Bordet si Mundësi e Militantëve Politikë

Brenda këtij muaji Qeveria e Kosovës pritet të emërojë bordet e gjashtëmbëdhjetë ndërmarrjeve publike, që janë pozita shumë të kërkueshme por po ashtu mundësi e ‘rehabilitimit’ të anëtarëve të devotshëm për partitë politike në pushtet.

Konkursi ishte shpallur në fund të tetorit dhe ishte i hapur deri më 30 nëntor për një mandat trevjeçar.

Sekretari i Përhershëm i Qeverisë, Fitim Krasniqi, ka thënë për Gazeta Jeta në Kosovë se janë themeluar 16 komisione rekomanduese për secilën ndërmarrje, me anëtarët e komisioneve që janë zyrtarë të lartë të Qeverisë nga shërbimi civil si sekretarë të përgjithshëm të ministrive, kryeshefa të agjencive ekzekutive, drejtorë të departamenteve si dhe profesorë nga Universiteti i Prishtinës e ekspertë të ndryshëm.

Krasniqi ka thënë se ligji përcakton rregullat dhe kriteret për përzgjedhjen e kandidatëve. Sipas tij, deri më tash kanë aplikuar  mbi 700 kandidatë.

Bordet e ndërmarrjeve publike çdo herë kanë qenë të kritikuara. Të parat që ishin krijuar ndërkombëtaret, kishin shumë drejtorë të huaj. Pastaj filloi edhe kalimi i kompetencave tek vendorët partitë politike të të cilëve i panë bordet si mundësi për të shtrirë ndikimin e tyre duke dërguar aty njerëzit e vet. Kritikat tjera kishin të bënin me mungesën e profesionalizimit brenda bordeve dhe ndonjë herë pagesat e larta. 

Vëzhguesit thonë se rreziku i emërimeve politike nëpër borde kërcënon edhe konkursin e ri. Gjasat e këtij zhvillimi i kishte përmendur javë më parë edhe vet Zëvendëskryeministri Behgjet Pacolli, i cili kishte thënë publikisht se ka një marrëveshje me PDK’në për ndarjen e posteve në bordet e ndërmarrjeve.

Agron Demi, analist politikash në institutin GAP, tha se përveç posteve ministrore, vërehet se bordet e ndërmarrjeve publike përdoren edhe si sektor ku mund të sistematizohen militantët partiakë.

“Ndërsa punësimi i militantëve partiakë i jep mundësi subjekteve politike që të kenë më shumë ndikim në këto ndërmarrje për të shtyrë politikat e tyre. Po ashtu, u jep më shumë mundësi edhe për punësimin e akoma më shumë personave të politizuar në radhët më të ulëta të ndërmarrjes”, tha ai.

Sekretari Fitim Krasniqi thotë se a do të ketë ndryshime në bordet e ndërmarrjeve publike, varet krejt nga vlerësimet që komisionet rekomanduese do të ju bëjnë kandidatëve që kanë aplikuar.

“Në mesin e kandidatëve mund të ketë edhe të tillë që janë anëtarë të partive politike, mirëpo komisionet rekomanduese i kanë kriteret e qarta si dhe rregullat për identifikimin e kandidatëve për drejtor të bordeve të cilat janë të obliguar t’i respektojnë”, tha Krasniqi.

“Ne nuk mund të mohojmë se ka raste kur aplikuesit janë anëtarë të partive politike dhe nuk e deklarojnë përkatësinë partiake dhe nganjëherë është e vështirë identifikimi i tyre sepse komisionet kanë para vetes vetëm dokumentet që ata (aplikuesit) i dorëzojnë”, shtoi ai.

Në bazë të rregullave të përzgjedhjes së kandidatëve në bordet e ndërmarrjeve publike, kandidatët duhet të jenë të paanshëm politikisht. Ato kërkojnë që të paktën 36 muaj para datës së aplikimit, kandidati nuk mund të jetë “1-zyrtar i zgjedhur publik, 2-i emëruar politik ose 3- bartës i një posti udhëheqës ose vendimmarrës në një parti politike”.

Një element tjetër, ka të bëjë me anën financiare.

Në një analizë të institutit KIPRED, thuhet se vendimmarrja e bordit mbi stimulimin monetar të efektshmërisë së vetvetes është qartësisht në problem i madh i konfliktit të interesit.

 “Bonuset shpërndahen pa mbikëqyrje të jashtme, sidomos duke konsideruar se bordi e bën vet vlerësimin e performancës në bazë të së cilës shpërblehet”,  thuhet në analizë.

Sipas ligjit për ndërmarrjet publike përveç honorarit dhe bonusit, bordet e drejtorëve nuk kanë të drejtë të gëzojnë asnjë përfitim tjetër nga këto entitete.

