Ilustrim: Viza FOTO: RTK

BE nuk tregon nëse taksa do të jetë kusht për liberalizimin e vizave

Këmbëngulësia e Qeverisë së Kosovës për të mos e pezulluar tarifën doganore ndaj mallrave të Serbisë dhe Bosnjes e Hercegovinës ka nxitur reagime të vazhdueshme dhe të ashpra ndërkombëtare, madje duke u paralajmëruar edhe sanksione.

Së fundi, çështja e taksës është ndërlidhur edhe me procesin e liberalizimit të vizave.

Këtë opsion e ka shfaqur presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili dy ditë më parë është deklaruar se Bashkimi Europian nuk do marr vendim për liberalizim të vizave, nëse mbetet në fuqi taksa ndaj Serbisë.

“Vazhdimësia e kësaj gjendje, mendoj që nuk do t’i sjellë fare të mira Kosovës, institucioneve të vendit. Mund të kemi masa të cilat do të mund të ndërmerren në ditët dhe javët e ardhshme. E para, nga BE nuk do të ketë në asnjë rrethanë vendim për liberalizimin e vizave, nëse taksa mbetet në fuqi”, ishte shprehur Presidenti në një intervistë në RTK.

https://kallxo.com/thaci-nese-nuk-pezullohet-taksa-ndaj-serbise-nuk-do-te-kete-liberalizim-te-vizave/

Lidhur me këto deklarata, KALLXO.com, të enjten ka kontaktuar Zyrën e BE-së në Kosovë, për të marr përgjigje nga Shefja e kësaj zyre, Nataliya Apostolova, si dhe Maja Kocijançiq, zëdhënëse e shefes së BE-së për Politikë të Jashtme, Federica Mogherini, për t’i pyetur nëse taksa do të jetë kusht shtesë i tyre në këmbim të lëvizjes së lirë për kosovarët.

Mirëpo, asnjëra prej tyre nuk ka kthyer përgjigje, deri në publikimin e këtij artikulli.

Por për zyrtarë të koalicionit qeveritar, taksa dhe vizat janë çështje të ndara.

Dështimi ‘spektakolar’ i vizave

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Ahmeti Isufi, tha për KALLXO.com se vendosja e taksës nuk ka të bëjë me liberalizimin e vizave.

“Taksa nuk ka të bëjë asgjë me liberalizim të vizave sepse është vënë kundër Serbisë për veprimet e saj anti-Kosovë. Ndërsa, liberalizimi i vizave iu takon qytetarëve të Kosovës në bazë të përmbushjes të të gjitha kritereve, të cilat i janë kërkuar Kosovës. Prandaj kjo absolutisht nuk ka të bëjë, janë dy çështje krejtësisht të ndara”, është shprehur Isufi.

Në anën tjetër, taksa prej 100 për qind e vendosur nga Qeveria e vendit për produktet serbe dhe boshnjake, po shihet si problematike për procesin e vizave, për njohës të çështjeve integruese europiane.

‘Skenari i parapërgatitur’ i Thaçit për pezullimin e taksës ndaj Serbisë

Analisti Emrush Ujkani, ka thënë për KALLXO.com se,  taksa jo vetëm që do të jetë pengesë për liberalizimin e vizave por për çdo gjë tjetër që Kosova mund t’i kërkojë BE-së dhe aleatëve ndërkombëtarë.

“Kjo nuk do të thotë që duhet dalë kundër taksës, por përderisa ne kemi nevojë për BE-në dhe ajo e ka bërë shumë të qartë që është kundër taksës, kërkesa e parë duhet të jetë nevoja për ta hequr taksën”, ka theksuar ai.

Sipas Ujkanit, është dashur të bëhet një përllogaritje më e hershme para vendimit për taksë.

“Taksa tashmë është vendosur, por llogaritë është dashur të bëhen pak ma herët dhe më mirë. Jo pse ne nuk kemi pasur nevojë të marrim masa të tilla kundër Serbisë, për shkak të veprimeve të saj karshi Kosovës, por tashmë po shihet që jemi duke i dëmtuar raportet tona me aleatët strategjik. Unë gjykoj që opinioni qytetar mund të jetë pak a shumë i orientuar kësisoj”, u shpreh analisti.

https://kallxo.com/mogherini-ua-kerkon-ekipit-negociator-heqjen-e-takses-ndaj-serbise/