Bari që po përdoret për abort në kushte shtëpiake, shitet pa recetë dhe kundërligjshëm në barnatore

Nuk të duhet recetë mjekësore, e nganjëherë mjafton edhe vetëm një copë letër e thjeshte me një mbishkrim “Cytotekë” pa nënshkrim e pa vulë mjeku, për të blerë pa problem në shuma që variojnë prej 40 centë deri në 1 euro copa, e në disa raste edhe me kuti. Është ky produkti që po përdoret për abort nga vajza dhe gra e që profesionistë shëndetësor alarmojnë se po abuzohet dhe shitet në mënyrë krejtësisht ilegale në barnatore po sikur “bonbone”.

Ky produkt, po shihet si një metodë alternative për të shmangur spitalet apo ordinancat për të kryer abort dhe zakonshëm përdorët në javët e hershme të shtatzënisë ku komplikimet mund të jenë më të vogla.

Për të parë se sa lehtë mund të blihet ky produkt në barnatore, 15 barnatore të zgjedhura në mënyrë krejtësisht të rastësishme janë vizituar dhe në to pa recetë mjeku është kërkuar ky produkt farmaceutik.

Tri prej 15 barnatoreve kanë pranuar të sheshin atë pa recetë mjeku, e dy pre tyre edhe kanë lëshuar faturë për këtë pasi iu është kërkuar.

Njëra barnatore gjendet në Dardani në Prishtinë, bëhet fjalë për barnatoren “Melisa” e cila na ka shitur tre copë cytotekë në vlerë prej 3 eurosh, do të thotë një euro për copë. Barnatorja tjetër në Mitrovicë, “DeaPharm” na ka shitur tetë copë nga 40 centë, do të thotë 3 euro e 20 centë në total. Derisa një barnatore afër saj e cila nuk ka pasur mbishkrim emrin dhe nuk ka pranuar të lëshojë faturën na ka shitur plot 42 copë me nga 40 centë copën. Në total gjatë hulumtimit është arritur që të blihen 53 copë cytotekë, sasi kjo që sipas profesionistëve shëndetësor mund të përdorët për të bërë të abortojë “një mahallë”. Një kuti më e zakonshme e cytotekut ka 42 copë derisa ka edhe kuti me nga 100 copë që mund të gjinden në treg e ku shiten edhe pa recetë.

Këto tri barnatore në të cilat janë blerë barnat kryesisht gjenden në lagje më periferike të qytetit derisa barnatoret tjera të vizituara e që kanë qenë në vendet e frekuentuara nuk kanë pranuar të sheshin produktin pa recetë mjeku. Madje ka pasur edhe farmacistë të cilët kanë sugjeruar që të mos përdoret pa përkujdesje mjekësore sepse është i rrezikshëm. “Është shumë i rrezikshëm nuk bënë me përdor pa kujdesje mjekësore, unë e kam po nuk ta shes pa recetë të mjekut. Duhet shumë kujdes me pas”, është përgjigja e njërës nga barnatoret e kryeqytetit dhënë gjatë hulumtimit në terren dhe përkundër insistimit të ekipit për ta blerë edhe pa recetë.

Barnatoret të cilët kanë lëshuar faturat për produktin në fjalë janë kontaktuar për t’u pyetur nëse janë në dijeni se nuk kanë të drejtë të shesin pa recetë barin dhe për efektet e tij. Pronari i “DeaPharm”, i cili nuk ka dhënë identitetin, përmes telefonit ka thënë se nuk është në dijeni për këtë dhe ka premtuar se do të rishikojë kamerat për të parë se kush e kaq shitur produktin dhe nëse e ka shitur pa recetë dhe se kjo nuk do të përsëritet më. Derisa nga “Melisa” është mohuar në mënyrë kategorike që bari është shitur pa recetë. “Ka mundësi ka qenë me recetë me datën 3 (nëntor) e ka ardh prapë me datën 5 me u rifurnizuar në këso raste e japim se është në mbikëqyrje të mjekut”, na është thënë nga barnatorja përmes telefonit. Megjithatë blerja e realizuar me 5 nëntor të këtij viti ishte realizuar nga ekipi dhe pa recetë dhe për këtë personi kontaktues ka thënë se do të rishikojë kamerat sepse ai thotë të mos ketë shitur pa recetë.

Tregtia me aborte, në Shkup për zgjidhje

Shitja e cytotekut lirshëm dhe pa recetë mjekësore në treg, sipas kryetarit të Shoqatës së Gjinekologëve të Kosovës profesor Shefqet Lulaj, por edhe gjinekologë të tjerë të intervistuar për nevoja të hulumtimit, është një abuzim serioz që do adresim shtetëror.

