Komuna e Zveçanit

Bosi i Tenderëve të Veriut

Ndërsa komunat e veriut kanë filluar vetëm kohët e fundit të respektojnë kriteret e prokurimit publik të Kosovës, një biznesmen është ngritur mbi çdo tjetër, sa i takon përzgjedhjes si fitues shumicës së tenderëve për disa komuna.

Kompania RAD e Radule Steviq nga Zveçani, është firma më e suksesshme në përfitimin e tenderëve publikë, duke rezultuar praktikisht e pakonkurrueshme në një sërë garash të prokurimit publik.

Komunat e Veriut, Mitrovica e Veriut, Zveçani dhe Zubin Potoku në vitin 2015 janë integruar plotësisht për shfrytëzimin e buxhetit, duke shpenzuar mjetet përmes Procedurave të Prokurimit, por jo duke e respektuar Ligjin për Prokurim Publik sikurse të gjitha komunat tjera.

Këto tri Komuna kanë iniciuar procedura të prokurimit që nga viti 2008, por deri në vitin 2014 kanë përdorur fare pak tenderime.

Gazeta JNK pati raportuar se komuna e Zveçanit diskriminon bizneset që të konkurrojnë në tenderë duke vënë si kriter në dosjen e tenderit përvojën e punës në komunat veriore të Kosovës.

Tenderët Politikë që Konfirmojnë Ndarjen e Kosovës

Ky vit rezultoi të jetë i suksesshëm në zhvillime infrastrukturore për këto tri komuna, Mitrovica e Veriut nga 77 tenderë të kontraktur, 38 tenderë apo 49% i ka tenderë për punë me 2.8 milionë euro, nga 4.2 milionë sa i ka kontraktuar në total.

Komuna e Zveçanit nga 33 tenderë të kontraktuar, 22 tenderë apo 67% i ka për punë me 2.9 milionë euro, nga 3.3 milionë sa i ka kontraktuar në total.

Kurse Zubin Potoku nga 56 tenderë të kontraktuar, 26 tenderë apo 46% i ka tenderë për punë me 2.7 milionë euro nga 3.4 milionë sa i ka kontraktuar në total.

Por kush po e ndërton Mitrovicën e Veriut, Zveçanin dhe Zubin Potokun, cila kompani po i merr këto miliona nga tri Komunat?

Kompania RAD e Radule Steviq nga Zveçani është përfituese e kontratave më të mëdha në këto tri komuna. [easy-tweet tweet=”Në Mitrovicën e Veriut, Radule Steviq në vitin 2015, fitoi 23 tenderë nga 33 sa ishin për punë me €2.6 milion” ]

Tenderët e fituar në Mitrovicën e Veriut
Tenderët e fituar në Mitrovicën e Veriut

E kontaktuar nga Gazeta JNK në lidhje me gjithë këta tenderë të dhënë për kompaninë “RAD”, Komuna e Mitrovicës Veriore dha shpjegimin e saj.

“Të gjitha procedurat e tenderimit janë në pajtim me ligjin, arsyeja pse kompania “RAD” ka më së shumti kontrata të nëshkruara është se kjo kompani gjithmonë konkurron me dokumentacion të rregullt, është kompania me ofertën më të lirë, i cili njëherësh është edhe kriter për dhënie të kontratës,” thuhet në e-mail.

Në shtëpinë e tij në Zveçan, Radule Steviq fitoi 20 tenderë nga 22 sa ishin për punë me 2.6 milionë euro, por nuk la pa fituar edhe 5 kontrata të furnizimeve në vlerë prej 200 mijë eurove.

Tenderët e fituar në Zveçan
Tenderët e fituar në Zveçan

Ndërsa në Zubin Potok, Radule Steviq fitoi më pak tenderë në vitin 2015 se në dy komunat tjera të Veriut. Ai kontraktoi 7 tenderë të punëve publike me vlerë 1.2 milionë euro nga 22 sa ishin në total.

Tenderët e fituar në Zubin-Potok
Tenderët e fituar në Zubin-Potok

Nëse i mbledhim komunat e Veriut në total, kompania RAD ka kontraktuar 50 tenderë për punë me 6.4 milionë euro.

Në Zveçan prej 20 tenderëve, kompania RAD kishte konkurruar në 12 sosh me konsorcium, por si person kontaktues në secilin formular figuronte Radule Steviq.

