Bileta Mbi 6 Mijë Euro e Vlora Çitakut për Washington

Vlora Çitaku ishte krekosur përmes një postimi të bërë në rrjetin Facebook në muajin janar të këtij viti se udhëheqës të lartë shtetërorë të Kosovës udhëtojnë në klasë ekonomike.

Në një foto të postuar në llogarinë e saj ku shihej me presidenten Atifete Jahjaga dhe këshilltarin e presidentes Arbër Vllahiun, Çitaku kishte komentuar: “Me Presidenten e Kosovës duke u kthyer nga Vjena.  Nuk ngjan shpesh të takosh udhëheqës shtetesh që udhëtojnë në ekonomi. Kudos!”

Por, Ministria e udhëhequr nga Çitaku për të udhëtuar drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës kishte paguar një biletë për klasë biznesi me vlerë prej 6,007 euro.

“Për udhëtimin e realizuar në Washington, MIE ka paguar biletën për klasën biznes në vlerë 6,007€, ndërsa bileta për këtë udhëtim për klasën ekonomike ishte 2,585€. MIE vetëm në këtë rast ka paguar 3,422€ më shumë”, thuhet në Raportin e Auditimit për Ministrinë e Integrimeve Evropiane. 

Sipas raportit, pagesat e biletave të klasës së biznesit, “jo në përputhje me udhëzimin administrativ, “kanë rezultuar me rritje të shpenzimeve të paplanifikuara”.

Shkumbin Noka, këshilltari për media i MIE-së tregon se udhëtime të tila bëjnë vetëm ministrat.

 “Vetëm ministrat kanë të drejtë të përdorin bileta në klasin e biznesit për udhëtime tejoqeanike”, thotë Nokaj.

 Por Ministria e Integrimeve shpenzimet e shtuara për udhëtime të vërejtura nga auditimi i lidh me agjendën evropiane.

“Tejkalimi ka ndodhur për shkak të intensifikimit të agjendës evropiane gjatë vitit 2013 dhe rritjes së numrit të stafit të MIE-së. Gjatë vitit 2013, stafi i MIE-së ka qenë intensivisht i angazhuar në negocimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit dhe procesit të liberalizimit të vizave. Këto dy procese kanë kërkuar që stafi i MIE-së të realizojë takime të shpeshta në vendet anëtare të BE-së”, thuhet në reagimin e MIE-së të lëshuar të enjten.

Përveç tejkalimit të shpenzimeve për udhëtime, raporti i auditimit ka gjetur se kjo ministri ka paguar bileta edhe për persona që nuk janë staf i ministrisë.

“MIE, në dy pagesa në vlerë 2,739 euro, ka paguar bileta të udhëtimit me aprovim nga sekretari i përgjithshëm për personat që nuk janë zyrtarë të MIE-së. Për këto udhëtime nuk kishte ndonjë ftesë paraprake të aprovuar nga MIE”, thuhet në raport.

Edhe ndaj kësaj ka reaguar ministria, duke thënë se pagesat janë bërë për përfaqësues të institucioneve shtetërore.