Shkupi. Foto: Blerina Rogova- Gaxha

‘Barbarët’ e shndërruan Shkupin në një ‘libër komik’

Qeveria e re e Maqedonisë duhet të merret me vendosmëri me trashëgiminë e rindërtimit të kryeqytetit, i njohur si “Shkupi 2014”, thotë një anëtar i grupit të punës të krijuar për të përcaktuar fatin e këtij projekti polemik.

Ka kaluar viti i dytë që kur partia e djathtë VMRO DPMNE, e cila sponsorizoi projektin e madh, u largua nga posti.

Kryeministri i ri i qendrës së majtë, Zoran Zaev, ka thënë se dëshiron të rivendosë pamjen origjinale të ndërtesës qeveritare të rikonstruktuar, për shembull, ndërsa kryebashkiaku i ri i Shkupit, Petre Silegov, ka në plan të heqë varkat e rreme të stilit të vjetër nga lumi Vardar.

Por për momentin, masat për të prishur këtë projekt shumë të diskutueshëm dhe të kushtueshëm kanë rezultuar vetëm në heqjen e një monumenti polemik të ngritur para gjykatës dhe zhvendosjen e një karuseli.

Kur qeveria e re e Zaevit erdhi në pushtet në mes të vitit 2017, ministri i ri i kulturës, Robert Alagozovski, i cili është zëvendësuar që atëherë, krijoi një organ për të shqyrtuar projektin dhe për të rekomanduar se çfarë duhet bërë për të.

Në një intervistë me BIRN, Zlatko Teodosievski, një anëtar i këtij organi, thotë se shumica e monumenteve të reja të ngritura sipas “Shkupi 2014” janë të paligjshme dhe duhen hedhur.

Ai thotë se sponsorët e projektit e shndërruan qytetin në një “libër komik” dhe qartazi s’e dinin se ç‘po bënin, ndërsa “lakmia” e artistëve dhe arkitektëve e ka tronditur atë.

Një këshilltar i jashtëm në Ministrinë e Kulturës, ai ka shërbyer si zv/ministër më shumë se 20 vjet më parë.

Grupi i tij i punës po fokusohet vetëm te procedurat zyrtare të përdorura në “Shkupi 2014” dhe te ligjshmëria e ngritjes së këtyre monumenteve dhe ndërtesave, përfshirë shkeljet e ligjit.

Një vlerësim estetik dhe artistik i projektit nuk është pjesë të auditimit, për të cilën atij i vjen keq.

“Nuk jam i kënaqur me këtë sepse profesioni im është historia e artit bashkëkohor. Por kolegët e mi më bindën se kjo do të ishte një zonë mjaft e rrezikshme dhe mund të na çonte në një drejtim të padëshiruar,” thotë ai.

Si një nga autorët e ligjeve të para për monumentet të miratuar në ish-Jugosllavi, roli i tij në organ është të shqyrtojë se sa janë respektuar ligjet dhe rregulloret.

Ai thotë se ligji i vjetër mbi monumentet nuk kontribuoi në këtë projekt polemik dhe problemet e tij nuk qëndrojnë në dispozitat e tij. Realizuesit e Shkupit 2014 “i zbatuan rregullat me shumë naivitet”, thotë ai.

Ndërtimet e paligjshme duhet të hiqen

Zlatko Teodosievski

Teodosievski është i bindur se, nëse ligji do të ishte ndjekur siç duhet, qyteti me shumë gjasa s’do të kishte pamjen e tij aktuale.

Procedurat ligjore diktojnë se ngritja e monumenteve duhet të miratohet në parlament.

Atje, thotë ai, autoritetet do ta kishin pasur të vështirë të shpjegonin, për shembull, pse Shkupi kishte nevojë për një monument të Aleksandrit të Madh.

Për momentin, grupi është fokusuar te monumentet dhe për shumicën e tyre ka përgatitur rekomandime.

“Në të gjitha studimet që bëmë për monumente të ndryshme, rekomandojmë heqjen e monumenteve. Ky është rasti me monumentin e Aleksandrit të Madh, Filipit II, Portës së Maqedonisë (Harkut të Triumfit), Nënë Terezës, Carit Samoil… Të gjitha janë ndërtime të paligjshme,” thotë ai.

Shumë njerëz kanë një përshtypje se ajo që propozon grupi i punës është shumë ndryshe nga ajo që po ndodh aktualisht, megjithatë.

Ata druhen se e gjithë kjo mund të përfundojë me heqjen e një monumenti dhe karuseli dhe ndoshta rivendosjen e disa të tjerëve në qytete të tjera.

“Gjithçka tregon për një përfundim të tillë,” thotë Teodosievski, edhe pse ai shton se ai nuk dëshiron që ky të jetë rasti.

Ai thotë se ligji duhet të zbatohet me vigorozitet.

“Nëse dërgoni dikë që të shkatërrojë një ndërtim të paligjshëm që është rastësisht një shtëpi individuale, si mund të jetë kjo ndryshe nga heqja e këtyre monumenteve?”, pyet ai.

Teodosievski thotë se politika mund të vonojë heqjen e monumenteve ilegale, por nuk mund ta ndalë atë përgjithmonë. Herët ose vonë, “procesi që filloi duhet të përfundojë”, thotë ai.