Kundërshtimet e dyshimta të AKK-së

Më 12 dhjetor 2015, Agjencia Kundër Korrupsionit (AKK) publikoi një opinion kritikues ndaj kompanisë RAD në konsorciumin me kompaninë “ABC” nga Podujeva.

AKK-ja i cilësoi kompanitë si operatorë ekonomikë të papërgjegjshëm për t’u shpërblyer me tender për kontratën “Asfaltimi i rrugës lokale në Zhitkovc (Denoviç-Trafostacioni)”

Agjencia pati vërejtje për referencat e RAD, duke thënë se ishin prezantuar 24 kontrata të realizuara me komunat paralele të Serbisë në Kosovë të cilat operojnë ilegalisht në Kosovë.

Sipas AKK-së, Komuna e Zveçanit nuk duhej ta shpërblente RAD me tender, me referenca të tilla, sepse strukturat paralele nuk kanë dhënë kontribut në buxhetin e shtetit i cili financohet nga komuna.

AKK-ja ka kritikuar edhe kriteret përjashtuese të Komunës së Zveçanit, pasi kjo komunë këmbëngul me kriterin e dhënies së tenderit vetëm kompanive që kanë përvojë në komunat e Veriut të Kosovës.

Për këto kritere diskriminuese pati raportuar  Gazeta JNK.

Komuna e Zveçanit Vazhdon të Diskriminoj Bizneset

Gazeta JNK kontaktoi Komunën e Zveçanit për ta pyetur pse janë vënë kritere diskriminuese në dosjen e tenderëve si dhe pse kompania “RAD” ka më së shumti tenderë të punëve.

Komuna e Zveçanit  është përgjigjur se qëllimi i saj nuk ka qenë diskriminimi, por dëshira për t’u dhënë rast kompanive nga veriu

“Siç e dini viteve të fundit kompanitë nga komunat e veriut nuk kanë pasur mundësi të marrin pjesë në tenderë për shkak të ligjeve dhe gjendjes politike të Kosovës si dhe shkëputjes së bashkëpunimit me institucionet e Kosovës,” thuhet në e-mailin e Komunës së Zveçanit.

Kjo komunë si shembull që nuk është diskriminuese ka përmendur konsorciumet e kompanisë RAD me operatorë tjerë ekonomikë nga tërë territori i Kosovës.

Edhe Komuna e Zveçanit si ajo e Mitrovicës Veriore tenderët e shumtë për kompaninë RAD i arsyeton me çmimet më të lira të saj në raport me konkurrentët tjerë ekonomikë, por edhe me aplikimin e RAD në të gjithë tenderët komunalë.

Është e paqartë nëse Agjencia Kundër Korrupsion ka të drejtë të kritikojë mungesën e kontributit të strukturave paralele në shtetin e Kosovës, duke konsideruar si të papërgjeshme kompanitë që kanë punuar për to.

Për të kuptuar nëse AKK-ja ka pasur të drejtë të japë një opinion të tillë duke vlerësuar gjendjen politike dhe strukturat paralele të Serbisë, gazeta JNK kërkoi opinionin e ekspertëve të fushës së prokurimit.

Asnjë ekspert nuk mori përsipër të komentojë mbi ligjshmërinë dhe relevancën e vlerësimit të AKK-së.

Por, Agim Sheqiri, ekspert i prokurimit dhe ligjërues i zyrtarëve të zyrave të prokurimit i tha gJNK se referencat vlejnë për të dëshmuar aftësinë teknike dhe profesionale të operatorëve ekonomikë që konkurrojnë për një kontratë publike.

Sipas ekspertit, në procedurat për dhënien e kontratës publike për projekte të punëve ose realizimin e aktiviteteve ndërtimore, autoriteti kontraktues mund të kërkojë nga operatorët ekonomikë të sigurojnë të dhënat me të cilat dëshmohet aftësia e tyre teknike dhe profesionale.

“Për kryerjen e projekteve të tilla, referencat hyjnë në kuadër të kritereve të përzgjedhjes, çka do të thotë se janë obligative të përmbushen nga këta operatorë, në mënyrë që të shpallen të përgjegjshëm, në të kundërtën duhen eliminuar”, tha Sheqiri.