Por në disa raste ndërmarrje si Aeroporti i Prishtinës, Posta dhe Telekomi i Kosovës (PTK) dhe Kompania Rajonale e Ujësjellësit Mitrovica e kishin shpërblyer vetën me të ardhura të barabarta me mijëra paga mesatare të shërbyesve civilë në Kosovë.

Nga një hulumtim i Gazetës Jeta në Kosovë, ka rezultuar se shumë nga drejtorët e deritashëm të bordeve në ndërmarrjet publike ishin politikë ose të lidhur me politikën. Po ashtu, hulumtimi tregoi se pagat dhe mëditjet që marrin drejtorët e këtyre bordeve janë shumë të mëdha sesa mesatarja e pagave në vend. Ndërsa disa drejtorëve të bordit të ndërmarrjeve publike ju punon edhe bashkëshortja në të njëjtat ndërmarrje. 

Bordi i drejtorëve të PTK’së

Pos që ka shumicën e anëtarëve politikë, paguhet shumë mirë, me paga vjetore mbi 17 mijë euro si dhe shtesa për performancën e tyre mbi 10 mijë euro.

Rexhë Gjonbalaj, kryetar, anëtar i degës së PDK’së në Pejë, aksionar në kompaninë RAR. Nga PTK’ja më parë ka qenë deputet në Kuvendin Komunal në Pejë nga PDK’ja. Si anëtar i bordit ka një pagë vjetore prej 17,558.20 euro ndërsa për performancën e tij në punë nga PTK-ja paguhet edhe 11,158.80 euro në vit. Nuk dihet se sa fiton nga aksionet e kompanisë RAR.

Nuhi Ahmeti, përgjegjës i financave në KLMDNJ. Nga PTK-ja si anëtar i bordit paguhet me pagën vjetore prej 17,490.00 euro ndërsa për performancën e tij në këtë ndërmarrje i njëjti paguhet 10,901.00 euro për një vit. Kurse nga KLMDNJ paga vjetore e tij është 4,372.00 euro. Të njëjtit në PTK i punon bashkëshortja e cila po ashtu ka një pagë vjetore prej 10,030.00 euro si dhe merr bonuse për performancën e saj 884.00 euro për një vit.

Gani Sylaj, punon në SHBPK si drejtor ekzekutiv. Si anëtar i bordit ka një pagë vjetore prej 17,814.00 euro, ndërsa për performancën ai paguhet në shumën vjetore prej 10,901.00 euro. Kurse nga kompania ku është drejtorë ekzekutiv paguhet 3,000.00 euro në vjet.

Elmaze Pireva, drejtoreshë në departament të Ministrisë së Punëve të Jashtme, më parë ka qenë zëvendësdrejtoresh e Administratës Tatimore të Kosovës e lidhur me LDK’në. Si anëtare e Bordit të PTK’së nga kjo ndërmarrje ka një pagë vjetore prej 16,005.60 euro ndërsa nga Ministria pagë vjetore merr në lartësi 4,129.00 euro. Mëditjet vjetore nga Ministra e Punëve të Jashtme janë gati sa rroga e saj vjetore 3,891.55 euro.

Qamil Buzhala, nuk punon askund tjetër pos në Bordin e PTK’së, ndërsa në vitin 2007 ka qenë deputet në Komunën e Prizrenit nga radhët e LDK’së. Paga vjetore si anëtar i bordit i paguhet në shumën prej 18,200.00 euro ndërsa për performancën e tij nga PTK’ja paguhet 11,420.00 euro për një vit.
Sahit Surdulli, nuk punon askund tjetër pos në Bordin e PTK’së, ku paga dhe performanca në PTK për një vit i paguhet plotë 26,767.17 euro.

foto
Foto: Petrit Rrahmani

 

Bordi i drejtorëve të KEK’ut

Përbëhet nga anëtarët e LDK’së dhe PDK’së. Ata paguhen nga 850 euro në muaj, ndërsa mbledhjet janë mujore. Anëtarë po  ashtu janë të angazhuar në komitetin për mbikëqyrje.

Fadil Çitaku, punon në minierën e Kishnicës, udhëheqës i planifikimit dhe zhvillimit – kryetar i bordit, anëtar i LDK’së. Nga puna si anëtari bordit të KEK’ut i njëjti ka një pagë vjetore prej 10,200.00 euro ndërsa nga puna që bënë në miniera paguhet me një pagë vjetore prej 5,400.00 euro.

Agim Nika, punon në doganë, udhëheqës i departamentit qendror të Doganave, anëtar i PDK’së. Paga vjetore nga dogana është 6,915.00 euro ndërsa si anëtar i bordit të KEK-ut paga vjetore e tij është 9,744.00 euro.

