Blerim Reka. Foto: Kallxo.com

Blerim Reka – shqiptari në garën presidenciale të Maqedonisë së Veriut

I vetmi kandidat i etnisë shqiptare në garën për presidencë në zgjedhjet e Maqedonisë së Veriut nuk duket si fitues i zgjedhjeve – por mund të ndikojë në planin e kandidatëve kryesorë.

 

Blerim Reka i futet garës për zgjedhjet presidenciale në Maqedoninë e Veriut të cilat do të mbahen në fund të majit dhe në fillim të qershorit si një kandidat me pak gjasa për të fituar.

Vetëm dy partitë e vogla nga opozita shqiptare, Aleanca për Shqiptarët dhe lëvizja BESA, e mbështesin atë.

Pak njerëz mendojnë se ai ka një shans të madh ndaj kandidatëve të dy blloqeve kryesore politike – njëra e përqendruar rreth Social Demokratëve, LSDM, dhe partnerët e tyre më të vogël, Bashkimi Demokratik për Integrimin, BDI – dhe tjetri i udhëhequr nga të djathtët, parti e opozitës VMRO DPMNE.

Si i vetmi shqiptar në garë, Reka nuk e mohon se qëllimi i tij kryesor do të jetë mobilizimi i një pjese të konsiderueshme të komunitetit shqiptar, veçanërisht ata që nuk janë të kënaqur me të arriturat e BDI-së, partisë më të fortë në bllokun shqiptar.

Shqiptarët përbëjnë rreth një të katërtën e popullsisë së vendit dhe gjithmonë kanë luajtur një rol të rëndësishëm gjatë zgjedhjeve të kaluara presidenciale.

Nëse Reka nuk ka gjasa të bëhet presidenti i ardhshëm i Maqedonisë Veriore, ai ende mund t’i bëjë më të vështira planet e rivalëve të tij më të fuqishëm.

Karriera e lidhur me ngjarjet në Kosovë

Blerim Reka. Foto: Kallxo.com

Edhe pse i lindur në Maqedoni në vitin 1960, shumica e karrierës profesionale të Rekës ka qenë e lidhur me Kosovën fqinje.

Ka fituar titullin universitar në vitin 1982, ka marrë titullin e magjistrit në shkencat juridike në vitin 1994 dhe titullin e doktorit të e së Drejtës Ndërkombëtare në vitin 2002 në Universitetin e Prishtinës.

Në vitin 2001, ai ishte pjesë e ekipit të ekspertëve, të mbikëqyrur nga OKB, të cilët hartuan Kornizën Kushtetuese të Kosovës.

Ai ishte gjithashtu themeluesi, dhe deri në vitin 2001 kreu i Forumit Kushtetues të Kosovës, një OJQ, si dhe anëtar i bordit drejtues të Radio Televizionit të Kosovës.

Në vendin e tij, kontributi i tij më i rëndësishëm si ekspert ishte ndihma në hartimin e Marrëveshjes së Paqes së Ohrit, e sponsorizuar ndërkombëtarisht.

Kjo marrëveshje i dha fund një konflikti të shkurtër midis forcave shtetërore të sigurisë dhe një ushtrie të kryengritësve shqiptarë etnikë.

Marrëveshja e zgjidhi konfliktin duke u ofruar shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut më shumë të drejta.

Qe një kohë të gjatë Reka ka qenë profesor në Universitetin e Evropës Juglindore në qytetin etnikisht të përzier të veriut të Maqedonisë në Tetovë.

Në vitin 2006, Reka bëri përpjekjen e vet të vetme në diplomaci kur u bë ambasadori i Maqedonisë në BE. Pas përfundimit të mandatit të tij katërvjeçar, ai u kthye në jetën akademike në Tetovë.

Të luash me pakënaqësinë e pakicës

Monumenti i Skënderbeut në Shkup. Foto: Kallxo.com

Kur Reka e bëri të ditur hyrjen e tij në garën presidenciale, ai i shtoi  një ton etnik kandidaturës së tij duke thënë se ai kishte vendosur të garonte sepse bashkësia etnike shqiptare nuk kishte asnjë kandidat tjetër dhe rrezikohej të ishte  vetëm një spektator i thjeshtë në zgjedhje.

Porosia e tij ishte në kontrast me vijën jo etnike të partive partnere kryesore qeveritare, Social Demokratët dhe BDI.

Për herë të parë në historinë e vendit, këto dy parti kanë dalë me një kandidat të përbashkët, Stevo Pendarovski, me të cilin shpresojnë t’i bashkojnë të gjitha bashkësitë kryesore etnike prapa kandidaturës së tij.

