Auditori: Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale me plot shkelje

Raporti i Auditorit për vitin 2017 kishte gjetur se në Komisionin e Pavarur për Miniera dhe Minerale, në dy raste nga mostrat, bartësit e licencave për shfrytëzimin e pasurisë minerare nuk kanë raportuar mbi aktivitetet e shfrytëzimit, si detaje të sakta për tonazhin, vëllimin, përbërjen, shkallën dhe vlerën e mineraleve të prodhuara.

“Neni 34 i Ligjit 03/L- 163 për Miniera dhe Minerale i ndryshuar me Ligjin nr.04/L-158, përcakton se  bartësit e licencave për shfrytëzimin e pasurisë minerare duhet të raportojnë për periudhën përkatëse një përmbledhje të të gjitha rezultateve të aktiviteteve të shfrytëzimit pasurisë minerare, detaje të sakta për tonazhin, vëllimin, përbërjen, shkallën dhe vlerën e mineraleve të prodhuara”, thuhet në raport.

Mos raportimi i rregullt nga ana e shfrytëzuesve të licencës, sipas Auditorit e rrit rrezikun e mungesës së informatave të plota në lidhje me vëllimin e mineraleve të prodhuara si dhe vlerën e obligimeve që e ka secili bartës i licencës ndaj KPMM-së.

Gjithashtu te të hyrat nga operimet ilegale KPMM kishte efekt të ulët.

Në raport thuhet se KPMM gjatë vitit 2017 kishte identifikuar 80 raste të operimeve ilegale, ka shqiptuar 76 kallëzime penale në prokuroritë themelore përkatëse, për rastet e identifikuara KPMM kishte shqiptuar gjoba në vlerë 605,200 euro dhe kishte parashtruar 115 raste /propozim për përmbarim në vlerë prej 743,684€ ndaj operueseve ilegal.

Por, përkundër që Inspektorati i KPMM kishte ndërmarrë bashkëveprime me institucionet përkatëse për ndaljen e operimeve ilegale dhe shqiptimin e gjobave, raporti i Auditorit ka vërejtur se efekti ishte i ulët.

“Vazhdimi i aktiviteteve të operatorëve ilegal mund të shkaktoj mos përdorim të drejtë të pasurive minerale dhe shkatërrimin e tyre”, thuhet në raport.

Raporti i Auditorit ka gjetur gjithashtu se KPMM nuk ka zyrtar certifikues dhe se këtë funksion e kryen kryesuesi i departamentit të administratës i cili menaxhon dhe mbikëqyrë divizionin e logjistikës dhe transportit, divizionin e personelit dhe sektorin gjuhësorë.

“Sipas KPMM-së, angazhimi i kryesuesit të departamentit si zyrtar certifikues, arsyetohet se në periudhën kur KPMM ishte kompetencë e rezervuar e UNMIK-ut menaxhmenti i atëhershëm ka ngarkuar kryesuesin e administratës me përgjegjësi shtesë me pozitën e certifikuesit dhe menaxhmenti aktual nuk e ka trajtuar si çështje të rëndësisë së veçantë”, thuhet në raport.

Auditori e sheh si rrezik ushtrimin e funksionit për certifikim dhe aprovim nga i njëjti zyrtar pasi paraqet konflikt interesi dhe nuk jep siguri se procesi i certifikimit është i pavarur dhe profesional.