Azem Syla pasi i është dorëzuar Policisë së Kosovës - Foto: KALLXO.com

Azem Syla Bleu Banesë e Veturë me Paratë e Tokave

Paratë e fituar nga shitja e pronave të familjes Simiq ishin përdorur për të blerë një banesë në Pejton dhe një veturë Mercedes ML për Azem Sylën

Në aktakuzën e saj voluminoze, Prokuroria Speciale pretendon se ish komandanti i UÇK-së Azem Syla ka blerë një banesë në Lagjen Pejton dhe një veturë Xhip ML me paratë nga shitja e pronave të serbëve në Çagllavicë.

Siç përshkruhet në faqen 155 të aktakuzës njëri nga dëshmitarët e rastit i ka rrëfyer prokurorisë se nga paratë e fituar nga shitja e pronave të familjes Simiq të cilat ishin shitur rreth 155 mijë euro ishin përdorur për të blerë një banesë në Pejton dhe një veturë Mercedes ML për Azem Sylën përderisa dy anëtarët e tjerë të grupit Shaban Syla e Shpresim Ukaj blenë makina të tjera përfshirë një BMW X5 nga këto para. Aktakuza nuk ofron versionin e Sylës për prejardhjen e parave për blerjen e këtyre pronave por vazhdon tutje duke treguar se biznesi i patundshmërive me pronat ishte rritur në biznes prej gjysme milioni në vitin 2006.

Aktakuza: Pensioni i Zvicrës Financoi Grupin e Azem Sylës

Aktakuza e cila rëndon 22 persona si anëtarë të grupit të Azem Sylës përshkruan takimet në njërin nga restorantet afër fakultetit teknik në Bregun e Diellit dhe metodat me të cilat Syla sigurohej që askush nuk mund ta incizonte . “Takimet e rregullta të GRUPIT mbaheshin në një restorant në Bregun e diellit afër fakultetit teknik. Azem syla qëndronte në një qoshe dhe gjatë kohës i ftonte anëtarët e grupit në tavolinë për t’u kërkuar informacione”, thuhet në aktakuzë.

Dy dëshmitarët e prokurorisë pretendojnë se ishte e pamundur të uleshe me Azem Sylën nëse nuk ishe i ftuar në tavolinë. “Kur një person thirrej të flasë me Azem Sylën, Syla ftonte Arton Villën shoferin e tij dhe ia dorëzonte çantën dhe telefonin”, thuhet në aktakuzë. Telefonin dhe çantat ishin të obliguar t’i dorëzonin edhe ata që takoheshin me Sylën.

Siç shkruhet në aktakuzë Arton Villa mbante çantat dhe telefonët deri në fund të takimit në ulësen e tij afër banakut.

Aktakuza përshkruan rolin e Shaban Sylës dhe Shpresim Ukës si personat e përfshirë në çdo hap të organizatës kriminale dhe në mashtrimet me toka, përfshirë edhe operacionet e shpëlarjes së parave.

Ata përshkruhen në aktakuzë si liderë të grupit, menjëherë pas Azem Sylës, me të cilin janë edhe të lidhur familjarisht. Shaban Syla, siç thuhet në aktakuzë, veproi hapur dhe personalisht, duke nënshkruar një sasi të madhe të dokumenteve, “Shaban Syla ishte sigurisht një nga arkitektët e mashtrimit, bashkë me Hajrullah Berishën”, thuhet në Aktakuzë.

Hajrullah Berisha një tjetër i akuzuar në këtë rast pretendohet se bashkëpunoi me grupin duke qenë pjesë e misionit të OKB-së UNMIK.

“Hajrullah Berisha është figurë kyçe e grupit të organizuar kriminal. Që nga viti 2006, roli i tij ishte absolutisht esencial sepse ishte i ngarkuar për hapat më të rëndësishëm dhe themelorë që i mundësuan grupit të organizuar kriminal të procedojë mashtrimet më të mëdha; falsifikimin e dokumenteve origjinale”, thuhet në aktakuzë.

Ekskluzive: Aktakuza Voluminoze Ndaj Grupit të Azem Sylës

 

Hajrullah Berisha, ish i punësuar në UNMIK punonte në gjykatë dhe kishte qasje në ndërtesat e gjykatave dhe zyret publike të cilat, në atë kohë, menaxhoheshin që të gjitha nga UNMIK-u. “Në mënyrë specifike në atë kohë Arkiva e Gjykatës ku ishin ruajtur dosjet e rasteve “Simiq”, “Steviq” dhe “Vujoviq” ishin duke u ruajtur në ndërtesën e ndërmarrjes shoqërore “Shock Absorbers” e cila ishte vendosur afër ndërtesës së UNMIK-ut” thuhet në aktakuzë. Prokuroria pretendon se Berisha njihte mirë sistemin ligjorë dhe kishte qasje të lehtë në shabllone të dokumenteve dhe vulave.

“Përveç Nuhi Ukës, ai ishte i vetmi që kishte mundësinë dhe dijeninë për t’i falsifikuar rastet, vendimet e gjykatave dhe dokumentet të cilat ishin të ruajtura në Arkivin e Gjykatës Komunale dhe Arkivin Shtetëror të Kosovës” thuhet në aktakuzë.

Njëri nga dëshmitarët kyç të prokurorisë përshkruhet në aktakuzë se e takoi Berishën në fund të vitit 2006 kur u takuan me Shaban Sylën. “Hajrullah Berisha i dha Shaban Sylës 20 mijë euro për t’ia dhënë familjes Simiq për vendimin e gjykatës”, përshkruhet në aktakuzë. Berisha më pas përshkruhet si vizitues sporadik i kafeterisë ku mbaheshin takimet e grupit në vitet 2006 2007 dhe 2008 i njëjti përshkruhet si aktiv në grup edhe gjatë vitit 2016 në përgjimet e linjës tokësore të telefonave nga burgu i Dubravës.

Aktakuza: Pronat Përdoreshin për Blerjen e Dëshmitarëve Kundër Nazim Bllacës

Azem Syla dhe disa anëtarë të tjerë të grupit ishin arrestuar në aksionin e prillit. Avokatët mbrojtës të tyre në vazhdimësi kanë mohuar akuzat e prokurorisë duke pretenduar në pafajësinë e klientëve të tyre. Deklarata të tilla janë dhënë nga të gjithë avokatët duke u thirrë në mohimet të cilat klientët e tyre ua kanë bërë pikave të akuzës pas aksionit të EULEX-it.

Aksioni ishte filmuar ekskluzivisht nga kamerat e emisionit “Drejtësia në Kosovë”.

Në vazhdimet e radhës:

Cili ishte roli i Lubisha Vujoviqit?

Çfarë thuhet ne përgjimet e prokurorisë dhe cilat telefonata do të përdoren nga prokuroria për ta mbrojtur aktakuzën?

Cili nga të dyshuarit e kishte vazhduar biznesin nga burgu i Dubravës, e cili e angazhoi djalin për ta vazhduar biznesin?

Cilat janë provat që u zbuluan pas bastisjeve të prillit 2016?

Çfarë thuhet në deklaratat e të arrestuarve rreth dyshimeve të prokurorisë?

 

02 Nëntor 2016 - 17:45

Kreshnik Gashi 02/11/2016 - 17:45
NDËRVEPRIMI0
Prishtina Insight
NA NDIQNI

Send this to a friend