paktën 58 palestinezë janë vrarë dhe më shumë se 2700 janë plagosur në protestat që vijuan gjatë dhe pas ceremonisë së hapjes në Jerusalem, duke e bërë këtë ditë më vdekjeprurësen që nga lufta e Gazës në 2014. Rreth 40,000 palestinezë protestuan në 13 vendndodhje të ndryshme duke djegur goma, duke gjuajtur me gurë dhe duke lëshuar balona në zjarr.

CNN shkruan se tanimë Jerusalemi dhe Gaza janë një botë larg njëra-tjetrës. Ndërkaq në Jerusalem flamujt amerikanë dhe izraelitë ishin shfaqur nëpër muret e qytetit të vjetër me mesazhin: ‘’Faleminderit Presidenti Trump’’. Ndërsa në Gaza, gazi lotsjellës, përzier me tymin djegës nga gomat u hodhën nga dronët izraelitë në përpjekje për të shpërndarë turmat që i ishin drejtuar kufirit mbrojtës. Në Jerusalem, Presidenti Donald Trump me anë të një mesazhi u përshëndet në emër të SHBA-ve si partner për ‘’lirinë dhe paqen’’.

Ky vendim i Trump, për të hapur ambasadën e SHBA-ve në Jerusalem është i çmendur, kriminal dhe provokues, shkruhet në Russia Today.

Vendimi i Uashingtonit për të hapur ambasadën në Jerusalem, në fakt është një vendim i marrë që në vitin 1995. Presidentët Klinton, G.W. Bush dhe Obama e vonuan këtë lëvizje me qëllimin e mbikëqyrjes së progresit të paqes, shkroi Finian Cunningham.

Benjamin Netanjahu, kryeministri i Izraelit i thuri lavde Donald Trump-it pasi ‘’e bëri Izraelin përsëri madhështor’’ dhe bëri thirrje po ashtu që shtete të tjera të ndiqnin të njëjtin shembull e t’i zhvendosnin ambasadat e tyre nga Tel Aviv në Jerusalem, veprim ky që sipas tij do sillte paqe.

Sipas Jerusalem Post, iniciativa e Trump-it është e natyrshme, logjike dhe morale. Ajo përmban në vete qëllim biblik, ku drejtësia dhe ajo çka u takon hebrenjve, po iu jepet ashtu siç iu ishte premtuar dikur: legjitimimi i shtetit hebre dhe kryeqytetit të tij.

Paradoksi këtu qëndron se përtej fjalëve si ‘paqe’, ‘lehtësim’, ‘madhështi’ etj. realiteti është krejt i kundërti dhe se shanset për t’i arritur janë shkatërruar tashmë. Megjithatë kjo javë për Izraelin qe e lavdishme edhe nga fitorja e Eurovizionit dhe se dy shtete të tjera do i zhvendosin ambasadat e tyre, përkatësisht Guatemala dhe Paraguai dhe nuk përfundon me kaq. Një vizitë mbretërore e Princit Uilliam pritet muajin tjetër, e para kjo në 70 vite.

Netanjahu sakaq e mbron aksionin ushtarak nën deklaratën se çdo shtet ka për detyrë të mbrojë kufijtë e vet dhe se organizata terroriste Hamas ka për qëllim shkatërrimin e Izraelit dhe në këtë rast “jemi më se të vendosur për të mbrojtur sovranitetin dhe qytetarët tanë”. Një zëdhënës i Forcave Izraelite të Mbrojtjes (IDF) deklaroi se forcat e armatosura kanë shtënë zjarr mbi personat që kryenin aktivitete terroriste dhe jo tek demonstruesit, ku këta të fundit janë shpërndarë nëpërmjet gazit lotsjellës, sipas rregullores.

Izraeli fajëson Hamasin për nxitjen dhe ndezjen e protestës deri në veprime terroriste, pasi kishte thënë që ushtria do të përdorte armë të vërteta vetëm në rast ekstrem dhe se përkundrazi do të përdorte vetëm gaz lotsjellës e bombola me ujë të thjeshtë për të shpërndarë turmat. Afrimi i palestinezëve drejt kufijve e ka përshkallëzuar situatën mes jetës dhe vdekjes.

Me sa është raportuar, mes numrit të viktimave dhe të plagosurve ka pasur edhe fëmijë, madje edhe një person me aftësi të veçanta.

Presidenti palestinez Mahmud Abas nën thirrjen: ‘’Përsëri sot vazhdojnë masakrat ndaj popullit tonë’’, shpalli tri ditë zie duke e quajtur ditën e përgjakshme ’Nakba’ që do të thotë ‘Katastrofë’. Ndërsa Riad Mansur, përfaqësuesi i Palestinës në Kombet e Bashkuara tha për reporterët se nuk ka shanse që Palestina t’i bashkohet një procesi të paqes, udhëhequr nga SHBA.

Veprimet e Izraelit u dënuan rëndë nga Mbretëria e Bashkuar, Franca, Gjermania, Turqia, Libani dhe të tjera shtete. Bota ka reaguar në mënyra të ndryshme mbi këtë ngjarje. Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Razh Shah ka akuzuar Hamas-in për provokim dhe përgjegjësi të plotë për vdekjet tragjike. Kuvajti hartoi një deklaratë për të bërë thirrje për hetim të pavarur duke shprehur ‘’mllef dhe pikëllim’’, por u bllokua nga SHBA. Mbretëria e Bashkuar shprehu se numri i lartë i viktimave është tej mase shqetësues andaj u bën thirrje protestuesve të veprojnë qetësisht. Gjermania u shpreh ndërkohë se Izraeli ka të drejtë të mbrojë veten, por duhet ta bëjë në mënyrë proporcionale. Presidenti francez Emanuel Makron e dënon dhunën e ushtrisë izraelite. Turqia ndërkaq shprehu se SHBA ndan përgjegjësinë me Izraelin për këtë ‘’masakër të turpshme’’ dhe ka tërhequr diplomatët nga Tel Aviv. Të njëjtën gjë ka bërë edhe Afrika e Jugut.

Përse Jerusalemi është pika më e ndjeshme apo vendi ku ndizet alarmi i kuq sa i përket marrëdhënieve izraelite-palestineze?

Jerusalemi është zemra e tre besimeve monoteiste, përkatësisht Krishterimit, Judaizmit dhe Islamit. Ndër qytetet më të vjetra të botës, i pushtuar, i shkatërruar e i rindërtuar sa herë, ai mbetet Toka e Shenjtë për të tre besimet dhe zanafilla e tyre që nga profeti Abraham.

Përgatiti: Lorena Beshello