Flamur Keqa, ekonomist, punon si drejtor departamenti për investime në Ministrin e  Tregtisë dhe Industrisë, anëtar i Komitetit të Auditimit në KEK, lidhje me LDK. I njëjti si anëtar i Bordit të KEK-ut merr një pagë vjetore prej 10,800.00 euro ndërsa nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë paga vjetore e tij është 7,920.00 euro.

Ismail Jonuzi, biznesmen, pronar i një shtypshkronje për materiale administrative e cila kompani është vlerësuar nga ai 350,000.00 euro, po ashtu aksionar me 50% të aksioneve në kompaninë KABE GROUP sh.p.k., i afërt me LDK’në. Si anëtar bordit të KEK’ut ka një pagë vjetore prej 10,800.00 euro ndërsa nga KABE Group merr të ardhura vjetore 6,000.00 euro. Të njëjtit bashkëshortja i punon në një ndërmarrje tjetër publike KUR Prishtina ku paga vjetore e të cilës është 6,000.00 euro.

Izet Ibrahimi, ish- kryetar i komunës se Drenasit,  anëtar i PDK-së, po ashtu i njëjti punon menaxher në Laboratorin e Kontrollimit të Prodhimit LAB në Fushë Kosovë. Si anëtar i bordit të KEK’ut merr një pagë vjetore prej 10,800.00 euro ndërsa si menaxher në LAB merr pagën vjetore prej 9,600.00 euro. Të njëjtit edhe bashkëshortja i punon në KEK, e cila merr një pagë vjetore prej 6,360.00 euro.

Mujë Rugova, Rektor në Universitetin e Prishtinës, njihet si përkrahës i PDK’së. I njëjti si anëtar i bordit të KEK’ut merr një pagë vjetore prej 9,200.00 euro ndërsa si rektor i njëjtit paguhet me pagën vjetore prej 18,000.00 euro.

Bordi i drejtorëve të hekurudhave

Sejdi Hoxha, kryesues i bordit të hekurudhave, njëri i afërt me PDK’në, ish-kryetar i Unionit të Studentëve të UP’së, tash punon edhe si asistent në UP. Paga vjetore që merr si drejtor i bordit në hekurudha është 12,000.00 euro ndërsa si asistent në UP paguhet në shumën vjetore prej 8,040.00 euro.

Halim Peci, punon si menaxher i trafikut në Drejtorin e rrugëve të Kosovës e po ashtu është ligjërues në fakultetin e Inxhinierisë në UP si dhe në një kompani private Preventiva. Paga vjetore e tij si anëtar i bordit të hekurudhave është 7,200.00 euro. Si menaxher i trafikut në drejtorin e rrugëve të Kosovës paga vjetore e tij është 3,000.00 euro, ndërsa si ligjërues në UP nuk dihet se sa e ka pagën vjetore. Kurse nga firma Preventiva i njëjti paguhet me pagën vjetore prej 4,600.00 euro.

Hysen Fazliu, punon si specialist i sigurimeve në kompaninë e Sigurimeve Siguria. Për të njëjtin nuk dihet se sa paguhet as si anëtar i bordit të hekurudhave dhe po ashtu nuk dihet se sa paguhet nga Kompania e Sigurimeve.

Agron Thaçi, punon si zyrtar  kryesor financiar në Ministrin e Tregtisë dhe Industrisë, në vitin 2007 ka qenë kandidat për deputet në Komunën e Rahovecit. Paga vjetore e tij si anëtar i bordit të hekurudhave është 7,630.00 euro kurse nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë ka një pagë vjetore prej 3,864.00. Po ashtu i njëjti ka një pagë vjetore që i vije nga Kaçaniku në lartësi prej 4,500.00 euro në vit.

Fadil Krasniqi, nënkryetar i Komunës së Fushë Kosovës nga radhët e LDK’së me profesion ekonomist, punon si profesor në kolegji privat AAB – Riinvest. Paga mujore si anëtar i bordit të hekurudhave është 650.00 euro, si nënkryetar i komunës paguhet në pagë mujore 530.00 euro. Kurse nga kolegji AAB – Riinvest paguhet me pagë mujore prej 400.00 euro. Bashkëshortja e të njëjtit punon në distribucionin e KEK-ut me një pagë mujore prej 300.00 euro ndërsa fëmija i tij punon në Thesarin e Kosovës, Ministria e Financave me pagë mujore prej 310.00 euro.

