Logo e Universitetit të Prishtinës - Foto: KALLXO.com

Avancimi problematik në Fakultetin e Shkencave Matematike- Natyrore

Avancimi i Hamit Ismajlit si profesor asistent në Fakultetin e Shkencave Matematike-Natyrore ka shkaktuar pakënaqësi te kandidatët tjerë që kanë qenë në garë.

Dy kundërkandidatë të Ismajlit po pretendojnë që komisioni recensues ka bërë shkelje kur e ka përzgjedhur Ismajlin për avancim përball tyre. Kjo është hera e dytë që Hamit Ismajli propozohet për avancim. Herën e parë ishte propozuar në vitin 2015, por njëri nga kundërkandidatët e kishte çuar rastin deri në Prokurorinë e shtetit.

Ankesat e kandidatit Lulzim Zeneli që kishte konkurruar në këtë konkurs në vitin 2015 kishin bërë që Gjykata të marrë masë të përkohshme që të mos i lejojë UP-së të hapë konkurs për këtë pozitë.

Përveç kësaj, anëtarët e Komisionit Recensues në atë kohë, Ismet Hashani, Ramiz Hoti dhe Nevzat Aliaga ishin përballur me prokurorinë pas kallëzimit penal që Zeneli e kishte dërguar kundër tyre.

Zeneli po ashtu akuzoi se kundërkandidati, pra Hamit Ismajli, kishte bërë falsifikim të dokumenteve dhe sipas tij kishte botuar publikime shkencore në revista të dyshimta.

Në hapjen e konkursit të ri për këtë pozitë, më 27 prill të këtij viti, Zeneli nuk u propozua për avancim duke humbur sërish kundrejt Ismajlit.

Por, kësaj here, Zeneli nuk është befasuar pasi vlerësimi i kandidatëve është bërë pothuajse nga i njëjti komision.

“Ky komision ka kallëzim penal në prokurori edhe është në procedurë gjyqësore, ankesë më të madhe s’besoj që ka. Ankesa nuk kam bërë për arsye se është e kotë që të bësh ankesa të tilla. Personi në fjalë nuk e ka asnjë punim shkencor, krejt punimet i janë demaskuar. Unë nuk jam marrë më shumë me këtë punë se nuk ia vlen. Ky është në procedurë gjyqësore edhe falsifikim. Të enjten mua më ka intervistuar prokuroria për këtë çështje”, tha Zeneli.

Derisa, Zeneli ka vendosur të presë rezultate nga gjykata, një tjetër kandidat ka vendosur të ankohet në të gjitha instancat.

Miribane Dërmaku- Sopjani foli për emisionin ‘Jeta në Kosovë’ për të gjitha padrejtësitë që thotë se iu kanë bërë karshi kundërkandidatit në këtë konkurs.

Komisioni Recensues, kësaj radhe i përbërë prej Ismet Hashanit, Ramiz Hotit dhe Arleta Rifati-Nixha nuk ishin të një mendimi sa i përket kandidatëve për këtë pozitë.

Profesorët Ismet Hashani dhe Ramiz Hoti propozuan për avancim kandidatin Hamit Ismajli duke mos mohuar megjithatë se edhe Dërmaku-Sopjani ka të arritura shkencore, por që sipas tyre nuk i përshtaten fushës së pozitës.

Në anën tjetër, anëtarja e tretë e komisionit, Arleta Rifati-Nixha paraqiti mendim të ndarë, ku propozon Dërmaku-Sopjanin për avancim pasi sipas saj ajo është e vetmja kandidate që plotëson të gjitha kriteret për avancim në këtë pozitë.

Kandidatja akuzoi Komisionin Recensues se i ka fshehur qëllimisht disa prej të arriturave të saja dhe kanë ekzagjeruar ato të kundërkandidatit.

“Mua më është fshehur monografia shkencore dhe disa punime shkencore, ndërsa i janë shtuar kundërkandidatit”, tha Dërmaku-Sopjani.

Me gjithë numrin e madh të ankesave e të letrave ku Miribanja hollësisht shpjegon arsyet pse konsideron që i është bërë e padrejtë, recensioni me vetëm dy nënshkrime kaloi të gjitha fazat e rekrutimit dhe u votua në Senatin e Universitetit të Prishtinës duke vulosur avancimin e Hamit Ismajlit.

