Besa Kosovare Pushton New Yorkun Me Linjë të Veshjeve

E rritur në një ambient artistik, me babanë piktor dhe gjyshen dizajnuese, talenti dhe kreativiteti i saj u pikasën qysh në moshë të re kur ajo filloi të modifikonte rrobat e veta dhe të familjarëve të saj.

Pasi që në Kosovë nuk ekzistonte fakulteti i dizajnit të modës, ajo vijoi studimet për art, në degën e pikturës, në Universitetin e Prishtinës.

Fotot: facebook/besë

Mirëpo nga dëshira e pandalshme për dizajn të modës, u shpërngul në New York, ku kreu studimet për dizajn në universitetin ”Parsons School of Design”, ndër top 5 universitetet më të mira të modës në botë.

Pas studimeve praktikoi në disa firma të New York-ut, ku dhe pati mundësinë të lidhë kontakte me njerëz të industrisë së modës.

Neziri-Rugova tashmë ka lansuar linjën e saj të rrobave në New York, të quajtur “Besë”, një pjesë e të cilave është prodhuar në Kosovë, e pjesa tjetër në New York. Linja ka marrë kritika pozitive.

Veshjet “Besë” janë të dizajnuara kryesisht për femrat e moshës 25-30 vjeçare që i karakterizon kreativiteti artistik, një frymë femërore romantike me një shpirt të lirshëm me entuziazëm fëmijëror, inteligjent dhe profesional njëkohësisht. Një dyzim në mes modernes dhe klasikes.

“Synoj tregun njujorkez të cilin faktikisht kam nisë me e themelu dhe tashmë jam në bisedime me dy-tre butika në New York. Posa ta stabilizoj atje pak a shumë tregun, do të mundohem me e zgjeru edhe nëpër Evropë”, tha Neziri-Rugova.

Pjesëmarrja në “Femmes Fatales”

Në edicionin e fundit të “Femmes Fatales”, festivali ku paraqitet arti origjinal i projektuar dhe krijuar nga gratë, Neziri-Rugova mori pjesë me projektin e saj “Në kujtim të nënës”.

Në këtë kreacion ajo bashkëpunoi me Saranda Bogujevcin, njërën nga të mbijetuarat prej anëtareve të familjes Bogujevci, të cilët u masakruan gjatë luftës në vitin19’99 në Podujevë, e cila për kreacion ia huazoi punën e dorës së nënës së saj.

“Kreacioni është pritur jashtëzakonisht mirë. Ka qenë një prezantim shumë i veçantë dhe interesimi i publikut për ta parë ka qenë shumë i madh”, tha Dardana Mehmeti menaxhere e festivalit.

Puna e cila e motivoi Neziri-Rugovën, është paja (çejzi) i nusërisë, e cila i përkiste nënës së ndjerë të Sarandës. Këto motive kreatorja i shndërroi në pesë fustane, të cilat u paraqitën në festival.

“Kur humb një person të dashur siç është nëna, kërkon që çdo moment ta ndjesh prezencën e saj dhe Besa më bëri ta ndjej përsëri prezencën e nënës. Mendoj që po të ishte gjallë ajo dhe ta shihte punën do të ishte shumë e lumtur dhe do të mburrej me punën e Besës”, tha Bogujevci, e cila ishte njëkohësisht edhe kuratore e këtij projekti.

Pas prezantimit në Prishtinë, ky projekt pritet të shfaqet edhe në vendet në rajon, si dhe në njërën nga galeritë e New York-ut.

Neziri-Rugova momentalisht është duke punuar në Kosovë, në koleksionin e saj të ri pranverë/verë 2015, i cili do të prezantohet në shtator, në javën e modës në New York.

Së shpejti pritet të hapet edhe ueb-faqja zyrtare e linjës “Besë” ku do të mund të bëhen edhe blerje online dhe Neziri-Rugova thotë që një pjesë të përfitimeve të saj nga kreacionet do të shkojnë në fond për fëmijët në nevojë.