Blerjet e Dyshuara të Votave për GIS-in

Agron Uka, prokurori  kujdestar i zgjedhjeve, konfirmoi për Gazetën Jeta në Kosovë se arrestimi i Gordana Stamenkoviq-Slavkoviqit, është bërë pasi që policia ka intervistuar për herë të dytë tre dëshmitarë që pretendojnë se ka pasur blerje votash në Ranillug e Partesh. 

Pretendimet e tre dëshmitarëve u transmetuan më 8 dhjetor në emisionin Drejtësia në Kosovë. 

“Të hënën më datën 9 dhjetor Policia i ka kontaktuar sërish dëshmitarët dhe ata kanë treguar për emrin e personit që u ka ofruar para”, ka deklaruar prokurori Uka.

 Të dyshuarës i është caktuar masa e arrestit shtëpiak prej 30 ditësh.

Gazeta Jeta në Kosovë raportoi se arrestimi i Stamenkoviq-Slavkoviqit u krye të martën mbrëma më 10 dhjetor.   

Ajo dyshohet se u ka dhënë të holla zgjedhësve që ata ta votojnë Iniciativën Qytetare Serbe (GIS) në fshatin Korminjan të Ranillugut. Në këtë komunë fitoi kandidati i kësaj iniciative Gradimir Mikiq. 

Arrestimin e saj e konfirmoi zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani.

Zëdhënësi Hashani deklaroi se ka disa dëshmi për këto dyshime, ndërsa sipas tij, prokurori Agron Uka ka ngritur kallëzim penal kundër Stamenkoviq-Slavkoviqit, për marrje, ose dhënie të mitës.

Stamenkoviq-Slavkoviq këtë vepër të dënueshme dyshohet ta ketë bërë në fshatin Korminjan të Ranillugut. Ajo është arkëtare në sigurimin social të strukturave paralele, të mbështetura nga Serbia, në Kamenicë.

Votat Stamenkoviq-Slavkoviq, arkatare e qendrës për punë sociale në komunën paralele të Kamenicës që funksionon me objekt në Ranillug, dyshohet t’i ketë blerë për Iniciativën Qytetare Serbe në Ranillug.

Stamenkoviq-Slavkoviq me urdhër të prokurorit në fillim është ndaluar për 48 orë. 

Avokati i saj mohoi pretendimet e  prokurorit. 

“Unë mendoj se nuk ka vepër penale këtu. Dhënien e ryshfetit nëse në këtë rast e specifikojmë si ryshfet për votime, e ka dhënë dikush tjetër”, thotë avokati Elmi Qerimi. 

Intervistimi i parë nuk bindi autoritetet 

Drejtësia në Kosovë publikoi më herët dëshmitë e tre vetave që pretendonin se u janë ofruar të holla në këmbim të votave për Iniciativën Qytetare Serbe (GIS). Identiteti i dëshmitarëve nuk është bërë i njohur për arsye ligjore.

“Kanë ardhur njerëz nga Inciativa Qytetare Serbe dhe më kanë ofruar 20 mijë dinarë dhe ma kanë kërkuar letërnjoftimin, duke më pyetur se sa anëtarë të familjes jemi, duke ma kërkuar edhe numrin e telefonit”, rrëfen personi A.

Version të përfarët ka edhe banori B, një tjetër dëshmitar i komunës së Parteshit. Sipas tij paratë i janë ofruar për t’i marrë në këste të ndara nga 5 mijë dinarë.

Ndërsa dëshmitari tjetër thotë se ka parë qytetarë nga Parteshi e Ranillugu që kanë shkuar për t’i marrë paratë nga votat që janë blerë. 

“Disa të afërm të mi, të cilët nuk kanë makinë, më kanë ftuar që t’i dërgoj deri në Ranillug. I kam dërguar dy njerëz, por kam parë edhe njerëz të tjerë që kanë shkuar për t’i marrë paratë”, rrëfen ai. 

Tre dëshmitarët deklaronin për emisionin Drejtësia në Kosovë se rastin e kanë raportuar në polici, por ankoheshin në mosmarrjen e masave nga autoritetet.

Policia e Kosovës pranoi se i ka regjistruar ankesat e këtyre tre qytetarëve, por deklaroi se këta qytetarë nuk kanë qenë në gjendje që të ofrojnë informata të sakta se ku kanë ndodhur këto shkelje ligjore dhe cilët janë personat e përfshirë në blerje votash.

“Këta qytetarë nuk kanë arritur që të japin informata të sakta se kush dhe në cilin lokacion ka ndodhur kjo. Janë shërby me disa informata të dëgjuara. Prokurori ka kërkuar nga ata që të idenfitikojnë se ku dhe kush janë [njerëzit e përfshirë në blerje votash]. Andaj kjo deri më tani ka mbet vetëm si informatë”, ka sqaruar nënkolonel Shaban Azizi.

E prokurori  Agron Uka që ishte kujdestar më 1 dhjetor, ditën kur është raportuar rasti, pati deklaruar se gjatë intervistimit të parë dëshmitarët nuk kanë arritur të ofrojnë informata të mjaftueshme që të fillohet me zbatimin e masave të fshehta të hetimit, të cilat mund të çonin deri në zbardhjen e veprës. 

