Dosja e ekspertëve ndërkombëtar që rekomandon mosakreditimin e Universitetit të Pejës

Agjencia e Kosovës për Akreditim(AKA), kishte angazhuar dy eksperte ndërkombëtare, për të vlerësuar Universitetin publik të Pejës “Haxhi Zeka”.

Këto eksperte dolën me një raport që rekomandoi mosakreditimin e këtij universiteti.

Kjo erdhi pas vlerësimit të detajuar nga ekspertet Anca Prisacariu dhe Oana Sarbu, sipas gjetjeve të të cilave, Universiteti i Pejës mund të përmirësohet vetëm nëse udhëhiqet nga një menaxhment i informuar dhe i aftë.

Vlerësimi institucional nga ana e ekspertëve, është i rregulluar me Ligjin për Arsimin e Lartë në Kosovë dhe me Udhëzimin Administrativ për Akreditimin e Institucioneve të Arsimit të Lartë.

Raporti  është miratuar dhe votuar nga bordi i Këshillit Shtetëror të Cilësisë(KSHC), dhe pas miratimit, Universiteti i Pejës nuk do të mund të regjistrojë studentë të rinj, në vitin e ardhshëm akademik 2019/2020.

Ngjashëm me Universitetin e Mitrovicës, i cili gjithashtu ka marrë rekomandim për mosakreditim, Universiteti i Pejës, është kritikuar për mungesën e dokumenteve relevante në gjuhën angleze, gjatë këtij vlerësimi.

“Procesi i përgjithshëm i akreditimit ka qenë mjaft sfidues: pavarësisht se institucioni ishte i vetëdijshëm se procesi do të kryhet vetëm në gjuhën angleze, shumë pak dokumente janë vënë në dispozicion në anglisht, në mënyrë që ekspertët ndërkombëtarë të vlerësojnë përputhshmërinë institucionale me standardet e jashtme”, është thënë në raport.

Sipas tyre, ky universitet ka shkuar deri në ekstrem gjatë shkrimit të Raportit të Vetëvlerësimit.

“Ekipi i ekspertëve ka ardhur në përfundim se shumë pjesë të Raportit të Vetëvlerësimit, aspak nuk përkojnë me realitetin (implementimin e vërtetë të proceseve, përshtypjet reale të komunitetit të stafit akademik). Institucioni duket të ketë qenë shumë i zënë për të prezantuar praktikat institucionale në mënyrë pozitive, saqë ka dështuar në mënyrë të plotë në kapacitetin vetëkritik, si në dokumentet e dorëzuara, ngjashëm edhe në takimet e mbajtura gjatë vizitës.”, është shkruar në raport.

Tutje ekspertet kanë theksuar se universiteti duhet të jetë më i hapur dhe i sinqertë, kundrejt dobësive, mangësive dhe gjërave që duhet përmirësuar, në mënyrë që ekspertët të kenë një pamje më reale mbi Universitetin e Pejës.

“Kjo jo vetëm që e ka bërë të vështirë për ekipin e ekspertëve që të bënte dallimin mes informacionit objektiv, fakteve të cilat nuk mbështeteshin nga dëshmitë dhe gjykimeve të paqëndrueshme, por gjithashtu, i ka shtyrë këto eksperte, që të dyshojnë nëse universiteti është i vetëdijshëm për sfidat e tanishme dhe a to të ardhshme, dhe nëse kanë aftësinë për identifikimin e rreziqeve në mënyrë që t’i adresojnë në mënyrë të duhur.”, është sqaruar më tej.

Andaj si përfundim, ekipi i eksperteve ka deklaruar se Universiteti i Pejës, përkon pjesërisht me standardet e përfshira në manualin e akreditimit të AKA-së, prandaj edhe kanë rekomanduar që të mos akreditohet ky institucion.

