Blerta Neziraj: Rrëfimi për vrasjet politike, tema që rri si gogol mbi supet e shoqërisë kosovare  

Kallxo.com: Shfaqja “Sfinga e gjallë” që nga premiera po bën bujë duke rikthyer edhe një herë në vëmendjen e publikut të vrasjet e pazbardhura politike të pasluftës. Pse të  vendosët që shfaqja të marrë këtë kaheje?

Blerta Neziraj: Drama “Sfinga e gjallë” e shkrimtarit tonë të mirnjohur Rexhep Qosja, e shkruar në fillim të viteve ’70-ta, trajton temën e gjakmarrjes dhe vëllavrasjeve të asaj kohe. Atëherë kur kjo dramë u inskenua qe konsideruar dramë e suksesshme dhe e guximshme.

Megjithatë, që të inskenohej tani, kishte natyrisht nevojë që të aktualizohej, në mënyrë që të komunikojë më mirë dhe më drejtpërdrejtë me publikun e sotshëm. Drama e Qosjes ka qenë e propozuar nga menaxhmenti i TKK-së, ndërkohë që ideja ime që ajo të vendoset në kontekstin e pasluftës në Kosovë ishte mundësi e mirë për ta trajtuar skenikisht ‘dramën’ e vrasjeve politike.

Pas bisedës edhe me vetëautorin, Rexhep Qosja, u pajtuam që në dramën ‘Sfinga e gjallë’ të fusim lirshëm shkrime të tjera nga vetë ai, si dhe kronika të kohës në mënyrë që ta aktualizonim si temë.

“Sfinga e gjallë” e tanishme zhbiron dramën e tabuizuar të pasluftës në Kosovë dhe vrasjet politike ‘misterioze’ të disa prej intelektualëve, gazetarëve e politikanëve kosovarë.

Pas përfundimit të luftës disa nga ‘lordët e luftës’ në Kosovë qe në përfshinë një valë të vrasjeve të kundërshtarëve politik – kryesisht zyrtarë të Lidhjes Demokratike të Kosovë –të cilët paraprakisht etiketoheshin si “bashkëpunëtor të armikut’ e ‘sabotues të luftës çlirimtare.

Rreth 20 vite nga ajo periudhë, gati asnjë nga këto vrasje nuk është zbardhur. Nuk ka pasur vullnet politik për një gjë të tillë nga asnjëra palë, madje as nga Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila, për më tepër, këto vrasje i ka marketizuar dhe përdorur për qëllimet e veta politike. Edhe komemoracioni publik për të vrarët është shndërruar në një ritual komik. Të gjithë – madje edhe vet vrasësit – ‘vajtojnë’, të gjithë ‘thërrasin për drejtësi’, të gjithi duan “vrasësit prapa grilave” dhe të gjithë ua njohin “meritat të vrarëve”. Në sfondin e këtillë të këtij makabriteti politik e shoqëror, viktimat e vetme me gjithat kanë ngelur të vrarit dhe ndoshta familjet e ngushta të tyre.

Kjo shfaqje u dedikohet këtyre të vrarëve dhe atij pak grushti njerëzish të guximshëm që akoma dhe sot, me dinjitet, vazhdojnë të kërkojnë drejtësi për vrasjet politike të pasluftës.

Kallxo.com: Për ta adaptuar tekstin për konceptin tuaj regjisorial ju është  dashur të bëni ndërhyrje në tekstin origjina të ‘Sfingës së Gjallë’. A mendoni se  keni arritur atë që keni dashur duke ruajtur edhe origjinalitetin e dramës së Qosjes?

 Blerta Neziraj: Tekstit origjinal i është ruajtur linja qëndrore e rrëfimit, i janë ruajtur motivet kryesore dhe ideja bazë, ndërkohë që, pjesët tjera që janë shtuar janë tekste kryesisht nga opusi krijues i vet Rexhep Qosjes, nga librat e tij të fundit, por jemi shërbyer edhe me citate nga intervistat e tij, nga statuset e tij në Facebook e kështu me radhë. Ndërkohë që, një pjesë fare e vogël e intervenimeve në dramë janë copëza shkrimesh, video e materiale dokumentare të Kosovës. Dhe unë mendoj që kjo lloj shkrirje e materialeve në temën qëndrore, ka funksionuar mirë. Natyrisht, këso lloj leximesh dhe qasjesh skenike janë krejtësisht të lejuara dhe ato nuk bëhen për ta nënvleftësuar dramën origjinale, por por ta fuqizuar lidhjen me publikun aktual të cilit i shfaqet ajo dramë.

