Rexhe Tajip Erdogan dhe Bakir Izetbegoviq në Sarajevë. Foto: Bakir Izetbegoviq/Facebook

Bosnja duhet të ketë kujdes nga ‘Sulltani’ i Turqisë

Tubimi pompoz elektoral i presidentit turk Rexhep Taip Erdogan në Sarajevë këtë të diel, ishte një shfaqje e menaxhuar me kujdes, e llogaritur për të qenë e frytshme si për Erdogan ashtu edhe për mikpritësin e tij, anëtarin boshnjak të presidencës tri-partiake të Bosnjës, Bakir Izetbegoviq.

Për Erdogan-in, ende të lënduar ngase Gjermania dhe Austria ia prenë krahët në mënyrë të turpshme, kjo vizitë qe një mundësi për të demonstruar forcën dhe vendosmërinë e politikës së tij të jashtme, sidomos në Ballkan dhe Kaukaz, ku BE dhe SHBA kanë ende njëfarë interesi strategjik dhe të cilat Ankaraja mund t’i baltosë.

Madje duke e modeluar veten si “Sulltan” i kohëve të fundit, duke ndërmendur lidhjet e vjetra Osmane mes këtyre rajoneve, që veç rastësi nuk mund të quhet.

Për Izetbegoviq, ndërkaq, vizita qe një mundësi për të rrëmbyer mbështetje për Partinë për Veprim Politik (SDA), e cila deri më tani ka pasur vetëm rrjedhje anëtarësh dhe është në periudhën e saj më të keqe të krizës që nga themelimi në vitin 1990.

Nuk ish aspak rastësi që Izetbegoviq u duk si asgjë më shumë se një vasal i përulur i Erdoganit dhe megalomanisë së tij në kërkim të pushtetit dhe prestigjit në “rrethinat” e Turqisë, apo mizërisë së ithtarëve të SDA-së, që iu bashkëngjitën mijëra turqve që nga Europa Juglindore në arenën Zetra për të parë duetin magjik.

Përtej euforisë, Bosnjës i është shkaktuar një dëm tejet i rëndë sa i përket imazhit të saj ndërkombëtar dhe institucioneve të dobëta demokratike të shtetit.

Nëse ndokush në këtë establishment politik të ashtuquajtur pro-boshnjak nuk guxon ta shprehë apo pranojë, Erdogan është një autokrat.

Nën zaptimin e tij, Turqia është kthyer në një shtet jo-demokratik, një vlerësim ky i shpërndarë nga çdo organizatë mbikëqyrëse në botë, pa përmendur këtu konsensusin akademik.

Çka mund t’i ofrojë Bosnjë Hercegovinës ky regjim? Qeveria e tij investon më shumë në Serbi sesa në Bosnjë dhe lidhjet e tij me BE dhe NATO janë një katrahurë.

Turqia njihet tani për tani nga komuniteti ndërkombëtar si shtet ku mijëra gazetarë, akademikë, studentë, avokatë, mjekë dhe një sërë civilësh të pafajshëm mbahen nën arrest pa gjyq për veprime dhe role të fantazuara për tentativën e grushtit të shtetit të vitit 2016.

Është po ashtu një qeveri që ka nisur të “zhdukë” njerëz madje edhe në Ballkan – ndërsa në Sarajevë solli markën e saj tipike që është censura e medias.

Një regjim i këtillë mundet të jetë vetëm një pengesë për Bosnjën, e cila është vetë në mëshirën e fatit nën një klimë ndërkombëtare gjithnjë e më shumë armiqësore. Në fakt është e qartë që pjesa më e madhe e mbështetjes apo tolerancës për Erdogan në Sarajevë vjen nga përkrahja e supozuar e qeverisë së tij për sovranitetin dhe integritetin territorial të Bosnjës.

Por le ta hulumtojmë këtë mbështetje pak më seriozisht.

Alfa dhe omega e sigurisë së Bosnjës është pranimi i saj në NATO. Ky është më së largu prioriteti strategjik më urgjent i vendit, edhe më tepër sesa reforma kushtetuese e anëtarësimi në BE.