Uka deklaroi se bashkë me palë ka shkuar te vendi i ngjarjes dhe ka kërkuar prej tyre identifikimin e personave, si dhe lokacionin dhe në fund ata nuk kanë mundur t’i japin të dhënat kryesore. 

“Nuk i kanë dhënë emrat, nuk e kanë dhënë lokacionin e kërkimit të parave”, pati deklaruar ai. 

Gazeta Jeta në Kosovë ka tentuar të kontaktojë edhe me kandidatin për kryetar të Parteshit të Inciativës Qytetarë Serbe Dragan Nikoliq, por ai nuk ka pranuar të deklarohet lidhur me këtë rast.

Ndërkohë, Gradimir Mikiq, kandidati i GIS-it për kryetar të Ranillugut, konfirmoi arrestimin e të dyshuarës Stamenkoviq-Slavkoviq,  por nuk deshi të komentojë më shumë me arsyetimin se “është i zënë me mbledhje”. 

Thyerja e derës së qendrës së votimit 

E përpos akuzave për blerjeve të votave, në Partesh ka pasur edhe probleme të tjera. 

Qendra e votimit në fshatin Pasjan është thyer më 1 dhjetor nga një grup i personave në mesin e të cilëve ndodhej edhe drejtori për Siguri në Komunën e Parteshit, Miodrag Guzhviq (SLS).

Atij i është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh.

Kolegu partiak i tij, Goran Janqiq, drejtor i Bujqësisë në komunën e Parteshit,  thotë se arrestimi i drejtorit të komunës mund të jetë një gabim i organeve të ndjekjes. 

Megjithatë, sipas Janqiqit, i cili ishte kryesues i vendvotimit, gjykata do ta vërtetojë nëse kolegu i tij ka pasur gisht në thyerjen e vendvotimit. 

Policia thotë se  arrestimi i drejtorit të komunës është kryer në bazë të fakteve, të cilat ajo i posedon. 

“Policia ka reagu shumë shpejt dhe kur kanë arritur në Pasjan u njoftua se është thyer dera e hyrjes dhe mungojnë tri kuti nga tri vendvotime. Brenda 30 minutave i kemi arrestuar dy persona, njëri prej tyre ka qenë drejtor i Drejtorisë për Siguri në komunë”, ka thënë nënkolonel Shaban Azizi.

Megjithatë, Goran Janqiq (SLS) thotë se se në momentin e incidentit kishte pasur edhe simpatizantë të subjektit kundërshtar politik, Iniciativës Qytetare Serbe.

“Kanë qenë simpatizantë të dyja palëve. Nga ajo çfarë kam dëgjuar nga mediat janë dy banorë të këtij fshati. Kur të gjithë kemi dalë jashtë, ka ardhë policia, ndoshta dikush me qëllim e ka përmernd emrin e drejtorit dhe tash ai gjendet në burg”, shprehet Janqiq. “

Mirëpo, Zoran Nikoliq, vëllai i kandidatit për kryetar Dragan Nikoliq (GIS) dhe pjesë e këtij subjekti politik, thotë se i gjithë incidenti u nis pas një telefonate ku u kuptua rezultati dhe simpatizantët e SLS-së ishin nisur drejt vendvotimit.

 “Brenda nuk ka pasur probleme, i gjithë procesi ka qenë mirë, deri në momentin kur është kuptuar përmes telefonit dhe simpatizantët e SLS janë nisur drejt vendvotimit, nuk e kam të qartë çfarë kanë dashur të bëjnë me këtë”, thotë Nikoliq.

Përndryshe, thyerja e kësaj qendreje të votimit në Pasjan, e ka shtyrë KQZ-në që të vendosë që në tre vendvotime në Pasjan të përsëriten zgjedhjet, të cilat do të mbahen më 15 dhjetor.


Nenad Milenkoviq

Sulmi mbi kameramanin e TV Puls 

Por, raportimi për këtë incident i kushtoi me thyerje të kamerës televizionit lokal serb Puls.

Drejtori i këtij televizioni Nenad Milenkoviq thotë se kamermani i tij u kërcënua nga një person, i cili ka filluar t’i bërtasë, duke kërkuar nga ai që ta fshijë materialin e xhiruar dhe t’ia dorëzojë kasetën.

“Kamermani ka filluar ta nxjerrë materialin për t’ia dorëzuar kërcënuesit, por në ato momente edhe katër pesë njerëz kanë dalë dhe kanë filluar ta fyejnë duke e shkelmuar atë dhe kamerën. Këta persona ia kanë marrë me forcë kamerën. Ajo çfarë është e çudishme është se edhe 4 -5 orë pas incidentit policia nuk ka marrë deklaratën nga personat që na kanë sulmuar”, thotë Milenkoviq.

Përpos lëndimeve që i ka marrë gjatë këtij sulmi Marko Stankoviq, kamermani i TV Pulsit, dëmi material sipas drejtorit të televizionit shkon deri në 8 mijë euro.

Policia e Kosovës thotë se ka reaguar me kohë në këtë rast dhe se ka ngritur kallëzim penal ndaj pesë personave të cilët dyshohet se kanë qenë të involvuar në këtë incident.

Për t’i sqaruar detajet e këtij incidenti, policia ka ngritur edhe një komision hetimor.