Agjencioni Kosovar për Produkte dhe Pajisje Mjekësor (AKPPM) ka mandat për të kontrolluar në koordinim me Doganat e Kosovës, importin e produkteve farmaceutike.

Ushtruesi i detyrës së Kryesuesit Ekzekutiv të AKPPM-së, Arian Ahmeti, në një përgjigje me shkrim ka treguar se nuk ka ndonjë kompani të licencuar enkas për të importuar Cytotekun në Kosovë porse ky produkt sipas të dhënave të Departamentit të Licencimit pranë këtij agjencioni është importuar në Kosovë si produkt medicinal pa paralele të regjistruar në Kosovë nga ana e dy depove farmaceutike. “Nini-Pharm dhe MatkosPharm. Pra importohet pa fituar të drejtën e Autorizimit për Marketing si produkt medicinale , me kusht që të jetë në qarkullim në tregun e BE dhe deri në regjistrimin e tij nga ndonjë kompani që ka interes për ta licencuar në Kosovë”, ka thënë ai. Rrjedhimisht shitja e tij është e lejueshme për shkak të nevojave medicinale, meqë është ilaç që ka qarkullim në tregun e Bashkimit Evropian.

Megjithatë të drejtën e tregimit të këtij produkti medicinal e kanë vetëm barnatore te licencuara nga AKPPM.

“Nëse shitet pa përshkrim të mjekut prapë është çështje që duhet të trajtohet nga Inspektorati farmaceutik”, ka thënë Ahmeti.

Ndërkaq specialistë thonë se përdorimi i këtij produkti medicinal pa përkujdesje profesionale mund të ketë edhe pasoja që qojnë deri në fertilitet.

Gjinekologe Jehona Binishi-Hysa tregon se ka pasur raste në Qendrën Klinike Universitare kur vajza të reja kanë kërkuar ndihmë si pasojë e gjakderdhjes së madhe dhe nuk kanë treguar se kanë përdorur Citotekë për abort. Analizat kanë dëshmuar megjithatë se gjakderdhjet kanë ardh si pasojë e përdorimit të këtij produkti pa përkujdesje mjekësore por në kushte krejtësisht shtëpiake.

“Na kanë ardh me gjakderdhje profuze edhe nuk kemi dit se çka ka pacientja, dhe ajo ka përdorë Citotekë dhe ka dështu. Ne me analizë të gjakut e kemi kuptu megjithatë. Por e fshehin e çka janë shkaqet a marrëdhëniet jashtëmartesore a ku e di”, tregon ajo.

Dy kompanitë që e importojnë Cytotekun janë kontaktuar për të kuptuar sasinë që importojnë dhe ku e shesin në tregun kosovar. Megjithatë vetëm pronari i kompanisë “NiniPharm”, FlorimNebiu është përgjigjur në pyetjet e drejtuar drejt tij.

Nebiu ka treguar se cytotekun e importon nga Greqia dhe çmimi i një paketimi varion prej 6 eu9or e gjysmë deri në 12 euro atje derisa 10 deri në 14 euro në Kosovë. “Për momentin çmimi në depon time është 12.5 euro”, ka treguar ai. Importimin e këtij produkti ai e ka nisur në 11 shkurt të vitit 2015 dhe sasia që ka importuar për vitin 2017-18 thotë të jetë dikur 1455 kuti me nga 42 tableta. “Ky produkt në një mënyrë ose tjetër ka qenë i pranishëm në tregun e Kosovës, sipas Nebiut dhe ai vlerëson se përdorimi i këtij produkti është ”i vogël deri mesatar. “Nuk kam një përpunim statistikor të saktë, por ky produkt shitet në të gjitha komunat dhe barnatoret e Kosovës. [ka] një numër të vogël të barnatoreve të Kosovës që nuk furnizohen me këtë produkt. Spitalet publike për shkak të procedurave tenderuese nuk janë furnizuar me këtë bar, kurse vetëm një numër i caktuar i spitaleve dhe klinikave private janë furnizuar me këtë produkt”, tregon ai. Të dhënat e Doganës së Kosovës tregojnë se importi i Cytotekut ka filluar qysh në vitin 2014 të regjistrohet dhe prej atëherë deri në këtë evidentohet të jenë importuar 228 kilogramë cytotekë në vlerë totale prej mbi 55 mijë euro.

Nevoja e tij në treg arsyetohet edhe nga gjinekologë që punojnë me të, porse bëhet thirrje që ai bari të përdoret vetëm nën përkujdesje mjekësore. Gjinekologe Jehona Binishi -Hysa tregon se Citoteku është produkt që përdoret edhe për lindje, dhe nuk është vetëm produkt për abort andaj edhe është i nevojshëm në treg por duhet të përdoret me kujdes profesional. Por assesi të shitet pa përshkrimin e mjekut, apo më saktësisht gjinekologut.

