Autobusët e Rinj të Prishtinës Do të Vonohen

Komuna e Prishtinës nuk ka gjasa që së shpejti të bëhet me autobusë modernë. Vendimi nga asambleja komunale u mor më 17 maj 2016 pas një debati të ashpër mes pozitës e opozitës. Edhe 5 hapa të rëndësishëm proceduralë e presin projektin deri në fillim të zbatimit të tij, të cilët në rastin më të mirë do të marrin disa muaj.

Ndërkohë, taksitë ilegale rreshtohen përditë përballë statujës së Bill Clinton duke luajtur funksionin e ‘autobusit numër 1’, ndërkohë që njerëzit ngjeshën brenda tyre dhe paguajnë diçka më shumë që të mos e presin autobusin i cili kalon rrallë.

Ariani nga Fushë Kosova, i cili udhëton çdo ditë nëpër linjën që e lidh me Prishtinën, thotë se preferon taksitë ilegale në vend të autobusit.

“Autobusët ndalen për zbritje të udhëtarëve në disa stacione fiktive, ndalen kudo ku ka njerëz që presin të udhëtojnë. Kjo nisje e ndalje e shpeshtë deri në hyrje të kryeqytetit mund të zgjasë 30-40 minuta,” thotë 25-vjeçari për Gazetën JNK.

“Zakonisht udhëtoj me të ashtuquajturit ‘nishat e vegjël’, taksitë ilegale”

Për t’i ikur këtyre vonesave ai thotë se rrallëherë e përdor transportin publik. “Zakonisht udhëtoj me të ashtuquajturit ‘nishat e vegjël’, taksitë ilegale. Kushtojnë 10 cent më shumë, por janë shumë efikase, të kursejnë rreth 20 minuta”.

Ndërkohë, autobusi i Trafikut Urban që mban numrin 1 vjen ngadalë në stacion dhe merr ata pak udhëtarë që nuk kanë hipur në taksitë ilegale.

Edhe një problem e karakterizon këtë linjë. Koha e papërshtatshme e orareve, e cila kulmon me pritje të gjata, u mundëson taksive ilegale njëfarë legjitimiteti moral. “Ne punojmë vetëm deri në ora 8”, thotë Agimi, konduktori në linjën 1 Prishtinë-Fushë Kosovë, ndërkohë që pengohet nga zhurma e autobusit të vjetër.

Ai dhe shoferi nuk ishin të sigurt për vitin e prodhimit të autobusit me të cilin çonin udhëtarët në destinacionin e paracaktuar, por ishin të sigurt se ai nuk ishte prodhuar më vonë se viti 1995.

Afër “stacionit të fundit” të taksive ilegale, pranë hotelit Grand, ndodhet një tavolinë mbuluar me shkresa dhe dy-tre vullnetarë të lëvizjes “Për Prishtinën”.

Aty qytetarët mund ta nënshkruajnë peticionin me kërkesë drejtuar ministrit të Financave, që ai të nënshkruajë një marrëveshje për garanci shtetërore e cila do ta lejonte Komunën e Prishtinës që të zbatojë projektin e saj për blerjen e 51 autobusëve të rinj.

Komuna e Prishtinës i finalizoi negociatat për kushtet e kredisë më 29 korrik 2015, me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) me seli në Londër. Ministria e Financave u zotua si garantuese e kredisë që Prishtina t’i blejë 51 autobusë bashkëkohorë me emetim të paktë të gazeve dhe që ta reformojë tërësisht sistemin e trafikut.

Por diçka e tillë, edhe pse mund të ketë krijuar mundësitë për zgjidhjen e problemit të transportit publik në kryeqytetin e Kosovës, në fakt ende nuk e ka zgjidhur atë.

Autobus në Prishtinë | Foto nga Rron Gjinovci
Autobus në Prishtinë | Foto nga Rron Gjinovci

Procedurat që i vonuan autobusët një vit

Marrëveshja thotë se kredinë e merr ndërmarrja publike ‘Trafiku Urban’ nën garancinë e Ministrisë së Financave, ndërkaq zbatuese është Komuna e Prishtinës.

