Foto: Atdhe Mulla

Bllokada në Kuvend ‘po i mundëson Thaçit’ ta vazhdojë agjendën në Bruksel

Mos koordinimi i pozitës e opozitës dhe mungesa e kuorumit në Kuvendin e Kosovës për çështjen e dialogut me Serbinë, do t’ia mundësojë presidentit Hashim Thaçi të flasë për çfarë të dojë në Bruksel me 7 shtator, përfshirë edhe korrigjimin e kufijve.

Kështu vlerësojnë analistë dhe pjesëtarë të shoqërisë civile, pas dështimit të mbajtjes së seancave të Kuvendit gjatë këtyre ditëve.

Albert Krasniqi nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) që monitoron punën e Kuvendit, ka deklaruar për KALLXO.com, se zhvillimet e fundit në Kuvend kanë treguar se asnjëra prej partive nuk ka shumicë parlamentare dhe se sipas tij  vendi është i varur prej Listës Serbe.

“Mesazhin më të madh që subjektet e kanë dërguar është se kanë treguar që asnjëra prej partive nuk ka shumicë parlamentare, që vendi është i varur prej Listës Serbe, do të thotë ata janë përfaqësues të politikave në Kosovë dhe jo Kuvendi i zgjedhur i Kosovës. Treguan se ka parti politike që vazhdimisht po shihen me lojërat dhe kalkulimet, ka deputetë të cilët nuk guxojnë ta ushtrojnë vullnetin e tyre. Pra është një mesazh që kanë dërguar për gjendjen tejet të rëndë që ndodhet Kuvendi i Kosovës dhe paaftësinë e këtij institucioni për ta marrë një vendim”, tha Krasniqi.

Sa i përket mundësisë së opozita sot të arrijë të mbajë seancë dhe të votojë rezolutën përmes së cilës i ndalohet presidentit Thaçi të diskutojë për kufijtë e Kosovës në Bruksel, Krasniqi e konsideron të pamundur.

Sipas tij Thaçi do të arrijë që të diskutojë për çfarë të dojë në takimin e nesërm bashkë më presidentin serb Aleksandar Vuçiq.

“Kështu që tash është pothuajse e pamundur që të ketë ndonjë sukses seanca e opozitës. Të gjitha shpresat kanë qenë që Nisma të japë përkrahje dhe u pa që kjo ka qenë një lojë dhe jo një iniciativë serioze që ta përkrahë, kështu që nuk mundet me pas sukses kalimi i kësaj rezolute të partive opozitare. Thaçi do të jetë i lirë  që të negociojë për çfarë të dojë në Bruksel”, thotë ai.

 

Ndërsa analisti Arton Demhasaj ka thënë për KALLXO.com se ndarja e opozitës dhe pozitës për temën e dialogut, ka bllokuar punën e Kuvendit.

“Kjo situatë e ka bllokuar Kuvendin dhe për shkak të mungesës së votave për ta siguruar kuorumin e mjaftueshëm që të shqyrtohen këto tema. As pozita dhe as opozita nuk i kanë votat e mjaftueshme për me i kaluar çështjet që i kanë në diskutim. Kjo është pasojë që tashmë zotëri Thaçi udhëton në Bruksel dhe negocion prapë në emër të Kosovës”, tha ai.

Sipas Demhasajt, pas mësimeve që kanë marrë partitë politike, do të duhej që sot në mbledhjen e Kryesisë të ofrohej një zgjidhje për të mos u lejuar që vetëm presidenti Thaçi të merr pjesë i vetëm në dialog.

“Tash duhet që urgjentisht të gjitha grupet parlamentare të ulen së bashku dhe të mundohen ta gjejnë një konsensus të përbashkët për këtë çështje në mënyrë që të mos lejojnë të vazhdojë kështu situata dhe z. Thaçi të shkojë për negocim atje për shkak se Kuvendi nuk po mund të funksionojë siç duhet”, thekson njohësi i zhvillimeve politike në vend.

Se pozitë e opozitë duhet të bëhen bashkë për dialogun, thotë edhe Albert Krasniqi, por që sipas tij nëse nuk ndodhë një gjë e tillë, zgjidhje mbeten zgjedhjet e reja parlamentare.

“Kjo duhet të jetë një mesazh për të gjitha partitë politike që të ulen bashkë dhe të hartojnë një platformë të mirëfilltë  për dialogun që tashmë veç janë vonuar për gjithçka, ose nëse nuk mund ta bëjnë këtë t’ia kthejnë mandatin qytetarëve dhe të jenë ata të cilët vendosin në zgjedhje se kush duhet t’i përfaqësojë”, tha Krasniqi për KALLXO.com

Për të tretën ditë radhazi, Kuvendi i Kosovës nuk ka mundur të përfundojë seancat e thirrura nga pozita dhe opozita për dialogun me Serbinë. Pozita nuk ka arritur të sigurojë votat për ekipin negociator të propozuar nga Qeveria, ndërsa partitë opozitare nuk po arrijë të kenë kuorum për ta miratuar rezolutën që i pamundëson presidentit Thaçi që temën e kufijve ta paraqesë në Bruksel.

06 Shtator 2018 - 13:09

Emirjeta Vllahiu 06/09/2018 - 13:09
NDËRVEPRIMI0
Prishtina Insight
NA NDIQNI

Send this to a friend