Ramiz Lladrovci, PDK, Drenas. Foto: Atdhe Mulla

Auditori gjen shkelje të shumta në sektorin e shëndetësisë në Komunën e Drenasit

Komuna e Drenasit e drejtuar nga kryetari Ramiz Lladrovci, ka ndarë tenderë për furnizim me pajisje mjekësore në vlerë rreth 12 mijë euro, duke iu shmangur procedurave të prokurimit.

Kjo është e gjetur e Zyrës Kombëtare të Auditorit për Komunën e Drenasit për vitin 2017.

“Kontratat ‘Furnizimi me pajisje mjekësore, Furnizim me fasha, dhe Furnizim me filma për RTG dhe material shpenzues mjekësor’, me vlerë të përbashkët 11 mijë e 943€, janë bërë me procedura të ndara të prokurimit. Për të gjitha kontratat ishte përfitues operatori i njëjtë ekonomik. Te tri kontratat ishin lidhur në tre mujorin e fundit të vitit. Për kontratën e furnizimit me material shpenzues, kemi testuar pagesën sipas së cilës nuk ishte pranuar i tërë furnizimi sipas kontratës. Komisioni kishte pranuar vetëm mallin i cili ishte faturuar”, thuhet në vlerësimin e Auditorit.

Sipas këtij raporti ky tender është menaxhuar nga  drejtori i sektorit të shëndetësisë, njëherësh edhe autorizues i kërkesës dhe pagesës së tenderëve.

“Ndarja e tenderëve për t’iu shmangur procedurave të prokurimit paraqet rrezik se do ketë shpenzime më të larta për mallrat apo shërbimet e blera dhe nuk ofrohen mundësi të barabarta për konkurrencën. Autorizuesi i kërkesës dhe pagesës dhe menaxheri i kontratës nga i njëjti zyrtar paraqet konflikt në ndarjen e detyrave”, thuhet në raport.

E gjetur tjetër sipas raportit të Auditorit për komunën e Drenasit është edhe menaxhimi i dobët i kujdestarive, ndërrimeve të natës së stafit mjekësor, duke nënshkruar një person në emër të mjekëve kujdestar.

“Në dy raste kujdestaritë-ndërrimet e natës ishin kompensuar 265 euro, derisa nga verifikimi i ditarëve të kujdestarive-ndërrimeve të natës kemi evidentuar se stafi mjekësor nuk ishin nënshkruar individualisht, por një zyrtar ishte nënshkruar për të gjithë. Kjo dukuri është e shprehur për të gjitha kujdestaritë ndërrimet e natës përveç mjekëve kujdestarë të cilët nënshkruheshin dhe vendosnin faksimilet”, ka vlerësuar Auditori.

Zyra Kombëtare e Auditorit, ka vlerësuar se mangësitë e evidentuara në menaxhimin e duhur të ditarëve të kujdestarive, rrezikojnë në mbi pagesë të kujdestarive edhe në mungesën e shërbimeve më të mira dhe të duhura për qytetarët.

Auditori ka rekomanduar që kryetari i komunës së Drenasit në bashkëpunim me Drejtorinë e Shëndetësisë dhe me udhëheqësin e QKMF-së duhet të sigurojnë se janë vendosur kontrollet adekuate dhe të aplikojnë kontrolle monitoruese ndaj procesit të aprovimit, evidentimit dhe kompensimit të kujdestarive -ndërrimeve të natës.

 

 

14 Qershor 2018 - 11:02

Amire Qamili 14/06/2018 - 11:02
NDËRVEPRIMI0
Prishtina Insight
NA NDIQNI

Send this to a friend