“Ekipi i ekspertëve beson se këto mund të tejkalohen lehtë, nëse do të kishte një plan strategjik gjithëpërfshirës, një menaxhment të informuar dhe të aftë, një udhëheqësi të organizuar mirë, një administratë dhe sigurim të cilësisë dhe nëse komuniteti akademik do të mblidhej rreth filozofisë institucionale për t’i motivuar ata drejtë arritjes së misionit institucional”, është theksuar në përmbledhjen e këtij raporti.

Baza ligjore që ia mundëson ekspertëve ndërkombëtar vlerësimin e universiteteve dhe kolegjeve

Në Nenin 15 ‘Akreditimi dhe vlerësimi i cilësisë’, pikën 3 thuhet se “Riakreditimi i bartësve kryhet nga AKA-ja në intervale kohe prej jo më shumë se 5 vjetësh. Riakreditimi nuk bëhet pa një shqyrtim të raportit të vetëvlerësimit të bartësit, nga ana e ekspertëve, përveç në rrethana të veçanta. Ky rishikim nga ana e ekspertëve do të përfshijë një inspektim të drejtpërdrejtë të ofrimit të shërbimeve. Riakreditimin e një institucioni apo të një ose më shumë programeve të tij mund ta kërkojnë bordi i AKA-së ose Ministria brenda një periudhe më të shkurtër se pesë vjet.”

Në Udhëzimin Administrativ për Akreditimin e Institucioneve të Arsimit të Lartë, Neni 10 i cili flet për ‘Procedurat e akreditimit/riakreditimit’, pika 1.5.1. thotë se “AKA organizon procesin e vlerësimit të jashtëm me një ekip të pavarur të vlerësuesve ndërkombëtarë. Ky ekip harton një raport të jashtëm të vlerësimit, i cili ofron një vlerësim të cilësisë së institucionit aplikues apo programeve të tij të studimit bazuar në standardet dhe udhëzuesit për akreditim. Ky raport i cili i dorëzohet AKA-së, ofron rekomandime për përmirësimin e cilësisë për IAL-në nën vlerësim si dhe përfshin rekomandimin final për riakreditim apo mosakreditim.

Tutje udhëzimi thotë se KSHC pastaj duhet të vlerësojë raportin e vlerësimit të jashtëm dhe ta votojë atë.

Gjetjet e ekipit të eksperteve

Ekspertet në raport kanë thënë se deklarata e misionit të UHZ-së ka qenë identike për 53 për qind me misionin e një universiteti tjetër publik në Kosovë, në të cilin shumica e fjalëve ishin sinonime.

Andaj kanë sqaruar se Ekipi i Eksperteve(EE) nuk ishte i sigurtë se cili universitet ishte inspiruar nga tjetri, mirëpo siç është shkruar në raport, UHZ kishte deklaruar se themelimi i gjashtë universiteteve të tjera publike, mund të ketë ndikuar në këtë ngjashmëri.

“Deklarata e misionit nuk mund të gjendej në faqen e institucionit, në gjuhën angleze apo në atë shqipe”, andaj është rekomanduar edhe rishkrimi i kësaj deklarate në mënyrë që të jetë e shkurtë, e qartë, e matshme dhe unike.

Sipas tyre, Universiteti i Pejës ka një përzierje mes njësive akademike dhe administrative, ku disa njësi akademike siç janë Komisionet e Studimeve, janë lënë jashtë, gjë e cila është në kundërshtim me Statutin.

Gjithashtu është ngritur çështja e mos përfaqësimit të studentëve, duke thënë se ata nuk janë anëtarë të të gjitha trupave vendimmarrëse dhe konsultative.

“Ekipi i Eksperteve kanë gjetur pabarazi të madhe në baza gjinore, në pozitat udhëheqëse dhe administrative. Administrata është e dominuar nga gratë, derisa udhëheqja është e dominuar nga burrat. Bazuar në informacionin e marrë nga Raporti i Vetëvlerësimit, Statuti i Universitetit dhe nga rregullore të tjera të brendshme të UHZ-së, EE beson se mekanizmi i përfaqësimit të studentëve nuk është plotësisht demokratik dhe se ka kritere diskriminuese të cilat kufizojnë të drejtën e studentëve për të përfaqësuar dhe për të qenë i/e përfaqësuar”, është thënë në këtë raport.