Rrëfimet e familjarëve

 Kallxo.com: Të flasësh për tema të nxehta sikurse vrasjet politike pas luftës kërkon guxim e përgjegjësi, a keni pasur probleme gjatë procesin të realizimit të shfaqjes?

 Blerta Neziraj: Jo, nuk kemi pasur ndonjë problem të madh. Gjatë procesit të provave,me ekipën e shfaqjes kemi patur debate pafund, ku kemi biseduar thuajse për cdo imtësi e cdo detaj – si do të vie para publikut dhe si do të lexohet nga publiku. Kjo na ka ndiihmuar që të ndihemi komod me sfidat qëmund të dilnin dhe me barrën e përgjegjësisë për cështjen për të cilën po komunikonim me publikun. Megjithatë, mbas premierës, përpos disa zërave aty-këtu, që kanë bërë thirrje për “ndalje” të shfaqjes apo për “dhënje të përgjegjësisë”, reagimet e shumicës kanë qenë superlative. Madje, na ka entuziazmuar pa masë mbështetja që kemi marrë nga familjarët e të vrarëve të pasluftës. Ata kan’ ardhur vazhdimisht dhe kan’ folur e shkruar për shfaqjen me shumë krenari. Pra, është inicuar njëlloj dialogu social i cili është shumë i rëndësishëm te ne.

Kallxo.com: Ka pasur shumë vrasje pas luftës, politikanë, gazetarë dhe zyrtarëve shtetëror.  Sa ju kanë shërbyer rrëfimet e familjarëve të viktimave për ndërtimin e shfaqjes?

 Blerta Neziraj: Siç e keni pa rëfimet e familjarëve në shfaqjen tonë vijnë të gjalla, të atypëratyshme. Në vend se ato rrëfime të reprezentohen nga ne, ne u kemi dhënë mundësi familjarëve që ato rrëfime t’i komunikojnë para publikut drejtëpërdrejtë në skenë. Dhe kështu, në secilën reprizë të shfaqjes, në një pjesë të shfaqjes del në skenë një familjar i ndonjërit prej të vrarëve dhe rrëfenë shkurt për vrasjen, për traumën e familjes dhe për përpjekjen e tyre për ta zbardhur atë vrasje dhe vrasjet e tjera politike. Kemi pasur nderin që në reprizat e para të kemi në skenë Beriana Mustafën, Shpëtim Hajdaraj, Fadil Hoxhën, Asim Rracin e Shkodran Manajn.

Mendoj që ky lloj shartimi i ‘fiksionit’ dhe realitetit e bënë qasjen tonë ndaj temës më kredibile dhe i jep ‘legjitimitet’ përpjekjes tonë për të folur, si thuhet, ‘pa dorëza’ për vrasjet politike në Kosovë.

Detektimi i ideve

Kallxo.com: Sa mendoni se mund të ndikojnë shfaqje të tilla në sensibilizimin e opinioni dhe shtytjen e debati për temat të cilat me vështirësi trajtohen apo janë të hermetizuara në shoqërinë tonë?

 Blerta Neziraj: Ndoshta jo aq shumë sa besojmë ne dhe sa do të kishim dashur ne krijuesit teatror, megjithatë, fuqia e teatrit në këtë drejtim nuk bën të nënvleftësohet. Fakti që teatri te ne shpesh ka qenë gjenerator i debateve të fuqshme në shoqëri, tregon që ai ka njëfar peshe, ka njëfar potenciali të rëndësishëm. Dhe mendoj që krijuesit teatrot duhet ta shfrytëzojnë këtë potencial. Natyrisht, duke bartur mbi supe edhe peshën e përgjegjësisë se cfarë janë duke i komunikuar publikut. Se natyrisht, krijuesi teatrot duhet ta kenë të instaluar në vetëdijen e vet njëlloj “sensori etik” përmes të cilit ata detektojnë idetë, rrëfimet, mënyrën sesi ua komunikon publikut ato ide e ato rrëfime, e kështu me radhë.

