Banesa Kolektive Pa Ujë të Pijes (TV)

“Ka më shumë se 2 muaj, që nuk kemi ujë të pishëm, jemi të detyruar që ujin ta bartim me shishe  nga fshatrat”, thotë Sihas Krasniqi, banor i ndërtesës shumëkatëshe në Suharekë, e cila është shkyçur nga rrjeti publik i furnizimit me ujë.

Ky objekt afaristo-banesor, që është ndërtuar në vitin 2002, ka mbi 20 banesa banimi dhe 4 lokale afariste. Sihas Krasniqi tregon se ujin për pastrim banorët e marrin nga pusi i banesës, por një ujë i tillë sipas tij, nuk është i pijshëm.

Ismet Kurtishaj, drejtori i kompanisë rajonale të ujësjellësit Hidroregjioni Jugor-dega në Suharekë, tregon se pse iu ndërpre furnizimi me ujë këtij objekti.

“Uji i Hidroregjionit është shfrytëzu në atë objekt për një kohë të caktume në mënyrë ilegale dhe ne e kemi ndërprerë. I kemi shkyçur, sepse nuk kanë pëlqim prej njësisë sonë punuese. Nuk kanë të drejtë me e shfrytëzu ujin, derisa nuk i paguajnë pëlqimet e kyçjes në sistem”, thotë Kurtishaj.

Objekti është ndërtuar në pronë private dhe i njëjti është kyçur në orën e shtëpisë që ka ekzistuar para ndërtimit të banesës shumëkatëshe, për t’u shkyçur më vonë.

Sihas Krasniqi tregon se banorët e këtij ndërtimi kolektiv dëshirojnë të kyçen nëpërmjet një ore në ujësjellësin publik, duke qenë të gatshëm që ta paguajnë ujin e shpenzuar, por sipas tij Hidroregjioni kërkon që çdo banesë ta ketë orën e saj.  

“Nuk është e drejtë, kjo që po kërkon Hidroregjioni, që secila banesë të paguaj nga 58 €, për kyçje në ujësjellës të qytetit, pasi duhet te bëhet vetëm një kyçje e jo 20 kyçje dhe në këtë rast duhet të paguhet vetëm një kyçje”, thotë Sihas Krasniqi, teksa tregon se para disa muajsh kanë bërë kërkesë si banorë për kyçje të sërishme në ujësjellës. 

Drejtori i degës suharekase të Hidroregjionit shpjegon se si duhet të bëhet kyçja e sërishme e banorëve në rrjet, pasi thotë se as banorët e as ndërtuesi i objektit nuk e kanë pëlqimin nga ujësjellësi për inkuadrim në rrjet. 

“Pëlqimi merret qoftë prej pronarit që investon në objekt në fillim, sipas planit që e ka për ndërtimin e objektit, ose individualisht munden me marrë pëlqimin secili banues i objektit në kompaninë tonë“, thotë Kurtishaj.

Ndërtuesi i objektit banesor Shefket Kuqi, thotë se ka menduar që taksën për kyçje në rrjetin e ujësjellësit, e ka paguar bashkë me marrjen e lejes së ndërtimit.

“Vetëm për taksa komunale, për marrjen e lejes për ndërtim kam paguar mbi 25. 000 marka gjermane dhe kam menduar që në atë kohë kam paguar edhe taksat për kyçje në ujësjellës”, thotë Kuqi.

Por Kurtishaj thotë se leja e ndërtimit nuk përfshin pëlqimin për kyçje në ujësjellës, pa paguar taksën e inkuadrimit në rrjet.

”Kur jepet leja për ndërtim, duhet të sigurohet edhe pëlqimi për kyçje në ujësjellës, me çka pronari duhet të paguajë nga 58 euro për banesë, ndërsa në këtë rast nuk është kryer pagesa konform rregullores, për çka edhe deri sa të kryhet kjo pagesë, objektit nuk mundet të kyçet në ujësjellës”, thotë Kurtishaj.

Njëzet hapësirave individuale të banimit në ndërtesë u bie të paguajnë 1.160 euro. Kjo shumë Sihas Krasniqit, njërit nga banorët i duket e lartë, për faktin se ndërtesa kolektive ka sistemin e gypave dhe nga pusi në oborrin e saj furnizohet me ujë për pastrim dhe kryerje të punëve tjera.

Investuesi dhe ndërtuesi i kësaj banese Shefket Kuqi shpreh vullnetin që të gjendet një zgjidhje mes tij dhe banorëve të ndërtesës, në mënyrë që zgjidhet furnizimi me ujë.

Drejtori i Hidroregjionit për Suharekë Ismet Kurtishaj insiston për pagesë, por thotë se kompanisë që drejton nuk i intereson se a do ta bëjnë pagesën banorët, a investitori.

“Me rëndësi është të bëhet kryerja e pagesës, nëse dëshirojnë të kyçen në ujësjellësin e qytetit”, është kategorik Kurtishaj.

Për mosmarrjen e pëlqimit nga kompania, Kurtishaj më së shumti fajëson Shefket Kuqin, njeriun që ndërtoi objektin, ndërsa Sihas Krasniqi thotë se pa ujë më së shumti po vuajnë banorët. 

Insistimi i Kurtishajt bazohet në Urdhëresën për Tarifa Shërbimi vendosur Nga Zyra Rregullative e Ujërave të Kosovës në shkurt 2013, e cila thotë se tarifa administrative për kyçje në ujësjellës dhe kanalizim bashkë me TVSH-në është 58 euro për të gjitha kategoritë e konsumatorëve.

Sipas Kurtishajt “Hidroregjioni”, nuk e ka bërë shkyçjen e kanalizimit, sepse kjo është e pamundur  për shkak të pasojave që do të kishte, ndërsa banorët do të detyrohen të paguajnë të dyja lidhjet nëse duan ujë.