Foto: arh-ks.org

Autoriteti Rregullativ i Hekurudhave me U.D përtej limiteve ligjore

Dy pozita menaxhuese në mënyrë të kundërligjshme kanë qenë të mbuluara me ushtrues detyre (UD) për më gjatë se tre muaj në Autoritetin Rregullativ të Hekurudhave (ARH). Prej tyre njëra pozitë nga nëntori i vitit 2016 dhe tjetra nga muaji mars i vitit 2017.

Pozita e Drejtorit të Administratës është zgjedhur në prill të vitit 2018, kurse ajo e Drejtorit të Përgjithshëm edhe pse ishte zgjedhur në tetor të vitit 2017 nga ana e Bordit, ajo më pas ishte anuluar pas ankesave dhe vazhdon të ushtrohet me U.D..

Në raportin e Zyrës Kombëtare të Auditimit është theksuar se mbulimin e pozitave udhëheqëse me ushtrues detyre e përcakton neni 30 i Ligjit për Shërbim Civil SHC-03/L149.

“Një pozitë nuk mund të mbahet me ushtrues të detyrës (UD) për më shumë se tre muaj”, thuhet në raport.

Si një nga çështjet e evidentuara në raportin e auditimit është edhe mos zhvlerësimi i pasurive nga sistemi e-pasuria, sic kërkohet në bazë të standardeve.

Menaxhmenti sipas Auditorit ka bërë kërkesë në Ministrinë e Administratës Publike (MAP) për funksionimin e duhur të sistemit e-pasuria, por prapë është vërejtur se vlera neto e pasurisë nën 1,000€ nuk ishte e saktë si rezultat që sistemi nuk ishte duke e kalkuluar zhvlerësimin.

“Si pasojë informatat e pasurive nën 1,000€ në PFV janë prezantuar në vlerën bruto përfshirë edhe vlerën e zhvlerësuar të tyre”, theksohet në raport.

Zyra Kombëtare e Auditimit ka konstatuar në raport se rrezik i kësaj është funksionimi me mangësi i sistemit e-pasuria dhe mos zhvlerësimi i pasurisë sipas normave të rregullores 02/2013 për menaxhimin e pasurive ndikon në mbivlerësim të pasurive dhe prezantim jo të saktë të tyre në PFV.

Në Autoritetin Rregullativ të Hekurudhave, Auditori ka gjetur edhe mungesën e regjistrit të rreziqeve dhe planit strategjik.

ARH nuk e kishte hartuar regjistrin e rreziqeve, siç kërkohet me rregullat e MFK-së.

“Si pasojë, ARH kishte vepruar pa analizuar dhe identifikuar rreziqet që mund të ballafaqohet organizata gjatë vitit”, thuhet në raport.

Poashtu, plani strategjik ende nuk ishte hartuar deri në fund të auditimit.

“Procedurat iniciuese kishin filluar në vitin 2018, po ende nuk kanë filluar me formimin e grupeve punuese”, vazhdon raporti.

Sipas raportit mungesa e regjistrit të rreziqeve dhe e planit strategjik mund të pamundësojë reagimin me kohë ndaj rreziqeve me të cilat ballafaqohet organizata, qofshin ato nga mjedisi i brendshëm apo i jashtëm.

“Kjo për shkak se veprimet pro aktive të nevojshme për të parandaluar ose evituar ndikimin e çështjeve të tilla nuk do të ndërmerren në mënyrë të planifikuar dhe sistematike”, potencohet në raport.

Në raport thuhet që edhe përkundër progresit dhe angazhimit të menaxhmentit të AHR-së për të zbatuar rekomandimet e dhëna, një numër i tyre kanë mbetur në proces të zbatimit ose të pazbatuara.

Rekomandimet e pazbatuara plotësisht kanë të bëjnë me menaxhimin e pasurive (stoqet dhe zhvlerësimi i pasurive në e-pasuria), mungesën e planit strategjik dhe regjistrit të rreziqeve, të cilat janë evidentuar përsëri në raportin e këtij viti nga Zyra Kombëtare e Auditimit.