Foto: Drejtësia në Kosovë

Auditori: Parregullsitë në Komunën e Rahovecit gjatë 2018-ës

Komuna e Rahovecit gjatë vitit 2018 është përballur me sfida dhe parregullsi në fusha të ndryshme, thonë gjetjet e Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA).

Ndër to ishin edhe parregullsitë me punësimin e personave me kontrata mbi vepër.

ZKA ka bërë të ditur se komuna në fjalë lidhur marrëveshje për shërbime të veçanta me 9 punonjës.

Ndërkaq, nga 6 mostrat e audituara ka rezultuar se komuna ka angazhuar dhe paguar këta punonjës në kohëzgjatje mbi gjashtë muaj, përfshirë parregullsitë të tjera.

“Komuna fillimisht kishte përdor bazën e gabuar ligjore duke lidhë kontrata për punë dhe detyra specifike me kohëzgjatje 120 ditë sipas Ligjit të Punës, për angazhimin e stafit civil (si anketues, zyrtar etj) dhe pas përfundimit të këtyre kontratave, ka vazhduar edhe për 6 muaj tjerë me marrëveshje për shërbime të veçanta, bazuar në Ligjin e Shërbimit Civil”, thuhet në raportin e Auditorit.

Një dukuri e tillë sipas menaxherit të personalit ka ndodhur për shkak të keq interpretimeve ligjore.

Por, sipas ZKA-së, Angazhimet e tilla rezultojnë me parregullsi ligjore dhe mungesa e monitorimit, rrit rrezikon që komuna të pranoj si kundërvlerë kontributin, performancën apo shërbimin e duhur nga staf i angazhuar në ketë formë.

“Kryetari duhet të sigurojë se hyrja në marrëveshje për shërbime të veçanta/kontrata për pune specifike bëhet në përputhje të plot me kornizën ligjore dhe koha e angazhimet në këto raste nuk tejkalon afatet e përcaktuar me ligje. Po ashtu kryetari duhet të sigurojë se angazhimet e tilla bëhen vetëm në rastet kur ka kërkesa specifike”, rekomandon Auditori.

ZKA ka sqaruar me tej se neni 12 pika 4 e Ligjit për Shërbimin Civil, përcakton se  emërimet me afat të caktuar për një periudhë më të shkurtër se gjashtë muaj do të bëhen në bazë të kontratave të quajtura “Marrëveshje për shërbime të veçanta” të cilat i nënshtrohen Ligjit për Detyrimet dhe për të cilat zbatohet një procedurë e thjeshtësuar e rekrutimit.

Mospërfillja e formularëve për shfrytëzimin e veturave

Zyrtarë të Komunës së Rahovecit nuk kanë plotësuar formularët obligues për shfrytëzimin e automjeteve zyrtare.

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) në raportin për vitin 2018 ka theksuar se në këtë komunë ka pasur menaxhim jo adekuat të autoparkut, në tri raste specifike.

“Siç kërkohet nga UA Nr.3-2008 – për menaxhimin e automjeteve zyrtare, janë përcaktuar formularët për përdorim të veturave zyrtare. Në tri raste gjate përdorimit të veturave në drejtorin e Administratës, Arsimit dhe QKMF, kemi gjet se nuk është plotësuar formularët për shfrytëzimin e automjeteve, siç kërkohet nga UA”, thuhet në raport.

Gjithashtu formulari, urdhër për shfrytëzimin e automjeteve nuk ishte nënshkruar nga zyrtari kompetent, autorizuesi i automjetit.

Auditori vlerëson se situata është pasoje e neglizhencës së zyrtareve kompetent komunal, mos ndarje e detyrave dhe mungesa kontrolleve të mjaftueshëm mbi menaxhimin e autoparkut.

“Mungesa e kontrollit në menaxhimi e automjeteve zyrtare rrit rrezikun e shpenzimeve të pajustifikueshme dhe mundësinë e përdorimit jo zyrtar të automjeteve komunale”, vijon raporti.

ZKA rekomandon se kryetari duhet të sigurojë se do të hartohet një politik e brendshme e cila definon qartë kërkesat dhe përgjegjësitë për përdorimin e veturave.

“Personat përgjegjës për mbikëqyrjen e autoparkut duhet të sigurojnë se gjatë përdorimit të automjeteve zyrtare azhurnohen fletudhëtimet dhe veturat përdoren vetëm sipas aprovimeve të personave përkatës”, thuhet në raportin për Komunën e Rahovecit.

Dobësi në realizimin e buxhetit

Auditori ka vlerësuar se sfidë kryesore me të cilën përballet Komuna e Rahovecit mbetet ekzekutimi i buxhetit për mallra e shërbime i cili ishte vetëm 62 për qind dhe investime kapitale.

“Pasi 1,681,513€ janë bërë pagesa për borxhet e akumuluara nga vitet e mëhershme dhe ekzekutimi i buxhetit për investime kapitale vlerësohet të jetë prej 55%10. Niveli i ekzekutimit krahasuar me objektivat e synuar nuk ishte arritur pasi menaxhmenti nuk kishte bërë një planifikim real të të hyrave dhe një numër i konsiderueshëm i kontratave ishin lidhur në fund të vitit”, thuhet në raport.

Gjithashtu, sipas Auditorit, edhe mungesa e një analize të rregullt mbi ecuritë buxhetore ka ndikuar në bartjen e të hyrave në vlerë prej 402,538 euro në vitin vijues, si fonde të pashpenzuara.

“Shfrytëzimi jo efektiv i fondeve në dispozicion, do të rezultojë në mos arritjen e objektivave të organizatës, më pak projekte për qytetaret dhe në financimin e detyrimeve të vitit aktual nga buxhetet e vitit të ardhshëm”, vijon raporti.

Mangësi në menaxhimin e personelit

Për 19 zyrtarë të cilët janë të angazhuar në Drejtorinë për Emergjencë dhe Siguri, komuna nuk ishte në gjendje t’ia ofrojë Auditorit dosjet e kompletuara dhe kontratat e këtyre zyrtarëve, në bazë të të cilave kryhet kompensimi i pagave.

Sipas menaxherit të personelit nuk ka dokumentacion relevant për këta zyrtar dhe kjo dukuri është shfaqur si pasojë e një memorandumi të nënshkruar vite me parë, pasi që zyrtarët janë pjesë e Ministrisë së Punëve të Brendshme, ndërsa kompensimi i pagave dhe kompensimet e tjera kryhen nga komuna.

Por sipas ZKA-së, kjo pasqyron një mungesë të specifikave të qarta për Burimet Njerëzore të Komunës.

“Sipas të dhënave të kërkuar nga sektori i MPB kemi identifikuar se këta zyrtar nuk janë të kategorizuar si nëpunës civil, ndërsa kompensohen me shtesën prej 31.2€ për muaj, që në total gjatë vitit 2018 këta punëtorë janë kompensuar në vlerë prej 7,488€. Gjendja e tillë ishte shfaqur sepse zyrtaret janë pjesë e stafit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, si pasojë e memorandumit”, thuhet në raport.

Pagesat për zyrtarët në mungesë të dokumentacionit relevant, siç thekson Auditori, rezulton në pamundësinë për të justifikuar pagën/shtesat ose për të mundësuar shqyrtimin e rezultateve nga vlerësimet e performancës, po ashtu pagesat e shtesave në kundërshtim me vendimin e qeverisë, janë pagesa të parregullta dhe shkaktojnë dëmtim të buxhetit të komunës.