Halil Kika, punon vetëm si anëtar i bordit të hekurudhave ndërsa i njëjti për këtë punë paguhet me një pagë mujore prej 400.00 euro, por ka edhe të hyra të tjera dhe atë në emër të qirasë së një objekti afarist që gjendet në Prishtinë merr 42,000.00 euro në vit.

Bordi i drejtorëve të Aeroportit ndërkombëtar të Prishtinës

Bekim Jashari, kryetar i bordit të Aeroportit ndërkombëtar të Prishtinës, paga vjetore e të cilit nga ANP’ja është 13,707.00 euro.

Bislim Zogaj, udhëheqës i ekspoziturës së NLB’së në Drenas, anëtar i PDK’së dega në Drenas. Paga vjetore si anëtar i bordit të ANP-së është 26,436.00 euro. Si udhëheqës i ekspoziturës së NLB-së merr pagën vjetore 9,943.00 euro, ndërsa ka edhe të hyra të tjera dhe atë 1,440.00 euro në vit nga një pension invalidor si dhe 2,400.00 euro nga qiraja e një dyqani në Komaran. Të njëjtit në ANP i punon edhe bashkëshortja e cila merr pagë vjetore prej 11,940.00 euro.

Naser Canolli, pos si anëtar i bordit të ANP-së i njëjti është edhe anëtar në komisionin e audititmit të ANP-së. Paga vjetore si anëtar i bordit të ANP-së është 13,800.00 euro ndërsa nga ZPGZ-ZKM merr pagën vjetore prej 5,760.00 euro.

Hanefi Muharremi, pos që punon si ekspert në gjykata është edhe anëtar i bordit, në zgjedhjet e fundit ish kandidat i LDK-së për deputet në Kuvendin e Kosovës, mbante numrin 71. Paga vjetore si anëtar i bordit të ANP-së është 22,035.00 euro, kurse nga gjykata për ekspertiza në vit fiton 1,200.00 euro.

Besnik Krasniqi, punon si asistent në Universitetin e Prishtinës e po ashtu është udhëheqës i projektit Business Suport Center Kosovo, në vitin 2007 ka qenë deputet në Kuvendin Komunal të Prizrenit nga rradhët e PDK’së. Paga vjetore si anëtar i bordit të ANP-së është 22,000.00 euro, paga vjetore nga UP-ja është 6,600.00 euro, ndërsa nga BSCK merr pagën vjetore prej 14,000.00 euro. I njëjti merr edhe honorare nga kolegji FAMA në shumën vjetore prej 13,500.00 euro.

Fejzullah Krasniqi, profesor ordinar i Inxhinierisë në Universitetin e Prishtinës, anëtar korrespodent i Akademisë së Shkencave të Kosovës. Paga vjetore si anëtar i bordit të ANP-së është 26,949.00 euro, nga UP-ja merr pagën vjetore prej 13,000.00 euro, kurse nga ASHK merr shpërblime vjetore prej 4,500.00 euro.

Bordi i drejtorëve në Operatorin e Sistemit, Transmisionit dhe Tregut (KOSTT)

Faton Deda, punon si drejtor në KEK. Paga vjetore e tij si anëtar i bordit të KOSTT’it është 5,500.00 euro, kurse bonuset që merr si anëtar i bordit për një vit janë 3,500.00 euro. I njëjti nga KEK-u merr pagën vjetore prej 7,000.00 euro. Po ashtu nga qiraja e një dyqani afarist merr 2,400.00 euro në vit.

Fatos Ukaj, profesor në Universitetin e Prishtinës. Paga mujore si anëtar i bordit të KOSTT-it është 400.00 euro, kurse në universitet merr pagën mujore prej 800.00 euro. Bashkëshortja e të njëjtit punon në ANP dhe ka pagë mujore prej 1,900.00 euro.

Lutfi Maxhuni, udhëheqës në Ministrin e Financave. Paga mujore si anëtar i KOSTT-it është 350.00 në muaj, ndërsa paga mujore e tij në Ministrin e Financave është 322.00 euro. Nga një tokë që i njëjti e ka në fshatin Maxhunaj fiton 1,000.00 euro në vit.

Nazim Mikullofci, pensionist punon vetëm si anëtar i bordit të KOSTT-it. Të ardhurat vjetore nga KOSTT-i si anëtar i bordit janë 11,826.00 euro, kurse nga Trusti Pensional i Kosovës për një vit merr pension në lartësi prej 1,392.00 euro e nga Pensioni Shtetëror merr 960.00 në vit.

Ramadan Paçarada, kryesues i bordit të drejtorëve të KOSTT-it. Paga vjetore si anëtar i bordit të KOSTT-it është 6,000.00 euro ndërsa nga një shtëpi me qira që ka merr 62,000.00 euro për një vit.

Pagat më të larta vjetore nga bordet e ndryshme