Ai e krahasoi këtë me gjyqet në vazhdim të ish-politikanëve qeveritarë nga partia VMRO DPMNE, e cila mbajti pushtetin për 12 vjet deri në vitin 2017 dhe u akuzua gjerësisht për korrupsion dhe autoritarizëm.

“Është njësoj me gjyqet për krimet e shoqatës kriminale të VMRO DPMNE. Dikush mund të thotë: S’ka gjë. Nuk ka rëndësi, le të ndalojmë gjyqet dhe hetimet e ta harrojmë këtë.”

“Por ne nuk mund të harrojmë! Si? Dikush duhet ta përfundojë këtë, ashtu siç duhet të përfundojë e gjithë kjo me Shkupin 2014!”

Çdo diskutim rreth Shkupit 2014 hap temën e pashmangshme të financës – sa do të kushtojë heqja e monumenteve.

Kjo çështje nuk është detyrë e grupit të punës, megjithatë, siç thotë Teodosievski, anëtarët flasin për këtë.

“Vlerësimi i ekspertëve në grupin e punës është se do të kushtojë para, por jo shuma aq të mëdha sa flitet në publik,” thotë ai.

“Instalimi i Aleksandrit të Madh dhe i Filipit është më i madh, por financiarisht, nuk është aq e tmerrshme për ta bërë këtë. Është përsëri një çështje e vullnetit politik, asgjë më shumë,” thotë ai.

“Qeveria do të dërgojë një shenjë të keqe nëse ata thonë: Dakord, le të legalizojmë tani këtë. Kjo do të thotë që çdo krim mund të legalizohet!”

Qeveria e re do të ishte më mirë të punonte në një hangar

Përkrahësit e projektit të diskutueshëm thonë se Shkupi 2014 i dha qytetit një “histori” dhe e bëri atë një tërheqje turistike.

Por Teodosievski e hedh poshtë argumentin.

Shkup. Foto: BIRN

“Shkupi absolutisht nuk kishte nevojë për ‘një histori’. Qyteti ka historinë e vet.”

Pas tërmetit të vitit 1963, Shkupi u bë një qytet modern. Historia u bë nga Kenzo Tange (arkitekti japonez i ngarkuar për ringjalljen e Shkupit pas tërmetit), dhe këta barbarë e kanë shkatërruar atë.”

Për të, nuk ka asnjë krahasim midis Shkupit të sotëm me një nga arkitektët e shquar të Shkupit Zivko Popovski dhe Petar Mulickovski, punën e të cilëve ai e konsideron një kryevepër – dhe të cilët patën ekspozta së fundmi në Muzeun e Artit Bashkëkohor në Nju Jork.

“Shkupi tani është më i keq sesa një libër komik. Librat komik janë një gjë serioze,” thotë ai.

Grupi i punës ende nuk ka rishikuar pamjen e re të ndërtesave moderne të Shkupit, të cilat janë ridekoruar me fasada të stilit barok, siç është ndërtesa e qeverisë – të cilës Teodosievski dhe shumë të tjerë i referohen si “Torta” për shkak të dekorit të saj të bardhë në pjesën e jashtme.

Të tjera përfshijnë ndërtesat e kompanisë shtetërore të energjisë elektrike, EVN.

“Ish-ndërtesa e Komitetit Qendror të ish-Partisë Komuniste të Maqedonisë, tani selia e qeverisë, ishte një kryevepër e arkitekturës maqedonase të asaj kohe (1960-1970) dhe kushdo që guxoi ta bënte këtë duhet të përfundojë në Bardovci (spitali psikiatrik në Shkup).”

“Qeveria e re nuk duhet të kishte hyrë fare në këtë ndërtesë. Jo! Ata mund të kishin gjetur një hangar, nëse ishte e nevojshme, dhe mund të kishin punuar atje derisa objekti të kthehej në pamjen e tij origjinale.”

Heqja e fasadës së re të ndërtesës së qeverisë nuk duhet të jetë një problem, thotë Teodosievski, pasi dekoret e stilit barok në pjesën e përparme thjesht janë ngjitur.

“Dy metra janë mermer dhe gjithçka tjetër është gips. Ai mund të hiqet,” thotë ai.

Ai është gjithashtu anëtar i një grupi tjetër pune, që ka të bëjë me Muzeun e Luftës Maqedonase për Pavarësi, i njohur edhe si Muzeu VMRO.

Një ndërtesë e re, ajo u ngrit në Shkupin qendror sipas stileve të preferuara të Shkupit 2014.

“Ky Muze është gjithashtu një krim i tmerrshëm. Gjithçka rreth tij është e dyshimtë, nga arkitektura e deri te pjesa e brendshme e muzeut,” thotë Teodosievski.

Njerëzit që e ngritën këtë “s’e kanë idenë se çfarë është një muze”, shton ai.

Konkluzionet janë se ky muze duhet të riemërtohet, statujat prej dylli të personaliteteve historike duhet të hiqen dhe duhet të krijohet një hapësirë e re për ekspozitat.

Teodosivski thotë se ajo që befasoi më shumë atë gjatë punës së tij në rishikimin e projektit ishte “lakmia e artistëve” që punuan për monumentet dhe ndërtesat.

“Lakmia në kuptimin që kam parë llogaritjet e çmimeve që i kanë dorëzuar komunës së Qendrës (e cila porositi shumë nga veprat në emër të qeverisë) dhe jam habitur, sepse është e qartë që këto përllogaritje janë fryrë shumë,” përfundoi ai.