Logo e NP KRU" Prishtina"

Bordi i KRU “Prishtina” e emëron kundërligjshëm Zëvendës Kryshefin

Bordi i Ndërmarrjes Publike Rajonale të Ujësjellësit “Prishtina” ka vendosur që kundërligjshëm ta bëjë zëvendëskryeshef Kujtim Xhelilin.

Pa asnjë procedurë të rekrutimin dhe pa hapur konkurs, bordi i drejtorëve të ndërmarrjes rajonale të Ujësjellësit “Prishtina” kanë vendosur që ta emërojnë Kujtim Xhelilin në pozitën e zv.drejtorit.

Ky vendim i borit bie ndesh me Ligjin për Ndërmarrjet Publike, kryesisht neni 21, pika 4.

“Për përzgjedhjen së personave për emërim si zyrtarë të NP-së, Bordi i Drejtorëve duhet të kryejë një procedurë të hapur, transparente dhe konkurruese e cila ka për qëllim që të gjitha emërimet të bëhen ekskluzivisht në bazë të meritës”, thuhet në Ligjin për Ndërmarrje Publike.

Pozita e zv.kryeshefit është një pozitë e lartë që i lejohet ndërmarrjeve më të mëdha publike.

Mirëpo, në rastin e Xhelilit, Bordi nuk e ka marrë parasysh Ligjin, por performancen.

Xhelili ka qenë menaxher i njësive operative të Ujësjellësit, kurse në shtator të vitit të kaluar ishte emëruar ushtrues detyre i zëvendës kryeshefit.

Bordi i kësaj ndërmarrje duke u thirr në përformancën e Xhelilit të treguar gjatë kohës sa ka qenë ushtrues detyre e ka marrë vendimin për ta emëruar zëvendës kryeshef, pa ndjekur procedurat e rekrutimit.

Në një bisedë për Gazetën Jeta në Kosovë, Kujtim Xhelili thotë se bordi ka vendosur të ia besoj detyrën për shkak të performancës së tij.

“Unë jam zgjedhur me 2 prill të këtij viti. Prej 12 shtatorit të vitit kaluar kam qenë ushtrues detyre i zëvendës kryshefit. Unë kam qenë menaxher i njësive operative të Ujësjellësit dhe në shtator bordi ka marrë vendim të më emëroj ushtrues detyre dhe tash më 2 prill, pas 6 muajve, si rezultat i performancës më kanë emëruar zëvendës-kryeshef”, tha Xhelili për Gazetën Jeta në Kosovë.

Tutje ai e ka pranuar se nuk ka pasur procedurë të rekrutimin për pozitën e zëvendës kryeshefit, të cilin ai po e mbanë për më shumë se 2 muaj.

“Kjo është jashtë kompetencave të mia, është qëndrim i bordit dhe ka qenë me votim unanim. Konkurs nuk ka pasur, veç vendim ka pasur në mbledhje të bordit”, tha tutje ai.

“Mund të jetë procedurë e konkurrimit, mirëpo unë vendimet e bordit nuk i komentoj”, tha Xhelili për Gazeta Jeta në Kosovë kur iu citua Ligji për Ndërmarrjet Publike, që e specifikon se duhet të ketë procedurë të konkurrimit.

Edhe nga ndërmarrja e thonë se emërimi i Xhelilit është bërë në bazë të performancës.

“Kujtim Xhelili më datë 2 prill 2019 e emërua Zëvendëskryshef i KRU,,Prishtina,, sh.a. me vendim të Bordit të Drejtorëve me vota unanime, dhe kjo u bë si rezultat i performancës individuale duke e ndihmuar kryeshefin në aspektin financiar të kompanisë, me ç’rast Bordi i Drejtorëve pas disa muajve e ka shfrytëzuar Nenin 21 Ligji Mbi Ndërmarrjet Publike duke e emëruar kështu edhe zëvendëskryeshef”, thuhet në përgjigjen e Kompanisë së Ujësjellësit “Prishtina.

Sipas zyrës për media të Ndërmarrjes, Xhelili për periudhën 6 mujore mars 2018 – shtator 2018, kishte treguar performancë të mirë në punë, andaj bordi i drejtorëve, më 12 shtator të vitit të kaluar, me vota unanime kishte vendosur ta emëronte si ushtrues detyre të zëvendës kryeshefit.

Tutje, në përgjigjen e kompanisë, ata i thurin lavde Xhelilit për punën e mirë që e ka bërë në ndërmarrje, e të cilat e kanë shtyrë kryeshefin e Ndërmarrjes që të ia propozoj bordit emërimin e tij si zëvendës kryeshef.

“Duke pasë parasysh angazhimin dhe të arriturat në fushat ku ka marrë përgjegjësi, Kryeshefi Ekzekutiv i propozon Bordit të Drejtorëve më datë 2 prill 2019, që UD i zëvendëskryeshefit të emërohet Zëvendëskryeshef ( me ç’rast Bordi i Drejtorëve duke u mbështetë në Ligin Mbi Ndërmarrjet Publike i cili përcakton përgjegjësitë dhe kompetencat e Bordit të Drejtorëve mbi emërimin dhe zgjedhjet e Zyrtarëve të lartë, andaj BD bazuar në Nenin 21 të këtij Ligji e ka emëruar z.Kujtim Xhelili zëvendëskryeshef )”, thuhet në përgjigjen e Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Prishtina”

Mirëpo, është pikërisht ligji të cilin Bordi i Drejtorëve të kësaj ndërmarrje po e citon, kërkon që zv.kryeshefi të zgjidhet pas një procedure konkurruese.

Pika 4 e nenit 21, përveç që thotë se duhet të ketë procedurë të hapur, transparente dhe konkurruese, thotë se Bordi i Drejtorëve duhet të sigurohet që t’i plotësojnë kushtet e kualifikimit.

“…Bordi i Drejtorëve duhet të sigurojë që të gjithë personat e emëruar si zyrtarë të jenë person me integritet të njohur të cilët (i) i plotësojë kushtet e kualifikimit”, vazhdon pika 4 e nenit 21 të Ligjit për Ndërmarrje Publike.

Kujtim Xhelili edhe më herët kishte qenë pjesë e kësaj Ndërmarrje. Ai që nga 24 dhjetor 2008 deri në shtator 2015 kishte qenë drejtor i Bordit të drejtorëve në KRU “Prishtina”.

Në mars të vitit të kaluar ai ishte zgjedhur Menaxher i Njësive Operative të Ujësjellësit Prishtina.

Ish Kryesuesi Komunal nga PDK, Menaxher në Ndërmarrje Rajonale

Në të kaluarën, Kujtim Xhelili kishte qenë edhe kryesues i kuvendit komunal nga PDK në Shtime në periudhën 2009-2013.

Në një deklarim të mëhershëm për Gazetën Jeta në Kosovë, Kujtim Xhelili e kishte konfirmuar se ka kushëri deputetin e PDK-së, Fatmir Xhelilin, por kishte shtuar se ai nuk ka ndikuar politikisht në punësimin e tij në këtë ndërmarrje.