Ahmet Brahimaj- Foto: Kallxo.com - ARKIV

Baleti Kombëtar dy dekada pas luftës pa shkollë e sallë adekuate

Suksesi i Baletit Kombëtar të Kosovës gjatë 2018 është arritur falë përkushtimit dhe punës së bërë nga menaxhmenti dhe trupa e balerinëve të Baletit, ndërsa më meritori padyshim se është Ahmet Brahimaj, i cili deri në fillim të dhjetorit të 2018 mbajti postin e drejtorit të këtij institucioni, që nga pas lufta.

Në këtë intervistë me ish- drejtorin e BKK-së, Ahmet Brahimaj, Kallxo.com sjell për lexuesit, sukseset, punën dhe përkushtimin e balerinëve kosovarë, por edhe sfidat dhe problemet që BKK-në vazhdojnë ta ndjekin që nga rilindja e baletit kosovar, financimi jo i rregullt dhe me mjaftë probleme, çështja e objektit dhe kushtet aspak të mira për punë dhe me e keqja mos siguria për të ardhmen e BKK-së.

Kallxo.com: 2018-ta shënon një nga vitet më të suksesshme të Baletit Kombëtarë të Kosovës që nga ringritja e tij pas luftës. Çfarë e bën për ju këtë viti më të veçantë se vitet tjera në drejtimin e BKK-së?

Ahmet Brahimaj: Ky viti ishte më i suksesshmi për BKK-në për shumë arsye, por më kryesorja është se gjatë këtij viti kemi pasur dy premiera koreografinë e së cilave e kanë bërë dy balerinët tanë, të trupës së baletit, çka dëshmon se niveli artistik i trupës së baleti ka arritur deri në atë pikë sa të nxjerrë edhe dy balerinë, shfaqjet e të cilëve kanë qenë jashtëzakonisht të suksesshme.

Teuta Krasniqi, balerinë realizoi koreografinë e shfaqjes, “Pa mure”, ndërsa Sinan Kajtazi me koreografinë e shfaqjes “O.Taka” që përmbylli sezonin e BKK-së.

Në kuadër të suksesit të këtij viti kemi edhe dy premierat e dhëna gjatë këtij viti me koreografë nga jashtë, që realizuan dy balete klasike të pritura mirë dhe shfaqjen e 53 reprizave të dhëna nga institucioni ynë gjatë këtij viti, por pa harruar edhe shfaqjet që kemi dhënë jashtë vendit, si në Berlin, Hamburg, Paris, në Bullgari dhe në disa qytetete të Finladës, ku kemi realizuar diku 16 shfaqje para publikut të huaj. Ky është një sukses që ka afirmuar dhe ka shpalosur vlerat dhe të arriturat e BKK-së.

Sabotimet dhe “lufta” për objektin

Kallxo.com: Si arritët ta ringrisni pas lufte këtë institucion, sa ishte e vështirë, pas dekadash mos funksionimi, si rezultat i masave të dhunshme të instaluara në institucionet kulturore në vend atë kohë nga Serbia?

Ahmet Brahimaj: Kthimi ynë në objektin aktual, aty ku u themelua baleti dhe nga aty ku u larguam me dhunë nga regjimi serb është përcjellë me probleme. Këto problemi nuk ishin vetëm të kuadrove, por kemi hasur në një rezistencë të ashpër të njerëzve që kanë udhëhequr Teatrin Kombëtar. Për shumë vite diskriminoheshim dhe na bënin shumë padrejtësi, pasi Teatri funksionoi deri te bombardimit e NATO-s në 99-ën dhe kishin ruajtur vazhdimësinë. Ndërsa ne jo. U kthyem si gjeneratë e vjetër, pas një dekade të përzënë dhe pa mundësi ushtrimi të baletit.

Është shumë më mirë që të mos e dinë njerëzit se me çfarë arrogance janë sjellë drejtorët e TKK-së, pas lufte ndaj BKK-së dhe balerinëve, duke filluar i pari dhe me radhë. Pengesat kanë shkuar deri aty sa na kanë sabotuar nxehjen, shërbimet e përbashkëta, si teknikën dhe pastrimin, probleme të cilat jemi munduar që këto të mos i vërej gjenerata e re e balerinëve.

Edhe tash nuk jemi kushedi sa, por me ligjin për baletin, përvojën dhe me sukseset e arritura vit pas viti kemi arritur t`u mbyllim gojën dashakqinjve dhe që donin zhbërjen e baleti apo edhe përzënien e tij jashtë objekti ku u themelua.

Kallxo.com: Po institucionet, MKRS apo dikasteret tjera si ju përgjigjën vullnetit të balerinëve për ri -themelimin e Baletit pas luftës?

Ahmet Brahimaj: Na është dashur shumë përpjekje duke u përballur njëkohësisht edhe me problemet që na shkaktonin drejtuesit e Teatrit Kombëtar, të cilët kërkonin të na dëbonim nga objekti, të cilin e kishim dhe e kemi të përbashkët me TKK-në.