Megjithatë, problemi ka lindur rreth interpretimit të ligjeve ekzistuese të Kosovës, ku zyrtarët e Ministrisë së Financave kanë kërkuar që asambleja komunale ta japë vendimin përfundimtar.

Ndërkohë, udhëheqësit e komunës e shohin si të mjaftueshëm faktin që aksionarët e ndërmarrjes ‘Trafiku Urban’ të caktuar nga asambleja komunale, kanë nënshkruar një autorizim të veçantë për marrjen e kësaj kredie nga kryeshefi ekzekutiv i ndërmarrjes.

Dardan Sejdiu, nënkryetar i Komunës së Prishtinës, i tha Gazeta JNK se problemi nuk duhet të kishte ekzistuar, duke qenë se autorizimi me vendim të veçantë i vitit të kaluar për kreun e ndërmarrjes publike nga vetë asambleja, përmbush kriteret ligjore.

Një përplasje procedurale ndërmjet Komunës së Prishtinës dhe qeverisë i vonoi autobusët e rinj për një vit

“Trafiku Urban autorizohet prej aksionarëve që janë të deleguar nga kuvendi komunal që drejtori i ndërmarrjes Halil Mustafa ta nënshkruajë kredinë. Ky vendim nënshkruhet prej Shyqri Spahiut – LDK, Lirie Avdiut – PDK dhe Genc Bashotës si përfaqësues i Shpendit [Ahmeti], pra në cilësinë e aksionarëve të deleguar nga kuvendi komunal”, tha Sejdiu.

Ai akuzon ministrin e financave Avdullah Hoti se qëllimisht është munduar dhe po mundohet ta vonojë zbatimin e projektit.

Sejdiu pretendon se një kërkesë që i ishte drejtuar nga kryeshefi ekzekutiv Halil Mustafa më 22 prill 2015 për dhënien e garancisë shtetërore e që përgjigja ishte dashur t’i kthehej brenda 60 ditësh sipas ligjeve në fuqi, i ishte kthyer në 16 shkurt 2016.

Në 16 shkurti 2016, u kthye përgjigja ndaj kërkesës së komunës së Prishtinës me disa pyetje procedurale nga ana e Ministrisë së Financave dhe me kërkesë kryesore të saj për marrje të vendimit nga asambleja komunale.

Përgjigja u dha nga komuna më 18 shkurt 2016, dhe që nga ajo kohë, nuk ka pasur më komunikim formal mes palëve.

Komuna e Prishtinës dhe Ministria e Financave kanë pasur probleme komunikimi

Asdren Osaj, këshilltar i ministrit të Financave, tha se kërkesa për votim nga asambleja komunale bazohet në Ligjin për Borxhin Publik, ku parashihet që komuna merr kredi vetëm me miratimin e Kuvendit Komunal.

Neni 30, pika 1.2, më së miri e jep përgjigjen se kush është përgjegjës për bllokimin e finalizimit të marrëveshjes për kredi të Trafikut Urban”, tha Osaj. Ai shtoi se ligji për ndërmarrjet Publike në Kosovë, e përcakton Trafikun Urban si ndërmarrje ku aksionar 100 për qind është Kuvendi Komunal i Prishtinës.

Por interpretimi i komunës është se ‘Trafiku Urban’, megjithatë, është subjekt juridik dhe sipas ligjeve i lejohet të ushtrojë funksionin e marrjes së kredisë pasi të jetë aprovuar në organet e tij, pra në komisionin e aksionarëve.

Me këtë interpretim pajtohet edhe Krenar Shala, aktivist i shoqërisë civile, i cili bashkë me qytetarë të tjerë të Prishtinës ka nisur lëvizjen “Për Prishtinën” e cila mori shkas nga vonesat në zbatimin e projektit të autobusëve të rinj.