Ku është pra avokimi i Erdogan-it për anëtarësimin e Bosnjës në NATO përtej premtimeve boshe të bëra herë pas here? Marrëdhëniet e vetë Ankarasë me aleatët e saj në NATO janë bërë kaq të tendosura, saqë tani mund të krahasohet me një “martesë të palumtur”.

Ndërsa Turqia zor se e lë NATO-n si rezultat i kësaj lidhjeje të tendosur, qeveria e Erdogan-it nuk është më e pëlqyeshme nga kryeqytetet perëndimore. Kjo në mënyrë jo të drejtpërdrejtë e rrezikon Bosnjën.

E kundërta me këtë linjë logjike është se po këto kryeqytete perëndimore kanë bërë një vesh të shurdhër ndaj shqetësimeve të Sarajevës mbi politikat e ndezura nacionaliste të serbëve dhe kroatëve boshnjakë.

Vetëm dy ditë para mbërritjes së Erdogan-it, policia e kantonit të Neretvas në Hercegovinë, në favor të Unionit Demokratik Kroat HDZ, orkestroi një veprim të rrezikshëm kundrejt autoriteteve shtetërore mbi një grup emigrantësh të cilët po zhvendoseshin nga Sarajeva në periferitë e Mostarit.

Këto shqetësime qëndrojnë. BE dhe SHBA kanë luajtur rolin e shërbëtores, duke mos i kushtuar shumë vëmendje faktit që HDZ po pengon përpjekjet për reforma, siç nuk janë lëkundur aspak kur kërcënohej integriteti i marrëveshjes së paqes Dejtonit të vitit 1995 nga tendencat separatiste të Milorad Dodik, president i entitetit Republika Srpska.

Por përgjigjja e partive dhe lëvizjeve kushtuar paqes dhe sigurisë së Bosnjës nuk duhet të jetë ajo që të turremi në krahët e një autoritari dashamirës sa për emër.

Për një gjë, kjo i komplikon përpjekjet për t’i zmbrapsur ndërhyrjet e vazhdueshme të Rusisë në politikat vendore të Bosnjës, veçanërisht, mbështetja që i bën Kremlini Dodik-ut dhe qeverisë së tij jo-liberale.

Për tjetër, kjo stimulon të djathtën ekstreme tanimë në rritje e sipër në BE, e cila s’do gjë më tepër sesa ta kundërshtojë aspirimin e dyshimtë të Bosnjës për anëtarësim në BE, duke pretenduar që vendi është vatër e radikalëve të islamit.

Pikëpamjet e vizitës së Erdoganit në Sarajevë, shkurtimisht, ishin të tmerrshme.

Ky pretendim mund të shkaktojë indinjatë por realiteti është se Bosnja është një organizëm politik me pak aleatë të vërtetë.

BE-ja është e paefektshme dhe SHBA është në mes të një krize kushtetuese. Megjithatë, lidhja me këto shtete, me gjithë defektet dhe indiferencën e tyre acaruese, prapëseprapë i ofrojnë Bosnjës shansin më të mirë për mbijetesë.

Winston Churchill kishte të drejtë: “Demokracia është forma më e keqe e qeverisjes – përveç të gjitha të tjerave”. Interesi i vërtetë jetik kombëtar i Bosnjë-Hercegovinës është të jetë një shtet i vërtetë liberal demokrat.

Kjo nënkupton që vendi i saj është në një linjë me dy blloqet më të fuqishme demokratike në botë, BE dhe SHBA dhe në paktin e sigurisë që i lidh ata, NATO.

Nëse Turqia i kthehet ndonjëherë sedrës demokratike, marrëdhëniet e saj me Bosnjën mundet dhe duhet të forcohen.

Por vetëm mbi këtë kusht: mbi respekt të ndërsjellë për demokracinë, të drejtat e njeriut, dhe sundimit të ligjit. Gjithçka tjetër është pengesë dhe kërcënim për të ardhmen e Bosnjës dhe Hercegovinës.