Kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu | Foto: KALLXO.com

Auditori: Parregullsitë e Komunës së Podujevës në vitin 2018

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka gjetur një varg parregullsish në Komunën e Podujevës për vitin 2018.

Mangësi në rekrutim, anashkalim të kritereve për dhënien e subvencioneve, realizim i ulët i buxhetit për investime kapitale, menaxhim i dobët i kontratave për qiradhënie, mos efikasitet në mbledhjen e të hyrave, ishin vetëm disa nga shkeljet e evidentuara nga auditori në këtë komunë.

Komuna e Podujevës ka anashkaluar kriteret për dhënien e subvencioneve për organizimin e disa aktiviteteve në këtë komunë gjatë 2018-ës.

Sipas ZKA-së, për subvencionimin e Organizatave Joqeveritare për organizimin e aktiviteteve kulturore, rinore, sportive, në thirrjen e datës 30 mars 2018, komuna nuk kishte përpiluar listën e aplikuesve me pikët e përfituara nga secili, në bazë të cilave edhe do të përfitonin subvencionin.

Sipas raportit, komuna kishte përpiluar vetëm listën me emrat e përfituesve.

“Për më tepër, një aplikues kërkesa e të cilit figuronte në librin e protokollit, nuk figuronte fare në lisën e aplikuesve. Komuna arsyetohet me faktin se kjo rregullore ka filluar se zbatuari në qershorin e vitit të kaluar dhe ende nuk janë familjarizuar mirë me kërkesat që dalin nga ajo. Derisa sipas tyre, aplikuesi që nuk është në listë nuk kishte qenë rezident”, thuhet në të gjeturën e Auditorit.

ZKA vlerëson se mos respektimi i rregulloreve të vendosura nga ministria, mund të shpie në keq përdorim të qëllimit të subvencioneve, dhe njëkohësisht dëmton direkt përfituesit potencial.

“Kryetari, duhet t’i forcojë kontrollet mbi menaxhimin e subvencioneve dhe të sigurojë që subvencionet ndahen në përputhje me kriteret e vendosura në rregullore, në mënyrë që përfituesit të renditen sipas pikëve në bazë të cilave edhe marrin shumën e përcaktuar”, rekomandon Auditori.

Punësimi i personave pa përvojë profesionale

ZKA ka gjetur mangësi në udhëheqjen e procedurave të rekrutimit në Komunën e Podujevës për vitin 2018.

Nga gjashtë raste të testuara lidhur me rekrutimin e stafit, në dy prej tyre ZKA-ja ka identifikuar se njëri kandidat për pozitën mjek i përgjithshëm në QKMF nuk kishte ofruar dëshmi rreth përvojës së punës, ndërkaq, tjetri kandidat për pozitën zyrtar i të hyrave financiare nuk kishte përvojën e kërkuar sipas kriterit të konkursit.

“Sipas konkursit ‘Mjek i përgjithshëm në QKMF’ është kërkuar që kandidatët të kenë një (1) vit përvojë pune. Kandidati i përzgjedhur për këtë pozitë nuk kishte ofruar dëshmi rreth përvojës së punës. Sipas kryetarit të komisionit përzgjedhës të gjithë kandidatët që kanë aplikuar janë përfshirë në listën e ngushtë, ndërsa kandidati i përzgjedhur ka arritur rezultatin më të mirë gjatë testimit me shkrim dhe intervistës”, thuhet në raportin e Auditorit.

Kurse, sipas konkursit “Zyrtar i të hyrave financiare” është kërkuar që kandidatët të kenë 2 vite përvojë pune profesionale.

“Kandidati i përzgjedhur për këtë pozitë sipas aplikacionit nuk kishte përvojën e kërkuar. Sipas kryetarit të komisionit përzgjedhës kandidati i përzgjedhur ka qenë duke punuar me marrëveshje për shërbime të veçanta, dhe për këtë arsye është përfshi në listën e ngushtë dhe më pas ka arritur rezultatin më të mirë”, thuhet më tej në raport.

Auditori ka theksuar se mos respektimi i kritereve sipas konkursit rrit rrezikun për diskriminim të kandidateve të cilët mund të jenë më kompetent për atë pozitë.

“Kryetari të sigurojë se janë dizajnuar kontrollet e duhura në mënyrë që rekrutimet të behën përmes një procesi transparent, konkurrues dhe në pajtim me kërkesat e konkursit”, rekomandon ZKA-ja në raportin për vitin 2018.

Realizimi i buxhetit

Ngecje në Komunën e Podujevës pati edhe sa i përket realizimit të buxhetit.

