Blerand Stavileci, Ministër i Zhvillimit Ekonomik

Auditori për Tenderin e Keq të MZHE-së

Dështimi në jetësimin e këtij projekti, sipas Auditorit, kishte ndikuar në që përqindja e investimeve kapitale në nivel të përgjithshme të jetë shumë e ulët.

Sipas Raportit të Auditorit, për vitin që lamë pas, projekti për efiçiencë elektrike (Renovimi i pesë ndërtesave) i buxhetuar në vlerë prej 3,167,000€ ishte shpenzuar vetëm 223,191€ apo 7%.

Në raport përmendet se ky projekt ishte planifikuar të financohej nga huamarrja prej Bankës Botërore, mirëpo Banka Botërore kishte refuzuar që të financohet ky projekt nga fondet e saj.

“Procesi ishte përcjellë me shumë ankesa nga operatorët dhe mospajtime në mes Bankës Botërore, MZHE-së dhe OSHP-së. Në fund si pasojë e këtyre mospajtimeve Banka Botërore e kishte shpallur si prokurim të dobët dhe kishte refuzuar që ky projekt të financohet nga fondet e saj”, thuhet në raport.

Për këtë projekt, më pas, ishte vendosur që kontrata e lidhur në vitin 2016 të financohej nga buxheti i Qeverisë së Kosovës, kurse fazat tjera do të financohen sipas marrëveshjes për huamarrje.

Auditori theksoi se mosdefinimi me kohë i rregullave të prokurimit që duhet zbatuar ka sjellë në një situatë që financimi i projektit prej Bankës Botërore të rrezikohej dhe të dështojë realizimi i kësaj pjese të projektit.

“Mos realizimi i projekteve të rëndësishme kapitale ka ndikuar në nivelin e ulët të ekzekutimit të buxhetit dhe shfrytëzimin joefikas të burimeve në sektorin publik”, shtohet në raport.

Gazeta Jeta në Kosovë fillimisht kishte shkruar për shkeljet ligjore që janë bërë në këtë tender dhe mos-pajtimet e Bankës Botërore që të jetë pjesë e një projekti që finalizohet me një kontratë që e dëmton buxhetin.

Pas raportimit të Gazetës Jeta në Kosovë, Policia e Kosovës kishte nisur procesin e mbledhjes së informatave për këtë tender.

Auditori i Përgjithshëm ka gjetur se ministri i Zhvillimit Ekonomik e ka tejkaluar numrin e stafit të lejuar për kabinetin e tij.

Sipas rregullores për fushat e përgjegjësisë administrative të zyrës së Kryeministrit dhe Ministrave është përcaktuar numri i këshilltarëve që mund të angazhojë çdo ministër dhe zëvendës ministër.

Sipas Raportit të Auditorit, me ligjin e buxhetit 2016, Kabineti i Ministrit kishte të planifikuar 18 punëtorë.

“Në vitin aktual në kabinetin e ministrit ishin të punësuar 22 persona ku 17 prej tyre paguheshin nga lista e pagave ndërsa pesë (5) zyrtarë me kontrata të rregullta paguheshin nga kategoria mallra dhe shërbime. MZHE kishte tejkaluar numrin e stafit të lejuar për kabinetin e ministrit për katër (4) pozita”, ceket në raport.

Ndërkaq, pagesa e zyrtarëve që kanë marrëdhënie të rregullt pune nga kategoria mallra dhe shërbime është në kundërshtim me nenin 11 të ligjit të buxhetit dhe nenin 33 të rregullës së thesarit, ku theksohet se të gjithë të punësuarit duhet të paguhen nga lista e pagave.

Auditori ka gjetur se sistemi i e-pasurisë nuk e kishte kalkuluar zhvlerësimin e pasurisë jokapitale dhe MZHE nuk kishte ndërmarrë veprimet e nevojshme për të kërkuar që ky problem të evitohet me kohë.

Sipas raportit, zyrtari i pasurisë kishte kalkuluar zhvlerësimin në excel ku edhe mund të rrjedhin gabime.

“Si pasojë e kësaj në PVF vlera e pasurive neto nën 1,000 euro ishte nënvlerësuar për 17,027 euro. Pasuritë jo kapitale ishin raportuar në vlerë 54,000 euro, kurse sipas regjistrit të pasurive ne vërejtëm se vlera e tyre ishte 71,027 euro”, theksohet në raport.

Gjatë vitit aktual për laboratorin e shërbimit gjeologjik, sipas raportit ishin blerë pajisje në vlerë prej 583,985 euro. Dhe u verifikua se gati gjysma e pasurive të blera ende nuk ishin funksionalizuar dhe ishin të paketuara në mungesë të kushteve dhe hapësirave adekuate.

Mbajtja e pasurive të blera, jashtë funksionit përveç mos shfrytëzimit të tyre sipas auditorit, rritë rrezikun që edhe periudha e garancionit të skadojë, dhe si pasojë prishjet eventuale të mos evitohen pa kosto shtesë në periudhën e garancionit.