BE: Nëse nuk e ndalni Pal Lekajn, do ta keni monopolin në homologim edhe për 10 vite

Shefja e zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Nataliya Apostolova i’a ka rrëfyer deputetëve të Kuvendit të Kosovës dëmet që priten të shkaktohen nëse Ministria e Infrastrukturës nuk e shfuqizon Udhëzimin Administrativ që i’a zgjatë kontratën kompanisë EuroLabi në monopolin e homologimit të veturave.

Drejtësia në Kosovë qysh në maj të vitit të kaluar kishte sjellë hulumtimin se cfarë po rrezikohet të ndodhë në Kosovë përmes këtij Udhëzimi Administrativ.

Pas një diskutimi mbi dy orësh në Kuvendin e Kosovës mes deputetëve të Komisionit për Zhvillim Ekonomik dhe ambasadores Apostolova, u vendos që javën e ardhshme të vie në Komision ministri i Infrastrukturës Pal Lekaj për të raportuar.

Shefja e zyrës së BE-së në Kosovë, Apostolova iu është lutur deputetëve të Kuvendit të Kosovës që ta parandalojnë këtë Udhëzim Administrativ, në të kundërtën do të ballafaqohen edhe 10 vite tjera me monopolin.

“Kam qenë te Kryeministri, tek ministri i Infrastrukturës dhe deri më tani s’ka pasur asnjë reagim. Ju jeni ata që e monitorini Qeverinë, ju jeni zëri i popullit. Ju duhet të reagoni, nëse nuk reagoni deri në korrik, atëherë do të ballafaqoheni edhe 10 vite tjera më këtë”, tha në mes tjerash Apostolova.

Ajo u ka kërkuar ndihmë deputetëve që ta parandalojnë këtë UA, që sipas saj bie ndesh me standardet evropiane dhe në kundërshtim me Raportin e Stabilizim Asocimit.

“Homologimi i veturave është çështje që zyra e BE e ka ngritur tash e disa vite. Na e kemi diskutuar me ministrinë, kryeministrinë. Ne kemi frikë se mund të ketë zgjatje të kontratës me operatorin ekonomik ‘EuroLab’”, tha para deputetëve Apostolova.

“Qytetarët po paguajnë çmime më të larta që jepen veç në Prishtinë dhe te cilat nuk janë të sfiduara nga kompanitë e tjera dhe çmimi është më i larti në rajon”, tha tutje ajo.

Sipas saj, mënyra më e lehtë për ta parandaluar vazhdimin e monopolit është shfuqizimi i këtij Udhëzimi Administrativ.

Apostolova ka njoftuar se për këtë çështje janë angazhuar edhe ekspertë nga Bashkimi Evropian, por që sipas saj s’ka pasur mjaftueshëm disponim nga ministria e Infrastrukturës që t’i pranojë këta ekspertë.

Shefi i grupit parlamentar të Vetëvendosjes, Glauk Konjufca tha se për këto 10 vite monopol në homologim të veturave dikush duhet të jep përgjegjësi penale.

“Autoriteti i Konkurrencës ka dhënë një mendim, por s’ka pasur asnjë reagim nga Qeveria. Tash është vonë. Këtu ka vepër penale. Dikush duhet me u dënu sepse njerëzit kanë përfituar dhjetëra miliona euro. Nuk mjafton veç me parandalu”, tha në mes tjerash Konjufca.

E intervenimin e organeve të Drejtësisë në këtë çështje e kërkoi edhe deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami.

“Që nga viti 2008 ne i kemi penalizu qytetarët e Kosovës dhe paratë kanë shkuar në xhepat e atyre që i kanë monopolet. Ne do të jemi zëshëm edhe ma tutje, por kërkojmë edhe nga organet e drejtësisë që të merren me këtë Udhëzim Administrativ sepse s’ka asnjë dyshim që është joligjor”, u shprehë Bajrami.

Këtu mund ta gjeni draft Udhëzimin Administrativ, për të cilin Drejtësia në Kosovë kishte raportuar para më shumë se 1 viti.

Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj kishte refuzuar disa herë që të përgjigjet në pyetjet e emisioni Drejtësia në Kosovë.

Autoriteti Kosovar i Konkurrencë si kishte dhënë në atë kohë se ky Udhëzim Administrativ shpie në sjellje anti-konkurruese sepse i vendos ndërmarrjet tjera në pozita të pafavorshme. Aty predikohet që vetëm njëri nga subjektet afariste i plotëson kushtet për ofrimin e shërbimeve të homologimit.

Këtu mund ta gjeni hulumtimin e plotë të publikuar në maj të 2018.

KALLXO.com ka përcjellë mbledhjen e përbashkët të Komisionit Parlamentar për Zhvillim Ekonomik bashkë me ambasadoren e BE-së në Kosovë Natalya Apostolova.

Komisioni për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti, Industri dhe Zhvillim Rajonal diskuton lidhur me monopolin në fushën e homologimit të veturave, barriera jo tarifore për importin e veturave të reja që kanë origjinën nga BE.

Publiée par Kallxo.com sur Mercredi 19 juin 2019

https://kallxo.com/gjnk/trashja-e-monopolit-ne-homologim/

https://kallxo.com/apostolova-kritikon-monopolin-e-homologimit-kosovaret-paguajne-me-se-shumti-ne-rajon/