Foto: REL/Shutterstock

Biznesi i familjes së të arrestuarit vazhdon të marrë tender nga shteti

Kompania “Agani L.t.d” Sh.p.k e ka fituar një kontratë prej 51 mijë euro nga Ministria e Shëndetësisë.

“Agani L.t.d” e ka llotin 34 në të cilin ishte i vetmi ofertues, pra nuk kishte konkurrencë.

Ky llot është pjesë e tenderit furnizim me barna nga lista esenciale.

Ish-aksionari kryesor i kompanisë “Agani L.t.d”, Armend Agani është arrestuar muajin e kaluar së bashku me Ljiljana Smiliq nga Policia e Kosovës, në lidhje me hapjen e poliklinikës “Bel Medic International D.O.O” me dokumentacion të dikujt tjetër.

Gazeta Jeta në Kosovë ka gjetur se Armend Agani i arrestuar me 10 prill ka hequr dorë nga aksionet që kishte në kompaninë “Agani L.t.d Sh.P.K”, e cila ka kontrata milionëshe me institucionet e Kosovës.

Agani në këtë kompani kishte 34% të aksioneve në vlerë prej 13 mijë e 600 euro. Por, ai ka hequr dorë nga aksionet pas arrestimit, përkatësisht me datën 26 prill. Aksionet e tij i janë bartur Don Aganit, që është djali i Armend Aganit.

Hulumtimi i Gazetës JnK ka zbardhur se kompania “Agani” në dhjetëra tenderë është rekomanduar për kontratë nga Ministria e Shëndetësisë vetëm gjatë vitit 2017, 2018 dhe 2019.

Tenderi “Furnizim me barna nga Lista Esenciale për FSSH dhe DF ne MSH”, përfshinte gjithsej 39 lote apo pjesë.

“Furnizim me barna nga Lista Esenciale për Kujdesin parësor dytësor dhe tretësor. Aktiviteti përfshinë 39 Lote sipas specifikimit te artikujve loteve te tenderit.”, thuhet në njoftimin për kontratë. Për tender Ministri kishte planifikuar mjete mbi 1 milionë e 296 mijë euro.

Me 24 prill, përmes platformës elektronike të prokurimit “e-prokurimi”, u bë e ditur se janë përzgjedhur kompanitë fituese të loteve të caktuara.

Me datën 15 maj, Ministria e Shëndetësisë njofton për nënshkrimin e kontratave me kompanitë fituese. Së bashku me këtë njoftimi, në po të njëjtën ditë, Ministria e Shëndetësisë përmes platformës “e-prokurimi” njofton për anulimin e disa loteve të këtij tenderi.

“Anulohen për mungese te ofertuesve Lotet 5, 10, 11, 15, 16, 17, 18, 20, 21, 22, 23, 24, 26, 28, 35, 36,38. Anulohen për mungese te ofertave te përgjegjshme Lotet 1, 6, 7, 8, 14, 19, 27, 29, 30, 31, 37.”, thuhet në njoftimin për anulimin e aktivitetit të prokurimit.

Gazeta Jeta në Kosovë ka gjetur se Armend Agani ka hise në disa biznese të cilat kanë fituar disa kontrata nga institucionet e Kosovës, që së bashku kanë vlerë milionëshe. Ministria e Shëndetësisë dhe QKUK-ja nuk i kanë dhënë gazetës numrin dhe vlerën e kontratave që kanë me bizneset e Aganit.

Armend Agani ka 30% të aksioneve në kompaninë “BEL MEDIC INTERNATIONAL D.O.O.”, në të cilën pronësi ka edhe Ljiljana Smiliq (10%) dhe tre persona tjerë: Dragan Vukashinoviq 25.00%, Mirela Dimitrijeviq 10.00% dhe Milan Knezheviq 25% të aksioneve. Hapja e këtij biznesi ka qenë arsyeja e arrestimit.

Ai i ka 25% të aksioneve në vlerë prej 250,000 euro edhe në biznesin “International Medical Assistance LTD SH.P.K”. Partnerë në këtë biznes janë edhe: Lulzim Agani 25%, Shpëtim Turku 25% dhe Aziz Peja 25%.

Agani ka hise edhe në “Spitali Royal Medical L.L.C”. Në këtë biznes Armend Agani është aksionari kryesor me 35% të aksioneve në vlerë prej 350,000 euro. Aksionar të tjerë në Spitalin Royal Medical janë edhe: Vinko Barishiq 30.00%, Aziz Peja 10.00%, Shpëtim Turku 15.00% dhe Lulzim Agani 10.00%.

Armend Agani e ka edhe një biznes tjetër “Hexagon Health SH.P.K”, në të cilën është pronar i vetëm.

ETIKETA

22 Maj 2019 - 21:32

Rrahman Ramaj 22/05/2019 - 21:32
NDËRVEPRIMI0
Prishtina Insight
NA NDIQNI

Send this to a friend