Edhe nëse studentët kanë përfaqësues në disa nga strukturat vendimmarrëse të këtij universiteti, rregulloret do t’ua bëjnë të vështirë përfshirjen, është sqaruar më tej, duke shtuar se besojnë që roli i studentëve në udhëheqje dhe në planet strategjike, mund të rritet.

“Aftësia e të shprehurit në gjuhën angleze, e stafit administrativ dhe menaxherial, ende është e pazhvilluar. Menaxhmenti i universitetit nuk ka aspak njohuri për përmbajtjen e Kodit të Etikës dhe ata ishin të paaftë t’u përgjigjen pyetjeve përgjithësuese, e lëre më t’i përmendin dënimet specifike”, është shkruar në këtë raport.

“Nuk ka softuer kundër plagjiaturës”, theksuan ato, duke treguar se universiteti ende po mbështet vetëm në profesorët, duke thënë se ata do të identifikojnë plagjiaturën tek projektet apo temat e studentëve.

“Raporti i Vetëvlerësimit liston më shumë se 40 rregullore të brendshme, prej të cilave, Ekipi i Eksperteve arriti të identifikojë vetëm 6 në faqen zyrtare (në gjuhën shqipe, derisa informacioni në gjuhën angleze është shumë i mangët)”.

Ato treguan se në përgjithësi ka informacione të pamjaftueshme të publikuara rreth stafit akademik, punimeve shkencore dhe aktiviteteve akademike, programeve që ofrohen, numrit të studentëve të regjistruar, të mësuarit apo informacioneve mbi punësimin e të diplomuarve, mundësitë për bursa, si dhe informacionet mbi shumën e pagesave administrative apo semestrit.

“Ekipi i Eksperteve rekomandon që të rregullohet një formë detyruese ndaj profesorëve, të cilët duhet të fusin punimet e studentëve në ndonjërin prej softuerëve kundër plagjiaturës, të cilët janë pa pagesë dhe që gjenden online.”.

Sipas rekomandimeve, Universiteti i Pejës, duhet të sigurohet që të gjitha rregulloret e brendshme, procedurat apo vendimet e trupave udhëheqëse, të bëhen publike në faqen zyrtare.

Ekspertet nuk kanë arritur të gjejnë mekanizma që monitorojnë implementimin e Strategjisë së Sigurimit të Cilësisë, si dhe nuk kanë gjetur elemente të ngjashme në Strategjinë e Zhvillimit apo në Rregulloren për Sigurimin e Cilësisë.

“Rregullorja për Sigurimin e Cilësisë dhe Vlerësimit, e cila është miratuar në Senatin e UHZ-së, më 12 shkurt të vitit 2019, është plotësisht e kopjuar nga një institucion tjetër publik në Kosovë dhe është dorëzuar formalisht në universitet, pak kohë para fillimit të procesit të akreditimit institucional, i cili njëjtë me kopjen e deklaratës së misionit, është edhe një shqetësim etik ndaj të cilit EE është i tronditur”.

Sistemi aktual i UHZ-së, sipas eksperteve, nuk ka potencial për të arritur qëllimin e universitetit për rritjen e cilësisë dhe krijimin e një kulture të cilësisë sepse siç deklaruan ato, sistemi aktual, nuk ka hapësirë të mjaftueshme për vetë-analiza dhe vetëkritika.

“Kur u pyetën gjatë vizitës, për disa shembuj të vendimeve apo veprimeve që menaxhmenti ka ndërmarrë, duke u bazuar në të dhënat e sistemit të cilësisë, njëra nga përgjigjet e dhëna nga përfaqësues të universitetit, ishte se ata nuk kanë ndonjë aspekt specifik për t’u përmirësuar”.

