Salla e gjykatës. Foto: Kallxo.com

Bojkoti pa arsye i avokatëve të Kosovës

Një urdhër i Gjykatës Themelore të Prizrenit për kufizimin e qasjes së avokatëve në objektet e gjykatave shkaktoi bojkotin e përgjithshëm të avokatëve, por ky bojkot në fakt është i paarsyeshëm, i pabazuar dhe në kundërshtim me vetë misionin e avokatit.

Përmes një njoftimi për media Oda e Avokatëve të Kosovës ka njoftuar që nga sot të gjithë avokatët e Republikës së Kosovës hyjnë në bojkot duke mos përfaqësuar në rastet që i kanë apo duke refuzuar thirrjet e gjykatës dhe prokurorisë sipas detyrës zyrtare.

Ky bojkot, të paktën sipas vendimit të nënshkruar nga kryetari i Odës së Avokatëve, Osman Havolli,  vjen si pasojë e një urdhri të Gjykatës Themelore të Prizrenit me të cilin u kufizua qasja e avokatëve në objektin e gjykatës.

Urdhri i Gjykatës në Prizren më pas gjeti mbështetjen edhe të Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe u sugjerua që edhe gjykatat tjera të Kosovës ta zbatojnë këtë vendim.

“Urdhërohen punëtorët e sigurimit dhe recepsionistja që të mos lejojnë hyrjen e avokatëve dhe palëve në objektin e gjykatës, pa ftesa ose leje gojore të kryetarit të gjykatës, gjyqtarit, me përjashtim në zyrën e dorëzimit të shkresave”, thuhet në urdhrin e Gjykatës Themelore të Prizrenit.

Ky urdhër me këtë përmbajtje, sipas kërkesës së ushtruesit të detyrës së Prokurorit Disiplinor, Arianit Salihu,  është shqyrtuar edhe nga Komisioni për Administrimin e Gjykatave që kanë nxjerrë një memo informuese për Këshillin Gjyqësor të Kosovës të cilët në mbledhjen e fundit këtij viti,  të datës 27 dhjetor 2018, kanë gjetur që ky vendim është i drejtë dhe kanë rekomanduar të aplikohet edhe në gjykatat tjera.

Krejt kjo  bëri që avokatët të ngrenë zërin e tyre dhe të zgjedhin bojkotin e të gjitha rasteve gjyqësore, duke përfshirë rastet penale, civile dhe administrative,  për siç pretendojnë shkeljen e parimit të qasjes në drejtësi.

Por a është i drejtë dhe i bazuar ky vendim i avokatëve për bojkot dhe çka rrezikojnë avokatët?

Kufizimi i qasjes së avokatëve në hapësirat e gjykatës dhe veçanërisht në zyrat e gjyqtarëve është një prej kufizime të domosdoshme që i jep fund  kaosit në gjykatat e Kosovës dhe eviton mundësitë e keqpërdorimeve nga avokatë e mbase edhe gjyqtarë të caktuar të cilët në sy të palëve që përfaqësojnë, një takim të thjeshtë me gjyqtarin, apo thjesht një shtrëngim duarsh brenda zyrës së gjyqtarit, e përkthejnë para palës që përfaqësojnë si triumf në çështjen e tyre, e mbase edhe si aprovim se gjyqtari ka pranuar ‘me kry punë’.

Se ka pasur raste të ngjashme që kanë nxitur dyshime e konfirmohet edhe nga vetë kryetarë të gjykatave.

Përpos, reduktimit të ndjeshëm të mundësisë për keqpërdorim me këtë vendim kontribuohet edhe në sigurinë e gjyqtarëve, të cilët lehtësisht mund të jenë objekt i sulmeve nga qytetarë që nën petkun e avokatit ‘pa asnjë lloj kufizimi’ mund t’ia mësyjnë zyrës së gjyqtarit për ta kanosur apo edhe sulmuar dhe raste të tilla janë të njohura.

Po ashtu, ky kufizim i qasjes, nuk bën asgjë tjetër përpos që pengon  komunikimin e paarsyeshëm ex-parte.

Më e rëndësishmja e krejt këtij kufizimi  është se ky nuk është ndalim i qasjes së avokatëve në gjykatë. Përkundrazi, ky është mundësim i qasjes në mënyrën e duhur, duke kërkuar aprovimin e kryetarit të gjykatës apo gjyqtarit, qoftë ky edhe aprovim verbal, se mund të vizitohet nga avokati.

Imagjinoni se çfarë situate kaotike do të ishte nëse avokati apo kushdo qoftë tjetër, futet në zyrën e gjyqtarit pa lejen e këtij të fundit, apo situatën ku gjyqtari ka një lëndë me dhjetë të akuzuar dhe secili prej tyre në të njëjtën kohë ia mësyjnë zyrës së gjyqtarit, apo situatën ku në korridorin e zyrave të gjyqtarëve zhvillohen takime të avokatëve me gjyqtarë e pse jo edhe me palë?

Kjo përpos që nuk është e hijshme dhe nuk reflekton rregullsi, siç do të duhej të reflektojë një gjykatë e vendit, hap rrugë edhe për diskutime që mund të zgjojnë dyshime në objektivitetin e palëve e pse jo edhe në keqpërdorime.

Për më tepër, para nxjerrjes së këtij urdhri, në disa gjykata të Kosovës, siç është rasti i Gjykatës Themelore të Prishtinës, avokatët nuk kanë mundur të hyjnë te gjyqtarët pa pyetur paraprakisht përmes sigurimit. Pra kufizimi i imponuar nga KGjK veçse zyrtarizon një praktikë tashmë të  njohur në disa gjykata të vendit.

Krejt kjo bojkotin e avokatëve të Kosovës e bën jo-proporcional, të paarsyeshëm, e për më tepër edhe në kundërshtim me përgjegjësitë dhe detyrat e avokatëve për t’i kontribuar vendosjes së drejtësisë e jo për të penguar drejtësinë duke mos përfillur gjykatën.

Domethënien dhe pasojat e këtyre veprimeve avokatët i dinë shumë mirë.