Hapësirat e Universitetit të Prishtinës | Foto: KALLXO.com

Avancimi i dyshimtë në Universitetin e Prishtinës

Muhamed Çitaku është propozuar në pozitën profesor-asistent në Departamentin e Gjuhës Shqipe të Fakultetit Filologjik për disa lëndë nga komisioni recensues, përkundër që nuk ishte më i poentuari në garën për këtë pozitë.

Më i poentuari në këtë garë ka dalë Vehbi Miftari, kundërkandidati i Çitakut. Komisioni Recensues i përbërë nga Sali Bashota (Kryetar), Qibrije Demiri- Frangu (Anëtare) dhe Zejnullah Rrahmani (Anëtar) i ka dhënë disa arsye pse kanë vendosur t’ia propozojnë Senatit kandidatin e dytë për nga përgatitja.

Për komisionin recenzues më shumë kishte peshë mosha e kandidatit dhe “inovacioni” i tij, krahasuar me kriteret tjera siç janë: numri i punimeve shkencore.

“I njëjti (Vehbi Miftari) nuk ka përvojë mësimdhënieje në lëndët e përmendura në konkurs, nuk shquhet për ide të reja dhe është 10 vite më i vjetër se kundërkandidati”, thuhet në propozimin final të komisionit recenzues.

Kundërkandidati i Çitakut, Vehbi Miftari po ndjek të gjitha rrugët e mundshme të ankesave për të parandaluar miratimin e procesverbalit të kësaj mbledhje të senatit ku u bë avancimi në fjalë pasi, sipas tij avancimi i Çitakut ishte i kundërligjshëm.

Kriteret e konkursit

Më 27 prill të vitit 2018, Universiteti i Prishtinës shpalli konkurs për zgjedhjen e personelit akademik në disa fakultete.

Në pikën III.4 të këtij konkursi, gjegjësisht për pozitën: Mësimdhënës në Fakultetin e Filologjisë për lëndët: Letërsi Popullore I, Letërsi Popullore II, Folklori arbëreshe, Stilistikë, Kurs Monografik dhe Sociologji e Letërsisë konkurruan kandidatët Vehbi Miftari dhe Muhamed Çitaku.

Më 29 maj, tre anëtarët e komisionit recensues për këtë pikë të konkursit, Sali Bashota (Kryetar), Qibrije Demiri- Frangu (Anëtare) dhe Zejnullah Rrahmani (Anëtar), nxorën vlerësimin e tyre për kandidatët duke propozuar për avancim kandidatin, Muhamed Çitaku.

Në buletinin e publikuar online, Çitakut i janë numëruar tre punime kryesore shkencore si kusht kryesor i konkursit, të cilët iu poentuan dy nga 0.55 pikë dhe një 0.85.

Sipas kritereve të konkursit dhe udhëzimit administrativ të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë nr. 01/2018, nenin 6, parasheh që revistat në fushën e albanologjisë mund të jenë edhe nga rajoni, nëse kanë redaksi ndërkombëtare.

Po ashtu në një Udhëzimin Administrativ tjetër, me nr. 07/2018, nenin 2 i cili e plotëson nenin 3, paragrafin 4, të UA 01/2018, duke ia shtuar dy pika: pikën 4.1., në të cilën për-saktëson: “Revista nuk duhet të jetë e Kosovës ose e vendeve fqinje”, si dhe paragrafin e shtuar 4.2., në të cilin precizohet: “Revista nga shkencat e albanologjisë mund të jetë vendore apo e Shqipërisë, nëse ka redaksi ndërkombëtare”.

Megjithatë revistat që kandidatit Citaku i janë numëruar punimet shkencore janë të Shqipërisë dhe respektivisht vendore për të cilat kandidati Miftari pretendon se nuk i plotësojnë kushtin e të pasurit redaksi ndërkombëtare.

Po ashtu, në analizën e publikuar nga Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA) lidhur me buletinin e datës 05.06.2018 u përmendën revistat ku ka publikuar kandidati Çitaku ku vëhen dyshime në i plotëson kushtet e udhëzimit administrativ.

“Revistat “Studime – ASHAK”, “Studime Albanologjike”, “Gjurmime Albanologjike”,“Studime Filologjike”, dhe “Symbol”, janë revista vendore ose të vendeve fqinje dhe nuk janë të indeksuara në Scopus ose Ueb of Science. Gjithashtu, nuk kemi arritur të vërtetojmë që këto revista kanë redaksi ndërkombëtare siç kërkohet nga UA1/2018 për revistat e fushës së albanologjisë”, thuhet në raport.

Gazeta JnK ka dërguar pyetje në Universitetin e Tiranës lidhur me revistën Studime Albanologjike ku ka publikuar Muhamed Çitaku dhe është në pritje të përgjigjeve.

Miftari beson që përveç punimeve shkencore, kandidati i rekomanduar nga komisioni ka konflikt të interesit me njërin nga anëtarët e komisionit.

Në njërën nga punimet e paraqitura të kandidatit Çitaku përmendet artikulli tjetër për veprën e anëtarit të Komisionit Vlerësues, dr. Zejnullah Rrahmanit, dhe të disa autorëve të tjerë. Ky artikull që është marrë si referencë në punimin shkencorë të Citakut është publikuar në revistën “Studime” të Akademisë së Shkencave (pjesë e së cilit institucion është edhe vetë Zejnullah Rrahmani).