E vetmja ankesë që kandidates Dërmaku-Sopjani iu kthye si pozitive ishte ajo e Inspektoratit të Punës që me datën 08.10.2018. Inspektorati urdhëroi Komisionin Vlerësues Rekrutues të bëjë rivlerësimin e konkurrentëve për këtë pozitë.

Ky vendim megjithatë nuk i bëri përshtypje kryetarit të Komisionit Recensues, Ismet Hashani i cili tha se qëndron prapa vendimit të tij si komision.

“Unë Prof. Dr. Ismet Hashani, prof i rregullt qëndroj në mbështetje të referatit që e kam nënshkruar , që është konfirmuar nga Këshilli i Departamentit të Kimisë dhe Aprovuar nga anëtaret e Këshillit të FSHMN-se me vetëm dy vota kundër dhe një abstenim dhe është konfirmuar me vendimmarrje nga Senati i UP-së”, tha ai.

Recensenti tjetër, Ramiz Hoti tha se deklarimet e Dërmaku-Sopjanit në media po bëhen për të krijuar përshtypjen se asaj i është mohuar diçka.

“Pretendimet e zonjës Dermaku se kandidati Hamit Ismaili ka dokumente të falsifikuara nuk qëndrojnë. Gjithçka që është shënuar në raport është bazuar në dokumentacionin origjinal nga dosja e kandidatit. Për të vërtetuar këtë mund të kërkoni qasje në këtë dosje nga sekretari i FSHMN-së. Nëse zonja Dërmaku ka ndonjë pretendim, le t’a raportojë në prokurori”, tha Hoti.

Në anën tjetër, anëtarja Arleta Rifati-Nixha tha se vendimi i inspektoratit mund të jetë hap drejt zbatimit të ligjit.

“Mendoj që vendimi i Inspekoratit të Punës dhe Mirëqenies Sociale të datës 08.10.2018 është një hap i parë dhe i rëndësishëm drejt zbatimit te ligjit. Rrjedhimisht, drejt mundësisë së avancimit meritor dhe ligjor të kandidatës Dr.sc.Miribane Dërmaku-Sopjani”, tha Sopjani.

Të gjitha ankesat dhe dyshimet mbi meritokracinë në zgjedhjen e Hamit Ismailit si profesor- asistent po konsiderohen të pabaza nga vetë Ismajli.

Ai duke mos pranuar të prononcohet para kamerës për këtë çështje tha se ka folur edhe në prokurori lidhur me dyshimet për falsifikim.

“Me këto sene merret rektorati, nëse kanë ndonjë ankesë eventuale. Ankesa mund të bëjë gjithkush, por nuk kanë bazë ligjore sepse ata nuk janë adekuatë për lëmin e caktuar dhe nuk i kanë plotësuar kushtet. Me këto sene nuk kam kohë me u marrë shumë, është komisioni recensues që i ka bërë këto gjëra, ata e kanë shkruar, i kanë vlerësuar, çka me fol unë për ta. Këtë problematikë e kam zgjedhur me prokurorinë, kam qenë në intervistë dhe e kemi zgjedhë. Ajo çfarë po thotë ajo ka pretendime. Kemi qenë në prokurori e kemi rregulluar, ata e kanë këqyrë, nuk ka pas kurrfarë probleme. Nuk kam kohë. Kjo u kry ma herët. Krejt dokumentet janë dorëzuar”, tha Ismaili.

Rektorati megjithatë deri më sot nuk ka komentuar pretendimet e kandidates e as vendimin e inspektoratit të punës për këtë çështje.

Dekani i Fakultetit të Shkencave Matematiko Natyrore tha se për të kandidatët për këtë konkurs janë të barabartë ndërkaq tregoi se kanë bërë ankesë ndaj vendimit të Inspektoratit të Punës.

Miribane Dërmaku-Sopjani po pret përgjigje ndaj ankesës së bërë për vendimin e senatit të Universitetit të Prishtinës për avancimin e Hamit Ismailit.