Auditori identifikon mangësi në menaxhim të pasurive në KPMM

Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale, Auditori i ka gjetur mangësi në menaxhimin e pasurive.

Sipas auditorit me datë 31 janar 2017 KPMM, kishte marrë vendim për dhurimin e pasurive Qendrës Korrektuese në Lipjan.

Ndërsa me vendimin e datës 28 shtator 2017, KPMM themelon komisionin për vlerësimin e pasurisë jo financiare. Komisioni përkatës sipas Auditorit pas mbarimit të punës, identifikon pasurit që janë jashtë përdorimit për asgjësim.

“Ne identifikuam se pasuritë dhuruara si dhe ato të asgjësuara nuk ishin larguar nga regjistrat e pasurisë jo-financiare. Po ashtu, identifikuam se 20 lop-topë dhe pajisje përcjellëse në vlerë 14,524 edhe pse ishin të regjistruar në SIMFK, të njëjtit ishin regjistruar edhe në sistemin e e-pasurisë. Në këtë rast, pasuria ishte mbivlerësuar për 14,524 euro”, thuhet në raport.

Mos azhurnimi i regjistrit të pasurisë pas çdo ndryshimi, dhe regjistrimet e dyfishta, sipas Auditorit nuk ofron siguri se regjistri i pasurisë është i plotë dhe i saktë, si dhe pasuria e organizatës e pasqyruar në PFV është e mbivlerësuar.

Gjithashtu sipas Auditorit në KPMM vërehet një trend në rritjen e vazhdueshme të arkëtueshmeve nga viti në vit (16% vetëm 2017).

Kjo gjendje sipas raportit ishte edhe përkundër që KPMM kishte aplikuar programimin e borxhit, kushtëzimin e lejeve, shqiptimin e gjobave dhe angazhimin e përmbarueseve privat me qëllim të arritjes së rezultateve sa ma të mira, porse këto veprime nuk kishin treguar ndonjë efekt konkret.

“Për këto çështje ne kemi rekomanduar edhe në vitin e kaluar, mirëpo kjo mbetët edhe më tutje sfidë e KPMM-së”, thuhet në raport.

Sipas raportit KPMM ka zbatuar një proces formal të menaxhimit dhe monitorimit të zbatimit të rekomandimeve të vitit të kaluar të AP-së dhe nuk është arritur që plani i veprimit të përmbushet në tërësi.