Bislimi: Drejtësi e Vonuar Për Zënkën e Komunarëve (TV)

Xhevat Bislimi, ish-nënkryetari i komunës së Vitisë që nuk mori pjesë në seancën e dhjetorit të vitit të kaluar në gjykimin për zënkën mes zyrtarëve komunalë të Vitisë, duke rrezikuar sjelljen e tij me detyrim në gjykatë, u paraqit si dëshmitar të mërkurën e 29 janarit.

Në këtë gjykim, Hysen Ymeri, ish shefi i Zyrës së Ofiqarisë në komunën e Vitisë, po akuzohet se në vitin 2008, pasi iu kërkua ta ndërrojë zyrën, sulmoi me fjalë të rënda fyerje e edhe fizikisht, zyrtarë të tjerë të kësaj komune. Në atë kohë Xhevat Bislimi ishte nënkryetar i Vitisë, pozitë nga e cila dha dorëheqje në vitin 2010.

Bislimit në gjykatë, procesi gjyqësor për këtë çështje, i nisur pesë vjet pas ndodhisë, iu duk i paefektshëm. “Drejtësi e vonuar , s’ka më kuptim “ tha Xhevat Bislimi .

Në vitin 2008, tash zëvendësministri i Drejtësisë dhe atëherë Shefi i Personelit dhe Administratës së Vitisë, Daut Xhemajli, i kërkoi Hysen Ymerit ndërrimin e zyrës ““me qëllim të organizimit më të mirë të zyrës së ofiqarisë”. Ymeri nuk ishte pajtuar me këtë zhvendosje.

“Sulmi  ishte verbal, me fyerje, sharje, e po ashtu Hyseni i ka shqyer një dokument, me sa e di vendimin e kryetarit “,  tha dëshmitari Bislimi, për të shtuar se “Jo s’më kujtohet asgjë, por e di që kanë qenë fjalë të rënda”, kur prokurori Arben Ismajli e pyeti dëshmitarin nëse i kujtohet ndonjë fyerje, ose kanosje.

“Derisa isha në korridor, Hyseni është kthyer dhe më ka sulmuar duke më kapë për fyti, pastaj ka ndërhy kryetari dhe shefi i Personelit Daut Xhemajli, pastaj Hysenin e kemi dërguar deri te shkallët dhe ai ka ecur”, vazhdoi Bislimi  ta përshkruaj ngjarjen.

Dëshmitari i sqaroi gjykatës se ku ndodhej saktësisht kur ndodhi incidenti, kur i akuzuari Hysen Ymeri e ballafaqoi me një deklaratë që ish-nënkryetari i Vitisë e kishte thënë në polici. Bislimi në polici kishte deklaruar se gjatë kësaj ngjarjeje ishte në zyrë të kryetarit së bashku me Daut Xhemajlin.

“Unë isha në paradhomën në mes zyrës së kryetarit dhe nënkryetarit”, iu përgjigj Bislimi të akuzuarit.

Dëshminë të mërkurën e dha edhe menaxheri i Personelit në komunën e Vitisë, Agim Sylejmani. Ai tha të ketë dëgjuar zhurmë konflikti ditën e incidentit, por nuk ka parë që dikush ka goditur dikë.

“Ka pas tone të larta, Nexhmedini [Arifaj], Dauti [Xhemajli] dhe Xhevati [Bislimi] ishin në fillim të shkallëve të korridorit, ndërsa Hyseni ishte në pushimoren e parë të shkallëve”, tha Sylejmani .

Dëshmitari e arsyetoi deri-diku reagimin e të akuzuarit.

“Vendin ku kanë tentuar ta vendosin Hysen Ymerin, humbte kontinuitetin me punëtorët e tij dhe ishte i papërshtatshëm, sepse ishte afër WC-së “, tha Sylejmani, teksa tregoi se Ymeri gjatë incidentit ishte nervoz.

Sipas Sylejmanit, i akuzuari u ka thënë zyrtarëve të lartë të komunës së Vitisë “kësisoji që jeni t’u punu nuk shkon, nuk punohet”.

Kur dëshmoi në dhjetor të vitit të kaluar ish-kryetari i komunës së Vitisë, Nexhmedin Arifi, tha se ai nuk ndihej i dëmtuar nga incidenti.

“Atëherë kam menduar se [ndërrimi i zyrës] është normal, por pas ardhjes së shefit të ri (të ofiqarisë), ndërrimi i zyrës nuk është bërë, e kjo ka qenë tendencioze”, tha ish-kryetari i Vitisë.

Procedura vazhdoi me leximin e shkresave të lëndës dhe me propozimin e provave . I akuzuari Ymeri në mbrojtjen e tij tha se është i pafajshëm. Ai akuzohet se ka kryer veprën penale pengim i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare.

Seanca e radhës do të zhvillohet më 6 shkurt.