Kandidati Miftari këtë e ka quajtur konflikt të interesit dhe si të tillë e ka raportuar në Agjencinë Kundër Korrupsionit.

Në anën tjetër, në të njëjtin buletin Vehbi Miftarit i janë pranuar tre punime me impakt faktor dhe secili i poentuar me nga një pikë të plotë.

Në fakt në disa prej kategorive më i poentuar nga Komisioni Recensues, prin kandidati Vehbi Miftari.

Në tabelën e shënimeve përmbledhëse të kandidatëve, numri i lëndëve të ligjëruara në UP nga kandidatët është 10 për Çitakun dhe 9 për Miftarin. Numri i kandidatëve të mentoruar për Miftarin është 7 ndërsa 0 për Çitakun.

Për nga renditja kryesore e punimeve, numri është 3 për të dy, megjithëse të vlerësuara me pikë të ndryshme, nga numri i përgjithshëm i punimeve, Miftari i ka 33 punime shkencore, ndërsa Çitaku i ka 19.

Ndërkaq në përvojën e punës, thuhet se Miftari ka 18 vite përvojë pune e Çitaku 7.

Mirëpo në propozimin final, ky komision thotë se arsyeja që refuzojnë propozimin e Miftarit për këtë pozitë është se “i njëjti nuk ka përvojë mësimdhënëje në lëndët e përmendura në konkurs, nuk shquhet për ide të reja dhe është 10 vite më i vjetër se kundërkandidati”.

Ankesat e Miftarit 

Kandidati Vehbi Miftari tregoi për Gazetën Jeta në Kosovë se në procedurat e këtij konkursi ka dërguar ankesa dhe shkresa në të gjitha organet vendimmarrëse të këtij rasti.

Fillimisht, ky kandidat ishte ankuar në ‘Komisionin për Ankesa’ brenda Fakultetit Filologjik, por ata kanë vendosur që ankesa e Miftarit ishte pabazuar.

Miftari beson që të gjitha organet vendimmarrëse që janë të parapara me procedura për avancim të stafit akademik si Këshilli i Fakultetit, Trupa Këshillëdhënëse e Rektorit dhe Senati i Universitetit të Prishtinës janë vënë në lajthitje nga vendimi i komisionit recensues.

Ai në letrat e shumta që i ka drejtuar rektorit e madje edhe inspektoratit të arsimit e organeve ndjekëse ka kërkuar që procesverbali i mbledhjes së senatit ku u bë avancimi i lartpërmendur të mos miratohet, sepse kjo do të vuloste vendimin për avancim dhe shkeljen e ligjit sipas Miftarit.

“Kërkoj nga ju që në asnjë mënyrë të mos e miratoni procesverbalin e mbledhjes së senatit të dt. 20.07.2018, pikën për zgjedhjen e stafit akademik, si dhe ta riktheni në diskutim këtë çështje”, thuhet në letrën e Miftarit.

Në mbledhjen e Senatit të Universitetit të Prishtinës të mbajtur me 10 shtator nuk është miratuar fare procesverbali i mbledhjes së kaluar ku është bërë avancimi.

Gazeta Jeta në Kosovë ka dërguar pyetje në drejtim të rektoratit të UP-së lidhur me këtë çështje dhe pretendimet e Miftarit, mirëpo të njëjtit thonë se nuk mund të trajtojnë ankesa mbi një çështje të pa finalizuar.

Pas pyetjeve të pranuara nga KALLXO.com, në mbledhjen e Senatit më 10 shtator, ishte shtyrë miratimi i procesverbali i mbledhjes së kaluar (mbledhjes kur u votua avancimi i Çitakut)

Esat Kelmendi, sekretar i këtij universiteti tha se letra e Miftarit është e parakohshme.

“Pasi ta marrin vendimin, pala e pakënaqur ushtron ankesë dhe pastaj ankesa shqyrtohet në komision të ankesave. Nuk trajtojmë ankesa para se të pranojë pala vendimin”, tha Kelmendi.

Kandidati mund të ankohet në komision të ankesave në senat pas marrjes përfundimtare të vendimit me shkrim për përzgjedhjen e Çitakut.

Në anën tjetër, GJnK ka provuar të marrë komente edhe prej të gjithë anëtarëve të komisionit recensues, por të njëjtit nuk i janë përgjigjur pyetjeve të dërguara.

Ndërkaq, Kryetari i këtij komisioni, Sali Bashota përmes telefonit tha se ata kanë kryer punën e vetë dhe kandidatët kanë të drejtë ankese.

“Nuk kam përgjigje, unë kam dorëzu raportin për fakultetin dhe senatit. Unë i përgjigjem vetëm rektoratit dhe fakultetit. Secili që nuk pranohet ka të drejtë ankese, ne e kemi kryer punën tonë si komision”, tha Bashota.

Në anën tjetër, Miftari thotë se është në pritje të një konstatimi edhe të Agjencisë Kundër Korrupsionit ku ai ka raportuar rastin që beson të jetë konflikt i interesit të anëtarit të Komisionit Recensues, Zejnullah Rrahmani dhe kandidatit, Muhamed Çitaku.

Gazeta Jeta në Kosovë ka kërkuar edhe komentin e Çitakut lidhur me pretendimet e kundër-kandidatit, mirëpo i njëjti nuk ka kthyer përgjigje deri në momentin e publikimit të këtij artikulli.