“Gjithmonë kur bëhen bllokada me prapavijë politike mundohen të gjejnë ndonjë çështje në procedurë. Unë nuk mendoj se duhet me aprovu Kuvendi Komunal diçka tjetër, për shkak se para një viti i njëjti kuvend i ka autorizu aksionarët, të cilët e kanë autorizu kryeshefin ekzekutiv, i cili i ka nënshkruar termat e kontratës”, tha Shala.

Pamje nga trafiku rrugor në Prishtinë | Foto nga Rron Gjinovci
Pamje nga trafiku rrugor në Prishtinë | Foto nga Rron Gjinovci

Do duhet akoma kohë

Pavarësisht këtyre mosmarrëveshjeve në interpretim, asambleja komunale e Prishtinës votoi më 17 maj 2016, duke miratuar vendimin për marrjen e kredisë.

Nëse aprovohet në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal, konsiderohet se hyn në fuqi, ashtu që të vazhdojnë hapat tjerë deri në realizimin e projektit.

Kjo çështje nuk përfundon me kaq, sepse një sërë procedurash dhe vendimesh nga institucione të tjera, duhet të materializohen para se Prishtina të marrë kredinë. Mbërritja e autobusëve është çështje tjetër.

Këshilltari i ministrit të Financave Osaj, dikur zëdhënës i Komunës së Prishtinës kur ajo udhëhiqej nga kryeministri aktual Isa Mustafa, tregoi për Gazetën JNK hapat që do të ndiqen deri në fund – gjithmonë nëse nuk ka probleme apo mospajtime nëpër ministritë e përfshira, e mandej në Zyrën e Presidentit dhe në Kuvend.

Vendimi për marrjen e huasë për autobusët duhet të shndërrohet në ligj

Ministria e Financave do ta procedojë në qeveri propozim-vendimin për dhënien e garancisë shtetërore për marrjen e kredisë nga BERZH, si dhe propozim-vendimin për Presidentin që ta autorizojë ministrin e Financave për nënshkrimin e marrëveshjes ndërkombëtare me BERZH për dhënien e garancisë shtetërore lidhur me kredinë në fjalë.

Nëse diçka e tillë tingëllon e ndërlikuar, kjo ndodh sepse është e ndërlikuar, dhe ky është ende fillimi.

Pas aprovimit në qeveri dhe nga Presidenti i Republikës, ministri nënshkruan marrëveshjen me BERZH për dhënien e garancisë shtetërore. Por nuk mbaron këtu.

Tash, pas nënshkrimit, Ministria e Financave do ta dërgojë për aprovim në qeveri projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes me BERZH. Tani po flitet për ‘projektligj’.

Pas aprovimit të projektligjit në qeveri, i njëjti do të procedohet në Kuvend me ç’rast do të duhet të votohet nga 2/3 e deputetëve të Republikës së Kosovës.

Këshilltari i ministrit të financave Asdren Osaj sqaron se deri te dërgimi për aprovim final në Kuvendin e Kosovës procedurat do të marrin rreth një muaj, mirëpo “pastaj gjithçka varet nga procedurat që ka Kuvendi i Kosovës”, tha Osaj.

Autobusët e rinj duhet të presin në radhën e një kolone të gjatë procedurash institucionale para se të mbërrijnë në Prishtinë

E thënë ndryshe, duhet që vendimi të miratohet në dy ministri, në qeveri, në presidencë dhe në fund në Kuvend, një procedurë më e ndërlikuar se ajo për zgjedhjen e Presidentit apo ndryshimin e Kushtetutës së Republikës.

Kosova ende nuk e ka ligjin për kryeqytetin i cili do t’i jepte autonomi më të madhe organeve qeverisëse të Komunës së Prishtinës si dhe do të rriste buxhetin e caktuar për Prishtinën.

Ndërkaq, hipja në autobusët e rinj – të cilët nuk kanë asnjë shans të mbërrijnë para aprovimit në të gjitha hallkat e mësipërme – për momentin mbetet një dëshirë e mirë e komunës dhe qytetarëve që ajo qeveris.