Sa vlejnë referencat e RAD?

Gazeta JNK kërkoi interpretim ligjor nga Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik (KRPP) për referencat, konkretisht çka llogaritet referencë dhe se cilat referenca duhet të merren parasysh nga sektori jopublik.

“Referencë nënkuptohet, dëshmi me shkrim të lëshuar nga Autoriteti Kontraktues për Operatorin Ekonomik implementues të kontratës për performancën e kryerjes së implementimit të kontratës, bazë për lëshimin e referencës duhet të jetë raporti i pranimit përfundimtar të projektit nga Autoriteti Kontraktues,” thuhet në email.

E cilat referenca lejohen nga sektori jopublik KRPP-ja u përgjigj se ligjërisht nuk ekziston një dallim specifik.

“Ligji i Prokurimit Publik (LPP) nuk bën dallimin në mes te referencave të institucioneve publike dhe atyre private”, por LPP këtë e përmend vetëm te neni 69 paragrafi 2.1.

Në këtë nen thjesht specifikohet se lista e dokumenteve që u referohen disa shërbimeve, ndryshon sipas rastit kur bëhet fjalë për institucione publike apo private, por nuk prek në thelb dallimin mes referencave.

Sheqiri tha se referenca është kriter vlerësues dhe si e tillë duhet të respektohet, dhe nuk mund të merren për bazë vetëm referencat e punëve të kryera për sektorin publik por edhe ato relevante për sektorit privat.

“Te ne është vendos një praktikë që referencat vlejnë vetëm prej sektorit publik… bazuar në direktiva referencat janë të vlefshme apo të barasvlershme edhe prej sektorit privat”, tha Sheqiri.

Kompania RAD nuk mund të ketë referenca nga sektori publik për asnjërin tender të fituar, sepse në vitin 2015 ka hyrë në skemën e tenderëve duke ofertuar punë për komunat e Veriut nga buxheti i Kosovës.

Si biznes individual në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve, RAD është regjistruar më 4 prill 2013.

Steviq: Jam integruar në Kosovë

Gazeta JNK kontaktoi Radule Steviqin e kompanisë RAD nga Zveçani për të marrë opinionin e tij për tenderët e fituar.

Radule Steviq përmes telefonit na shpjegoi se kompania e tij RAD është e regjistruar si biznes individual në Kosovë që nga vitin 2012 dhe për punët të cilat ai i kontrakton nuk ka konkurrencë.

“Kompaninë RAD si kompani individuale e kam themeluar në vitin 2012, jam kompania më e madhe për asfaltim dhe rindërtim në regjionin ku jetoj, nuk kam konkurrencë sa i përket cilësive të punëve që i ofroj, kjo është një arsye që unë i fitojë tenderët”, tha Steviq për gJNK.

Ai tha se gjithashtu, është integruar në të gjitha institucionet e Kosovës, paguan tatim në Kosovë, punëtorët i ka nga Kosova “për dallim nga kompanitë e tjera serbe, të cilat nuk dëshirojnë të integrohen”.

Lidhur me opinionin e AKK-së për referencat e strukturave paralele, Steviq tha se nuk e di çka AKK-ja konsideron struktura paralele.

“Kam dëgjuar për këtë agjenci, por nuk po e di cilin opinion e kanë dhënë mbi referencat e punëve të mia”, tha Steviq.

Pronari i RAD tha se ka punuar me organizata të huaja dhe se gjithmonë ka punuar në zonën ku jeton, në një sërë punësh ndërtimore me karakter publik.

Kompania RAD, e cila në vetë fjalët e Steviq ka krijuar monopol në marrjen e tenderëve në Komunat e Veriut, është e pandalshme.

Vërejtje nga Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP) nuk mund të ketë përderisa nuk paraqiten ankesa pranë këtij organi për shkelje ligjore.

Ndërsa KRPP-ja nuk ka kompetenca ta parandalojë diçka të tillë, përderisa Autoriteti Rregullativ i Konkurrencës, i cili duhet ta rregullojë konkurrencën dhe të ndalë rastet e monopolit, nuk funksionon që nga viti 2012 për mungesë të bordit.

Qeveria Lejon ‘Paralizimin’ e Anti Monopolit

[interaction id=”56d7f5674ab46a010367f12c”]