Por është fantastike kur dialogu në skenë vazhdohet edhe jashtë skene – dhe në rastin e “Sfingës së gjallë”, ky dialog është duke vazhduar. E mbajtja gjallë e debatit për vrasjet politike në Kosovën e pasluftës, dhe përpjekja për të lypur përgjegjësi për ato vrasje është besoj shërbim i dobishëm që kjo shfaqje u bënë jo vetëm familjarëve të të vrarëve por edhe krejt shoqërisë Kosovare. Sepse, e ardhmja e këtij vendi nuk mund të jetë e ndritshme pa u pastruar llogaritë me të kalurën.

 Kallxo.com: Edhe në shfaqjet tjera tuaja keni prekur temat politike. Çfarë ndikoi që ju t’i kushtoni më shumë vëmendje këtyre temave, apo si të them, pse ju tërheq teatri politike?

 Blerta Neziraj: Teatri në thelb është politik! Por shfaqjet që realizoj unë janë jo më vetëm politike, por ato janë të drejtpërdrejta dhe flasin pa pardon për tema – shpesh edhe të tabuizuara të shoqërisë tonë. Pra, janë tema e probleme ‘urgjente’ apo ‘domosdoshmërisht menjëherë për tu trajtuar’. Pra, ndoshta njëlloj “teatri politik i të domosdoshmës”. Sepse, unë besoj që skena është ajo hapsira e lirisë që na lejon të flasim pa dorëza për problemet me të cilat konfrontohet shoqëria, dhe jo më cfardo problemi, por ato që janë ‘cështjë të nxehta’, që janë ‘duke vluar’. Por nuk bëhet fjalë për teatër që merret me ‘politikat ditore’, me cështje efemere, margjinale, përkundrazi, unë mundohem të zgjedh cështje esenciale të cilat rrinë si gogol mbi supet e shoqërisë Kosovare, mbi të tanishmen dhe të ardhmen e sajë.

TKK, rob i burokracisë së MKRS-së

Kallxo.com: Si i shihni zhvillimet teatrore në vend. Ka shumë ankesa nga komuniteti teatror?

 Blerta Neziraj: Unë, personalisht, i përkas skenës së pavarur teatrore në vend dhe kam fatin e madh të jem pjesë e Qendrës Multimedia, e cila vazhdon të synojë promovimin e vlerave teatrore në vend dhe jashtë saj. Funksionojmë me pak të ardhura vjetore, por me krenari e them që bëjmë punë të madhe!

Duke qenë pjesë e repertoarit së sivjetmë të Teatrit Kombëtar, kam shumë cka për të thënë lidhur me ecurinë e punëve në atë teatër, por besoj që kjo nuk më ka hije tani për tani. Shpresoj që dikush nga përbrenda atij teatri të insistojë në ndryshimin e situatës dhe relacionin e vështirë e të komplikuar që ai teatër ka me Ministrinë e Kulturës. Të them vetëm se përshtypja ime është se ai teatër është i zënë rob i politikave burokratike dhe administrative të Ministrisë së Kulturës.

 Kallxo.com: Cili është projekti i radhës i Blertës pas “Sfingës së gjallë”?

 Blerta Neziraj: Shfaqjen e radhës “Katër stinët e armikut të popullit”,e cila flet për korupcionin që lidhë si në një trajektore kompanitë e ndërtimit, kastat e korruptuara politike, mediat oportuniste, politikanët e komandantët e luftës dhe zyrtarët e UN-it…, do ta realizoj në Qendrën Multimedia, me tekst të Jeton Nezirajt, premierë kjo e cila planifikon të shfaqet në muajin Shtator të këtij viti. Ndërsa pas kësaj, me teatrin e Gjilanit planifikojmë të kemi një bashkpunim të cilin në fillim të këtij viti e kemi ndërprerë, shkaku i problemeve që teatri kishte me komunën.