“Nuk mundet me shit farmacisti pa përshkrim mjeku, se nuk është gjinekolog. Ne shpesh herë pas ndërhyrjen japim Citotekë pas lindjes për pastrim. E hasin në rezistencë teknikët që ai është hap për abort. Citoteku është bari shumë i mirë në gjinekologji sepse e kursen pacienten prej pastrimit teknik. Shumë dëm afatgjate mundet me shkaktu deri në traumë e deri në fertilitet”, tregon ajo.Megjithatë jo të gjithë mjekët e mbikëqyrin pacienten e saj pas përdorimit të këtij produkti.

Saranda Ramaj është gazetare që ka mbuluar për vite më radhë sektorin e shëndetësisë dhe ka fituar një sërë çmimesh në mbulimin e aferave të dyshimta të mjekëve, si dhe korrupsionit në shëndetësi me tenderët për barna të ndryshme. Ajo e konsideron si një problem jashtëzakonisht të madh shitjen e lire të Citotekut. “Ky produkt shitet pa recetë në thuajse gjitha barnatoret e Kosovës. Në shumicën e rasteve ky produkt nuk kalon fare filtrat e Agjencisë Kosovare për Produkte Mjekësore që nënkupton se nuk ka asnjë garanci për përdorimin e këtij produkti edhe kur përdorimi i tij behët me mbikëqyrjen e mjekut gjinekolog”, thotë ajo.

Dëshmi për tregtinë me abortet në Kosovë

Personalisht gjatë punës së saj thotë të ketë hasur në disa raste kur këtë produkt e kanë marrë në përdorim vajzat dhe gratë e reja në javët e hershme të shtatzënisë kur të tjerët i kanë këshilluar se është efikas. “Kjo gjë ndodh për shkak të dështimit të kryerjes se detyrave të veta të Inspektoratit Farmaceutik e Inspektoratit Shëndetësor. Kam kërkuar që me shumë se një vit të dhëna nga këto institucione nëse kanë hasur në këto produkte por asnjëra trup as që ka bërë ndonjëherë inspektim në lidhje me këtë çështje. Për me tepër këto trupa të MSh-së nuk kanë bërë asnjëherë inspektime as nëse ndonjë ordinancë private kryen aborte në mënyrë ilegale”, thotë Ramaj. Por sipas saj as AKPPM-ja nuk e ka ngritur në nivelin e duhur rrezikun e shitjes së këtij produkti pa recetë e në mënyrë të kontrolluar nga barnatoret. AKPPM ndërkaq topin për këtë çështje në vazhdimësi e hedh tek Inspektorati Farmaceutik.

Ky Inspektorat në një përgjigje me shkrim pohon se nga inspektimet e kryera qoftë të planifikuara apo “ad- hoc”, në disa barnatore ka hasur në produkte ilegale, ndër të tjera dhe produktin medicinal Citotek.

“Deri më sot nuk kemi marrë informacione se produkti i njëjtë përdoret në kushte shtëpiake dhe Inspektorati Farmaceutik u bën thirrje kujtdo që ka informacione të tilla të njoftojnë Inspektoratin Farmaceutik, apo edhe për produkte të tjera ilegale”, thuhet në përgjigjen e Inspektoratit sipas të cilit është evidente se në rastet kur bëhet fjalë për produkte ilegale, ato nuk përshkruhen në receta mjekësore, “sepse asnjë profesionist me integritet profesional dhe etik, nuk do të përshkruante në një recetë mjekësore një produkt për të cilin ka informacion se është ilegal”.

Tutje ky inspektorat thotë se ka hasur në disa barnatore në disa komuna ku janë gjetur barna ilegale ndër të tjera dhe produkti cytotekë dhe për këto raste, Inspektorati Farmaceutik ka marrë masa duke konfiskuar produktin, shqiptuar gjobat dhe konform legjislacionit në fuqi, ka ndërmarrë edhe masat të tjera duke dërguar lëndën në AKPPM dhe në organet e hetuesisë. Por Inspektorati Farmaceutik nuk ka ofruar të dhëna për cilat barnatore bëhet fjalë apo në cilat komuna janë ato. Megjithatë, ky produkt vazhdon të qarkullojë në treg e të shitet dhe të përdoret nga gra e vajza që duan të shmangin procedura tjera, por zgjedhin shtëpitë e tyre për të kryer abort, vetëm e vetëm për të liruar trupin e tyre nga “turpi”.

Ky artikull është përkrahur në kuadër të projektit të financuar nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe i zbatuar nga BIRN dhe AGK. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e autorit dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Evropian ose BIRN-it dhe AGK-së”