Pendarovski shihet si favorit në këto zgjedhje.

Avantazhi i tij kryesor mbi Gordana Siljanovskan, kandidate e partisë VMRO DPMNE, qëndron në atë se, përveç përkrahjes që pret nga Social Demokratët, ai gjithashtu mund të presë që të tërheqë disa vota edhe nga komuniteti shqiptar përmes BDI-së.

Partia nacionaliste e Siljanovskit, VMRO DPMNE, po thuajse nuk gëzon asnjë mbështetje nga shqiptarët etnikë.

Në përputhje me partitë e vogla opozitare të cilat e mbështesin atë, Blerim Reka avokon një rishikim tjetër konstitucional i cili në mënyrë eksplicite do ta bënte gjuhën shqipe si gjuhën e dytë zyrtare në Maqedoninë e Veriut.

Kushtetuta aktuale u jep të njëjtat të drejta në praktikë, por përdor formulime të paqarta, duke iu referuar vetëm si “gjuhë e folur nga, të paktën, 20 për qind e popullatës”.

Reka gjithashtu promovon idenë e një nënkryetari që do të vijë nga një prej komunitetet etnike pakicë.

Derisa këto dy ide nuk kanë gjasa të tërheqin shumë maqedonas etnikë, Reka shpreson që disa prej tyre do ta mbështesin konceptin e tij të një shoqërie shumëetnike të bazuar në sundimin e ligjit.

Sipas tij, në vitin 2016, mijëra shqiptarë etnikë votuan për Social Demokratët të udhëhequr nga Zoran Zaev, i cili po provonte të rrëzojë qeverinë e udhëhequr nga VMRO DPMNE të Nikola Gruevskit.

Tani, ai dëshiron një lloj kompensimi të vogël

“Me konceptin tim të republikës multietnike, sundimit përmes ligjit e jo permes individëve, mendoj se mund të fitoj edhe shumë vota nga maqedonasit”, tha Reka për BIRN ditë më parë.

Beteja ndër-shqiptare mund ta komplikojë garën e Pendarovskit

Blerim Reka. Foto: Kallxo.com

Partitë përkrahëse të  Blerim Rekës, Aleanca për Shqiptarët, e udhëhequr nga Ziadin Sela dhe BESA, e udhëhequr nga Billal Kasami, kundërshtojnë ashpër BDI-në, e udhëhequr nga Ali Ahmeti, i cili ka kohë që është bërë një faktor i përhershëm në qeveri.

E krijuar në vitin 2002 nga ish liderët e kryengritësve të armatosur shqiptarë etnikë, BDI ka kaluar shumicën e kohës së saj në qeveri si një partner i vogël koalicioni ose bashkë me VMRO DPMNE ose bashkë me Social Demokratët.

Sela dhe Kasami synojnë ta tejkalojnë BDI-në në bllokun shqiptar, duke e akuzuar atë për korrupsion dhe për shqetësimin e tyre të rrejshëm  në raport me të drejtat e shqiptarëve.

Kandidatura presidenciale e Rekës shihet gjerësisht si beteje ndër-shqiptare sesa si një shtytje realiste për të fituar presidencën shtetërore.

Nëse Reka fiton një pjesë të konsiderueshme të votave shqiptare në raundin e parë të zgjedhjeve më 21 prill, dy partitë e opozitës do të pretendojnë se kanë tejkaluar BDI-në si partia më e madhe etnike shqiptare në Maqedoninë e Veriut.

Kjo betejë mund të dëmtojë shanset e Pendarovskit për ta mposhtur Siljanovskan në raundin e parë.

Nëse asnjëri prej kandidatëve nuk fiton më shumë se 50 për qind të votave në raundin e parë, një raund i dytë do të zhvillohet dy javë më vonë midis dy kandidatëve që fitojnë më shumë vota në raundin e parë.

Që zgjedhjet të kenë sukses, të paktën 40 përqind e elektoratit duhet ta hedhin votën e tyre në fletëvotime.

Intervistë: Blerim Reka

Ky fakt mund të jetë një pengesë për Pendarovskin, por ka të ngjarë të jetë vetëm një pengesë e përkohshme.

Kjo mund të ndodhë për shkak se, në raundin e pare, votuesit e Blerim Rekës me shumë gjasë nuk do ta transferojnë mbështetjen e tyre për Siljanovskan  në raundin e dytë.

Partitë që e mbështesin Blerim Rekën kanë qenë shumë kritike ndaj qeverive të kaluara të udhëhequara nga VMRO DPMNE e Gruevskit – duke i parë ato si nacionaliste dhe, deri në një farë shkalle, si antishqiptare.