Prizreni. Foto: Atdhe Mulla

Borxhet që rrezikojnë falimentimin e Prizrenit

Rreth 2 milionë euro pagesa janë kryer nga Komuna e Prizrenit si obligime.

Gjatë vitit 2017 komuna është paditur për shuma të konsiderueshme të obligimeve, ku mbi 2 milionë euro  janë kryer pagesa direkt nga thesari dhe përmes vendimeve gjyqësore.

Zyra Kombëtare e Auditimit në raportin vjetor për këtë komunë vlerëson se ekziston një rrezik i madh i humbjes enorme financiare për shkak të kontesteve gjyqësore.

“Për më tepër afro 3 mijë lëndë janë në procese të procedurave gjyqësore. Nëse paditë gjyqësore vendosen në favor të operatorëve, organizata pritet të ketë pasoja të rënda financiare”, thuhet në raport.

Ndonëse me probleme të tilla financiare, Komuna e Prizrenit sipas auditorit nuk ka arritur të ekzekutojë si duhet buxhetin për investime kapitale.

Ekzekutimi i buxhetit te investimet kapitale është në nivel të ultë (86%), shpenzimi nuk e arrin madje as buxhetin fillestar edhe pse kishte rritje të buxhetit final

Po ashtu ekzekutimi i buxhetit tek mallrat dhe shërbimet është në nivel të ultë (78%) dhe dinamika e realizimit nuk është në harmoni me planifikimet, sepse 49% e shpenzimeve janë realizuar në tremujorin e fundit të vitit, po ashtu shpenzimi nuk e arrin madje as buxhetin fillestar.

“ Si pasojë e dobësive në planifikimin dhe realizimin e projekteve fondet nga të hyrat vetjake në vlerë 3,229,708€ janë bartur si të pa shpenzuara. Për me tepër, edhe përkundër suficitit obligimet e pa paguara kanë arritur në nivel domethënës”, thuhet në raport.

Prizreni kishte gabuar në kategorizimin e shpenzimeve komunale.

Shpenzimet për mallra dhe shërbime si dhe subvencione në vlerë 1,651,787€, ishin buxhetuar, realizuar dhe raportuar gabimisht nga kategoria e investimeve kapitale. Këto mjete ishin shpenzuar kryesisht për kontratat: Grumbullimi dhe menaxhimi i mbeturinave; Fshirja dhe larja e rrugëve; Furnizimi i fermerëve me foli plastike; Sigurimi fizik i objektit; Transportimi i mësimdhënësve; Eliminimi dhe vaksinimi i qeneve endacak etj.

Sipas komunës keq-klasifikimet janë pasojë e buxhetit të kufizuar për mallra dhe shërbime e të cilat janë të domosdoshme, andaj edhe janë aprovuar me ligjin e buxhetit.

Por sipas auditorit pavarësisht arsyetimeve të prezantuara, sipas standardeve të kontabilitetit të sektorit publik këto shpenzime nuk plotësojnë kriteret për tu trajtuar si kapitale.

Komuna kishte pësuar dëme financiare edhe nga operatorët ekonomikë që kishin shqiptuar gjoba lidhur me vonesat e pagesavëe nga komuna.

“Nga 600,000€ të ndara me ligjin e buxhetit për vitin 2017, për projektin “Ndërtimi i impiantit të ujërave të zeza në Vlashnje”, komuna ka transferuar 593,290€ tek KRU Hidroregjioni Jugor sipas marrëveshjes, prej të cilave 387,078€ janë paguar gjobë, të shqiptuar nga OE për shkak të vonesave për kryerjen e obligimit me kohë, ndërsa pjesa tjetër prej 206,212€ kanë mbetur në xhirollogarinë e KRU Hidroregjionit Jugor si masë e nevojshme shtesë për sigurimin e projektit”, thuhet në raport.

Në raport përmenden arsyet e zyrtarëve komunalë për vonesat e bëra që rezultuan me kosto shtesë financiare.

“Kostoja e këtij projekti sipas vlerësimit themelor ka qenë rreth 20.5 milion€, prej të cilave 12 milion€ do të financohet nga Banka Gjermane për Zhvillim (Kfë). Gjatë vitit 2016, financuesi gjerman, kishte njoftuar komunën për vonesat në zbatim të projektit dhe për shpenzimet shtesë (me më shume se katër vite, pas nënshkrimit të marrëveshjes, shtator /2011). Sipas zyrtareve të komunës vonesat në shpronësim kanë ardhur si pasojë e mungesës së bordit të AKP-së”, thuhet në raport.

Sipas raport nga 28 pagesat në vlerë prej 467,496€ të kryera direkt nga thesari në bazë të vendimeve gjyqësore dhe përmbaruesit privat, vetëm për shpenzimet administrative dhe shpenzime tjera përmbarimore janë paguar 41,937€. Një ndër arsyet e një dukurie të tillë sipas auditorit ishte lidhja e kontratave më OE ende pa u siguruar fondet e nevojshme.

Auditori paralajmëroi se vonesat në zbatimin e marrëveshjeve si dhe kryerja e pagesave për gjoba nga kategoria e investimeve kapitale rrit rrezikun që mjetet e planifikuara të buxhetit aktual të mos shkojnë në të mirën e qytetareve.