Por, me mbështetjen e atëhershme të bashkëkryesuesit të arsimit, Naim Rrustemi dhe drejtorin e Shkollës së Muzikës në Prishtinë në atë kohë, ne arritëm edhe të hapim degën e baletit në kuadër të shkollës së muzikës.

Kjo vinte si nevojë për të siguruar vazhdimësinë e gjeneratave të baletit, gjë që edhe ndodhi, dhe mund të them se për fillim çdo gjë shkoi mirë, dhe më kohë pastaj këta të rinj filluan të angazhohen në shfaqje baleti dhe në 2005 doli gjenerata e parë e balerinëve nga shkolla e mesme profesionale 4 vjeçare, duke përfshirë edhe ata që ishin në shkollim.

Megjithatë kjo nuk ndodhi shumë gjatë pasi me ndërrimet e shpeshta të planprogrameve si dhe ndërrimet e drejtorëve në komunë dhe në Shkollën e Muzikës ia humbën vlerën asaj dege dhe ne si trupë baleti nuk kemi qasje.
Për fat të keq ajo shkollë nuk nxjerrë balerin që do të mund të angazhoheshin në shfaqjet e baletit.

Sfidat dhe zymtësia për të ardhmen e BKK-së

Kallxo.com: Cilat janë sfidat me të cilat sot po përballet BKK-ja, dhe çfarë duhet bërë për ta ruajtur nivelin aktual që ka arritur ky institucion?

Ahmet Brahimaj: Së pari, objekti ku funksionojmë ne dhe TKK-ja nuk i plotëson kushtet që duhet për funksionimin e institucioneve tona, as skena e shfaqjeve dhe as sallat ku përgatiten balerinët dhe aktorët nuk i plotësojnë kushte që duhet.

Përveç kësaj sfidë është edhe mos funksionimi si duhet i Degës së Baletit në Shkollën e Muzikës, për të përtërirë gjenerata që është e domosdoshme.

Por, jo vetëm këto, ne sot përballemi edhe me problemin financiar, bllokimin e llogarive bankare, e problemeve tjera të cilat në të shumtën e rasteve na janë imponuar.

Ne jemi dëshmuar që kem arritur një nivel jashtëzakonisht të vlerave dhe nuk është lehtë për ta ruajtur, për arsyet që ceka më lartë, pasi gjithë këtë e kemi arritur hap pas hapi, duke përtërirë trupën, krijuar koreografë vendas dhe profesorë të baletit.

Kallxo.com: Insistoni vazhdimisht për themelimin e në një shkolle kombëtare të baletit, pse është e nevojshme një shkollë e tillë?

Ahmet Brahimaj: Ne kemi shpjeguar shumë herë se shkolla e baletit sipas standardeve ndërkombëtare është 8 vjeçare, që fillon nga klasa e 5 fillore, që do të thotë 4 vjet shkollim të ulët dhe 4 profesionale me të cilën edhe përmbyllet cikli për përgatitjen profesionale për një blerin.

Por, kjo nuk mjafton dhe balerinët notohen çdo ditë, që do të thotë se çdo ditë duhet të përgatiten. Pra, për shkak të specifikave që kërkon arti i baletit dhe nevoja për BKK-në, patjetër duhet një shkollë kombëtare e gjithë niveleve për balet.

Kalxo.com: Viteve të fundit BKK-ja ka arritur të mbledh një shikueshmëri që institucionet tjera nuk e kanë. Si arritët që ta hidhni prapa krahëve mungesën e shikueshmërisë?

Ahmet Brahimaj: Përkushtimi dhe puna na kanë sjellë në këtë situatë që mos të kemi e problem shikueshmërinë e cila në vazhdimësi shtohet. Mbi të gjitha serioziteti i balerinëve, puna e tyre e palodhur dhe respekti ndaj shikuesve e ka bërë BKK-në institucioni më shikueshmërinë më të lartë në vend.

Kallxo.com: Në muajin dhjetor 2018 i dhatë fund një karriere të gjatë si balerin dhe drejtor i BKK-së për dy dekada pas luftës, për shkak të pensionimit, në çfarë gjendje po e leni BKK-në?

Ahmet Brahimaj: Së pari BKK-ja qëndron shumë mirë në aspektin artistik, është një institucion stabil i cili ka arritur majat e nivelit.

Por, parashikimi për të ardhmen nuk është shumë i mirë, sepse nuk kemi një shkollë për të përgatitur gjeneratat e reja dhe përtëritjen e BKK-së me balerine të rinj. Për fat të mirë na është premtuar një shkollë, por ende kemi probleme, për shkak të neglizhencës dhe mos seriozitetit, si të Komunës së Prishtinës ashtu edhe nga Ministria e Arsimit.

Kjo edhe është brenga ime që ne për kaq vite pas luftës nuk kemi arritur ta kemi një shkollë kombëtare të Baletit.
S’ka dyshim se edhe objekti dhe sallat ku punohet janë një nevojë e domosdoshme, pasi kushtet në objektin aktual nuk janë aspak të mira, meqë për fat të keq hapësirat i ndajmë me Teatrin Kombëtar, duke përshirë edhe punëtorët tekniko artistik.