“Komuna kishte buxhetuar 7,012,525€ për të investuar në projekte kapitale, nga të cilat ka shpenzuar vetëm 68% apo 4,744,046€. Komuna e pranon këtë sfidë për të cilën sipas saj shkaktarë janë, vonesat në inicimin dhe lidhjen e kontratave, vonesat e realizimit të punëve nga kompanitë dhe mos zgjidhja me kohë e çështjeve pronësore në vendet ku bëhen investimet”, thuhet në raportin e ZKA-së.

Sipas Auditorit, për 21 projekte, apo 15 për qind nga 138 projektet e vitit 2018, të cilat kanë filluar dhe ato që nuk kanë përfunduar do të shpenzohen të hyrat e bartura apo buxheti i vitit 2019.

Mos efikasitet në Podujevë gjatë 2018-ës ka pasur edhe në mbledhjen e të hyrave.

ZKA vlerëson se realizimi i të hyrave ishte në shkallën 71%, e që tregon një shkallë të ulët realizimi krahasuar me “planifikimin ambicioz” që kishte komuna.

“Kjo për shkak se komuna kishte planifikuar të mbledhë më shumë të hyra nga taksa për lejet e ndërtimit, taksa e regjistrimit të automjeteve, nga qiraja e objekteve publike, ngarkesat komunale dhe certifikatat”, thotë e gjetura.

Në Komunën e Podujevës u evidentuan edhe mungesa të përditësimit të të dhënave.

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka bërë të ditur se komuna nuk kishte arritur të përditësojë regjistrin e tatim paguesve.

“Komuna në sistemin e tatimit në pronë ka të regjistruara 28,802 prona derisa në bazë të raportit për shpërndarjen e faturave tek tatimpaguesit del se janë vetëm 18,723 nga to. Sipas komunës dhe nga testimi i mostrave tona kemi vërejtur se në sistem ka të dhëna të dyfishuara dhe jo të plota”, thuhet në raport.

Po ashtu, sipas Auditorit, nuk ishin përditësuar edhe të dhënat lidhur me pagesat dhe borxhet e pronarëve të rinj të ndërmarrjeve shoqërore të cilat ishin blerë/privatizuar nga ta.

Menaxhim i dobët i kontratave për qiradhënie

ZKA ka gjetur se në kontratën për dhënien e pronës së paluajtshme të komunës në shfrytëzim parashihen të drejtat dhe detyrimet mes qiramarrësit dhe komunës.

Sipas raportit, Komuna e Podujevës në fund të vitit 2017, i kishte dhënë kompanisë kontratë për shfrytëzim të hapësirave për vendosje të reklamave/pano, dhe e njëjta nuk iu kishte përmbajtur asaj.

“Sipas kontratës, ajo do të duhej të vendoste dhe të paguante për panot, tarifën mujore në vlerë prej 782,50€. Deri më tani komuna nuk ka realizuar asnjë përfitim, dhe nuk ka vendosur panot. Po ashtu, kompania nuk ka plotësuar as kushtin paraprak nga kontrata që para nënshkrimit të saj të paguajë 2,347€, edhe pse e ka nënshkruar kontratën”, thuhet në raport.

29 persona të punësuar me kontratë mbi vepër

ZKA në Komunën e Podujevës gjatë 2018-ës ka gjetur mangësi tek kontratat për shërbime të veçanta .

Sipas raportit, komuna për realizimin e shërbimeve të domosdoshme, kishte angazhuar 29 persona përmes Marrëveshjeve për Shërbime të Veçanta (MShV).

“Ne kemi testuar tetë (8) raste dhe kemi gjetur se: Në tetë (8) raste angazhimi ishte bërë përmes procedurave të thjeshtëzuara të rekrutimit, edhe pse në të gjitha rastet personat e njëjtë ishin angazhuar dhe punonin për kohë më të gjatë se gjashtë (6) apo katër muaj (4), sa është e lejuar me ligj. Personat punonin në pozita të rregullta të punës prej vitesh”, thuhet në raport.

Auditori shton se këta zyrtarë punonin, si infermierë, zyrtar për të dhëna, roje, punëtorë teknik, etj.

Sipas komunës kjo ishte pasojë e mungesës së pozitave të aprovuara në planifikimin e buxhetit.

“Në dy raste personat fillimisht ishin angazhuar për 4 muaj dhe më pas kontratat iu kishin vazhduar edhe për katër muaj me kërkesë të drejtorëve përkatës ku ishin angazhuar më parë”, vijon e gjetura.

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka nisur publikimin e raporteve të auditimit për vitin 2018 për institucionet e Kosovës.