“Universiteti i Pejës, nuk ka një Plan Zhvillimor të Hulumtimeve”, është theksuar në kapitullin i cili flet për punimet shkencore.

“Nuk ka dëshmi të cilat tregojnë se anëtarët e stafit akademik, kanë prodhuar mesatarisht të paktën një publikim shkencor në vit, përgjatë tri viteve të fundit. Sapo të merret titulli më i lartë akademik, nuk ka masa që nxisin stafin që të vazhdojnë me aktivitetet e tyre hulumtuese.”

Andaj edhe u rekomandua që të kërkohet një numër specifik i publikimit të punimeve shkencore, i cili përfshin të paktën një punim shkencor, për të gjitha kategoritë e stafit akademik, si dhe të inkurajohet stafi, që të përmirësojnë aftësitë e tyre në gjuhën angleze, në mënyrë që të rrisin numrin e publikimeve dhe mundësive për bashkëpunime ndërkombëtare.

“Nuk ka ndarje të qartë mes Burimeve Njerëzore dhe Zyrës së Sigurimit të Cilësisë, se kush bën çfarë, pasi që është një përzierje mes roleve dhe përgjegjësive të stafit akademik dhe administrativ”.

Fakulteti i Arteve sipas eksperteve, ka instrumente të vjetra dhe të pamjaftueshme, por edhe numri i librave që gjenden në bibliotekën e UHZ-së është shumë i vogël dhe nuk ka bazë të të dhënave online apo materialeve të hulumtimeve.

“Ekipi i eksperteve rekomandon që të rritet numri i literaturës në bibliotekë, në gjuhën shqipe dhe atë angleze. Të shikohet mundësia e nënshkrimit të një marrëveshje bashkëpunimi me bibliotekën e Prishtinës, për të kërkuar qasje në disa nga materialet digjitale”.

Ekspertet kanë gjetur se Universiteti i Pejës ka 39 marrëveshje bashkëpunimi me universitete dhe 15 të tjera me institucione të ndryshme, e që sipas tyre, këto marrëveshje duhet të përfshijnë shkëmbimin e studentëve dhe stafit, si dhe projekte e konferenca të përbashkëta.

“Ekipi i Eksperteve ka gjetur se shumica e këtyre marrëveshjeve nuk janë aktive, andaj edhe është e interesuar të dijë, bazuar në çfarë kriteresh ky institucion nënshkruan këto memorandume, nëse veç ka masa objektive të matshme dhe nëse universiteti është duke i vërejtur përfitimet apo ndikimin e këtyre bashkëpunimeve në ndonjë mënyrë”.

Ato rekomanduan që të rritet bashkëpunimi me Fakultete Evropiane, t’u jepet vëmendje më e madhe kërkesave të të punësuarve, duke u siguruar që të ketë një lidhje më të mirë mes teorisë dhe praktikës.

Reagimi i Parlamentit Studentor në Universitet të Pejës

Parlamenti Studentor në Universitetin e Pejës “Haxhi Zeka”, kishte protestuar para Rektoratit të këtij universiteti, duke kundërshtuar këtë raport, me arsyetimin se si mundet Agjencia e Kosovës për Akreditim, të akreditojë programet ekzistuese për tri vite, ndërkohë që tërheq akreditimin institucional.

Ata kishin kërkuar dorëheqjen e Ministrit të Arsimit, Shyqyri Bytyqi, duke thënë se ai çdo vit është duke kërkuar mbylljen e të gjitha Universiteteve Publike.

Në një intervistë për KALLXO.com, Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi kishte deklaruar se disa prej shtatë universiteteve publike në Kosovë, mund të shndërrohen në kampuse rajonale apo të profilizohen.

Sipas tij, këto dy opsione kishin dalë si qëndrime zyrtare të ministrisë dhe se pritet të diskutohen nga Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës.