Ballkani do të Vuajë Nëse Britania Del nga Evropa

Kryeministri i Britanisë ka përballë një katastrofë politike ndërsa sondazhet sugjerojnë se votuesit janë të vendosur t’i dalin kundër këshillës së tij dhe të votojnë për t’u larguar nga BE-ja në një votim historik të “qëndrim-largimit” më 23 qershor.

Me më pak se dhjetë ditë përpara referendumit – rezultatet e të cilit janë detyruese, jo këshilluese për qeverinë e Mbretërisë së Bashkuar – paniku po shtohet në kampin “të qëndrojmë” se mesazhi i tyre nuk po depërton edhe aq shumë.

David Cameron ka krijuar një fushatë të gjerë, duke bërë kompromis me të gjithë liderët kryesorë të partisë dhe me të famshëm, aktorë, shkencëtarë, shefa biznesi dhe madje kryepeshkopë në mbështetje të anës së qëndrimit në BE.

Por një seri sondazhesh, që fillojnë nga java e shkuar, sugjerojnë se mbështetja po bie në drejtimin e kundërt, ku tre prej tyre tregojnë një shumicën “daljeje: nga një deri në 10 për qind.

Nëse këto indikacione shqetësuese konfirmohen më 23 qershor, karriera e suksesshme politike e Cameron do të haset me një ngërç të menjëhershëm – si Britania dhe BE-ja do të zhyten në një krizë të paprecedent.

Që kur BE-ja u formua në 1960, kur njihej si Komuniteti Ekonomik Evropian, asnjë shtet nuk është larguar prej saj.

Cameron ka paraqitur çdo argument që i ka ardhur ndër mend në fushatën “të qëndrojmë”, duke paralajmëruar një rënie drastike në çmimet e shtëpive, një rënie të paundit, kolapsin e Mbretërisë së Bashkuar, një luftë tregtare me Evropën dhe një shtim masiv të papunësisë nëse Britania del nga BE-ja, në të cilën u anëtarësua në vitin 1973. Ai gjithashtu tha se një dalje e Britanisë do të forcojë një Rusi agresive dhe do të gëzojë terroristët e Shtetit Islamik.

Por sondazhet tregojnë se mesazhi po pranohet vetëm te 35-vjeçarët e poshtë, nga londinezët dhe klasa e mesme.

Sondazhi më i fundit i Guardian/ICM, i publikuar të hënën, tregoi se pensionistët dhe votuesit e klasës punëtore nuk e vrasin mendjen për Rusinë dhe vazhdojnë të jenë armiqësor ndaj vazhdimësisë së anëtarësimit në BE, ku kategoria e “punëtorëve të krahut” mbështet opsionin e daljes nga një shumicë rreth 70 me 30 për qind.

Shumica e këtyre punëtorëve duken të painteresuar për paralajmërimet ekonomike të Cameron dhe fajësojnë BE-në për imigrimin e pakufizuar – aktualisht 300,000 në vit – që ka shtuar konkurrencën e vendeve të punës, përfitimeve të mirëqenies, strehimit social, shkollave dhe shtretërve të spitaleve.

Në një tjetër goditje për qeverinë, tabloidi më i lexuar në Britani ‘The Sun’, të hënën doli me një titull kryesor “Be-Leave in Britain!” dhe nxiti lexuesit që më 23 qershor ta çlirojnë veten nga BE-ja “lakmitare, e paaftë, shpërdoruese dhe tallëse”.

Përballë pretendimit më të fundit të kampit të daljes, që “miliona” turq së shpejti do të drejtohen për në Britani si rezultat i marrëveshjeve të BE-së me Ankaranë për krizën e refugjatëve, qeveria nuk ka dalë me një përgjigje.

Ndërsa pasojat afatgjata në ekonominë britanike nga largimi prej BE-së janë të pallogaritshme, nuk ka dyshim se largimi i Britanisë do të ishte lajm i keq për shtetet e Ballkanit që presin me durim të hyjnë në bllok.

Mali i Zi, Serbia, Bosnja, Shqipëria, Maqedonia dhe Kosova janë të gjitha në faza të ndryshme të pritjes jashtë zyrave të Brukselit – por të etura t’i bashkohen BE-së sa më shpejt të munden.

Megjithatë, nëse votimi në Britani shkon keq, një rezultat i mundshëm është që të gjithë motorët e BE-së në dy vitet e ardhshme – të paktën – do të konsumohen me diskutimet me Britaninë rreth kushteve të daljes dhe me marrëdhëniet e ardhshme tregtare me Evropën.

Vizitat nga liderë të rëndësishëm të BE-së në Ballkan do të jenë më të rralla dhe kur të ndodhin, do të kenë më pak rëndësi.

Një tjetër efekt anësor negativ i daljes së Britanisë për Ballkanin ka gjasa të ushqejë armiqësinë ndaj zgjerimit mes vendeve të mbetura anëtare të BE-së.

Disa nga këto vende, veçanërisht perëndimi më i pasur, do të zemërohen shumë kur të shohin zëvendësimin e Britanisë së pasur nga disa shtete të varfra të Ballkanit, asnjë prej të cilave nuk do të jetë kontribuues kryesor në klub.

Vendet që shpresojnë të hyjnë në BE në vitet e ardhshme mund ta gjejnë veten dhe aplikimet e tyre të aneksuara për një dekadë ndërsa BE-ja përpiqet të zgjidhë problemet e veta.

Përballë mundësisë së një situate shumë kaotike që do të shpaloset më 24 qershor, kampi “të qëndrojmë” po përpiqet të qetësohet me shpresën se votuesit do të ndryshojnë mendje kur të jenë në kutinë e votimit.

Sondazhet në mbretërinë e Bashkuara kanë qenë gabim edhe në të shkuarën; më e rëndësishmja ishte në zgjedhjet e shkuara të përgjithshme në vend, kur thuajse të gjitha e nënvlerësuan nivelin e mbështetjes për Partinë Konservatore me disa pikë. Cameron ka qenë me fat më parë kur gjasat dukeshin të pakta. Ai duhet të shpresojë se fati i tij nuk do ta braktisë edhe kësaj here.